Ymer Haxhi Prizreni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Portreti i Ymer Haxhi Prizrenit

Ymer Haxhi Prizreni, (ose njohur si Ymer Drini ose si Ymer Prizreni) lindi në vitin 1826 dhe vdiq në vitin 1886, ishte veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kryetar i qeverisë së përkohshme të formuar në periudhën e fundit të saj.

Pasi kreu studimet për teologji islamike, punoi në medresenë e Prizrenit ku u shqua qysh herët si përkrahës i shtresave të ulëta kundër padrejtësive të administratës osmane. Sapo filloi Lufta Ruso-turke (1877-1878), u ngrit së bashku me patriotë të tjerë shqiptarë për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe për të kërkuar të drejtat e saj kombëtare. Organizoi komisionin e vetëmbrojtjes për sanxhakun e Prizrenit, i cili, si dhe komisionet e tjera që u formuan në Kosovë, mori përsipër të kundërshtonte synimet aneksioniste të Serbisë dhe të sistemonte muhaxhirët e shumtë që u dëbuan nga ushtria serbe.

Më 1877 u zgjodh deputet në parlamentin e dytë osman. Po atë vit hyri dhe në Komitetin Qendror të Stambollit që u formua nën kryesinë e Abdyl Frashërit, me të cilin u lidh deri në fund. Në pranverë të vitit 1878 kryesoi komisionin që organizoi në Prizren mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm, i cili themeloi Lidhjen Shqiptare. Kuvendi e zgjodhi Ymer Prizrenin anëtar të Këshillit të Përgjithshëm në gjirin e të cilit u rreshtua krahas patriotëve të rrymës radikale. Në tetor 1879 u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare, kurse në janar të vitit 1881, kryetar i qeverisë së përkohshme autonome. Si kryetar i saj drejtoi veprimtarinë politike që çoi në vendosjen e administratës shqiptare në vilajetin e Kosovës dhe në organizimin e qëndresës së armatosur të Lidhjes kundër ushtrive osmane në pranverë të vitit 1881. Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni u arratis për të mos rënë në dorë të autoriteteve osmane. U vendos në Ulqin dhe nuk pranoi të kthehej, megjithëse sulltani i premtoi falje e ofiqe të farta. Vdiq në Ulqin ku gjendet dhe varri i tij.

Historiku[redakto | redakto tekstin burimor]

Rrallë mund të ketë në botë, një popull që ka jetuar fatin e kombit tonë. Bjerë e ngrihu nëpër luftëra,ky popull në krejt ekzistencën e vet, ka jetuar tragjizmin historik, kurdoherë përmes një dëshire e vullneti për t’u ringritur. Në këtë ringritje, kanë peshë emrat e nderuar të bijve të vet, ata që i dhanë shpresë në çastet e mbrame, që i dhanë besë e jetë, që mbajtën të pashuar flamurin e shqiptarizmës. Mes këtyre emrave, bën dritë kurdoherë edhe vepra e Ymer Prizrenit.

Ymer Haxhi Prizreni

Lindi dhe u rrit në fshatin Nashec të Bregut të Drinit, përkon me një varg masash që Porta e Lartë kish ndërmarrë në Shqipëri, në rrafsh të shtypjes së kryengritjeve shqiptare që kundërshtonin reformat e Tanzimatit. Ymer Prizreni, tashmë i shkolluar dhe i edukuar në frymën fetare të kohës, predikon paqe mes bashkëkombasve të tij. Ai ndërhyn energjikisht, disa herë tek autoritet vendore turke, me ç’rast këto të mos kërkonin taksa ngase varfëria e shqiptarëve po arrinte kulmin. Por thirrjet e sinqerta të Ymer Prizrenit, binin në veshin e shurdhër të tagrambledhësve turq. Këtej do të buronte ai zvetnim shpirtëror i shqiptarit Ymer Prizëreni ndaj Portës së Lartë. Tashmë për te ishte e qartë se kullat fetare në Stamboll e gjetkë, në mbarë Turqinë, predikonin pos të tjerave nënshtrimin deri në baltë të identitetit kombëtar, përpara interesave madhore të Perandorisë Osmane. Me këtë akt përuljeje, nuk mund të pajtohej kursesi Ymer Prizreni (përndryshe thirej edhe Haxhi Ymer Efendiu) i cili u rrit sa me dashurinë dhe edukatën e lartë prindërore, aq edhe me legjendat trimërore të Bregut të Drinit, ku valët e këtij lumi, janë padyshim simfonia epike e maleve shqiptare. Më pas, Ymer Efendiun e shohim të shpërngulet në qytetin e Prizrenit, në kujdesje të familjes së vet e cila fal provave, gëzonte një popullaritet të madh në ato vite. Ai nuk mund të ngjitet më në shkallët e hierarkisë fetare, ngase së bashku me frymën e zotit ka nisur të predikojë në shtëpitë e vogla por të bukura prizërenase, edhe frymën e shqiptarizmës. Megjithëse zotëron katër gjuhë, ka kulturë të përgjithshme të mjaftueshme, ai nuk mund të ulet as në ndonjë zyre të Portës së Lartë në Prizren, ngase disa herë, haptaz i është kundërvënë, vendimeve të ardhura nga Stambolli. Sigurisht në vitet 70-të të shekullit të XIX, atëherë kur Porta e Lartë u gjend përballë të pariturave të mëdha, edhe fakti i Shqipërisë rrezikohej së tepërmi. Kuptohet ky rrezikim nuk vinte ngase ne patëm qenë nën mbrojtjen e Portës së Lartë. Përkundrazi. E vërteta është se në këtë periudhë, shqiptarëve u ishin mohuar krejt të drejtat,veçanërisht në rrafsh të gjuhës dhe shkollave shqipe, parashiheshin prapambetje serioze, të krahasuara këto me (për fat të keq) fqinjët tanë. Në viset shqiptare kishte plot shkolla greke, turke, italiane, por asnjë shqipe. Në mjaft prej literaturës së asaj kohe, ne jemi quajtur turq, kaurrë, arnautë apo latinë, por rrallëkush e dinte se në me të vërtetë ishim shqiptarë. "Po të shtojmë këtu se shqiptarët nuk kishin një administratë unike, por qenë të shpërndarë në vilajete të ndryshme, bëhet e qartë se osmanllinjtë dhe pas tyre shovinistët e Ballkanit ngulnin këmbë të mos e njihnin kombësinë shqiptare. Dhe naivët mund të vinin në përfundim se ky popull i lashtë i Ballkanit ishte i destinuar të zhdukej nga historia".(K. Xoxi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit,faqe 13 ). Nëse përballë këtyre rreziqeve të mëdha u ngritën patriotët shqiptarë, kjo rrëfeu jo vetëm shpirtin liridashës por edhe zgjuarsinë e tyre. Në fillim të viteve 70-të, të shekullit të XIX, Ymer Prizrenin e shohim të agjitojë kundër Portës së Lartë e cila duke mos patur fuqi të ndeshet me forcat madhore evropiane,n gutet të nënshtrojë me çdo mjet kombin shqiptar. Ngase ka fituar reputacion në popull, biri i Prizrenit,n dërmerr gjatë kësaj kohe disa udhëtime në Gjakovë, Has, Kukës e Pukë ku ka bujt tek miq e farefisi i vet. Në bisedat me ta, Ymer Przëreni, në mënyrë të hapur ka arritur të shpalosë idetë e veta, lidhur me çka duhet të bëjnë shqiptarët përballë rreziqeve që u kanosen. Fjala e tij e ngrohtë, ka lëshuar shkëndija me dhjetra vatra me ç’rast personaliteti i Ymer Prizërenit ka ardhur kurdoherë në rritje. Dihet tanimë se në tetorin e vitit 1875,në bisedimet e tyre të fshehta, princi Nikolla i Malit të Zi dhe ministri i jashtëm serb Hristiç vendosën të bashkëpunojnë në luftën kundër Turqisë e pas rrënimit të Perandorisë Osmane do të kishte një ndarje të re të territoreve ballkanike. Sipas këtij plani, Hercegovina do t’i kalonte nën juridiksionin të plotë Malit të Zi, ndërsa Bosnja dhe Kosova, nën pushtimin serb. Në funksion të këtyre planeve kobzeza për fatet e atdheut dhe kombit tonë, u vu në ato kohëra sidomos Rusia. Duke u përpjekur me çdo kusht, për formimin e një shteti të madh sllav në Ballkan, ajo kërkonte me çdo kusht pushtimin dhe nënshtrimin e Kosovës. Rusia kurrsesi nuk mund të shihte me sy të mirë bashkimin e vilajeteve shqiptare nën një administratë të vetme ç’ka donte të thosh formimin e njësisë kombëtare me tendeca të pavarsisë. Këtë e vërteton më së miri edhe qëndrimi i diplomacisë ruse i cili në mjaft raste përpiqej të mohonte vetë egzistencën tonë. Për këtë, konsulli rus në Cetinjë i shkruante Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Giersit se: "Shqiptarët nuk egzistojnë si racë si kombësi e veçantë, por formojnë vetëm një numër fisesh pa kohezion të mbrendshëm".