Akordet e Kosovës
| Akordet e Kosovës | |
|---|---|
| Zhanri | Festival muzikor |
| Shpeshtësia | Vjetor |
| Vendndodhja | Prishtina, Kosova |
| Themeluar | 24 maj 1963 |
| I fundit | 1989 (edicioni i fundit i rregullt) |
| Organizuar nga | Radiotelevizioni i Prishtinës |
Akordet e Kosovës ishte një festival muzikor që u organizua në Prishtinë nga viti 1963 deri në fund të viteve 1980. Fillimisht i njohur si Akordet Muzikore, ai përfshinte tri kategori konkurruese: muzikën e lehtë, muzikën popullore dhe këngët për fëmijë. Festivali ishte një nga ngjarjet kryesore të jetës muzikore në Kosovë gjatë periudhës jugosllave dhe shërbeu për afirmimin e kompozitorëve, tekstshkruesve dhe interpretuesve; simbolikisht quhej «San Remo shqiptar».[1] Në të merrnin pjesë artistë të komuniteteve të ndryshme, ndërsa këngët paraqiteshin në gjuhën shqipe, serbe dhe turke.[2]
Edicioni i fundit i rregullt u mbajt më 1989, ndërsa gjatë viteve 1990 pati përpjekje për vazhdimin e festivalit. Në vitin 2026, Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) e përdori emrin Akordet e Kosovës për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës në RTK, duke nxitur debat mbi vazhdimësinë dhe trashëgiminë e festivalit historik.[3]
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Themelimi dhe zhvillimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Festivali lindi në traditën e festivaleve jugosllave të këngës, si ai i Zagrebit (1953), i Opatijës (1958), i Splitit (1960) apo Beogradsko proleće (1961), si dhe të Festivalit të Këngës në RTSH në Shqipëri (1962), dhe mbështetej në veprimtarinë e Radio Prishtinës, e themeluar më 1945.[1] Edicioni i parë u mbajt më 24 maj 1963, në sallën e Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë, dhe u transmetua drejtpërdrejt nga Televizioni i Beogradit.[1] Manifestimin e hapi kompozitori Rexho Mulliqi.[4]
Festivali nuk mbahej çdo vit në të njëjtën datë. Në vitin 1971 festivali fitoi status institucional, ndërsa nga viti 1974, kur Radio Prishtina u shndërrua në Radiotelevizionin e Prishtinës, ai u bë transmetuesi kryesor i festivalit.[1] Me rritjen e interesimit nga vitet 1970, organizatorët e zgjeruan formatin nga tri në katër ose pesë mbrëmje, me rreth 18 këngë për kategori, pra rreth 54 këngë gjithsej.[5]
Festivali zhvillohej në një mjedis shumëgjuhësh: këngët interpretoheshin në shqip, serbisht dhe turqisht, prezantimi bëhej në të tria gjuhët, dhe çdo vit një çmim u jepej komuniteteve të tjera kombëtare.[4] Sipas Perkolës, kjo pasqyronte pozicionimin e dyfishtë të Kosovës në Jugosllavi: afirmimin e trashëgimisë shqiptare dhe, njëkohësisht, pjesëmarrjen në kornizën shumëetnike të «vëllazërim-bashkimit».[2]
Ndërprerja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga Kuvendi i Serbisë më 1989, jeta kulturore e shqiptarëve u shtyp drejt realiteteve paralele dhe joinstitucionale.[2] Radiotelevizioni i Prishtinës u mbyll më 5 korrik 1990, kur forcat policore dhe ushtarake pushtuan ndërtesën dhe larguan punonjësit e tij.[3] Edicioni i fundit i rregullt i Akordeve të Kosovës u mbajt më 1989. Përpjekjet për vazhdimin e festivalit nisën më 1995, por u mbajt vetëm një event përpara se festivali të ndërpritej nga policia e regjimit serb. Një përpjekje tjetër më 26 dhjetor 1996 rezultoi në një edicion të organizuar me nxitim, i cili shënoi përfundimin e festivalit.[6]
Programi dhe çmimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Festivali përbëhej nga tri kategori: këngët për fëmijë, këngët popullore dhe muzika e lehtë ose argëtuese. Në secilën kategori, juria profesionale ndante çmimet e para, të dyta dhe të treta.[5] Çmime të tjera ishin:
- Okarina e Artë, e ndarë që nga viti 1970 dhe e përcaktuar nga votat e publikut;[4]
- Pllaka e Artë, e dhënë nga Lidhja e Kompozitorëve të Jugosllavisë për këngën më të mirë nga pikëpamja profesionale;
- Pena e Artë, e dhënë nga redaksia e gazetës Rilindja për tekstin më të mirë;
- Çmimi i Mirënjohjes, i dhënë nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës fituesve të tri kategorive.
