Shko te përmbajtja

Ankthi nga testet

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Një student i Universitetit të Madrasit, me flokët e lidhura në një gozhdë në mur, që të mos binte në gjumë (1905).

Ankthi nga testet është një kombinim i mbingacmimit fiziologjik, tensionit dhe simptomave trupore (somatike), i shoqëruar me shqetësim, ndjenjë frike, frikë nga dështimi dhe prirje për të imagjinuar skenarët më të këqij (katastrofizim), të cilat shfaqen para ose gjatë një testi. Është një gjendje psikologjike në të cilën individët përjetojnë stres, ankth dhe parehati të theksuar para dhe/ose gjatë zhvillimit të një testi. Ky ankth krijon pengesa të konsiderueshme në të nxënë dhe në performancë.

Studimet tregojnë se nivelet e larta të shqetësimit emocional lidhen drejtpërdrejt me rezultate më të dobëta akademike dhe me një rrezik më të lartë të braktisjes së shkollës. Ankthi nga testet mund të ketë pasoja më të gjera, duke ndikuar negativisht në zhvillimin social, emocional dhe sjellor të nxënësit, si edhe në mënyrën se si ai e percepton veten dhe shkollën.

Nxënësit me nivele të larta të ankthit nga testet arrijnë mesatarisht rezultate rreth 12 pikë përqindëshe më të ulëta se bashkëmoshatarët e tyre me nivel të ulët ankthi. Ankthi nga testet është i përhapur te popullatat e nxënësve dhe studentëve në mbarë botën. Ai është studiuar në mënyrë sistematike që nga fillimi i viteve 1950 nga studiuesit George Mandler dhe Seymour Sarason. Më vonë, Irwin G. Sarason kontribuoi në hulumtimet e hershme, duke sqaruar marrëdhënien ndërmjet ankthit nga testet, formave të tjera specifike të ankthit dhe ankthit të përgjithshëm.

Ankthi nga testet njihet edhe me emra të tjerë, si ankthi paraprak, ankthi situacional ose ankthi i vlerësimit. Një nivel i caktuar ankthi është normal dhe shpesh i dobishëm, pasi ndihmon individin të mbetet vigjilent si mendërisht, ashtu edhe fizikisht. Megjithatë, kur ankthi bëhet i tepërt, ai mund të shkaktojë shqetësim emocional ose fizik, vështirësi në përqendrim dhe shqetësim të vazhdueshëm.

Performanca e dobët nuk është domosdoshmërisht pasojë e mungesës së aftësive intelektuale ose e përgatitjes së pamjaftueshme akademike. Përkundrazi, situatat e testimit krijojnë një ndjenjë kërcënimi për individët që vuajnë nga ankthi i testeve, dhe ky ankth pengon funksionimin normal të vëmendjes dhe kujtesës.

Studiuesit vlerësojnë se 25–40% e nxënësve dhe studentëve përjetojnë ankth nga testet. Nxënësit me aftësi të kufizuara, si edhe ata që ndjekin programe për nxënës të talentuar, raportojnë gjithashtu nivele të larta të këtij ankthi. Gjatë testit, këta nxënës priren të shpërqendrohen lehtësisht, të kenë vështirësi në kuptimin edhe të udhëzimeve relativisht të thjeshta, si dhe të hasin probleme në organizimin ose rikujtimin e informacionit të rëndësishëm.