Agron Y. Gashi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Agron Y. Gashi
U lind më (1977-06-27) 27 qershor 1977 (46 vjeç)
Papiq, Deçan, Kosovë
Kombësiashqiptar
EdukimiUniversiteti i Prishtinës
Gjinitë letrareprozë, dramaturgji, publicistikë
Punët e shquara
  • "Talianka"
Vite aktiv2009 - sot

Agron Y. Gashi (1977) është doktor i letërsisë, studiues, shkrimtar dhe mësimdhënës. Vepra e tij studimore shquhet për kërkimet sistematike në analizën e formave letrare, me theks të vecantë format autobiografike në letërsinë shqipe, njëkohësisht si prozator i brezit të tij i cili në romanin e tij trajton tema tabu duke ndërlidhur tradicionalen me moderne, ndërsa si shkollë modernizmin në postmodernizmin. Që nga viti 2013 është redaktor i revistës letrare Jeta e Re.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Agron Y. Gashi u lind në Papiq të Deçanit më 1977, ku ndoqi shkollimin fillor dhe te mesëm. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Filologjisë, dega e Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku mori titullin Magjistër i Shkencave Filologjike me temën “Autobiografia në letërsinë shqipe”.. Njëkohësisht ka përfunduar studimet në Fakultetin Filozofik, dega e Shkencave Politike dhe e Administratës publike. Ndërsa, në Universitetin e Tiranës mori gradën Doktor i Shkencave për studime letrare. Është ligjërues bashkëpunëtor në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re (2013-).[1] Punon si mësimdhënës në Shkollën Jopublike “Mileniumi i Tretë”. [2] Një kohë ka drejtuar revistën për art, kulturë dhe letërsi “ProCult”(2007). Shkrime e tij studimore dhe artistike janë përkthyer edhe në gjuhë të huaj. Romani i tija “Talianka” konsiderohet si romani i parë i Kosovës i përkthyer në gjuhën italiane.

Veprimtaria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Veprimtaria e tij studimore dhe artistike përmblidhet në këta libra:

  • 1. Autopoetika - Modelet narrative autobiografike (studim, 2009),
  • 2. Mizanteksti - Poetika, sisteme, autorë, vepra (studim, 2012),
  • 3. ‘Talianka- Intermexo nga jeta e një heroi (roman, 2012),
  • 4. Rrëfimet e maestros- Dialog me avangardistin e viteve ’70-të - Musa Ramadanin (2014),
  • 5. Talianka- Intermezzo sulla vita di un eroe, Enseble, Romë, 2016,
  • 6. Proza autobiografike- Poetika dhe modele (studim, 2017).

Vlerësime për veprën studimore dhe artistike[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Talianka[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Talianka nga Agron Y. Gashi

Është shumë e vështirë të shkëputesh nga ky roman. Autori duket sikur e ka ngjyrë penën në realizmin magjik të G. G. Markuez e na rrëfen episode, anekdota, personazhe nga të cilët të bëjnë të magjepsesh. Pasi e ke lexuar romanin, mendon me vete: Si është e mundur që shtëpive të mëdha botuese u ka shpëtuar kjo kryevepër?! Si vallë është botuar nga një shtëpi e “vogël” botuese, Ensemble Edizioni?” Përgjigja është e thjeshtë: botuesit e mëdhenj jetojnë me emrat e të kaluarës, mbështeten mbi një grusht autorë të shquar dhe pastaj mbi një politikë botuese që është gjithçka përveçse kulturë.

Paolo Perlini, shkrimtar italian


Përkthyer në italisht nga Iris Hajdari, Talianka – Intermezzo mbi jetën e një heroi është romani i parë i shkrimtarit shqiptar nga Kosova, Agron Gashi, botuar në Itali. Bëhet fjalë për një histori që mbërrin nga Kosova dhe sjell me vete traditat dhe rrëfimet që ato vende ruajnë gjatë historisë. Në disa kapituj, romani na kujton dy romanet: Storia di Neve,/ Historia e Neve-s, apo L’ombra del bastone / Hija e bastunit, të autorit italian Mauro Corona, malësorët dhe ligjet e tyre shekullore me të rëndësishëm se ato të diktuara nga autoritetet shtetërore, shpesh konsideruar një qenie imagjinare, të pakuptueshëm.

