Xhaferr Deva

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Xhaferr Deva
Ministër i Brendshëm
(1943 - 1944)

Xhafer deva.gif

Emri: Xhaferr
Mbiemri: Deva
Lindi më: 21 shkurt, 1904
Vendlindja: Mitrovicё, Perandoria Osmane
Vdiq më: 25 maj, 1978
Vdiq në: Kaliforni, ShBA
Profesioni: Politikan

Xhaferr Deva (1904-1978) ishte nëpunës, dhe më vonë Ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës tetor, 1943 - qershor, 1944.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi nё Mitrovicё më 21 shkurt 1904. Ishte djali i pestë, ndër shtatë djemt e Ibrahim Agë Devës dhe Esmës nga familja Osmani. Ibrahim Deva, babai i Xhaferrit i lindur në Mitrovicë, por me prejardhje nga Gjakova, ishte pronar i një punishte druri. Origjinën familja e kishte nga Deva e Hasit. Mësimet fillestare Xhaferri i kreu në Mitrovicë, dhe të mesmen në Selanik. Xhaferi është shkolluar në gjuhët: shqipe, serbisht, turqisht, gjermanisht. U shkollua në Stamboll në "Robert College" - shkolla më e vjetër amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara, që në gjuhën turke quhet: İstanbul Amerikan Robert Lisesi, ku Deva mëson anglishten. Pas “Robert Kolexhit” në Stamboll, Xhaferr Deva vazhdoi studimet në Vienë ku kreu edhe studimet për inxhinieri.

Veprimtaria politike[redakto | redakto tekstin burimor]

Doli në skenë pas pushtimit të Mbretërisë Serbo-kroato-sllovene më 17 prill 1941, pёr organizimin e pushtetit nё rajonin Mitrovicë-Podujevё-Vushtrri, pra nё atё pjesё tё Kosovёs qё ishte nёn pushtimin gjerman. I cilësuar si njeri i afërt me të Plotfuqishmin e Reich-ut në Europën Juglindore Hermann Neubacher,[1], të cilit i kishte fituar besimin; themeloi administratën me nëpunës, agronomë, arsimtarë shqiptarë. Mendohet të ketë punuar pranë Abwehr, shërbimit informativ ushtarak gjerman për njëfarë kohe të pacaktuar.[2] Në bashkëpunim me Rexhep Krasniqin dhe Ernest Koliqin në kohën kur ishte ministër arsimi ky i mbrami, hapë shkolla shqipe në territoret shqiptare të ish-mbretërisë. Nё vitin 1943 ishte ndёr nismёtarёt kryesorё pёr krijimin e "Lidhjes së Dytë të Prizrenit". Neubacher e nisë për Tiranë, ku Deva merr postin e min. të brendshëm. Kolonel Faik Quku e përshkruan:

"Ministri i Mbrendshëm Xhafer Deva, megjithse nuk e njihte Shqipnin, ishte i pajisun me cilësitë e ushtarit gjerman: i vendosun, guximtar, i veprimit, i disiplinuem dhe anmik i komunistave, por e ndiente veten si te paralizuem mes Kryeministrit Rexhep Mitrovica, që e konsideronte të sëmurë, dembel dhe të pavendosun dhe Kryetarit të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërit, që e konsideronte konfuz, pa program, njeri që nuk e mban fjalen dhe që u nënshtrohet ndërhymjeve ilegale... I pakënaqun prej punëve që nuk shkonin mirë dhe konfuzionit që ekzistonte, nga marsi i vitit 1944, Xhafer Deva mendon me u ba diktatori i Shqipnisë, gja që do t'ishte zgjidhja ma e përshtatshme, por që nuk realizohet, sepse e kundërshtojnë gjermanët. Si në fillim, kryesinë absolute të Mehdi Frashërit, ashtu edhe kësaj here, pushtetin diktatorial të Xhafer Devës, eksponentat kryesor të Ballit Kombëtar, e pranojshin... mendonte që me anën e ekzekutimeve me pastrue qytetet e Shqipnisë nga komunistat, tue fillue nga Tirana. Ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i sjelljes në Shqipni të regjimentit "Kosova"".

