Arkeologjia e Kukësit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Arkeologjia e Kukësit. Kukësi bën pjesë në rajonin Verilindor të Shqipërisë, i cili perbehet nga male të larta që kapin lartësinë deri në 2000 m. Relievi i thyer malor ka ndikuar në historinë politike dhe ekonomike të Kukësit. Është territori që bënte kalimet nga perendimi në lindje, nga deti Adriatik për në thellësi të Ballkanit Qendror, duke shfrytëzuar luginat e thella të lumenjve, ku rolin kryesor e kishte lugina e Drinit me dy degët kryesore Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Lugina e Drinave në të dy krahët e rrjedhave të tyre apo hapsira e trekëndëshit Morin-Surroj-rrjedha fundore e Përroit të Kalimashit të rrethit të Kukësit, ku kryqëzoheshin rrugët që vinin prej Dardanie, Maqedonie, Penestie dhe Pirustie ka qenë e banuar që në lashtësi.Interesimi për qendrat arkeologjike të krahinës së Kukësit filloi gjatë shekullit XIX nga studiues të huaj si , A.Boe , J.Han , A.Evans , J.Jastrebov.[1]

Zbulimet arkeologjike në vendbanimin neolitik të Kolshit, tumat e Kënetës, ato të Qinamakut, Bardhocit, Përbregut, Myçhasit, gjetjet e rastit të Gostilit, Pusit të Thatë, Shtiqnit e potencojnë këtë banim përtej kohëve neolitike dhe vërtetojnë vijimin intensiv të tij në kohën e bronxit.[2]

Periudha neolitike (6000-4000 para Kr.)[redakto | redakto tekstin burimor]

Zbulimet arkeologjike te kryera ne fshatrat Kolsh, Qinamak, Kënetë, Kodra e Pecës, Myç-Has dhe Bushat që ndodhen në rrethinat e Kukësit te Vjetër dëshmojnë për vendbanime të pandërprera të kësaj hapsire që nga neoliti e deri në ditët e sotme. Studimet historike dhe gjetjet arkeologjike thonë se në territorin e Kukësit ka jetuar fisi ilir i Sikulotëve. Lugina e Drinit të Bardhë luajti një rol të rëndësishëm lidhës ndërmjet qendrave kulturore (Lugina e Moravës, Bosnjes) duke lejuar komunikimin ndërmjet tyre dhe të qendrave që ndodheshin në bregdetin Adriatik.

Ne mijëvjecarin e IV para Kr. në trevën që shtrihet në dy anët e Drinit të Bardhë është krijuar një popullsi e cila ka tipare të përbashkëta kulturore dhe zakonore me popullsinë parailire që jetonte në brigjet e bregdetit Adriatik. Nga fundi i neolitit, që njihet me emrin neoliti i vonë, 4000 vjet para Kr., hapsira etnokulturore e kësaj treve bëhet më e ndërlikuar. Tani filluan të shfaqen me intensitet objekte që vijnë nga bregdeti Adriatik e Jon dhe në pjesët e brendshme malore, ku gërshetohen dy kultura, ajo e Ballkanit Qëndrore dhe ajo e Cakranit.[3]

Kolsh[redakto | redakto tekstin burimor]

42°04′41″N 20°20′31″E / 42.077999°N 20.341995°E / 42.077999; 20.341995

Gjurmët e vendbanimit prehistorik u gjetën në vendin e quajtur Gjytet në anën lindore të fshatit Kolsh, i cili gjendet 3.5 km në perëndim të qytetit të Kukësit të vjetër. Njoftimet e para për ekzistencën e vendbanimit të Kolshit lidhen me ekspeditën e vitit 1974, e cila kontrolloi të gjitha monumentet e qendrat e banuara që do të mbuloheshin nga ujërat e liqenit artificial të Fierzës. Banesat neolitike kanë qenë kasolle të thjeshta me dysheme të shtruar me baltë e faqe anësore të bëra me hunj me trashësi mesatare, të vendosur njëri-tjetrit.[4] Kolshi ka si tregues themelor qeramikën barbotine në reliev të ngritur, qeramikën e pikturuar me bojë kafe mbi sfond të kuq dhe qeramikë impreso, të cilat vendosen mjaft qartë në raporte kulturore e kronologjike me Rudnikun në Kosovë dhe me gjthë kulturat e fazës Starçevo II të Ballkanit Qëndror.[5][6]

