Vizatimi teknik

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vizatimi teknik është një paraqitje grafike e një objekti real që do të prodhohet ose ndërtohet, ose e një ideje apo projektimi të propozuar që do të vihet në jetë. Vizatimi teknik është përdorur që në kohët e lashta, por teoria e projektimit të objekteve në plane imagjinare u përhap në gjysmën e parë të shekullit të pesëmbëdhjetë nga arkitektët italianë Alberti, Brunelleschi etj.

Personi i cili bën vizatimin quhet vizatues ose teknik vizatimi. Ky person krijon vizatimet teknike të cilat janë një formë e komunikimit grafik të specializuar. Një vizatim teknik ndryshon nga një vizatim i zakonshëm nga mënyra se si interpretohet. Një vizatim i zakonshëm mund të ketë shumë qëllime dhe kuptime, ndërsa një vizatim teknik ka për qëllim të komunikojë qartë dhe saktë të gjitha specifikimet e nevojshme për të transformuar një ide në formë fizike.

Metodat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Skicë për një ndërtesë.

Me dorë të lirë (Skicat)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Skica është vizatimi i bërë shpejt me dorë të lirë që nuk përbën vizatimin përfundimtar. Në përgjithësi, një skicë është një mënyrë e shpejtë për të regjistruar një ide për përdorim të mëvonshëm.

Mjete për vizatim teknik.

Me mjete vizatimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vizatimi teknik mund të realizohet me mjete vizatuese në një copë letër në tavolinë ose në një panel dërrase vertikal. Mjetet e vizatimit përfshijnë lapsat, gomat fshirëse, teknografët, vizoret trekëndëshe ose të drejta, kompaset, raportorët, kurbalinjat etj. Për të riprodhuar vizatimin ai kopjohet në letër transparente dhe me anë te pajisjeve me dritë hidhet në letër me shtresë kimike që reagon ndaj dritës. Kjo metodë vizatimi shumë e përhapur vite më parë, përdoret rrallë në ditët e sotme.

Një vizatim tre dimensional i kollodokut me katër pistona.

Me anë të kompjuterit (CAD)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në ditët e sotme metoda e realizimit të vizatimit teknik është automatizuar dhe përshpejtuar me ndihmën programeve kompjuterike (CAD-Computer Aided Design).

Ka dy lloj programesh për vizatim teknik, dy dimensional (AutoCAD) dhe tre dimensional (Solidworks, ProEngineer, Autodesk Inventor etj).