Shko te përmbajtja

Argjendaria Karolinge

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kapak i Codex Aureus i Shën Emeranit, Bayerische Staatsbibliothek, Mynih

Argjendaria Karolinge përfshin prodhimtarin e sendeve prej metalesh të çmuara, xhevahire dhe smalte, të zhvilluar midis shekullit të IX dhe të X në kuadrin e Artit Karoling. Përmbënte një nga shprehjet më të lartë të të ashtuquajturës Rilindje Karolinge, duke pasqyruar idealin perandorak të ripërtëritjes kulturore dhe shpirtërore të promovuar nga Karli i Madh dhe nga pasuesit e tij.[1] Argjendaria e kësaj periudhe dallohet për monumentalitetin e formave, përdorimin e pasur të materialeve të çmuara dhe përpunimin e shprehjes formale që bashkonte frymëzime nga Antikitekti i Vonë, bizantine dhe insulare.[2]

Vepra të shumta të mbijetuara, si relikuare, altarë të bartshëm, kopertina kodikësh dhe kryqe proçesionale, dëshmojnë aftësinë e jashtëzakonshme teknike dhe vlerën e fortë simbolike atribuar argjendarisë në kuadrin karoling, qoftë si shfaqje e pushtetit, qoftë si instrument kulti.[3]

Konteksti historik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Argjendaria Karolinge u zhvillua në kuadrin e të ashtuquajturës Rilindje Karolinge, një periudhë përtëritjeje kulturore dhe artistike e promovuar nga Karli i Madh dhe nga pasuesit e tij midis fundit të shekullit të VIII dhe fillimit të shekullit të X. Kjo lëvizje synonte të përtërinte madhështinë e Perandorisë Romake nëpërmjet valorizimit të arteve, të letërsisë dhe të fesë së krishterë.[4]

Altari i Shën Ambrozit, rr. 824-859, Bazilika e Sant'Ambrogio-s, Milano

Programi kulturor karoling bazohej në një bashkëpunim të ngushtë midis pushtetit perandorak dhe institucioneve kishtare. Manastire dhe katedrale do të bëheshin qendra prodhimtarie artistike, të mbështetura nga një porosituri që shikonte te arti një mjet për të afirmuar autoritetin politik dhe përkushtimin fetar. Prodhimtaria argjendare, në veçanti, do të nxitej nga disponueshmëria e metaleve të çmuara dhe xhevahireve, shpesh të mara nëpërmjet pushtimeve ushtarake, si në rastin e plaçkitjes së thesarit të avarëve në vitin 795, që kishte siguruar pesëdhjet karro plotë me ar dhe argjend.[5] Një subjekt i debatuar, në këtë kuadër, është edhe Thesari i Vrapit, i zbuluar në Shqipëri në vitin 1902, tani në Metropolitan Museum of Art në Nju Jork.

Punishtet argjendare karolinge, të vendosura në qendra si Akeni, Reimsi, Saint-Denis dhe Sankt Gallen, do të prodhonin vepra të destinuara për kisha dhe manastire, midis të cilave relikuarë, altarë, kryqe dhe kopertina kodikësh. Këto sende pasqyrojnë një sintezë stilistike midis elementeve të Antikitetit të Vonë, bizantine dhe insulare, duke dëshmuar frymëzimin karoling ndaj një arti perandorak të krishter.[2]

Argjendari Karolinge përfaqësonte jo vetëm një shprehje artistike me nivel të lartë, por edhe një simbol të prekshëm të rilindjes kulturore nga Karli i Madh, duke mishëruar idealin e një perandorie të krishterë të rinovuar dhe bashkuar nën autoritetin perandorak dhe hyjnor.[6]

Karakteristika stilistike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Relikuari i dhëmbit të Shën Gjon Pagëzorit, shekulli IX, thesari i Katedrales së Monzës

Argjendaria Karolinge dallohet për një varg trajtash formale dhe simbolike që pasqyrojnë kompleksitetin kulturor dhe ideologjik të periudhës. Sendet e prodhuara karakterizohen nga një monumentalitet i theksuar, edhe në sendet e vogla, e arritur nëpërmjet përdorimit të shumtë të materialeve të çmuara si ari, argjendi i praruar, xhevahiret e ngulitura dhe smaltet polikromike.[7]

