Vrisi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Vris
Βρύση
Fshat
Emri i banorëveVrisqot

Vris (greqisht: Βρύση/Vrísi) është fshat në qarkun i Çamërisë, Greqi.

Gjeografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga veriu Vrisi kufizohet me Nistën, nga jugu me Arvenicën, nga lindja me Kodrën dhe nga perëndimi me Pllotarenë. Para Luftës së Dytë Botërore, Vrisi kishte këto lagje: Fshati dhe Zighua (Zighoi). Kjo lagje e fundit është e ardhur nga Kuçi i Gumenicës në kohëra që nuk mbahen mend. Shkaku i shpërnguljes ka qenë për çështje hasmërie.[1]

Toponimet të fshatit Vris:(Para Luftës së Dytë Botërore)[2]

  • Alfinua (Alfinoi) – arë, në J.
  • Ar’ e Hoxhës - arë, në VP.
  • Argileja - uilli i egër në mal, në P.
  • Balldardha - bregore në mal, në P.
  • Burima e Çepit Prroit – burim, në V.
  • Burimat e Aliajt – burim, në V.
  • Burimat e Vrisit - burime që dalin nga mali, në J.
  • Burimë e Pillit Sterrës – burim, në P.
  • Drizë - vresht me ullinj në rrëzën e malit, në J.
  • Dhafna - pyll me dafinë, në V.
  • Fiku i Egër - ara ku ka qenë një fik i egër, në P.
  • Fusha e Gropës – fushë, në L., në të kanë qenë pjesëtare të shtatë fshatrat e Gropës së Kuçit: Kuçi. Arvenica, Vrisi, Pllotarja, Nista, Skopjona, Çifliku.
  • Gërmadha e Ali Aga Vrizit – gërmadhë, në V. Tregojnë se nga fisi i këtij agai kanë qenë 7 vëllezer, të shtatë në kuaj me shalë, me toka shumë e me tufa të mëdha bagëtish. Kur barinjt e fshatrave të Gropës a binte puna që të kalonin me kopetë e tyre pranë qoshqeve (hodave) të Ali Aga Vrizit, ishin të detyruar që të hidhnin sherqet në kokë, t’u mbyllnin çokanet (këmborët) bagëtive, që të mos zgjuhej agai dhe t’i kalonin kopetë nëpër lumë dhe jo në rrugë pranë sarait. Fisi i këtij agai është shuar dikur nga kolera. Ai ka qenë kundërshtar i Veiz aga Pllotaresë, turk i ardhur për të zaptuar fushën dhe kish ngritur sarajet e tij afër Vrisit. Ali aga Vrizi e ngushtoi atë duke i hequr shumë toka dhe duke e detyruar të mos hapte dritare nga ana e fshatit te Vrisit. Por Veiz aga Pllotarja qe shumë i mençur, u soll mirë me vendasit dhe ja arriti të marrë një pjesë të mirë të fushës së Gropës por edhe ishullin e Qironisit.
  • Gorricat e Mbëdha - dy gorricat të mëdha, në L.
  • Grav’ e Rrethit të Ngushtë - shpellë që nxen rreth 500 kokë dele, në V.
  • Grop’ e Sulos - vend gropë, në P.
  • Gropat e Kaminit - vënde gropa me pyje, në P.
  • Gur i Karsellës - gur i madh ne formë sepetje, në V.
  • Guri Kuq - gur rreth 5 m. i gjatë, në P.
  • Jurtat - ara, në VL.
  • Kartalla – kullotë, në V.
  • Kojdhelet - rrugë me dredha në faqen e malit, në P.
  • Kreshta - faqe mali, në P.
  • Lakrat e Sulejman Kasos - ara, në P.
  • Lëm i Çopirit - lëmë i shtruar me gurë, në qendër.
  • Lëm i Zigoit - lëmë i gurtë, në qendër.
  • Llagaret - arë, në L.
  • Lis i Gropës – lis, në P.
  • Lisi Kalldrëm - lis në faqe të malit ku ndodhet një kalldrëm pranë tij, në P.
  • Lis i Xhanos – lis, në VL.
  • Luvadhi – livadh, në V.
  • Monet e Banushe - monet e fisit të Banushe, të ardhur nga Lelova (aneks i Sulit), sot ky fis banon në Pusin e Mezine, në Vlorë.
  • Monet e Bejdhejve – mone, në P.
  • Monet e Bellejve – mone, në J.
  • Monet e Brahos – mone, në P.
  • Pill i Sterrës — pyll, në P.
  • Pill i Vrizit - pyll i fshatit. Ky pyll Iidhet me një lojë të traditës “Ka Vrizi jaram në Pllotare ka klënë një pyll i math e i nëndur (dëndur). Çdo vit, në pranverë apo verë, të di këto fshatëra (Vrizi dhe Pllotarja) zglidhnin ka një djalë ka më të zotët në fshat që do të kalonte pillin degë me degë të pemëve, dikue u hjedhur ka një pemë nek tjetra, opo dikue u kapur nga një degë e një peme në degën thetër, pa vënë këmbë bi dhe. Ka poshtë pemëve seçili ka këta që do binin lojën, do të ndiqeshin ka katër dëshmitarë, di ka çdo fshat. Aj që do sosej i pari në fshatin tjetër i detiruar t’i ipte fshatit që fitonte 10 deshë apo sqep. Këto do të therreshin për festën e fitores ku do të ftoheshin dhe paria e fshatit tjetër që humbi lojën.” Fillimi i lojës lajmërohej me krismën e një pushke habertare. Veç kësaj loje këto dy fshatra bashkë me fshatrat e tjera të Gropës së Kuçit kanë bërë edhe lojra lufte me shigjeta, me shpata të hipur mbi kuaj etj. Të tilla tregime kemi mbledhur edhe në fshatrat labe të Vlorës: Tragjas e Radhimë, ku ndërmjet tyre janë zhvilluar loje analoge në pyllin e dëndur me bush që lidhte këto dy fshatra etj... si edhe lojrat ushtarake që kanë bërë Dukatet (Dukat, Tragjas e Radhimë).
  • Porej’ e Lisit - shteg në mesin e malit, në P.
  • Prroj i Aliajt - përrua, në V.
  • Prroi Shënkollit - përrua, në P.
  • Pus i Burrdhit - pus i vjetër i ndërtuar me gurë të skalitur, në L.
  • Pus i Meleqit - pus, në L.
  • Qafat e Bajramit – qafa, në P.
  • Radhoi Bletës - shkëmb ku ka qenë një bletë, në V.
  • Rrahishte - arë, në V.
  • Rrahu i Karagjinit - pyll dhe një faqe me cfaka, në P. Karagjini ka qenë hajdut i rreptë që e kaloi jetën në mal, i ndjekur nga zaptijet turke.
  • Rrahu i Meleq Lazit - baçe, në V.
  • Rreth i Gravës - shpellë që nxen rreth 500 kokë dele, në P.
  • Rreth i Gjërë - rreth shkëmbënjsh në mal, në P.
  • Rreth i Sulejmanit - shkëmbënj, në V.
  • Rrëzëkodrit - kullotë, në L.
  • Rrip i Hoxhë Hasanit – ara, në P.
  • Spithar i Balldardhës - spithar ku pinin ujë bagëtitë, në P.
  • Sterreza - sterrë që mban ujë, në P.
  • Shënkolli - gërmadhe e vjetër kishe, në P.
  • Shkëmb i Rrahut – shkëmb, në L.
  • Shtrung’ e Balldardhës – shtrungë e gurtë, në P.
  • Shtrung e Janjit – shtrungë, në P.
  • Trepet – pyll, në P.
  • Trojet e Vrisqote - troje të vjetra të fiseve të krishtera (Panajot Vrisit etj. të cilët kanë qenë shpërngulur për në Grikohor.
  • Ulliri Frrashërit - ullinj e ara, në V.
  • Vakëfet e Xhamisë - ara, në P., kanë qenë prona të xhamisë së Vrisit.
  • Verret e Mete Xhanarit - varr, në V.
  • Vërtopi - breg shkëmbor, në mal, ku ndahet Vrisi me Vrohonanin, në P.
  • Vësht i Lulahut - arë, në V.
  • Xhanua – arë, në L.