Në fillimet e jetës të vendbanimit, banesat kanë qenë të futura pjesërisht në tokë, ndërsa më vonë u ngritën mbi sipërfaqe. Banorët merreshin me bujqësi e blegtori, me gjuetinë e peshkut e të kafshëve të egra. Kjo vërtetohet nga zbulimi i mbeturinave të kockave të kafshëve të buta e të egra, nga mokrat e mbeturinat e bykut. Materiali që i takon neolitit të mesëm është qeramika me punim të trashë. Qeramika e neolitit të mesëm nuk dallohet vetëm nga mënyra e punimit dhe format e enës por ajo vecohet nga ajo e neolitit të hershëm nga zbukurimet: figura gjeometrike, trekëndësha e rombe.Në vitin 1975, në zonën ku është ngritur diga e ujëmbledhësit, u gjetën fragmente qeramike dhe vegla pune të cilat i takojnë neolitit të hershëm.[7]

Periudha Eneolitike (2600-2100 para Kr.)[redakto | redakto tekstin burimor]

Është zbuluar në vendbanimin shpellor të Dajçit, e cila përkon në kohë me gjysmën e mijëvjecarit të tretë para Krishtit (2600-2100). Ajo paraqet interes të vecantë, sepse përfaqëson të parën kulturë eneolitike në rrethin e Kukësit. Kjo shpellë u studiua në vitin 1985-1987, e cila gjithashtu u banua edhe në epokën e bronzit, hekurit e deri në antiken e hershme.[8] Vendbanimi shpellor i Dajçit gjendet në shpatin veriperëndimor të malit mbi Pergest të zonës së Hasit, në një lartësi 1250 m mbi nivelin e detit. Nëpermjet qafave të kalueshme kjo krahinë lidhej me zonat e tjera të Kukësit, ndërsa përmes qafës së Pashtrikut lidhej me krahinën fqinje të Kosovës. Shpella është e gjatë 80 m, ndërsa gjatësia e saj 3.5 m dhe lartësi 4.5 m. Sipërfaqja e kufizuar e banimit dhe materiali i kufizuar arkeologjik që është gjetur, dëshmon për një banim të përkohshëm pa përjashtuar këtu edhe mundësine e vendosjes aty, të barinjve shtegtarë në periudhën e transhumancës. Shpella filloi të banohej për herë të parë në epokën eneolitike.

Krahas shfaqjeve të reja që duken në qeramikën e periudhës së bronzit të hershëm, vihet në dukje edhe prania e ndonjë elementi të traditës eneolitike. Shtresa kulturore e bronzit të vonë dhe fillimit të hekurit është e lidhur ngushtësisht nga gjetje analoge me kulturën e zbuluar në tumat ilire të zonës së Kukësit. Këtu vlen të përmendim disa pjatanca të thella të njohura me emrin "turbandish". Jeta në vendbanimin shpellor të Dajçit ka vazhduar dhe në shekujt e antikitektit të vonë dhe të mesjetës, por tashmë me intensitet më të ulët. Materiali arkeologjik që është zbuluar në këtë periudhë lidhet me disa vendbanime të shekujve IV-VI, të Kukësit.[9]

Qendra arkeologjike të epokës së bronzit (2100-1200 para Kr.)[redakto | redakto tekstin burimor]

Pusi i Thatë[redakto | redakto tekstin burimor]

