Shko te përmbajtja

Ali Jakupi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ali Jakupi (26 qershor 1943, Shalc - 9 dhjetor 2013, Prishtinë)[1] ekonomist, veprimtar dhe profesor universitar nga Vushtrria.

Ali Jakupi u lind më 26.06.1943, në Shalë të Vushtrrisë. Shkollën fillore e përfundoi në Vushtrri, ku e kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe rinisë. Shkollën e Mesme Normale, e kreu në Mitrovicë ndërsa Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare dhe magjistraturën (nga lëmia e Marketingut) i kreu në Zagreb, në vitin 1973,[2] në temën "Roli i propagandës ekonomike si funksion marketingu dhe vështrimi kritik në përdorimin në Kosovë," ndërsa doktoroi në Fakultetin Ekonomik të Universitetin e Prishtinës, në temën "Finalizimi - dimensionimi i strategjisë së zhvillimit të ekonomisë së Kosovës."

Dr. Ali Jakupi ishte drejtor i përgjithshëm në Ndërmarrjen “Kosova” dhe “Polet”, të Vushtrrisë, njëherit ishte edhe drejtor i Tregtisë, zëvendësdrejtor i përgjithshëm dhe drejtor i përgjithshëm në Ndërmarrjen “Rilindja”, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Parë të Kosovës, profesor në Universitetin e Tetovës, profesor në Universitetin AAB, si dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, për lëndët e Marketingut.

Ali Jakupi me shkrime ka filluar të merret që nga fëmijëria, kur si nxënës filloi të botonte poezit e tij të para, në revista të ndryshme në gjuhën shqipe. Më vonë filloi të shkruante edhe në prozë si dhe të merret edhe me publicistikë. Është autor i mbi 50 punimeve shkencore e profesionale, të botuara madje edhe jashtë vendit. Nga krijimtaria e gjithmbarshme e tij duhet veçuar:

  • Ekonomia dhe organizimi i ndërmarrjes (tekst mësimor për kl.I-IV të shkollës së mesme ekonomike),
  • Bazat e ekonomikës së tregtisë,[3]
  • Bazat e marketingut,
  • Edukata qytetare (koautor),
  • Zgjimi i fjalës (poezi),
  • Hapësirë rrethore (poezi),
  • Nyjëzim (poezi),
  • Vrapime në rrathë (roman),
  • Dy shtete shqiptare dhe bashkimi kombëtar - (publicistikë 1995),
  • Two Albanian states and national unification (1997),
  • Për ata Kosova është ëndërr (udhëpërshkrime), etj.[4]
  1. Ndahet nga jeta ish ministri dhe deputeti Ali Jakupi Arkivuar 12 dhjetor 2013 tek Wayback Machine Vizituar më 26.07.2016.
  2. Ndërroi jetë profesori Ali Jakupi Vizituar më 26.07.2016.
  3. Ali Jakupi:Bazat e ekonomisë së tregtisë.ETMMKSA i Kosovës, Prishtinë, 1989, Vizituar më 26.07.2016.
  4. Grup autorësh:Vushtrria-Viciana me rrethinë, Kuvendi Komunal, Vushtrri, 2003, fq. 503 dhe 513.