Nga pikëpamja stilistike, vërehet një shkrirje origjinale traditash të ndryshme artistike: trashëgimia e Antikitektit të Vonë shfaqet në strukturën solemne dhe simetrike të kompozimeve; ndikimet bizantine dallohen në përdorimin e teknikave si cloisonné dhe në hieraticitetin e figurave të paraqitura, ndërsa tradita insulare perceptohet në pasurinë e motiveve zbukuruese gërshetuese dhe në gjallërinë dekorative.[8]

Motivet dekorative më të hasura përfshijnë degë bimore të stilizuara, palmeta, grifonë, shqiponja dhe motive gërshetuese, shpesh të sendërtuara me imtësi të mëdha për të valorizuar lojën e përhapjes së dritës mbi sipërfaqe metalike.[9] Efekti xixëllues dhe fragmentimi i dritës ishin funksionale, duke evokuar përmasën e shenjtë, duke sugjeruar praninë hyjnore nëpërmjet llamburitjes së materialeve të çmuara.

Një element i veçant i prodhimtarisë karolinge është prirja hibridizimit stilistik: pranë veprave me impostim klasikexhant gjenden pjesë që adaptojnë zgjidhje më abstrakte dhe dinamike, duke nxjerë në pah eklektizmin dhe vitalitetin e shprehjes karolinge. Një shembull domethënës ofrohet nga Codex Aureus i Shën Emeranit, i sendërtuar rreth vitit 870: kopertina paraqet një ballinë klasiciste, me figura në reliev të praruar të impostuara sipas kanoneve të Antikitetit të Vonë, por është e pasuruar nga dekorime margjinale më dinamike, të karakterizuara nga motive gërshetuese, smalte të gjalla dhe xhevahire të vendosura në kompozime me tension të fort abstrakt. Edhe në Altarin e Shën Ambrozit paraqitet kjo stilistikë e dyfishtë: nëse disa skena formohen sipas modeleve klasiciste, punimi i sfondeve dhe të efekteve të dritës të thyer mbi ar fusin zgjidhje më vibrante dhe të fragmentuara, të afta ti animojnë sipërfaqet metalike me një dinamizëm të theksuar viziv.[10]

Qasja karolinge ndaj argjendarisë nuk kufizohet në ekzekutimin e thjeshtë teknik, por synonte ti jepte sendeve një vlerë simbolike dhe të shenjtë, në linjë me vizionin perandorak të një përtëritje romake dhe të krishterë.

Teknika dhe materiale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Argjendaria Karolinge do të arrinte nivele përkryerje teknike falë përdorimit të punimeve komplekse të trashëguara nga tradita e Antikitetit të Vonë dhe insulare, të ripërpunuara nën dritën e programit të ri kulturor të perandorisë.[11]

Midis teknikave më të përdorura dëshmohen:

  • Repoussé dhe çezelatura, të përdorura për të modeluar metalin në reliev, duke i dhënë sendeve një pasuri plastike që e rriste vlerën simbolike të veprës;[12]
  • Shkrirja me humbje dylli, e përdorur veçanërisht për elemente dekorative trepërmasore si statujëzat apo elementet arkitekurore të imta, të pranishme në relikuarë dhe altarë të bartshëm;[13]
  • Smaltimi, në veçanti teknika e smaltit cloisonné, e trashëguar nga Argjendaria Bizantine, që konsistonte në ndarjen e zonave të ngjyrosura nëpërmjet filamenteve të holla metalike, duke arritur efekte kromatike shkëlqyese;[14]
  • Inkastonatura e xhevahireve, ku gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar si granatë, ametistë, smeraldë dhe perla përdoreshin për të theksuar vlerën dhe domethënien e shenjtë të sendeve, sipas një simbolizmi të dritës dhe të dlirësisë.[15]

Materialet e privilegjuara ishin ari, i konsideruar si simbol i përjetësisë dhe lavdisë hyjnore, dhe argjendi i praruar, më i përhapur në veprat me përmasa të mëdha, për arsye praktike dhe kostoje. Xhevahiret shpesh nuk përzgjidheshin në bazë të pastërtisë së tyre kristaline, por nga gjallëria e ngjyrës, ndonjëherë edhe duke ripërdorur elemente të lashta të marra nëpërmjet spolia.[16]

Punimi i këtyre materialeve të çmuara kërkonte një dituri shumë të specializuar dhe nënkuptonte praninë e laboratorëve të vendosur pranë oborreve apo në afërsi të qendrave madhore fetare, ku argjendarët ishin në gjendje të kombinonin kompetencën teknike dhe ndjeshmërinë artistike.