Perfaqëson një qendër tjetër të epokës prehistorike. Venbanimi është vendosur kryesisht në një terren malor me toka të pakta për kultivimin e kulturave bujqësore. Vendbanimi njihet me toponimin "Livadhet e Kerës". Gërmimet e kryera në vendbanimin e Pusit të Thatë ofruan të dhëna të reja mbi periudhën e bronzit të hershëm në rrethin e Kukësit.[10] Këto materiale arkeologjike janë të pakta. Përmendim qeramikën me format dhe dekoret e saj. Në vendbanimin e Pusit të Thatë, qeramika e bronzit të hershëm përmban edhe elemente të traditës eneolotike, e cila ruan karakteristika mjaft të njohura për zonën e Matit, pellgun e Shkodrës e te Korcës. Perngjasime të kësaj kulture gjenden edhe në qendrat bashkëkohose të Hisarit në Kosovë. Studimi i materialit arkeologji e daton kulturën e kësaj qendre në fundin e periudhës së bronzit të hershëm.[11]

Gradishta e Bardhocit[redakto | redakto tekstin burimor]

Gërmimet arkeologjike të kryera në këtë monument treguan ndërmjet të tjerave për prezencën e një shrese kulturore prehistorike. Lënda arkeologjike e zbuluar në shtresën më të hershme, përkon me periudhën e kalimit nga epoka e bronzit në epokën e hekurit të hershëm. Muri është ndërtuar pa themel, me gurë gëlqerore, përbërë nga dy faqe me trashësi 3.50-3.60 m. Teknika e ndërtimit të mureve prehistorike të Gadishtës së Bardhocit, me gurë masiv haset në viset ilire, kryesisht në fortifikimet e pellgut të Shkodrës. Në krahinën e Kukësit e më gjerë në trevën e Kosovës mungon klasifikimi i tyre kronologjik. Materiali qeramik i kësaj faze përfaqesohet nga urnat me qafe konike, taset, dy vegjaket, kupat, të cilat në tërësine e tyre kanë tipare të përbashkëta me qeramikën e kësaj periudhe të zbuluara në qendra të tjera të afërta të perllgut të Drinit të Bardhë dhe të Hasit ku do të vecojmë qeramikën e varrezës tumulare të Bardhocit, në afërsi të fortifikimit.[12]

Qinamak[redakto | redakto tekstin burimor]

42°00′54″N 20°21′55″E / 42.015058°N 20.365341°E / 42.015058; 20.365341

Fshati Qinamak ndodhet në bregun e majtë të lumit Drin. Ndërtimi i kodërvarreve të Qinamakut është realizuar nga materiale të nxjerra nga bregu i lumit të Drinit. Hulumtimet e kryera treguan se ato kanë patur një diametër rreth 5–8 m. Një element i ri që u shfaq në arkitekturën e kodërvarreve janë dromoset, koridore të shtruara me kalldrëm që lidhin tumat ndërmjet tyre.[13] Ndër zbukurimet e përdorura në këtë kohë spikasin rruazat prej qelibari dhe gjilpërat, të cilat do të bëhen të zakonshme në gjetjet e mëvonshme gjatë shek V-IV para Kr. Gjatë këtyre shekujve u rrit shumë importi nga qendrat bregdetare të Adriatikut. Këtë e tregojnë gjetjet e enëve prej balte të importuara. Një element mjaft i rëndësishëm që lidhet me ekonominë e zonës, zbuluar nga gërmimet, janë prodhimet metalike, të cilat lidhen me shfrytezimin e minierave të bakrit dhe të hekurit që ndodhen në krahinën e Kukësit. Në materialin e gjetur në Qinamak bëjne pjesë disa vegla pune metalike, stoli (vathë, unaza) dhe një fibul e kulturës së Komanit, shek VI-VIII gjë që dëshmon se kodërvarreza e Qinamakut është shfrytëzuar deri në mesjetën e hershme.[14]

Krumë[redakto | redakto tekstin burimor]

42°12′00″N 20°24′57″E / 42.200038°N 20.415845°E / 42.200038; 20.415845

Në afërsi të qytetit të Krumës, aty ku sot është rezervuari i Llakajve, gjendej një grumbullim prej 24 kodërvarresh të cilat u zbuluan pas shpyllëzimeve. Nga pikëpamja e paraqitjes kulturore, materiali i zbuluar në Krumë, në radhë të parë qeramika shpreh tiparet e përaferta me ato të objekteve përkatëse bashkëkohëse të trevës qëndrore e jugore të Ilirisë. Në shek. VI-V para Kr. përmendim enët dyvegjake. Karakteristikë e të cilave është edhe zbukurimi i qafës i vënë mbi motivin bazë të enës.[15]