(Arkivi i Institutit të Historisë, sipas dokumentave të Vjenës, dokumenti 18 , 3 prill 1878 ). Kësisoj, patriotët shqiptarë, të gjendur mes vrundujve të stuhive që donin të gëlltitnin tokat shqiptare, u mblodhën rreth besës të madhe që patën dhënë atdheut. Kjo Lidhje ishte një imperativ, një klithmë shprese që toka arbërore të ringritej pas pesë shekujsh robërie duke ndriçuar sërish virtytet e shenjta morale të saj. Në këtë rizgjim të vetëdijes sonë kombëtare, mendoj se vepra e Ymer Prizrenit është e pazevendësueshme. Kjo vepër madhore ka rezonuar në dekadat që erdhën më pas me një tingëllim të çuditshëm. Ajo ka mbetur ende sot e skalitur në memorjen e kombit tonë. Në pranverën e vitit 1878, menjëherë pas themelimit të "Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare" Ymer Prizreni merr kontakte me udhëheqës të këtij komiteti siç ishin Zija Prishtina dhe Abdyl Frashëri. Idetë dhe vendimet e këtij komiteti, biri i Prizërenit, përpiqet t’i përcjellë tashmë në krejt viset e Kosovës, duke parë se ky komitet, i themeluar në Stamboll, menjëherë do të shpërngulej për në Shqipëri, Ymer Prizreni merr takime të fshehta edhe me kapedanët e shquar të asaj kohe në viset veriore shqiptare siç ishin Ali Ibra, Sef Kosharja, Ramadan Zaskoci e Sulejman Vokshi. Këta kontakte me këta trima (që për më pas u kthyen në legjenda shqiptare) i dhanë forcën këtij burri që të vazhdonte me çdo çmim luftën për bashkim të trojeve etnike shqiptare. Ngase e njihte rëndësinë e propagandës, Ymer Prizreni, u vu në qendër të asaj lëvizjeje madhore të shqiptarëve të cilët, me anë të protestave dërguar fuqive të mëdha, i bënë të qartë opinjonit evropian se ata jo vetëm që nuk do ta njohin coptimin e vilajeteve shqiptare, por do të mbrojnë me çdo çmim, deri me jetën e tyre, bashkimin e këtyre vilajeteve nën administrimin shqiptar. Në pothuaj të gjitha protestat e popullit të Prizrenit në ato kohë, në krye të emrave gjendet emri i Haxhi Ymer Efendiut. Për më tej, në maj të vitit 1878, në një protestë dërguar sulltanit në emër të qytetit të Prizrenit, pos të tjerave, Haxhi Ymer Efendiu shprehej se "kërkonte respektimin e tërësisë së tokave shqiptare, bashkimin e tyre në një provincë të vetme dhe zbatimin e reformave për përparimin e vendit"( Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare,doku.9, faqe. 20 ) Në tubimin e 10 qershorit të Lidhjes shqiptare, Haxhi Ymer Efendiu, mori pjesë në cilësinë e delegatit të Prizrenit. Ngase aktiviteti i tij ishte paraparë si tejet i madh në këtë rrafsh, me shumicë votash, Ymer Prizreni zgjidhet këtu antar i këshillit Qendror të Lidhjes Shqiptare. Fjala e matur e tij, mendimi i urtë dhe trimëror, ishin vendimatare në idetë e shprehura, në këtë kuvend madhor të shqiptarëve. Është me vend të kujtojmë, se në tubimin e parë të atdhetarëve që nënshkruan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, u vendos që kjo Lidhje domosdoshmërisht do të mbronte tërësinë toksore shqiptare. Ajo nuk do të njihte askurrë qeverinë bullgare e dalë prej Traktatit të Shën Stefanit ku mijëra kilometra katrorë toke shqiptare i dhuroheshin asaj. Por me shtrimin e disa ideve të Ymer Prizërenit (me ç’rast u bashkuan