Nga gjysma e dytё e vitit 1944 dhe deri nё mbarim tё luftёs ishte kryetar i organizatёs Lidhja e Dytё e Prizrenit dhe drejtoi qendresёn pёr tё penguar futjen e trupave partizane jugosllave nё Kosovё. Mbasi trupat gjermane, që respektonin "pavarësinë relative" të shqiptarëve, u sulmuan nga anti-fashistët në operacionin ushtarak i dimrit. Nazistët kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, po dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi. Mbështetur në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësis hebraike në Shqipëri, duke përfshirë dhe hebrenjtë e deportuar prej vendeve të Europës Qendrore, që kishin gjetur këtë vend si strehë shpëtimi, Rafael Jakohel dhe Mateo Mathatia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i nazistëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje të gjithë bashkësisë ("Shoah"), iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë. "Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva, i cili njihej si anti-semit. Ata shkuan të takonin me ministrin Deva, megjithëse e dinin rrezikun që u vinte rrotull nga ky takim. Të dy pranuan sfidën, duke u lënë familjeve lamtumirën përpara se të niseshin. Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t'i bindtte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve"[3]. Nё vitin 1944 u emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme nё qeverinё kuislinge ne Tiranёs. Mbahet pergjegjës per Masakra e 4 shkurtit 1944. Në muajt e pranverës ngarkon një ndër krerët e "Lidhjes së Dytë të Prizrenit", Bedri Pejanin, të krijonte divizionin SS "Skanderbeg" - emri i plotë zyrtar: 21. Waffen-Gebirgs Division der SS Skanderbeg (Albanische Nr.1).

Mërgimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Pas mbarimit tё luftёs shkoi nё Austri në dhjetor të 1944, mandej në Itali, nga Italia në Egjipt më 1947; nga Egjipti në Damask të Sirisë në fund të 1947. Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse botimi i gazetës "Bashkimi i Kombit" në vitin 1948, si zëdhënse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II Botërore. Këtu mundi të tubojë rreth vetës shumë bashkëatdhetarë e patriotë, që kishin emigruar prej kohësh. Në vitin 1956, Xhafer Deva shkoi në Amerikë. Në fillim jetoi e punoi në New York, më vonë në Boston, kurse në vitin 1960 shkoi në Kaliforni, ku vendoset në Calavera Coubty, ku punoi si punëtor i thjeshtë në një punishte sharrash për lëndë druri, sikur që e kishte babai i tij, Ibrahimi, në Mitrovicë[4].

Aty nё vitin 1966 rikrijoi organizatёn "Lidhja e Dytё e Prizrenit në Mërgim", qё propagandoi çlirimin e Kosovёs e tё trojeve tё tjera shqiptare nё Jugosllavi. E respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë Atdheut; vërehet në krye të tubimeve politike shqiptare të udhëheqjes nacionaliste, në Aleksandri të Egjiptit, më 1949 dhe në Madrid më 1972; punonsi kontabilist në Universitetin e Stanfordit, të qytetit Palo Alto të Kalifornisë, dhe referues në mbledhje të ndryshme akademike; Devën poliglot të përsosur shtatë-tetë gjuhësh; Devën, kokën e të cilit e kërkoi kryeministri i Serbisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që e kërkuan edhe komunistët jugosllavë deri në vdekjen e tij; Devën udhëheqës klasik popullor, për të cilin, edhe sot, në Kosovë thuhet: "Në kohë të Xhafer Devës, në kohë të Shqipnisë"[5]. Vdiq nё vitin 1978 më 25 maj.

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Roberto Morozzo della Rocca: Nazione e religione in Albania 1912-1944), Bologna, 1990. Përkthyer në Tiranë më 1994, f. 241
  2. ^ Bernd Fischer, Albania at War (1999), p.161.
  3. ^ Shaban Sinani: Hebrenjtë në Shqipëri ─ Prania dhe shpëtimi, "Naimi" Tiranë 2009 f.144
  4. ^ Mexhid Yvejsi: Ing. Xhafer Ibrahim Deva
  5. ^ Gilmana Bushati intervistë Idriz Lamajt