Bardhoc[redakto | redakto tekstin burimor]

42°06′31″N 20°30′07″E / 42.108539°N 20.501983°E / 42.108539; 20.501983

Fshati Bardhoc shtrihet në anën e majtë të luginës së Drinit të Bardhë, afër rrëezës së malit Koretnikut. Gjetjet e para në këtë fshat ishin: gjilpëra e bronzit, gjilpëra dyshe qafëpërdredhura si dhe disa motive të qeramikës, e cila ruan tipare të përbashkëta me qeramikën e zbuluar në qendrat e tjera te Kukësit. Elementet e tjera dekorative janë zbukurimet me teknikën e ngulitjes dhe me shirita të ndërthurur.Këto motive përdoren për herë të parë në këtë zonë.[16]

Kënetë[redakto | redakto tekstin burimor]

Fshati Kënet ndodhet në jug të qytetit të Kukësit, në krahun e djathtë të Drinit të Zi afër kodërvarreve të Qinamakut. Fshati kishte disa tarraca të ngushta pjellore buzë Drinit. Në tarracën më të ulët ndodhej një grup i vogël prej 9 kodërvarresh. Vendi i tumave së bashku me një pjesë të fshatit, tani është përmbytur nga ujërat e liqenit të Fierzës. Studimi i matreiralit të kodërvarreve të Kënetës, nxjerr në pah një stilt të vecantë modelimi, që vërehet në Kukës dhe tërë Kosovën gjatë shek. VI-V para Kr.[17]. Edhe në Kënetë dallohet qeramika, e cila përfshihet në grupin kulturor ilir dardan. Enët prej balte si dyvegjaket dhe njevegjaket e tipit të Matit të zbuluar në Kënetë, janë të përhapura edhe në qendrat e tjera fqinje të këtij grupi kulturor si në Romaje, Suharekë dhe Bellaçevc.

Qendra të shekujve IV-II para Krishtit[redakto | redakto tekstin burimor]

Në ecurinë e kërkimeve arkeologjike të krahinës së Kukësit nuk u lanë jashtë vëmendjes së studimit dhe vendbanimet e periudhës protoqytetare dhe qytetare ilire, ku mund të përmendim vendbanimin në Kodrën e Pecës si qendër të shek.IV-II para Kr. që së bashku me Rosujën luajtën një rol të vecantë për zonvn në lashtësi. Me interes është gjendja e një numri të konsiderueshëm enësh masive ( pitosash), të cilat mbajnë dhe vulat e prodhuesve ku mund të vecojmë DAZION, TATA.

Periudha e shekujve I-IV pas Krishtit[redakto | redakto tekstin burimor]

Vendbanimet e përhapuara në trevën verilindore të Shqipërisë klasifikohen në disa grupe: stacione rrugore; kulla vrojtimi; vendbanime pronash latifondisti dhe konsullore; qendra minerale dhe fshatra të vegjël (Vicus) të karakterit blegtoral. Materiali arkeologjik i zbuluar në këtë grup vendbanimesh është i përfaqësuar kryesisht nga qeramika e prodhimit lokal. Gjithashtu ka me shumicë enë të qeramikës e ‘’terrasigillata’’ të importuara si dhe enët e përdorimit të përditshëm (tasa, kupa, vorba dhe amforiske) të prodhuara në vend. Në gjetjet e tjera bëjnë pjesë vegla pune me karakter bujqësor ( zbuluar në Gostil) dëshmi të rëndësishme për punimin intensiv të tokës.[18]

Periudha e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme ( shek. IV-XI)[redakto | redakto tekstin burimor]

