Vila e Mbretërore e Durrësit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Vila e Mbretërore e Durrësit

Vila e Mbretërore e Durrësit ose ashtuquajtur Vila e Mbretit Zog ndodhet në qytetin e Durrësit.

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Historia fillon në vitin e largët 1925, kur Zogu i posashpallur President i Republikës, i gjendur ngushtë për para iu drejtua Italisë. Në datë 26.05.1925, midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Italiane, u lidh Konvencioni “Mbi Huan për Punët Botore të Shqipërisë”, në shumën prej 50 milionë franga ari, me kushte favorizuese dhe me interes të ulët. Fondet e kësaj huaje do të menaxhoheshin nëpërmjet një komisioni të përbashkët, me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare dhe të një Agjencie mbikëqyrëse e quajtur “Societa per lo Svilupo Economico del Albania (SVEA)”, me qëllim që ato të mos keqpërdoreshin. Pas kësaj, nëpërmjet diskutimeve dypalëshe dhe disa vendimeve të Qeverisë, u përcaktua lista e objekteve publike që do të financoheshin me këto fonde. Në këto objekte përfshihej ndërtimi i disa akseve rrugore kryesore, ndërtimi i disa urave, porteve, veprave bonifikuese etj.

Më pas, në qershor të vitit 1927, u vendos në parim që në këtë kredi të përfshiheshin edhe ndërtimi i një numri godinash qeveritare, ushtarake etj. Kështu, me VKM nr. 179, dt. 16.06.1927, u vendos, ndër të tjera, edhe financimi i “Rezidencës Presidenciale në Durrës”. Duhet të kemi parasysh se në kushtet e atëhershme, shteti dhe administrata gjendej në ngushticë shumë të madhe për godina qeveritare dhe shumë ministri ishin sistemuar nëpër objekte private ku qëndronin duke paguar qira. Një muaj më pas, në korrik 1927, me një vendim qeverie u vendos “financimi i Vilës Presidenciale në Durrës, nga fondet e ndërtesave të parapame me Huan (50 milionëshe) me shumën 335.000 fr. ar”. Nga dokumentet rezulton se menjëherë pas këtij vendimi, më 31.07.1927, kjo shumë u është likuiduar ndërmarrjeve që ndërkohë i kishin kryer punimet e ndërtimit në Vilë. Në një farë mënyre, punimet ishin kryer ende pa u çelur fondet, siç do të thoshim me terminologjinë e sotme.

Më pas, Parlamenti shqiptar miratoi edhe një ligj të veçantë për të ligjëruar këtë rrugë financimi, mbi bazën e të cilit në vitin 1928, midis Ministrisë së Punëve Botore dhe ing. Silvestro Raia lidhet kontrata: ”Për ndërtimin dhe Kompletimin e Vilës Presidenciale në Durrës, punim për t’u kryer me Huan 50 milionëshe”. Kjo kontratë e firmosur nga Ministri i Punëve Botore në cilësinë e investitorit dhe nga përfaqësuesi i firmës në cilësinë e sipërmarrësit, parashikonte një investim aforfe prej 485.000 fr. ar, të cilat do të saktësoheshin sipas preventivave. Meqenëse këto fonde nuk mjaftuan për ndërtimin e godinës, më pas me vendime të tjera qeverie janë shtuar shuma të tjera, si për shembull me VKM nr. 598, dt. 15.09.1928, u vendos një shtesë kontrate prej 35.860 fr. ar apo me VKM nr. 846, dt. 19.09.1929, u vendos një financim shtesë prej 174.500 fr. ar.

Ky proces, por me shuma më të vogla vazhdoi edhe në vitet ’30, duke lidhur kontratat përkatëse sa herë ka qenë e nevojshme të bëheshin punime shtesë apo investime të reja në këtë objekt. Dy kontratat e fundit për punime i përkasin: E parafundit është kontrata dt. 04.11.1937 midis Ministrisë së Punëve Botore, e përfaqësuar nga Kryeministri dhe Sipërmarrjes Pellegrini, për shumën prej 3.900 fr. ar. Historikisht këto punime duhen lidhur me përgatitjet për festimet e 25-vjetorit të Indipendencës. Hera e fundit që për Vilën e Durrësit janë dhënë fonde publike, ka qenë Shtojcë-Kontrata dt. 06.04.1938, gjithashtu midis Ministrisë së Punëve Botore, e përfaqësuar nga Kryeministri dhe Sipërmarrjes Pellegrini, për shumën prej 4.500 fr. ar. Historikisht këto punime lidhen me përgatitjet e ceremonive të martesës së Mbretit.

Gjithsej mund të thuhet se për financimin e ndërtimit dhe pajisjes me mobilie të Vilës së Durrësit, janë investuar mbi 1.5 milionë franga ar, shumë kjo e barabartë me ndërtimin e secilës prej godinave që përbëjnë kompleksin e ministrive në Tiranë, edhe këto të ndërtuara ngjatë të njëjtës periudhë dhe gjithashtu me fonde nga kredia SVEA. Në dokumentet e hershme, vila përcaktohet si “Vila Presidenciale”, pasi Zogu ishte President i Republikës, ndërsa pas vitit 1928, me shpalljen e Monarkisë, ajo përcaktohet si “Vila Mbretnore”.

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  • "Vila e Zogut", pronë shtetërore - Dokumentet që vërtetojnë se rezidenca në Durrës u ndërtua me fonde publike. Shkruar nga Artan Lame tek Gazeta Shqip 23 janar 2010.

Shiko edhe[redakto | redakto tekstin burimor]