Vuthaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Vuthaj
Popullsia
 • Gjithsej100% Shqipëtar

Vuthaj është një fshat (vendbanim) i komunës së Plavës e Gucisë dhe gjendet në republikën e Malit të ZiEuropë.

Etimologjia e emrit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kjo trevë etnike shqiptare qysh në lashtësi ka qenë e njohur me emrin "Vuthaj" ose "Katundi Vuthaj". Por, duke pasur parasysh shtrirjen, kompaktësinë e territorit dhe të banorëve, largësinë nga njëri fshat tek tjetri, themi se është një krahinë e vogël shqiptare në zemër të alpeve, me bukuri mahnitëse, me karakteristika lokale të veçanta.

Etimologjinë e toponimit "Vuthaj" e ka trajtuar edhe Prof. Eqerem Çabej. Ai thotë se ky emërtim vjen nga fjalët: "I vute", "i pervute".

Etnografë sllav që kanë shkruar për ato krahina, emërtimin "Vuthaj" e kanë zëvendësuar me emërtimin "Vusanje". Kuptohet se qëllimi i tyre ka qenë dhe mbetet teoria absurde që: "Këto vende kanë qenë të pa banuara dhe sipas tyre Vuthjanët, pra popullata shqiptare nuk janë autokton në atë vendë". Është e njohur që në gjuhën sllave(gjuhën serbe) mungon tingulli fonetik "th", prandaj nuk mund ta shqiptojnë si të tillë. Për këtë arsye qeverisja lokale kohë më parë ndoshta e kanë zëvendësuar me tingullin "S". Ata toponimin "Vusanje" mundohen ta shpjegojnë me fjalën "vuk" (ujk), e cila sipas tyre, më vonë ka evoluar në "Vusanje". Ky i ashtuquajtur shpjegim është i pa bazuar, absurd dhe i papranueshëm.

Në dokumentet e shkruara toponimin në fjalë e takojmë qysh në shek. XIII, në trajtën "Vutkagni" ose "Vutkaj", edhe ky fakt hedh poshtë si të pabazuar emërtimin sllav "Vusanje". Mandej, duhet shtuar se shumë serbisht folës që e ndëgjojnë për herë të parë këtë toponim në gjuhën shqipe e shqiptojnë "Vutaj" ose "Vut-Haj".

Etimologjia popullore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndërkaq në Vuthaj, brez pas brezi është ruajtur dhe përcjellë nëpër shekuj legjenda e "Vajzës Vuthit". Kjo legjendë përmban shumë të dhëna toponomastike të ruajtura deri në ditët tona, që të moshuarit i tregonin shumë shpesh, madje me krenari duke pohuar se rrjedhin nga një fis i lashtë Shqiptar.

Vuthaj Vusanje 2009

Gjeografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Këto troje përfshijnë një territor të madh me lugina e vende bujqësore me bjeshkë livadhe dhe gardhe nga Burimi i Valbonës deri tek Burimi i Ali Pashë Gucisë, nga liqeni i shtarës deri tek Guri i Gjon Bales, nga Guri i Sahatit deri tek shkalla e Vuthit.

Trojet Vuthjane përbëhen nga këto vendbanime (fshatra) të përhershme: Valbona, Katuni i Epërm (sipërm), Ceremi, GjonBalajt, Qosajt, Kukajt, Hakajt dhe Zabeli.

Është pjesë përbërëse e Kelmendit të hershëm. Kufizohet me treva të tjera shqiptare: Malësia e Gjakovës, Dukagjinin, Bjeshkët e Kelmendit të Gurit, Gucinë dhe Plavën.

Prandaj themi se ky vend përbëhet nga një territor i ngjeshur, me bjeshkë e male të lidhura në mes tyre.

Ekonomia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vuthaj si fshat për shumë vite me radhë nga pikëpamja ekonomike është varur nga bujqësia, hoteleria dhe turizmi. Nga bujqësia vlerësohet të cekën: Pemtaria, blegtoria, bletaria etj Ndërsa për mikpritje përkujdesen vendasit me motele, hotele dhe restorante me kuzhinë tradicionale shqiptare. Qeverisja lokale është e përkushtuar për të ofruar infrastrukturë dhe qasje të drejtpërdrejt në fshat në bashkëpunim me investitor dhe mërgimtarë. Sipas statistikave lokale turizmi është më i theksuar gjatë muajve të verës, ku mbahen festivale me muzikë dhe valle shqipëtare.