edhe mjaft patriotë të tjerë) Lidhja mori vendim që nëse dikush nga radhët e saj nuk do t’i kryejë me përgjegjsi e ndërgjegje detyrat, nëse ai shpërdëron emrin e kësaj Lidhjeje për të kryer akte antinjerzore, ai do të dënohet sipas fait dhe do t'i sekuestrohet krejt pasuria. Biri i Prizrenit, u ndal në fjalën e tij edhe në bashkëjetesën vëllezërore që shiptarët myslimanë duhet të kenë me ortodoksët apo katolikët. Religjinet fetare do të ishin ura të shenjta bashkimi dhe jo fole hasmërish. Menjëhrë pas mbarimit të këtij tubimi, Haxhi Ymer Efendiu (i cili u zgjodh edhe kryetar i Lidhjes Shqiptare dega në Prizren) iu vu punës për të përballuar detyrat e mëdha të ngarkuara. Në shoqërinë e Shuaip Spahiut, Sulejman Vokshit, Ibrës dhe Berishës, biri i Prizrenit dijti të organizojë më së miri formacionet e para luftarake shqiptare duke i angazhuar ata në detyra konkrete. Por ngase Prizreni me rrethinë, paraqiste mjaft probleme edhe për organizimin e pushtetit vendor, ai mbrenda muajve qershor-korrik 1878, shkoi kullë më kullë prizenase duke qarë hallet e duke gjetur zgjidhje sa më të përshtatshme për bashkëkombasit e vet. Veçmas organizimi i tij në protestat ndaj padrejtësive që iu bënë Shqipërisë në Kongresin e Berlinit, do të ishte i madh. "Ymer Prizëreni ishte i ngarkuar me detyra të rëndësishme në këshillin e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit... Kështu gjatë periudhës kur vazhdonin punimet e kongresit të Berlinit dhe pas tij, Ymer Prizreni mori pjesë në organizimin dhe udhëheqjen e të gjitha aktiviteteve politike dhe aksioneve që u zhvilluan nga masat popullore kundër zbatimit të vendimeve të këtij kongresi dhe përpjekjeve të qeverisë osmane për realizimin e tyre. Ai zhvilloi një aktivitet intensiv për organizimin e rezistencës së masave popullore, kundër misionit të Mehmet Ali Pashë Maxharit" ( Instituti i Historisë Tiranë, konferenca e studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, faqe 71 ). Në fundgushtin e vitit 1878, krejt forcat ushtarake të Lidhjes Shqiptare, ishin mobilizuar për mbrojtjen e trojeve të tyre të Plavës dhe Gucisë. Ndërkaq Knjaz Nikolla kishte patur disa bisedime të fshahta me Portën e Lartë, lidhur me këto pergaditje dhe kundërshtime të shqiptarëve. Është kjo arsyeja që nga Stambolli shkon në Prizren më 25 gusht, një autoritet i lartë i Portës, me ç’rast kërkon të bisedojë me udhëheqësit e lartë të Lidhjes. Më 26 gusht 1878,në ndërtesën e vogël të komitetit Qendror të kësaj Lidhjeje Ymer Prizreni (ky burrë virtyoz,- siç e ka quajtur Abdyl Frashëri) bëri mbi tre orë debat me të ardhurin nga Stambolli, me ç’rast i spjegoi se ishte Mali i Zi që duhet të hiqte dorë nga trojet shqiptare autoktone dhe jo shqiptarët të ulnin armër përballë kësaj padrejtësie që i bënë Fuqitë e Mëdha. Në vitet 1879-1880,me porosi të vetë Abdyl Frashërit, Ymer Prizreni u ngarkua të mobilizojë dhe organizojë masat e gjëra popullore, në zbatim të ideve ushtarake të Lidhjes Shqiptare. Këtë detyrë kaq të vështirë për moshën e tij (po mbushte të 60-tat) ai e kreu me energji thuajse djaloshare. Kudo ku shkeli këmba e tij, në Prizren, Gjilan, Lumë, Manastir, Tetovë, Gostivar etj, dyert e kullave u çelën. Këto kulla dhanë për luftën, për trojet e Plavës e Gucisë jo vetëm të holla, ushqime dhe armë, por edhe qindra e mijëra djem të njomë në mbrojtje të at'dheut të tyre. Ymer Prizreni hasi në plot pengesa që i ngritën shqiptarë të gënjyer e mashtruar nga Porta e Lartë. Por në asnjë rast logjika e atij burri nuk u përkul, nuk humbi përballë rrethanash të tilla. Fjala e mençur dijti të çajë