Irina Turcanu, kritike italiane


Romani Talianka, i ndërtuar sipas paradigmës postmoderne, është një roman që e konsolidon modelin, duke operuar me rrëfime në formë paranteze, digresioni e kolazhi. Në të praktikohen shumë teknika për të krijuar pluralizmin diskursiv, larminë tematike, peshën ideore dhe mozaikun formal. Si i tillë, romani Talianka i Agron Y. Gashit është një vepër mjeshtërore që e pasuron letërsinë bashkëkohore shqiptare.

Ag APOLLONI, studiues dhe shkrimtar


Romani “Talianka” i shkrimtarit Agron Gashi, është në të vërtetë një rrëfim, i cili jetën e zakonshme, të përditshme, e shpie drejt në postmodernizëm. Si gjuhëtar, nuk mund të jemi indiferent dhe kundruall pasurisë leksikore të shqipes që është shfrytëzuar në këtë libër., një kontribut i dobishëm për regjistra gjuhe dhe varietete të fushave të veçanta të përdorimit.

Bardh RUGOVA, gjuhëtar


Ky libër në të vërtetë, në prozën bashkëkohore shqiptare, e posaçërisht prozën shqipe të Kosovës, paraqet rrëfimin e parë pa komplekse për ngjarje që autori i tekstit i ka përjetuar vetë dhe kryesisht i ka dëgjuar nga dëshmitari që edhe është personazhi kryesor i veprës së tij.

Gëzim ALIU, studiues dhe shkrimtar


“Talianka” është një roman eruditiv, një prozë që ecë si nëpër teh të shpatës përgjatë kufirit të asaj që e ndanë prozën fiksionale nga ajo dokumentare. Këto shenja identifikuese i japin romanit tipare postmoderne dhe e bëjnë pjesë të këtij modeli letrar në prozën shqipe.

Adil OLLURI, studiues dhe shkrimtar


Ushtrimet stilistike të Gashit janë kombinatorikë loje mes sendeve dhe njerëzve, (armës, librit e dashurisë.) Autori ia ka dalë në mënyrë brilante me i dhânë zâ të nemiturës – sepse sendet flasin – ngase ekziston kujtesa! Romani (roman i ashtuquajtur i ri) i Gashit nis me gjâmë e mbyllet me poezi (në libër) sipas maksimës heideggeriane “ajo që mbetët.”

Halil MATOSHI, shkrimtar

“Talianka” është romani parë i Agron Y. Gashit (1977), autor që deri më tani njihet me shkrime kritike dhe në radhë të parë me studimin “Autopoetika”, në të cilin kërkohen format autobiografike shqipe, si një lloj poetike autobiografike. Te kjo vepër Gashi ka analizuar vepra të zhanrit të autobiografisë dhe vepra të farës së letërsisë personale. Ai autobiografinë e vlerëson një prej zhanreve të rralla në letërsinë shqipe dhe duke konstatuar që nuk është bërë ndonjë studim përmbledhës dhe i plotë për këtë farë të literaturës, kritiku i rreket kësaj pune dhe kërkon format autobiografike te autorë si: De Rada, Konica, Noli e deri te Zef Pllumi. Ndërsa me romanin “Talianka” Agron Y. Gashi e krijon një vepër në themel autobiografik, në të cilën autobiografia rrëfehet bashkë me biografinë e tjerëve. Ai e përdor historinë e tjetrit për ta rrëfyer biografinë e vet.”

Albana Mehmetaj, studiuese

Autopoetika[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Agron Gashi, në punimin vet të magjistraturës, me titull “Autobiografia në letërsinë shqipe’, ka studiuar një zhanër të veçantë të kësaj letërsie, nëpërmjet përkufizimeve teorike dhe analizave letrare dhe ka arritur rezultate të rëndësisë së veçantë për studimet në këtë fushë. Studimi i tij mbështetet në të dhëna e fakte letrare, në referenca historike dhe në trajtime teorike. Kjo ka bërë që fusha e tij e studimit edhe te zgjerohet në disa pika përtej zhanrit të autobiografisë, te zhanret e shkrimeve personale dhe me motive personale. [...] Agron Gashi dëshmon një njohje letrare, një formim teorike dhe më në fund një shkrim diskursiv të shqipes, që ka brenda vetes kërkimin, mendimin dhe artikulimin e qartë. Shkrimin e tij e karakterizon qartësia, e cila është gjithmonë pasojë e qartësisë së të menduarit dhe të argumentuarit.