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Popullsia është shqiptare. Popullata shqiptare në Vuthaj viteve të fundit është zvogëluar ndjeshëm si rrjedhojë e emigrimit të vazhdueshëm për në SHBA dhe vende të tjera perëndimore.

Interesant mbetet fakti që popullsia është e bindur për disa zona që dikur atje kanë jetuar vetëm fise katolike apo se ato fise janë konvertuar.

Mbiemrat që hasen sot më shumë në këtë krahinë janë : - Gjonbalaj (Đonbaljaj / Đonbalić) , - Bruçaj (Bruncaj / Brucaj), - Ulaj (Uljaj/Uljević), - Ahmetaj(Ahmetaj / Ahmetović), - Vuçetaj (Vučetaj and Vučetović), - Çelaj (Čeljaj / Čelić) etj.

Statistikat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Viti Popullsia Lëvizja e pop. gjat shek. të XX-të
1948 781
1953 859
1961 935
1971 1103
1981 1399
1991 1103
2003 866

Kultura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kultura në Vuthaj është ndikuar dhe ndikohet kryesisht nga rajoni dhe afërsia gjeografike me qytetet e të afërta. Gjuha, folklori si dhe zakonet e ndryshe në fshatin Vuthaj ngjasojnë me vendet e tjera me popullsi shqiptare si në Kosovë(qyteti i Pejës), Shqipëri apo sikurse në Beranë, Rozhajë, Hakaj, Martinaj, pra në qytete dhe rajone të Malit të Zi.

Gjuha shqipe që flitet në këtë rajon ka një dialekt veçues që nuk ekziston në këtë formë në qytete të tjera me popullatë shqiptare (nën-dialekt gegë). Nga muzika e veçantë vendase si instrumente muzikore përdoren fyelli dhe lahuta, në vallëzim me muzikë folklorike veçohet Vallja Kosovare ose Vallja e Rugovës dhe e krahinës të Dukagjinit.

Politika[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në mes te fshatit është i vendosur reparti ushtarak i pikës kufitare.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

10 qershor 1878 : Përpjekjet e atdhetarëve të shquar të kombit tonë për liri e pavarësi u kurorëzuan me krijimin e Lidhjës së Prizrenit me 10 qershor 1878. Njëri prej themeluesve të saj ka qenë edhe Ali Pashë Gucia. Me këtë rast duhet ti thërrasim disa prej kujtimeve të shumta popullore të ruajtura dhe të transmetuar brez pas brezi në kuvend, shkollë dhe oda të burrave. Dihet se njëra nga krahinat më të rrezikuara të trojeve shqiptare në ato vite ishte Plava e Gucia. Kjo krahinë në atë periudhë, sipas të dhënave që kemi, ishte përbërë nga dy qytete të vogla, Gucia me 4000 dhe Plava me 3500 banorë si dhe nga 29 fshatra. Në baze të vendimeve të traktatit të Shën Stefanit si dhe të vendimeve të Kongresit të Berlinit, kjo krahinë Shqiptare duhej t'i aneksohej Malit të Zi.

Në lidhje me këto ngjarje, kujtesa popullore na sjell edhe dy fakte të tjera: Kur 'knjazi' i Malit të Zi shkon' në Stamboll tek sulltani me i lyp pak tokë, i tha:

"Padishah i neruem dhe i derguem prej zotit në tokë me i ba mir gjines, ju e dini se ne jetojmë në ni vend të vogel e të shkretë, me bukë e pa bukë, me ujë e pa ujë. Atje gjinja po me desin e bagëtia po më cofin. Prandaj të lutem ba rahmet e ma jep ni ven ci t'kete ni pus me ujë, ku gjinja e bagetia të ken munsi me pi. Po ku asht ky vend ci munem me ta dhan ty o knjaz i Karadakut? - pyeti sulltani. Ky ven asht ne hydyt me mua. Aty asht ni I'gate e vogel e ai uje mue me del boll per gjin e bageti. Pra ba me rahmet e ma jep se gjinja e atij veni nuk kane me cue krye, e kur ta shohin fermanin me mehyrin tan, kan me ju lut zotit per jetgjatesin e tuaj. dhe sulltani, "rahmetliu i madh" ne ni kohe kur po i knohej talkini i funit, e mashtroi knjazin".