Në krijimin e një sistemi të ri fortifikues ndikuan dyndjet barbare që filluan në shekullin e IV e më pas gjatë shekujve VI-VII. Ky aktivitet gjen fillesën në vendin tonë me ndërtimet e tipit castrum, në Bushat dhe vazhdon më tej në shekullin VI me përfundimin e rrjetit të dendur fortifikues të kohës së Justinianit. Akrenza ishte një fortesë në provincën e Dardanisë, e ndërtuar nga Justiniani. E cila identifikohet me kështjellën e Bushatit pasi në afërsi të kësaj të fundit ndodhet një qendër banimi me emrin Krenzë. Po ashtu si fortifikim i kësaj periudhe është edhe kështjella e Pecës, e cila jepet në listën e Prokopit të Çezaresë me emrin Pentza. Gjurmimet dhe studimet e kryera duke filluar me kështjellat e Bushatit, Bardhocit, Pecës dhe Domajve kanë sqaruar se ndër tiparet më karakteristike të periudhës së vonë antike është ndërtimi i qytezave dhe kështjellave sipas skemave planimetrike të ndryshme.

Shekujt IX-XI dhe XII-XIV të mesjetës së hershme shqiptare, dëshmohen nga prania e disa qendrave arkeologjike të krahinës së Kukësit. Gjetjet në varrezat e Bicajve dhe në varreza të tjera të kësaj periudhe; fibulat me këmbë të papërthyer të tipit të Komanit dhe materiali tjetër shoqërues në disa varre të Qinamakut; ndërtime dhe kulture materiale të zbuluara në fortifikimet e Bushatit, Bardhocit, Pecës apo në vendbanimet e hapura të Morinit dhe Mëholes tregon për popullimin me të njejtën dinamikë të krahinës së Kukësit dhe në shekujt e mesjetës së hershme shqiptare.[19]

Kështjella e Bushatit[redakto | redakto tekstin burimor]

42°00′34″N 20°24′18″E / 42.009493°N 20.404946°E / 42.009493; 20.404946

Në fshatin e sotëm Bushat u ndërtua kështjella e Bushatit e njohur me toponimin “Kalaja e Gjenovizit”. Gërmimet arkeologjike kanë treguar praninë e dy shtresave kulturore që u takojnë periudhave të ndryshme kohore:antikitektit të vonë dhe mesjetës së hershme. Kështjella e Bushatit ka formën e një elipsi me perimetër 395 m që shtrihet afërsisht në një siperfaqe prej 0.70 ha. Teknika e ndërtimit të mureve është dy llojesh:

  • Opus incertum punuar me gurë mesatarë dhe të vegjël, mbushur me llaç të bollshëm, përzier me copa tullash.
  • Opus mixtum e realizuar në kullën nr.11, me gurë dhe dy breza tullash llaçi sa 1/3 e trashësisë së tullës.

Përgjithësisht muret janë ngritur mbi një xiklaturë me gurë të punuar, fenomen ky i njohur në shumë fortifikime të kësaj periudhe. Kështjella është e fortifikuar nga 12 kulla, të cilat për nga forma janë katrore, të rrumbullakëta dhe në trajtë U-je. Hyrja kryesore ndahet në dy pjesë:

  • Oborri i jashtëm ose paraporta
  • Hyrja me fortifikimin e saj

Hyrja përforcohet nga dy kulla në trajtë U-je që gjenden 3.20 m larg njëra tjetrës. Përveç teknikës së ndërtimit dhe arkitekturës, ndër gjetjet më të rëndësishme për të përcaktuar zhvillimin e jetës në kështjellë bën pjesë qeramika. Materiali arkeologjik është i ndarë në dy shtresa kulturore që u takojnë dy periudhave:

  • Antikitetit të vonë ( shek.IV-VI). Shtresa kulturore antike e vonë përfaqësohet nga fragmente enësh si vorba, tasa, pitosa, ojnohe, amphora, enë tryeze, qeramike dhe ndërtimore.
  • Mesjetës së hershme(shek. IX-XI). Veçohen disa forma enësh guzhine dhe një paftë metali.[20]

Kështjella e Domajve[redakto | redakto tekstin burimor]