Kompozitorët dhe interpretuesit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shumë interpretues, kompozitorë dhe tekstshkrues që debutuan në festival ndërtuan karriera të shquara. Ndër kompozitorët më të njohur ishin Severin Kajtazi (anëtar i këshillit artistik në vitet 1960 dhe drejtor i festivalit në vitet 1970),[1] Gjergj Kaçinari, Tomor Berisha, Musa Piperku, Hüseyin Kazaz, Reshat Randobrava, Enver Stafai dhe Sinan Alimanović, Sevime Gjinali dhe Pranvera Badivuku.[5]
Në skenën e festivalit u afirmuan interpretues si Nexhmije Pagarusha, Shehendere Bërlajolli, Liliana Çavolli, Milica Milisavljević, Shpresa Gashi, Mirjana Pavlović, Ivana Vitalić, Vera Oruçaj, Tonina Bala, si dhe Alush Nush, Bashkim Paçuku, Luan Hajra, Haki Misini, Sabri Fejzullahu, Xhelal Bakraçi, Riza Bytyqi dhe Besnik Krajku.[7]
Trashëgimia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Akordet e Kosovës ndikuan në zhvillimin e muzikës së lehtë dhe në krijimin e një repertori të ri këngësh në Kosovë. Përveç afirmimit të interpretuesve, festivali u ofronte kompozitorëve dhe tekstshkruesve mundësinë e paraqitjes së veprave të reja përmes një organizimi të rregullt dhe transmetimeve në media. Historia e tij pasqyron gjithashtu marrëdhënien ndërmjet institucioneve muzikore, identitetit kulturor dhe zhvillimeve politike në Kosovën e gjysmës së dytë të shekullit XX.[2]
Më 26 tetor 2023, RTK-ja inauguroi Festivalin e Këngës në RTK.[8]
Përdorimi i emrit në vitin 2026
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 2026, RTK-ja vendosi ta organizonte edicionin e katërt të Festivalit të Këngës, të themeluar më 2023, nën emrin Akordet e Kosovës. Drejtori artistik Florent Boshnjaku sqaroi se formati i ri bashkon dy festivalet nën një «ombrellë», me tri mbrëmje: dy për muzikën moderne dhe një për fëmijët.[3] Datat e rezervuara ishin 30 e 31 tetori dhe 1 nëntori 2026, dhe për herë të parë u parashikua edhe mbrëmja e fëmijëve.[9] Përdorimi i emrit u kundërshtua nga një grup ish-punonjësish të Radiotelevizionit të Prishtinës, të përfaqësuar nga ish-producenti Qemajl Sokoli, i cili e konsideron festivalin vazhdimësi të punës së ekipit që e krijoi dhe e organizoi për dekada.[3] Gjatë mbrëmjes u bë e ditur se Posta e Kosovës kishte lëshuar një pullë postare me imazhin e Akordeve të Kosovës. Kompozitorja Pranvera Badivuku, e cila ka krijuar rreth 200 këngë dhe ka marrë pesë Okarina të Arta në edicionet historike, u nderua me çmimin e festivalit për vepër jetësore.[10]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1 2 3 4 5 Perkola, Kristina (2025). "Two Song Festivals in Kosovo: Akordet e Kosovës and the RTK Song Festival – Historical Narrative, Continuity, and Transformation (1960s-2020s)". Musicologist (në anglisht). 9 (SI): 56. doi:10.33906/musicologist.1644764.
symbolically it was said that it was the Albanian San Remo
- 1 2 3 4 Perkola, Kristina (2025). "Two Song Festivals in Kosovo: Akordet e Kosovës and the RTK Song Festival – Historical Narrative, Continuity, and Transformation (1960s-2020s)". Musicologist (në anglisht). 9 (SI): 52–70. doi:10.33906/musicologist.1644764.
- 1 2 3 4 Elshani, Besartë; Maxharraj, Shaban (2026-07-27). ""Akordet e Kosovës" rikthen emrin, çakordon memorandumin e trashëgiminë". Koha Ditore.
Derisa Radiotelevizioni i Kosovës ka nisur përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës që këtë vit synon ta rikthejë traditën e "Akordeve të Kosovës" [...] Ombrellë bëhet 'Akordet e Kosovës' dhe të dy festivalet mbahen në kuadër të 'Akordeve...'