Kapak i kopertinës prej fildishi të Ungjillarit të Lorsch-it, fundi i shekullit të VIII – fillimi i shekullit të IX, Victoria and Albert Museum, Londër

Mes kryeveprave të mbijetuara të Argjendarisë Karolinge, një vend të rëndësishëm zihet nga Altari i Shën Ambrozit, i porositur nga arkipeshkvi Angilberti II dhe i sendërtuar nga magister Vuolvin midis viteve 824 dhe 859, akoma edhe sot i ruajtur në Bazilikën e Sant'Ambrogio-s në Milano. Vepra, e zbukuruar me repoussé, smalte dhe gurë të çmuar, shembullizon ambicien karolinge për të krijuar artifakte në të cilat materia e çmuar i bënte trasparencë lavdisë hyjnore.[17]

Po aq domethënëse ësthë kopertina e Codex Aureus të Shën Emeranit, e ruajtur në Bayerische StaatsbibliothekMynihut dhe e datueshme rreth vitit 870. E sendërtuar në ar dhe e dekoruar me relieve dhe xhevahire të inkastonuara, ajo dëshmonë aftësinë e argjendarëve karolingë për të integruar elemente klasikexhante, si paraqitja e Krishtit në madhështi, me një ndjeshmëri narrative të gjallë dhe fortësisht simbolike.[18]

Një tjetër shembull arti argjendar me funksion përkushtimor është relikuari i dhëmbit të Shën Gjon Pagëzorit, i prejardhur nga thesari i Katedrales së Monxës, që tregon ndikimin e traditave insulare, të ri-interpretuara sipas estetikës së re karolinge.

Në kontekstin e prodhimtarisë librore, spikat kopertina e Ungjillarit të Lorsch-it, i lidhur me Abacinë e Lorsch-it, një nga qendrat kryesore kulturore të perandorisë. Pasuria e dekorimeve, përdorimi i fildishit të skalitur dhe precioziteti i lidhjeve tregojnë si arti argjendar karoling dinte të ndërvepronte me artet e librit në një shprehje të ndarë luksi dhe shenjtërie.

Edhe Ungjillari i Godeskalkut, i sendërtuar me porosi të Karlit të Madh rreth viteve 781-783, përbën një shembull hershëm dhe domethënës të prodhimtarisë argjendare karolinge të aplikuar në kodekset në miniaturë, me praninë e pllakave metalike dhe dekorimeve që kremtojnë funskionin perandorak dhe liturgjik të volumit.

Veçanërisht i rafinuar është i ashtuquajturi Arnulfziborium, apo ciborium-i i Arnulfit, i ruajtur në Residenz të Mynihut. Bëhet fjalë për një strukturë arkitektonike të miniaturizuar, e sendërtuar në ar, smalte dhe gurë të çmuar, që rievokon formën e një baldakini të mbajtur nga kolonëza, duke shprehur synimin karoling për të rithemeluar simbolikisht arkitekturën e shenjtë nëpërmjet artit të argjendarisë.[19]

Midis relikuarëve të Periudhës Karolinge shquhet edhe Stephansbursa, një çantë-relikuar në ar, smalte cloisonné dhe xhevahire, e datueshme nga shekulli IX, sot e ruajtur pranë thesarit perandorak të Vjenës. Vepra, e karakterizuar nga një teknikë e rafinuar smaltimi dhe nga një sintezë formale elegante, përfaqëson një nga shembujt më të vjetër të relikuarëve truporë, i destinuar për të ruajtur reliket e Shën Stefanit.[20]

Për tu përmendur në fund është grupi i relikuarëve të lidhur me thesarin e Abacisë mbretërore të Saint-Denis, që përfaqësojnë një nga majat e argjendarisë së periudhës karolinge për ekuilibrin midis kompleksitetit ikonografik, cilësisë teknike dhe çmueshmërisë së materialeve.[21]

Këto vepra dëshmojnë se si Argjendaria Karolinge nuk kufizohej në prodhimin e sendeve të luksit, por aspironte të krijonte instrumente të vërteta liturgjike dhe politike, të afta të komunikonin në mënyrë vizive renovatio imperii dhe shenjtërinë e pushtetit nëpërmjet përsosmërisë së materialeve dhe të rafinimit teknik.