Kështjella e Domajve ndodhet në zonën e Ujmishtit, i cili është fshat i Kukësit. Kjo kështjellë u bë objekt i gërmimeve arkeologjike në vitin 1992, e cila në literaturën arkeologjike njihej me emrin Hisar. Kodra mbi të cilën është ndërtuar kështjella ndodhet në anën perëndimore të fshatit Domaj dhe njihet nga vendasit me emrin ‘’Kepi i Kalasë’’. Muret rrethuese janë punuar me gurë të përmasave mesatare, lidhur me llaç të një cilësie shumë të mirë, dhe ruajnë gjerësinë maksimale 2.10 m në skajin jugperëndimor. Ndërsa në anën veriperëndimore ngushtohet gjerësia e tij nga 1.10-1.45 m. Faqet janë punuar me kujdes, lidhur me llaç të bollshëm. Dyshemeja e hyrjes është trajtuar nga kalldrëm guri 0.20-0.30 m të trashë. Kulla në trajtë katrore është e vetme në tërë sistemin fortifikues, ndërtuar me planimetri të rregullt, me siperfaqe 7.80x6.10 m, e cila lidhet me hyrjen e kështjelles. Ndër gjetjet arkeologjike në kështjellën e Domajve mund të vecojmë enët e përdorimit të përditshëm, disa objekte metalike si: fibula, maje shtize dhe kapëse.[21]

Peca[redakto | redakto tekstin burimor]

Kodra e Peces

Keshtjella e Pecës kufizohet në tre anët nga ujërat e liqenit të Fierzës, ndërsa ana lindore e saj lidhet me fshatin Breglum nga një valëzim kodrash. Ajo ka formë të çrregullt e të ndërvarur nga terreni, me perimetër për 445 m dhe sipërfaqe prej 1 ha. Muri është ndërtuar me gurë qëlqerorë kuadratik të lidhur me llaç të një cilësie të dobët, ndersa çatite e banesave kanë qenë te mbuluara me tjegulla. Duke u mbeshtetur në mbetjet arkitektonike, banesat kanë qenë të ‘’tipit alpin” të ngjitura në mure që nuk i kalonin 1.5 m. Gërmimet arkeologjike tregojnë se ky objekt kulti u zhvillua në dy faza kohësisht të ndryshme. Interes të vecantë paraqet dekori i realizuar tek enët e përdorimit të përditshëm me motivin fshesor, karakteristikë për Shqipërinë.[22]

Kështjella e Shëmrisë[redakto | redakto tekstin burimor]

Kështjella e Shëmrisë ndodhet në vendin e njohur me emrin "Qafa e Qytezës" në jugperëndim të fshatit. Ajo është ndërtuar mbi nje kodër në formë konike me lartësi 323 m mbi nivelin e detit dhe me një zgjatim nga verilindja drejt jugperëndimit. Ajo kufizohet nga dy degët e përroit të Serriqës, të cilët bashkohen aty pranë dhe derdhen më pas në lumin Drin. Muri rrethues është ndërtuar me gurë mesatarë të punuar trashë dhe të lidhur me llaç gëlqereje të një cilësie jo të mirë. Trashësia e këtij muri në disa vende arrin nga 1.6-1.8 m. Muri ndjek në përgjithësi izoipsin e kodrës, me përjashtim të pjesës jugore. Për bazamantin e murit janë shfrytëzuar edhe shkëmbinjë natyror. Muri rrethues sipas skicës planimetrike, tregon se kështjella kishte një sipërfaqe 80x50 m. Ajo futet në grupin e fortifikimeve të thjeshta, mbase me një kullë në pjesën jugore të saj. Në sipërfaqe janë gjetur disa fragmente qeramike tipologjike të periudhës antike të vonë, periudhë për të cilën dëshmon edhe teknika e murit rrethues.[23]

Kështjella e Çepës[redakto | redakto tekstin burimor]