Prof. Dr. Sabri HAMITI, mentor; Prof. asoc. dr. Sali BASHOTA'; Prof. ass. dr. Kujtim SHALA; [3]


Kërkesa jonë është që fenomenet psiko-historike, nyjat e botëkuptimore, si albanizma t’i shohim së pari si fenomene jetësore-kontekstuale, së dyti si fenomene letrare dhe së treti si esenca që mund të evidentohen të hetohen ,më së forti të thurura në vepra letrare, mbasi sit ë tilla marrin funksionin e ripërtëritjes së fenomenit. Këtë fenomen të bartur në teorinë dhe praktikën e thurjeve, ndonjë autor i brezit të ri shqiptar do ta quajë si Antropoetikë, ndërsa theksimin individual, si Autopoetikë, e quan Agron Gashi.

Sabri Hamiti: Albanizma, ASHAK, Prishtinë, 2009, f. 16 [4]


Agron Y. Gashi, nën titullin Autopoetika (2009) dhe përcaktuesin Modelet narrative autobiografike, e bën sistematikë kërkimin e letërsisë autobiografike shqipe, lexon autorët (De Radën, Konocën, Nolin e Zef Pllumin) e tekstet themelore dhe formulon poetikën (modelet narrative) e kësaj fare të letërsisë.

Kujtim M. SHALA: Acta Albanica- Qarku letrar i Prishtinës, Buzuku, Prishtinë, 2009, f. 43 [5]


Agron Y. Gashi punën e tij hulumtuese shkencore e nis si rezultat i kërkimeve dhe dijeve empirike mbi letërsinë, konkretisht mbi zhanrin e autobiografisë. Duke kërkuar esencat e zhanrit të autobiografisë gjatë rrjedhës historike, në drejtim të gjenezës, alias gjenozhanrit, autori kalon nëpër tekste që nga kohët më të vjetra dhe ndalet te autobiografia e parë tipike për këtë zhanër, të ajo e Southy, që si zhanër letrar e hasim tek në shek XIX, ku “zbulimi i subjektit dhe krijimi i mitit autorial solli deri te njohja me shkrimin e jetës”. Njohjet teorike e estetike të zhanrit autobiografik janë dëshmia më e mirë se si autori i përdor ato në funksion të punës hulumtuese-shkencore të autorët shqiptarë të këtij zhanri

Halil Dervishaj, MA: Poetika autobiografike, Koha ditore, Prishtinë, 2010 [6]

Mizanteksti (Poetika, sisteme, autorë)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ky libër, nuk është një sprovë teorike mbi problemet e tekstit, dhe veçanërisht të tekstit letrar, siç mund të fitohet përshtypja e parë, por një mjet operimi, të cilin autori e afishon që në hapje të tekstit. Ai nuk përkufizohet tek gjeneza e tekstit, ashtu siç bën kritika gjenetike, dhe e ndjek evoluimin e shkrimit nëpër të gjitha etapat drejt një finaliteti që është teksti, respektivisht teksti letrar në variantin të cilin e has lexuesi. Agron Y. Gashi operon me mizantekst në analizën e pothuaj te të gjitha zhanreve diskursive dhe formave të mundshme që mund t`i marr ai. Një herë analizon organizimin e brendshëm të narracionit në funksion të hulumtimit të vlerave letrare të krijimit romanesk, të cilën e aplikon me veprën e Zejnullah Rrahmanit; herën tjetër analizon dispozitivin tekstor në funksion të hulumtimit të vlerave stilistike të krijimi poetik, siç e hasim në analizën e poezisë së Lasgush Poradecit, Zef Zorbës, apo të Ag Apollonit. Mandej, mizanteksti aplikohet edhe si mjet i privilegjuar i analizës së mizanskenës së fiksionit të dramaturgëve shqiptarë.

Avdi Visoka, profesor dhe studiues i letërsisë

Rrëfimet e maestros- (Dialog me avangardistin e viteve ’70-të, Musa Ramadanin)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

“Libri Rrëfimet e Maestros i Agron Y. Gashit është një libër që ka formën e intervistës, por që realisht e tejkalon formën me informacionet e shumta që sjell gjatë dialogimit me shkrimtarin e njohur kosovar Musa Ramadani, i vlerësuar përgjithësisht nga kritika si një shkrimtar i veçantë i letërsisë shqipe. Në këtë dialog të gjatë, por produktiv, tregohet për fatin e krijuesit në Kosovë, për procesin e krijimit letrar, për leximin dhe shkrimin, si dhe për kohën dhe miqtë e Musa Ramadanit, i cili gjithashtu flet edhe për përplasjet, mitizimet dhe sjelljet e disa shkrimtarëve të mirënjohur shqiptarë. Dialogu në këtë libër ngjan me një lloj majeutike sokratiane që ndihmon të intervistuarin t’i nxjerrë jashtë idetë dhe kujtimet e tij, duke i dhënë bisedës herë karakter mnemoteknik e herë kreativ. Për ambientin tonë letrar ky libër është inovator sepse është i pari që sjellë një shkrimtar kaq afër lexuesit, nëpërmjet një bisede sa private aq edhe të sinqertë, sa informativ aq edhe kreativ.”