Qendra prodhimtarie

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Stephansbursa, fillimi i shekullit të IX, Thesari i Kurorës Austriake

Argjendaria Karolinge do të zhvillohej në brendësi të një sistemi të artikuluar punishtesh të shpërndara në qendra të ndryshme të Perandorisë së Shenjtë Gjermaniko-Romake, ngushtësisht të lidhura si me oborrin perandorak, ashtu dhe me manastiret kryesore dhe selitë peshkopale. Prania e laboratorëve tepër të specializuar pranë rezidencave perandorake dhe poleve fetare më të rëndësishme do të favorizonte përhapjen e një stili homogjen, megjithëse me variacione vendore.[21]

Akeni, kryeqyteti i perandorisë nën Karlin e Madh, do të bëhej një nga qendrat kryesore të prodhimtarisë, seli e një laboratori të oborrit që punonte nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë perandorake. Këto do të sendërtoheshin artifakte artistike me cilësi të jashtëzakonshme, të destinuara për orenditë liturgjike të kapelës palatine dhe dhuratat diplomatike.[22]

Reimsi u afirmua si një nga qendrat artistike më vitale të Rilindjes Karolinge, falë shtysës së arkipeshkëvit Ebon dhe pranisë së një shkolle miniature dhe argjendarie të aftë të shkrinte trashëgiminë e vonë romake me një ndjeshmëri të re ekspresive.[23] Veprat e prodhuara në Reims karakterizohen nga një gjallëri e fortë stilistike dhe nga një përdorim i rafinuar i smalteve.

Saint-Denis, pranë Parisit, abacia e vjetër mbretërore do të promovonte një prodhimtari argjendare të nivelit shumë të lartë, me vëmendje të posaçme ndaj relikuarëve dhe orendive të shenjtë, të paracaktuara për të nënvizuar rolin e ruajtjes së traditës franke të pretenduar nga manastiri.[24]

Edhe në zonën gjermanike do të lindnin qendra me rëndësi të madhe, si Sankt Galleni dhe Fulda, ku lidhja e ngushtë midis scriptoria monastike dhe punishteve argjendare do të favorizonte krijimin e veprave në të cilat dekorimi libror dhe ajo metalike ndanin motive ikonografike dhe stilistike.

Në Italinë Veriore, Milano do të imponohej si qendër e rëndësishme e prodhimtarisë argjendare në Periudhën Karolinge, siç tregon Altari i Shën Ambrozit, ndërsa thesari i Bazilikës së Shën Markut në Venecie ruan shembuj që dokumentojnë mbijetesën dhe përshtatjes së teknikave karolinge në një kuadër shkëmbimesh mesdhetare.

Ekzistenca e këtyre punishteve, shpesh të lidhura midis tyre nga rrjete porositëshish dhe formime artistike, dëshmon gjerësinë dhe kohezionin kulturor të projektit karoling, që synonte të përhapte një shprehje artistike unitare të aftë të përforconte identitetin fetar dhe politik të perandorisë.

Trashëgimia dhe ndikimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Argjendaria Karolinge, për cilësinë e saj teknike dhe vlerën e saj simbolike, ushtroi një ndikim afatgjatë mbi artet e mesjetare Perëndimore, duke vënë themelet për zhvillimet pasuese të prodhimtarisë argjendare otoniane dhe romanike.[25]

Monumentaliteti i formave, përdorimi i materialeve të çmuara si mjete të shprehjes shpirtërore, integrimi midis elementeve klasikexhante, bizantine dhe insulare do të bëheshin tipare dalluese të artit fetar të shekujve të mëvonshëm. Në veçanti, kultura artistike otoniane (shekulli X-XI) do të rimerte dhe të amplifikonte modelet karolinge, duke theksuar aspektin hieratik dhe simbolik, siç dëshmojnë kryqëzimet e mëdha me xhevahire, staurotekat dhe kryqet astile të zonës renane.[26]

Jo më pak e rëndësishme qe trashëgimia teknike e lënë nga argjendarët karolingë: kompetencat në punimin e smaltit cloisonné, në shkrirjen me dyll të humbur dhe në modelimin me repoussé vijuan të përcilleshin në brendësi të manastireve dhe të shkollave të arteve mekanike, duke kontribuar në formimin e brezave të artizanëve të specializuar.[27]