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Familjet në fshatin Vris:(Para Luftës së Dytë Botërore)[3]

Bellénjte (“ki fis isht i ardhur ka Grikohori i Gumenicës, i pari i kësaj kabileje që erdhi në Vris ka klënë Kaso Bellua. 6 breza rëpara”), Brajenjtë (fis vendas), Cimidhi (fis i ardhur nga Kuçi i Gumenicës), Harunatë (fis i ardhur nga Vrohonài, para 150 vjetëve), Lolovitë (fis i ardhur nga Lelova e Filipjadhës prej qindra vjetësh), Maçi.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Burimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Fatos Mero Rrapaj (1995). Fjalori Onomastik i Epirit. Eurorilindja. f. 242.
  2. ^ Rrapaj. Fjalori Onomastik i Epirit. 1995. f. 242-245. Treguan: 1) Hus Banush (Lelova), këpucar, autodidakt, nga Vrisi, refugjat 1944-ës, sot me banim në Pusin e Mezine, Vlorë. 2) Malo Banushi (Lelova), punëtor, autodidakt, nga Vrisi, refugjat 1944-ës, sot banon në Pusin e Mezine, Vlorë. 3) Murtezan Musai, 64 vjeç, bari, analfabet, nga Vrisi, refugjat 1944-ës, sot banon në Vlorë. Pus i Mezine, Vlorë, dhjetor, 1954.
  3. ^ Rrapaj. Fjalori Onomastik i Epirit. 1995. f. 242-245.