Zymbyli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Zymbyli

Zymbyli (lat. Hyacinthus orientalis albulus) është një bimë shumëvjeçare që çel një nga lulet më aromatike ndër lulet e pranverës dhe vaji i saj përdoret në esencat e parfumeve.

Nga lulet e zymbylit fitohet ngjyra e kaltër. Ka prejardhje nga Azia e vogël (Anadolli), ndërsa në Europë njihet nga shekulli XVI. Veçohen dy lloje të zymbylit: ai romak që ka lule më rrallë të përqëndruara, aromë më intensive dhe mund të ketë ngjyrë të bardhë, kuqërremtë apo vjollcë dhe zymbyli holandez (lat. H.orientalis) që ka lule të dendura me ngjyrë të bardhë, krem, roze, të kuqe apo ngjyrë vjollce. Me shekuj kjo lule ka qenë frymëzim për artistët dhe lule e preferuar në mbarë botën, për çka flet edhe fakti se 7 Marsi është shpallur Dita Botërore e zymbylit. Bima rritet 20–30 cm në lartësi dhe ka gjethe të gjelbërta e të gjata mishtore nga ku del mbajtësi me lule.


Mbillet në vjeshtë në kopsht apo saksi, të cilat gjatë dimrit duhet të vendosen brenda në shtëpi. Gjatë mbjelljes duhet vendosur në thellësi rreth 15 centimetra. Duhet të mbillet në vend me diell. Kjo lule aromatike zë vend me rëndësi në kulturën dhe artin në mbarë botën. Iranianët me të dekorojnë tavolinat për pritjen e Vitit të Ri. Profeti Muhamed ka thënë: “Po të kisha dy copë të bukës, do ta shisja një dhe do të blija zymbylët, meqë ato do të më ushqejnë shpirtin”. Kjo lule është shpesh motiv edhe në krijimtarinë tonë popullore, duke filluar nga metafora për bukuri e më shumë.