Arbën Xhaferi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Arbën Xhaferi.jpg

Arbën Xhaferi ka lindur më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka kryer në vendlindje. Ka vazhduar studimet në degën e Filozofisë në Beograd ku ka mbaruar me sukses.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 punon në Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës dhe komentator i programit të kulturës. Nga mesi i viteve 1990 është ndër të parët që përjashtohet nga Televizioni nga regjimi i Milosheviçit. Pas kësaj periudhe punon si analist në të përjavshmen "Koha" me editor Veton Surroin, në "Forum" që drejtohej nga Adem Demaçi dhe në disa media të tjera shqiptare përfshirë dhe shumë gazeta prestigjioze në botë.

Do të vijë viti 1993 kur Arbën Xhaferi do të kthehet në vendlindje, tashmë jo si analist, por si politikan. Në vitin 1994 zgjidhet kryetar partie.

PDSH e udhëhequr nga Xhaferi arriti të fitojnë zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Erdhi në pushtet me një strategji krejtësisht te re. Xhaferi njihet si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si një parakusht për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara në atë kohë kundrejt shqiptarëve, por dhe si mjet që mund të ishte efikas kundër ndarjeve territoriale që sot e kësaj dite i kanosen Maqedonisë.

Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Xhaferi investohet tek faktori ndërkombëtar që motivet e luftës të mos kërkohen atje ku nuk ekzistonin, pra në Kosovë apo te animet gjenetike të shqiptarëve për rebelim, ashtu siç pretendonin faktorët maqedonas, por te koncepti i shtetit i cili nuk përputhej me realitetin.

Qasja e Xhaferit në atë kohë turbullirash u përkrah më në fund nga faktori ndërkombëtar, duke bërë të mundur legjitimimin e luftës së shqiptarëve, duke nisur kështu maratona e Ohrit, që përfundoi me një marrëveshje për ndërrimin e konceptit etnocentrik të shtetit.

Në zgjedhjet e 15 shtatorit të vitit 2002 Xhaferi kalon në opozitë. Ai mbajti postin e kryetarit të partisë deri në vitin 2007, kur u zëvendësua nga Menduh Thaçi.

Në atë periudhë të zymtë parazgjedhore, analistë të ndryshëm patën vlerësuar se shqiptarët do të përfshihen në një konflikt të paevitueshëm brenda tyre. Në opozitë, Xhaferi që në fillim dha sinjale se qeveria e re, po devijon nga përcaktimet e marrëveshjes së Ohrit. Madje ai i drejtoi publikisht një letër kryetarit të shtetit Boris Trajkovski, duke refuzuar pjesëmarrjen në bisedime me të.

Publikimet

Arbën Xhaferi ka publikuar dy vepra, "PDSH-ja jo në letër", dhe "Sfidat e Demokracisë në Shtetet Multietnike".