Zef Pllumi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Zef Pllumi
Z.Pllumi.jpg
Át (OFM)
Ditëlindja: 28 gusht, 1924
Vendlindja: Mali i Rencit
Ditëvdekja: 26 Shtator, 2007[1]
Vendvdekja: Romë
Nënshtetësia: Shqiptar
Zhanri: Prozë, Historiografi

Zef Pllumi (1924-2007) frat françeskan, publicist e shkrimtar. Pas 26 vjetësh nga një burg i regjimit komunist në tjetrin i ofron lexuesit shqiptar vëllimin "Rrno vetëm për me tregue", i cilësuar edhe si "Arkipelagu Gulag" shqiptar.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Prenka - emri i pagëzimit - lindi më 28 gusht 1924, në Malin e Rencit (Lorencit) (Shëngjin) nga një familje me origjinë nga Shkreli. Siç edhe tregon tek libri autobiografik "Saga e fëmijnisë", u lind nga e ëma, Luke Mrija në një zabel. Data e lindjes i mbeti 7 prilli ngaqë pat një rivendosje prej gjykatës civile mbasi doli për herë të parë nga burgu dhe nuk morën parasysh as datën e lindjes që pasqyrohej në regjistra shkollor, e as atë të shënuar në burg (që ishte tjetër).

Heret, në fëmijëri, kur familja e tij veronte në Qafë të Tëthores së Bogës, mes bjeshkëve të Shkrelit të Malcísë e atyre të Shalës së Dukagjinit. Takon Atë Gjergj Fishtën, dhe Atë Anton Harapin që vinin për të takuar t'axhën e Zef Pllumit, Pashko Tomën, që shquhej si burrë i mirë ndër male. Përshkruan gjithmonë te libri autobiografik "Saga e fëmijnisë" mbresat e para nga këta fretën që të impononin respekt me praninë e tyne. N'atë takim të fëmijërisë së hershme, xhaxhai u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat (prej një takimi të mëparshëm me Atë Bona Gjeçajn ofm). Atë Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që kishte në qafë, e i thotë që ta ruante me shumë kujdes e kur të shkonte në Kolegjën Françeskane të paraqiste atë medaljon.[2]

Rruga drejt meshtarisë[redakto | redakto tekstin burimor]

Në vitin 1929, në moshën 5-vjeçare, bëhet nxënës i Alfons Trackit, misionarit gjerman në VelipojëShkodrës. Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si Atë Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi, kompozitorin Atë Martin Gjoka, Át Gjon Shllaku etj., ku ndjek gjithë ciklin e arsimimit deri në vitin 1944 dhe merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishten e vjetër. Nga mësuesi i tij Atë Marin Sirdani merrte libra historie e numizmatike, detaj të cilin e shquan edhe tek libr'i tij se i njihte perandorët romakë për nga fytyra, në monedha, pa pasur nevojë me lexue ç'përmban monedha.

Në vitet 1943 – 1944 Zef Pllumi ende xhakon, është një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe po ashtu sekretar personal i Padër Anton Harapit. Ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri (Shkalla më e lartë hierarkike). Gjatë kohës që ishte dhjak, Pader Antoni e vuri të rëndiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty has dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare.

Kalvari i parë[redakto | redakto tekstin burimor]

Ishte në moshën 22-vjeçare, kur në 1946, 14 dhjetor, arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg. Dënim që vuajt pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të BedenitMyzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Më pas, shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës.

Shkak për arrestimin e tij, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë Atë Zefi, ishte prej të qenurit sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Por u gabuan rëndë.

Famullitari i Dukagjinit[redakto | redakto tekstin burimor]

Kthehet në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u "qetësuan". Nga viti 1949–1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 shugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për me çue ndihmat priftave nepër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku niset me dt. 14 shtator 1958 bashkë me provincialin, Atë Augustin Ashikun.

Plotësimi i kalvarit[redakto | redakto tekstin burimor]

Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme.

1967–1989, për 23 vjet rresht, burgoset përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, SkrofotinëVlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll dhe Tiranë. Njeh gjatë burgut personazhe me ndikim si Gjin Marku, Kasëm Trebeshina, Zef Mala, Dashnor Mamaqi që e shihnin po prapë si një njeri ku tek i cili mund të rrëfeheshin. Zef Mala i la porosi që Pater Zefi t'i gjente kujtimet që kishte lënë të shkruara, të cilat Patrja s'mundi t'i gjejë kurrë.

Liria e shumëmunguar[redakto | redakto tekstin burimor]

Doli nga burgu me 11 prill[3] dhe, Natën e Kshndellave fillon meshtarinë tek Kisha e Shn'Andout në Tiranë deri në vitin 1997.

Njeh Nanë Terezën të cilen e përcjellë për në Shkodër ku u çua mesha e parë në Katedralen e Shën Shtjefnit. Prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën.

Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ka dalë dhe në vitin 2003. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për Át Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë Rrno vetëm për me tregue, vëllimet Françeskanët e mëdhenj, Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo, Ut heri diçebamus-siç i thonim dje. Kohë kur edhe pse i lodhur nga mundimet dhe mosha nuk mungon angazhimi në lëmin e kulturës. Ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është gjetja e eshtrave të mbetura të Atë Gjergj Fishtës dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave.

Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, RomëItalisë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Mirënjohje[redakto | redakto tekstin burimor]

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin "Nderi i Kombit". Presidenti Moisiu vlerësoi Atë Zefin “si përfaqësues të pasunisë kulturore e njerëzore, si nji institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohnave ma të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”. Nga ana e tij Atë Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve.

Po në vitin 2006 Atë Zef Pllumi merr çmimin letrar Penda e Artë për trilogjinë e tij me kujtime Rrno vetëm për me tregue të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Juria paska pranue edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj âsht vlera që ka demokracia. Kjo âsht vlefta mâ e madhe që i bâhet librit tim. Të tjerat janë për mue kunora që çohen në funerale që i vdekuni s'i sheh,
─ tha P. Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit.

Titujt e veprave[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Rrno vetëm për me tregue
  • Françeskanët e mëdhaj - kujtimet e Padres rreth Etënve duke rreshtue 12 prej tyne, si apostujt.
  • Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo - shkruem mbi bazën e një ditari të 1802 që Át Zefi ka lexue kur punonte në Arkivin Françeskan.
  • Histori kurrë e shkrueme - libër i botuem në formë përmbledhjeje, ku shkrimi i fundit që asht një intervistë që Arben Marku i ka ba Át Zef Pllumit i jep dhe titullin përmbledhjes.
  • Saga e fëmijnisë - libër i 2009 nën kujdesin e gjuhëtares Enkelejda Shamku-Shkreli që i ka qendisë dhe parathanjen. Trajton vitet e para të jetës së fratit deri në prag të regjimit komunist.
  • Ut heri diçebamus-siç i thonim dje

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Lamtumire At Zef Pllumi !!!
  2. ^ Françeskanet e mdhaj, Si e njoha Fishten.
  3. ^ Emisioni "Opinion" tek TV Klan me Blendi Fevziun: Nostalgji Át Zef Pllumi

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]