Ne pikëderdhjen e përroit të Bushtricës, në lumin Drini i Zi ndodhet një kodër me lartësi 300m mbi nivelin e detit me zgjatim veri-jug mbi të cilën në anën veriore të saj është ndërtuar një fortifikim që njihet me emrin Kalaja e Çepës. Ajo kufizohet në veri e verilindje nga lugina e Bushtricës, në jug nga një zgjatim kodrash që përfundojnë në kanionin e Skavicës, ndërsa në perëndim ka përballë luginën e Drinit të Zi. Për herë të parë u vizitua nga B.Jubani, në kuadrin e ekspeditave në rrethin e Kukësit. Nisur nga qeramika e zbuluar mbi sipërfaqe autori e daton fortifikimin në shek.III-IV. Kjo kështjelle ka një sipërfaqe të vogël rreth 0.3 ha. Muret rrethuese kanë lartësi që variojnë 0.10-0.30 m. Ndërtimi i mureve është bërë me gurë kuadratike të punuar me madhësi mesatare, lidhur me llaç, në përbërje të të cilit ka pak gëlqere të një cilësie jo shumë të mirë. Muret e Çepës ngjasojnë me ato të Pecës, Bardhocit dhe Domajve. Kërkimet mbi sipërfaqe dhanë një material të varfër arkeologjik, që mund të përmblidhet me disa fragmente qeramike kryesisht vorba dhe tasa. Përsa i takon pozicionit stategjik dhe funksional të kështjellës Çepa është vendosur në kryqëzimin e dy rrugëve :

  • Kolesian-Resk-Bushtricë-Kjell-Vlesh-Sllovë-Sllatinë-Dipjakë-Volë
  • Kolesian-Skavicë-Kala e Dodës-Dibër[24]

Morin[redakto | redakto tekstin burimor]

42°08′34″N 20°31′52″E / 42.142914°N 20.53103°E / 42.142914; 20.53103

Morini ndodhet në anën e majtë të rrjedhjes së Drinit të Bardhë, rrëzë malit Koretnik. Vendbanimi shtrihet në disa bregore që kanë karakterizuar zhvillimin e ekonomisë dhe përhapet në një sipërfaqe prej 6 ha. Brenda tij mbi sipërfaqe vihen re gjurmë muresh, të cilat paraprakisht mendohet se i përkasin disa banesave të ndërtuara prej gurit gëlqeror e të lidhura me llaç, e trashësi 1-1.20 m. Vihet re edhe një trakt muri me trashësi 2.20 m. Materiali qeramik i gjetur mbi sipërfaqen e vendbanimit mendojmë se i përket dy periudhave të ndryshme kohore shekujve IV-VI dhe IX-XI, që janë të përfaqësuara nga enë të përdorimit të përditshëm si vorba dhe tasa herë-herë të zbukuruara me pikturim.

Kështjella e Mlikës[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndodhet në afërsi të qytezës antike të Viles, në të djathtë të kanionit të Drinit të Zi, përballë Skavicës.I gjithë fortifikimi përfshin një sipërfaqe prej 0.50 ha. Muret rrethuese vazhdojnë në vijë të drejtë në pjesët lindore dhe perëndimore duke iu përshtatur me anë të disa këndeve terrenit. Ato janë punuar me gurë të madhësive mesatare e të palidhur me llaç, teknikë që haset në Bardhoc dhe Vile. Gjithë fortifikimi ka një kullë në pjesën veriore me përmasa 7x9 m, ndërsa muret ruajnë gjerësinë 1.55 m. Në pjesët më pak të mbrojtura natyrore, muret janë ndërtuar me lidhje llaçi e cila verëhet në anën veriore, gjerësisht tek kulla ballore. Në anët e tjera fortifikimi ka mure të palidhur me llaç që ruajnë gjerësinë 1.40 m. Ndërtimi i mureve më të thatë është kryer me blloçe të madhësive mesatare. Vecoritë teknike të ndërtimit të mureve rrethuese dhe të kullës, e vendosin kështjellën e Mlikës në një grup me Bardhocin e Vilen, të cilat përfshihen në shekullin VI.[25]

Mhole[redakto | redakto tekstin burimor]