Ag APOLLONI, Universiteti i Prishtinës


Ky është libri i parë, i ndërtuar përmes dialogut të dy personaliteteve të kulturës sonë, në njërën anë Maestros, që është shkrimtari i mirënjohur Musa Ramadani dhe në anën tjetër njëri ndër përfaqësuesit e gjeneratës së re Agron Y. Gashi, që ka si synim ta ndërrojë rrjedhën e diskutimeve për shumë probleme kulturore. Mendojmë se kjo vepër është ndër të parat që do ta “ndezë” një debat, por tashmë jo të fjalëve boshe, por një debat të mbështetur në të thënat dhe të bërat e njërit prej përfaqësuesve kryesore të letërsisë në veçanti dhe kulturës në përgjithësi në Kosovë. E ky është shkrimtari Musa Ramadani, të cilit tashmë iu dha edhe çmimi për vepër jetësore, si dëshmi të kontributit të madh për kulturën e këtij vendi, por edhe për kulturën nacionale përgjithësisht. Libri të cilin shpresoj se do ta financojnë institucionet tona kulturore, do të shpërfaqë shumë prapaskena, organizime, grupime, shoqërime, klane, intriga e vendime të ndryshme që i kanë dhënë kahe zhvillimit të ambientit tonë kulturor.

Gëzim ALIU, Instituti Albanologjik i Prishtinës

Proza autobiografike (Poetika dhe modele)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shkëputur nga parathënia e librit:

  • Ky studim në vete përmbledh poetikën dhe modelet e prozës autobiografike bashkëkohore shqipe. Si i tillë, nis aty ku përfundon Autopoetika (2009), si shenjë e projektit studimor sistematik e sistematizues. Proza autobiografike, këtu, pa e përmbledhur vetëm në një modus të veçantë, shtrihet nga zhanri në zhanër, për më tej për t’u parë si variant i jetës dhe variacion i rrëfimit. Interpretimi i tillë kërkon një përballje të mirë teorike, e cila përfshihet në pjesën e parë, te poetika, në të cilën shqyrtohen ide, koncepte e definime për këtë tip të literaturës, deri te evidentimi dhe interpretimi i modeleve të saj. Prandaj, poetika, këtu, është sintezë e koncepteve teorike-klasike me ato bashkëkohore, sidomos kur diskutohet për zhanret narrative autobiografike në raport me modelet tipike në letrat shqipe. Nga këtu, vjelim praktika dhe nocione me të cilat operojmë në analizën e disa modeleve autobiografike, me theks të veçantë prozën autobiografike si projeksion të madh, prozën autobiografike diskursive, prozën autobiografike automajeutike, autoideografinë, semioautobiografinë, autobiografinë hipertekstuale dhe memoaristikën. Poetika përshkruhet mbi konceptet dhe teoritë e diskutuara nga teoricienët e shkollave të ndryshme evropiane dhe anglo-amerikane, ndërsa modelet ilustrohen me vepra të autorëve të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe analizohen me koncepte tashmë të përfolura në poetikë, gjithmonë duke përfillur autonominë e tekstit, autenticitetin e shkrimit dhe identitetin e autorit. Sidoqoftë, ne provojmë që poetika të mos na diktojë analizën dhe interpretimin, por deri diku interpretimi i modeleve të arsyetojë poetikën, pastaj analiza të vazhdojë rrjedhën e vet pa pasur ‘tiraninë’ e metodave dhe teorive letrare.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Publishing House 'OM'". OMprom. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Mësimdhënësit". Mileniumi i Tretë. Arkivuar nga origjinali më 11 shtator 2018. Marrë më 2018-11-08.
  3. ^ "Fakulteti i Filologjisë-Këshilli mësimor shkencor". Prishtinë. 22 tetor 2008.[lidhje e vdekur]
  4. ^ Hamiti, Sabri (2009). Albanizma. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 266. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Shala, Kujtim M. (2009). Acta Albanica. Prishtinë: Buzuku. fq. 128. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Dervishaj, Halil (2010). "MA: Poetika autobiografike". Koha Ditore. {{cite journal}}: Burimi journal ka nevojë për |journal= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)