edhe ftohtësinë e gurit. Sidomos në Prizren, kjo fjalë do të peshonte mjaft. Gjykimi i tij do të përballej me nënpunësit turq të administratës të cilët në pamundësi për të vjedhur e mashtruar popullin, detyroheshin të merrnin vetë rrugën drejt Stambollit. Aq të pafuqi e ndjenin veten e tyre këta administratorë hajdutë, saqë në një raport të konsullit austrohungarez në Prizren, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vienë, thuhej pos të tjerave tekstualisht: "Po shtohet çdo ditë e më shumë veprimtaria dhe prepotenca e qeverisë faktike që është e dalë prej Lidhjes. Kjo prepotencë po rritet dukshëm dhe kryetari i Lidhjes së këtushme, Ymer Prizreni, po e zbaton këtë terror kundër administratës turke, në bashkëpunim me nënpresidentin dhe oratorin e komitetit Shuaip Agën".(Arkivi i Institutit të Historisë-Tiranë,sipas dokumentave të Vjenës, dokumenti nr.53 datë 23 qershor 1880 ). Po sipas burimeve arkivore të Vienës, është pikërisht konsulli austrohungarez i cili njofton Ministrinë e Jashtme në Vienë se lidhur me vendimet e fundit të Berlinit "Haxhi Ymer Efendiu nuk nguroi t’i dërgonte në rrugë telegrafike, në emër të të gjithë shqiptarëve, një protestë kërcnuese konferencës së Ambasadorëve në Berlin". E vërteta është se në vjeshtën e vitit 1880, Lidhja Shqiptarë, pati shtrirë pushtetin e saj administrativ, ushtarak dhe politik në mjaft krahina siç ishin ato të Prizrenit, Gjakovës, Vuçitërnit, Preshevës, Pejës, Plavës, Gucisë, Manastirit, Tetovës, Dibrës, Korçës e deri në Janinë. Ky pushtet, u kujdes së pari për mbrojtjen e kufijve të vilajeteve shqiptare e mandej për rregullimin e jetës në vend. Për më tej, vendosja e këtij pushteti nisi të zgjojë vetëdijen nacionale shqiptare me ç’rast filluan kuvendet madhore të besës e bashkimit. Njëherazi, kjo shtrirje gjeografike e Lidhjes, nxori në pah domosdoshmërinë e një organizimi të ri. Kësisoj në dhjetorin e vitit 1880, burrat e shquar të kësaj Lidhjeje u mblodhën sërish në Prizren. Aty u soll krejt çka Lidhja Shqiptare kish humbur e kish fituar në gati tri vjetët e egzistencës së saj dhe natyrisht debatet kanë qenë të mëdha. Grupi konservator i këtij organizimi, bëri çmos të lidhte synimet dhe idetë e Prizrenit, pas qerres së Portës së Lartë. Por ata u ndeshën në qëndrimin e burrave të tillë si Iljaz Pashë Dibra, Shuaip Spahiu, Abdyl Frashëri, Jakup Ferri dhe Ymer Prizreni të cilët kumtuan në çdo rast se punët e Shqipërisë mund t’i zgjidhnin veçse shqiptarët. Në organiziminin e ri të Lidhjes, u vendos që ajo të merrte përsipër atributet e një qeverie të përkohshme dhe unanimisht patriotët e mbledhur aty zgjodhën në krye të kësaj qeverie Ymer Prizrenin. Është me vend të theksohet se ç’prej kësaj dite e deri atëherë kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp me zjarr e hekur, personaliteti i Ymer Prizërenit u shfaq dukshëm në krejt dimensionin e vet atdhetar. Vitet mbi supe nuk mund t’ia pakësonin energjitë këtij 60 vjeçari, me ç’rast luftoi vendosmërisht si kryetar i qeverisë provizore. Në çdo shërbim të ideuar prej qeverisë së Ymer Efendiut, duke u mbështetur tek miqtë mtë mirë të tij, ai mundi të organizojë sidomos, shërbimin e financave aq të domosdoshëm sidomos për organizimin e ushtrisë dhe blerjen e armëve. Por në vizionin e këtij atdhetari, çështja kombëtare nuk u pa vetëm në aspektin thjeshtë të armatosjes së shqiptarëve. Qeveria e Përkohshme shqiptare, nën drejtimin e Ymer Prizrenit, u tregua e denjë në qeverisjen e saj me ç’rast u luftuan edhe ato gojë të liga që përshpërisnin se shqiptarët nuk dijnë të qeverisin veten. Një kujdes