41°58′59″N 20°24′43″E / 41.983133°N 20.411818°E / 41.983133; 20.411818

Është një vendbanim I zbuluar në rrethin e Kukësit, rrëzë malit të Gjallicës, jo shumë larg vendbanimit romak Kule. Kjo qendër ka një shtrirje rreth 2 ha dhe është e pafortifikuar me mure dhe është i ndodhur në afërsi të kështjellave të Bushatiti dhe tv Domajve. Vendbanimi i Mholes është me rëndësi pasi ay mund të vërehet mjaft qartë zhvillimi i jetës jashtë kështjellave. Mbi sipërfaqen e kësaj qendre u zbuluan fragmente qeramike dhe objekte hekuri të cilat kohësisht u takojnë shekujve IV-VI.[26]

Bicaj[redakto | redakto tekstin burimor]

41°59′40″N 20°24′45″E / 41.994521°N 20.412462°E / 41.994521; 20.412462

Bicaj është e njohur në literaturën arkeologjike nga vendbanime me shtrirje kohore të ndryshme. Në vitin 1972, perëndim të fshatit, punimet për ndërtimin e disa banesave zbuluan rastësisht objektet e para të një varreze të dystë. Varreza shtrihej mbi një kodër të përbëre nga formacione argjilore të bardha pa lagështi. Kërkimet e kryera sqaruan se varreza shtrihej në anën jugperëndimore të kodrës dhe se ishte e dëmtuar në pjesën më të madhe të saj. U zbuluan gjithsej tetë varre, tri prej tyre të ruajtura mjaft mirë, ndërsa të tjerë ishin të dëmtuara. Nisur nga varret e ruajtura, rezulton se arkitektura, konstruksioni dhe thellësia e zbulimit të tyre është e njëjtë. Një element tjetër i përbashkët është mbulesa e varreve e realizuar me gurë lumi të vegjël e mesatarë, të vendosur në mënyrë të çrregullt. Në këto varre u gjendën disa stoli prej bronzi si unazat, rrathë e ndonjë fragment qeramike.Ndër objektet më karakteristike veçojmë unazat e përgatitura prej bronzi, realizuar me teknikën e derdhjes me rreth të mbyllur. Fushat e tyre janë punuar me motive të ndryshme. Këto klasifikohen në tre grupe:

  • unaza me fushë vezake
  • unaza me fushë gjethe tërfili
  • unaza të thjeshta pa motive zbukurimi[27]

Referenca[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 12
  2. ^ Nazif Dokle, "Kukësi i Vjetër Monografi për një qytet të përmbytur", Shtëpia botuese "GEER", Viti i prodhimit 2012, fq 6
  3. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 14-15
  4. ^ Myzafer Korkuti,-Vendbanimi prehistorik i Kolshit,"Ilira" VII-VIII 1977-1978, fq 239-248
  5. ^ Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar", Shtëpia botuese "Toena", Tiranë, 2002, fq 11
  6. ^ http://oedsh.org/pdf/HistoriaePopullitShqiptar.pdf
  7. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 15-18
  8. ^ http://www.kqk.gov.al/hasi
  9. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004 , fq 20
  10. ^ Bep Jubani,- Plotësime për monumentet arkeologjike të Shqipërisë së veriut,"Monumente", Tirane 1986, fq 137-141
  11. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 22
  12. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 24
  13. ^ Bep Jubani, Varreza tumulare e Qinamakut-Kukës, "Iliria 3", 1974, fq 421-425
  14. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 28-30
  15. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 31-32
  16. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 34
  17. ^ Bep Jubani, Tumat ilire të Kënetës, "Iliria", 1983, fq 77-133
  18. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 37-39
  19. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 44-46
  20. ^ http://wikikultura.net/index.php?title=Kalaja_e_Bushatit
  21. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 49-52
  22. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 55
  23. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 64-65
  24. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 66-68
  25. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 70
  26. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 71
  27. ^ Luan Përzhita, "Kukësi, vështrim arkeologjik", Shtëpia botuese "Dita 2000", Viti i prodhimit 2004, fq 71-73