Abedin Hoxha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Abedin Hoxha (Gjirokastër, 15 dhjetor 1897 - Spitali i Burgut të Tiranës 5 maj 1956) ka qenë punonjës i administratës dhe kryetar i shërbimeve sekrete në periudhën mes dy luftërave botërore.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Gjirokastër, i biri i Rasim Hoxhës,[1] që ishte kushëri i parë me të atin e diktatorit të ardhshëm Enver Hoxha.[2] Më 1913 kreu liceun VefaStamboll dhe vijoi po atje një vit në kolegjin gjerman Gjorg. Më 1914 nisi si praktikant në gjyqin civil në Vlorë deri më 1915. Më tej, për dy vite shërbeu si sekretar i nënprefekturës së Lushnjes.

Më 1920 qe sekretar i pasurisë së shtetit në Libofshë nga gushti deri në tetor, dhe nga tetori deri në dhjetor qe arkivist i kryeministrisë. Më tej, deri më 1922 qe sekretar i dytë i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më pas, duke përjashtuar periudhën e qeverisë së Nolit, qe llogaritar i po të njëjtës ministri. Deri më 1928 qe referendar i Këshillit Kontrollues, po atë vit nga janari deri në gusht qe nënprefekt i Bilishtit.

Më 11 gusht 1928 dhe deri më 10 dhjetor 1930 qe kryesekretar i Zyrës Sekrete në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Vijoi si nënprefekt në Shijak (1930-'31), Mallakastër (1931-'34) - kryetar komune në Kolonjë (1934-'36) - dhe sërish nënprefekt, në Malësi të Madhe (janar-shtator 1936), Pogradec (1936-'39). Qe nënprefekti i vetëm që i dha intervistë agjencive të huaja të lajmeve, ku dënoi pushtimin italian, i cituar edhe nga Radio Parisi e Radio Londra më 10 prill 1939.

U burgos si antifashist në Berat, Tiranë dhe në Bari. Rikthehet më 1941 dhe caktohet nëpunës në Komisariatin e Kosovës. Më 1944 nga shkurti deri në prill qe drejtor i personelit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nga prilli deri në tetor sekretar i përgjithshëm i të njëjtës ministri.

Me ta marrë pushtetin Fronti, u dënua me burgim për shkak të nëpunësisë civile deri më 1947. Pas lirimit u caktua llogaritar në shtypshkronjën e rinisë në Tiranë, dhe deri më 1948 vijoi si llogaritar në NISH Vaji Tiranë. Deri në prill të 1949 qe shef i llogarisë në ndërmarrjen e duhanit të Elbasanit, punoi në po të njëjtën ndërmarrje në Durrës më pas, deri më 1952. U rikthye në Elbasan, ku u njoh nga një ish-operativ i Zyrës Sekrete dhe tashmë agjent i Sigurimit, dhe u arrestua më 1 korrik 1954. U dënua me internim në kampin e Kuçit, ku sëmuret dhe e shpiejnë në Spitalin e Burgut të Tiranës.[1][2]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Dervishi, Kastriot (25 shtator 2018). "Abedin Hoxha: shefi i shërbimit sekret të Zogut. Farefisnia me E. Hoxhën dhe vdekja në Spitalin e Burgut". 55news.al. 55.
  2. ^ a b Ilnica, Elisabeta (22 korrik 2013). "Enver Hoxha mbetës për vjeshtë: zbulohen notat në procesverbal". panorama.com.al. Panorama.