- 1 2 3 Sadiku, Mirjetë (2023-07-14). "Një adresë harmonizon rrëfimin për "Akordet e Kosovës"". Koha Ditore.
Janë ndalur edhe te edicioni i parë i hapur prej kompozitorit të shquar Rexho Mulliqi. [...] Kjo ngjarje e parë dhe unike ndër ne asht' rezultat i përpjekjeve të njerëzve të rij të Krahinës sonë [...] ishte rregull që për çdo vit një çmim të shkonte për kombësitë e tjera. Edhe prezantimi i tij bëhej në këto tri gjuhë. [...] shpërblimi kryesor që ndahej që prej vitit 1970 [...] Për këtë shpërblim votohej në pauza të Festivalit. Në biletat e tyre, publiku e shkruante emrin e këngës më të pëlqyer për ta, dhe i vendosnin biletat brenda kutive të votimit në korridor. [...] Më pas kemi bërë një studim të shtypit, të gazetës 'Rilindja', gazetës 'Tan' në gjuhën turke dhe 'Jedinstvo' në gjuhën serbe.
- 1 2 3 Perkola, Kristina (2025). "Two Song Festivals in Kosovo: Akordet e Kosovës and the RTK Song Festival – Historical Narrative, Continuity, and Transformation (1960s-2020s)". Musicologist (në anglisht). 9 (SI): 57. doi:10.33906/musicologist.1644764.
the festival's organizers decided to expand its format from three to four or five nights of performances. Each category typically accepted around 18 songs
- ↑ Perkola, Kristina (2025). "Two Song Festivals in Kosovo: Akordet e Kosovës and the RTK Song Festival – Historical Narrative, Continuity, and Transformation (1960s-2020s)". Musicologist (në anglisht). 9 (SI): 59. doi:10.33906/musicologist.1644764.
The year 1989 marked the last regular edition of Akordet e Kosovës festival.
- ↑ Perkola, Kristina (2025). "Two Song Festivals in Kosovo: Akordet e Kosovës and the RTK Song Festival – Historical Narrative, Continuity, and Transformation (1960s-2020s)". Musicologist (në anglisht). 9 (SI): 58. doi:10.33906/musicologist.1644764.
through festival Akordet e Kosovës became well-known and artistically matured performing artists
- ↑ Perkola, Kristina (2025). "Two Song Festivals in Kosovo: Akordet e Kosovës and the RTK Song Festival – Historical Narrative, Continuity, and Transformation (1960s-2020s)". Musicologist (në anglisht). 9 (SI): 62. doi:10.33906/musicologist.1644764.
On October 26, 2023, a new and vibrant song festival was inaugurated at RTK Media.
- ↑ Maxharraj, Shaban (2026-10-27). ""Akordet e Kosovës" gati për talentët e rinj e në nderim të historisë muzikore". Koha Ditore.
30, 31 tetori dhe 1 nëntori janë datat e rezervuara për ngjarjen e madhe të muzikës. [...] Jemi duke vazhduar sivjet me një emërtim të ri, 'Akordet e Kosovës'. [...] Sivjet, për herë të parë, do të mbahet edhe mbrëmja e fëmijëve.
- ↑ Elshani, Besartë (2026-10-31). ""Akordet e Kosovës" në harmoninë e traditës dhe të skenës që kërkon identitet". Koha Ditore.
ku të premten mbrëma ka nisur edicioni i katërt i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, sivjet nën emrin "Akordet e Kosovës" [...] Në natën e parë, kompozitorja Pranvera Badivuku ka marrë çmimin e Festivalit për vepër jetësore [...] Me duartrokitje janë kujtuar organizatorët e dikurshëm të "Akordeve të Kosovës", ndërsa Teuta Kurti dhe Florent Abrashi kanë rikthyer atmosferën e asaj periudhe nëpërmjet një kolazhi këngësh që kanë shoqëruar festivalin ndër vite. [...] Posta e Kosovës ka lëshuar një pullë postare me imazhin e "Akordeve të Kosovës" [...] Tri edicionet paraprake janë mbajtur në atë që njihet si salla e djegur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ndërsa kjo ka qenë hera e parë që është zhvendosur në sallën e sporteve "1 Tetori" [...] ka krijuar rreth 200 këngë dhe ka marrë pesë "Okarina të Arta" në edicionet historike të "Akordeve të Kosovës"
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- FestAkordet – projekt hulumtues dhe arkiv digjital mbi historinë e festivalit
- Studim muzikologjik mbi historinë e Akordeve të Kosovës