të veçantë, sidomos në vise të Kosovës, Ymer Prizreni tregoi për marrëdhëniet e ndërsjellta të shqiptarëve me pakicat serbe, malazeze dhe maqedonasve të vjetër që jetonin mbrenda territoreve shqiptare, madje këto ndryshime u bënë asaj kohe, objekt të disa gazetave me ç’rast kumtuan për këtë balancë të shkëlqyer etnike në qeverisjen shqiptare. Dihet paskëtej se Porta e Lartë, nën presionin e Fuqive të Mëdha Evropiane, dërgoi në drejtim të Kosovës një ushtri disa mijëshe të armatosur deri në dhëmbë, të kryesuar prej Dervish Pashës. Qëllimi i këtij inkursioni ishte shkatërrimi i plotë i funksionimit të Lidhjes së Prizrenit, përndryshe, vazhdimi i pushtetit turk me dhunë, në viset shqiptare, 15 mijë ushtarë e oficerë të Portës së Lartë, mbërritën në Shkup në ditët e para të prillit 1881 dhe s’ishte e vështirë të kuptoje qëllimet e mbrame të Perenadorisë Turke. Qeveria e përkohshme e kryesuar prej Ymer Prizërenit me t’u lajmëruar për mbrritjen në Shkup të kësaj ushtrie, dha kushtrim. Prej Gjakove, Dibre, Prizreni, Lume e Vuçitërni u mblodhën rreth 7 mijë luftëtarë të cilët, të udhëhequr nga Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Sef Kosharja e dhjetra burra të tjerë, nisën të organizojnë rezistencën madhore. Ata nuk do të friksoheshin këtij sulmi, ashtu siç u ishin frikësuar qindra betejave, në disa decenie me radhë. Ymer Prizreni e Abdyl Frashëri, duke organizuar qëndresën, ndërrmarin edhe disa veprime diplomatike me konsujt evropianë në Prizren, Prishtinë e Shkodër. Për më tej ata i dërgojnë edhe një memorandum Portës së Lartë duke mos harruar të shkruajnë në fund se "Shqiptarët do të mbrojnë atdheun dhe nderin e tyre deri në fund e do të ndjekin rrugën e qytetërimit". Por mijërat e ushtarëve dhe oficerëve turq, mijërat e grykave të zjarrit, batalionet e tëra të artilerisë dhe kalorësisë do të bënin punën e vet. Betejat e Shtimjes, Suharekës, Slivovës etj, natyrisht edhe pse përfunduan me humbje kanë vlerat e tyre të pallogaritshme në moralin dhe vetëdijen nacionale shqiptare. Ymer Prizreni, ishte dhe mbeti deri në fund krahu politik i këtyre betejave. Ai jo vetëm që nuk u tremb por rrëmbeu armët edhe vet, në ate moshë madhore, për t’u bërë ballë sulmeve të hordhive turke. Mbas thyerjes së rezistencës shqiptare, Ymer Prizreni, me ndihmën e disa miqve të vet shkon në Ulqin. Aty jeton me ndihmat e disa shqiptarëve që ìa njohin jo vetëm vlerat si prijës por edhe si atdhetar i vendosur. Disa përpjekje të Portës së Lartë, për ta burgosur dështojnë ngase shqiptarët e Ulqinit e duan si babanë e vëllain e tyre, kësisoj, për pesë vjet me radhë, Ymer Prizëreni, i plakur, i ligështuar, jetonte në një dhomë të thjeshtë të Ulqinit, larg familjes, të cilën Dervish Pasha ìa pat mërguar në Turqi. Në pranverën e vitit 1886, atëhrë kur në trevat shqiptarë po ravijëzohej sërish një kryengritje tjetër, në shtëpinë e birit të Prizrenit troket i dërguari i Portës së Lartë, një hoxhë prej Ulqini. Ai i thotë së nëse Ymer Efendia do të ndikonte në Dibër, Prizren e Tetovë, tek miqtë e vet, që kjo rezistencë të mos gatuhej, do t’i falej jeta e do t’i jepeshin disa qese floriri. Por përgjigjja e burrit do të ishte: "Shko nga erdhe se edhe sikur në fron të vet, të më vëre sulltani, nuk dua të di ma, për Turqinë".(Xh. Belegu, Lidhja e Prizërenit e veprimet e saj, Tiranë 1939, faqe 191 ). Disa ditë më pas, Haxhi Ymer Prizreni, do të gjendej i masakruar në shtëpinë e vet. Mbyllej kësisoj tragjikisht, një jetë trimi e cila në çdo ditë të saj, shkroi faqe atdhedashurie.


Tituj të veprave[redakto | redakto tekstin burimor]

Politik