Në Malësi të Madhe ky çast është përshkruar prej popullit në këtë mënyrë:

Ishte kan knjazi i malit t'zi

Ishte cue nade ne sabah

Llaf me te shoqen ci po ban


Nga sa u tha me sipër, duket qartë se sulltani ishte i gatshëm për ta prenuar coptimin(ndarjen) e tokave shqiptare, për të shpëtuar çka mund të shpëtohet nga Perandoria e kalbur osmane. Kurse knjazi' i Malit të Zi ishte një lypsar dredharak dhe mashtrues që kërkonte zgjerimin territorial në dëm të trojeve Shqiptare, duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara. Kurse, populli i rrezikuar i kësaj krahine, në atë kohe i përgjigjej sulltan Muratit dhe knjazit të Malit të Zi :

u hap lajmi ne t'kater anet

thone a cue nje vampir,

e ka emnin shen stefan,

E pat vorrin ne turqi,

Toke e qiell do me i perpi.


Vargjet e dhënë lajmin ogurzi se armiku i vdekur është zgjuar dhe kërkon të na robroj përsëri, prandaj duhet nis kushtrimi, duke thënë:

Merrni vesh Shqiptari,

Me u bashkue i madh e thmi

Me u bashkue Shqiptarët krejt,

Pej ne shtat e shtatedhet vjec.


Populli i kësaj krahine të rrezikuar i përgjigjen thirrjes, duke organizuar kuvendin e parë në lidhje me këto ngjarje në Livadh të Kovacit, pranë një guri, i cili ruhet deri në ditët tona si monument i kësaj ngjarje të shënuar. Ne këtë kuvend popullor mori pjesë populli dhe partia, të kryesuar nga Ali Gucia.

Ali Gucia njoftoj lajmin ogurzi(indirekt) me këto fjalë: "Burra, ju baj me dije se baba mret na shiti në Stamboll te i huaji".

Kurse njerëzit që ishin të tubuar me një zë iu përgjigjen : "Sulltan Murati munet me shit tokat e tij se tonat pa dek na te tan jo". Ndërsa rapsodi popullor këtë moment kritik, e përjetëson vargjet:

Ali Begu ni burr drague,

Kurr ma ngusht nuk kish qillue,

Fill për pe u kish kallxue:

Mreti turk na ka tradhtue!


Kuptohet se gjendja e krijuar ishte shumë e rëndë dhe zgjidhja kërkonte urtësi(mençuri) e trimëri, por më shumë se çdo gjë tjetër kërkonte bashkimin e armëve, prandaj ai, Ali Gucia, sikurse na thonë gojëdhënat popullore, u drejtohet të pranishmëve:

Folni trima , folni Sokola


E për të treguar barrën e madhe që duhej ta përballonte populli Shqiptar, në veçanti banorët e këtyre trojeve, tregimi vazhdon:

Me ne a veç Zoti e Ora


Por, të gjithë të pranishëm shprehin besimin e tyre se shqiptarët të mësuar me luftëra të pandërprera kundër pushtuesve të ndryshëm, të bashkuar me besa-besë, do të luftojnë e të mbrojnë trojet e tyre, nderin dhe burrërinë shqiptare.

Ndërkohë, sikurse thamë, më 10 qershor 1878 ishte themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila shënonte një nga fitoret më të mëdha të popullit shqiptar pas një robërimi shumëshekullore. Njëkohësisht ishte frymëzim, shpresë dhe besim se trojet shqiptare të rrezikuara tani do të mbroheshin nga kjo lidhje, nga i gjithë populli shqiptar. Me këtë shpresë dhe me këtë besim u kthy Ali Pashë Gucia në Guci prej Kuvendit të Prizrenit. Sapo arriti në Guci ai organizoi mbledhjen tek Kërshi i Kalasë në Kërshllahe.

Ndërkohë, Ali Gucia kishte marrë një letër nga knjaz Nikolla. Ai, sipas kujtesës popullore, në atë letër kishte shkruar:

"Mue mreti i Stambollit mi ka dhanë Plavë e Guci. Un do ti marr, por due me i marrë pa gjak e kjo varet prej jush. Prandaj due me një fjalën tuej, si doni me m' pritë, si mik apo si armik ? Un jam gati për të dyja".

Shkrime për këtë zonë të bekuar ka bërë edhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar Gjergj Fishta, tek vepra e tij Lahuta e Malcís![1]

Shiko edhe këtë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

- Referime e përdorur për këtë faqe të wikipedia: (Reference used in this wikipedia page:)

[2] [3]

Lidhje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


  1. ^ "Lahuta e Malcis - at Gjergj Fishta". Arkivuar nga origjinali më 18 dhjetor 2018. Marrë më 23 dhjetor 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ http://www.gov.me/en/
  3. ^ * http://www.gov.me/en/homepage/ Arkivuar 1 gusht 2018 tek Wayback Machine