Funksioni politik dhe liturgjik i Argjendarisë Karolinge si instrument i afirmimit të pushtetit dhe të përfaqësimit të lavdisë hyjnore mbeti një model referimi edhe për mbretëritë e mëvonshme të krishtera, në veçanti në oborret e Gjermanisë, Francës dhe Italisë Veriore. Në këtë kuptim, Argjendaria e Periudhës Karolinge jo vetëm fute në historinë e artit evropian, por përfaqëson një nga periudhat themelues të kulturës vizive të Mesjetës Perëndimore.[28]

  1. Peter Lasko (2000). L’arte sacra del primo millennio in Europa occidentale (në italisht). Jaca Book. fq. 189.
  2. 1 2 Lawrence Nees (2002). Early Medieval Art (në anglisht). Oxford University Press. fq. 180–182. ISBN 978-0-19-284243-5.
  3. Ernst Günther Grimme (1991). Die Zeit der Karolinger und Ottonen (në gjermanisht). DuMont. fq. 76.
  4. Peter Lasko (2000). L’arte sacra. L’arte sacra del primo millennio in Europa occidentale (në italisht). Jaca Book. fq. 187.
  5. Ernst Günther Grimme (1991). Die Zeit der Karolinger und Ottonen (në gjermanisht). Dumont. fq. 78.
  6. Wolfgang Braunfels (1972). La civiltà artistica carolinga (në italisht). Sansoni. fq. 94–95.
  7. Peter Lasko (2000). Ars Sacra. L’arte sacra del primo millennio in Europa occidentale (në italisht). Jaca Book. fq. 190–191.
  8. Lawarence Nees (2002). Early Medieval Art (në anglisht). Oxford University Press. fq. 182–184. ISBN 978-0-19-284243-5.
  9. Wolfgang Braunfels (1972). La civiltà artistica carolingia (në italisht). Sansoni. fq. 98.
  10. Ernst Günther Grimme (1991). Die Zeit der Karolinger und Ottonen (në gjermanisht). DuMont. fq. 80.
  11. Lawrence Nees (2002). Early Medieval Art (në anglisht). Oxford University Press. fq. 183. ISBN 978-0-19-284243-5.
  12. Peter Lasko (2000). Ars Sacra. L’arte sacra del primo millennio in Europa occidentale (në italisht). Jaca Book. fq. 192.
  13. Erns Günther Grimme (1991). Die Zeit der Karolinger und Ottonen (në gjermanisht). DuMont. fq. 82.
  14. Wolfgang Braunfels (1972). La civiltà artistica carolingia (në italisht). Sansoni. fq. 100.
  15. Peter Lasko (2000). Ars Sacra. L’arte sacra del primo millennio in Europa occidentale (në italisht). Jaca Book. fq. 194.
  16. Lawrence Nees (2002). Early Medieval Art (në anglisht). Oxford University Press. fq. 184. ISBN 978-0-19-284243-5.
  17. Ernst Günther Grimme (1991). Die Zeit der Karolinger und Ottonen (në gjermanisht). DuMont. fq. 84.
  18. Peter Lasko (2000). Ars Sacra. L’arte sacra del primo millennio in Europa occidentale (në italisht). Jaca Book. fq. 196–197.
  19. Wolfgang Braunfels (1872). La civiltà artistica carolingia (në italisht). Sansoni. fq. 102.
  20. Peter Lasko (2000). Ars Sacra. L’arte sacra del primo millennio in Europa occidentale (në italisht). Jaca Book. fq. 195–196.
  21. 1 2 Lawrence Nees (2002). Early Medieval Art (në anglisht). Oxford University Press. fq. 186. ISBN 978-0-19-284243-5.
  22. Peter Lasko (2000). Ars Sacra. L’arte sacra del primo millennio in Europa occidentale (në italisht). Jaca Book. fq. 199.
  23. Wolfgang Braunfels (1972). La civiltà artistica carolingia (në italisht). Sansoni. fq. 105.
  24. Ernst Günther Grimme (1991). Die Zeit der Karolinger und Ottonen (në gjermanisht). DuMont. fq. 87.
  25. Peter Lasko (2000). Ars Sacra. L’arte sacra del primo millennio in Europa occidentale (në italisht). Jaca Book. fq. 200.
  26. Ernst Günther Grimme (1991). Die Zeit der Karolinger un Ottonen (në gjermanisht). DuMont. fq. 88.
  27. Lawrence Nees (2002). Early Medieval Art (në anglisht). Oxford University Press. fq. 187. ISBN 978-0-19-284243-5.
  28. Wolfgang Braunfels (1972). La civiltà artistica carolingia (në italisht). Sansoni. fq. 107.


Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]