Jump to content

Arkitektura e Bombejit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Interiori i Chhatrapati Shivaji Maharaj Vastu Sangrahalayas

Arkitektura e Bombejit është një përzierje e Arkitekturës Gotike, Arkitekturës Viktoriane, Art Decos, Arkitekturës Indo-Saraçee dhe asaj bashkëkohore. Shumë ndërtesa, struktura dhe monumente historike kanë mbetur që nga periudha koloniale. Bombeji, pas Miamit, ka numrin e dytë më të madh të ndërtesave të stilit Art Deco në botë.[1][2]

Arkitektura Gotike dhe Viktoriane

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Arkitektura Gotike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Terminali Chhatrapati Shivaji më parë i quajtur Terminali Victoria

Arkitektura e tanishme e Bombejit u zhvillua nëpërmjet britanikëve në shekullin e XVIII dhe fillimi i shekullit të XIX. Fillimisht u ndërtua në stilin Neoklasik të arktitekturës, por pastaj u shfaq një stil i ri, që pasqyronte modën moderne evropiane: Arkitektura Gotike dhe Neogotike. Ku stili klasik ka një prani të përpiktë monokromatike, stili gotik është ekspresiv, i shkëputur nga sipërfaqet e ngjyrave të gjalla, të zbukuruara me elemente të skalitura narrative, që konsistonin në kundraforte mbajtëse ajrore, dritare me kube dhe xhama të pikturuara. Në fillim, për shkak të lirisë së madhe të hapësirës që marrin, ndërtesat gotike shërbenin vetëm si kisha, si ndërtesat fetare të ndërtuara në shekullin e XI. Megjithatë, së shpejti u shfaq një nevojë për salla publike, godina parlamentare, rezidenca dhe periudha gotike qe zgjidhja e këtyre kërkesave. Arkitektët indianë e analizuan këtë stil dhe e vunë në punë atë në lidhje me klimën dhe planet dhe ndjeshmëritë shoqërore. Ky stil, përzierja e stilit gotik me stilet bashkëkohorë, është çfarë u bë i njohur si “Gotiku i Bombajit”. Sipas shkrimtarit Jan Morris, "Bombaji është një nga qytetet më karakteristike Viktoriane në botë, që paraqet të gjithë ekstravagancën e eklektizmit Viktorian".[3] Ndikimi Britanik mbi ndërtesat e qytetit është i dukshëm nga periudha koloniale. Megjithatë, veçoritë arkitekturore përfshijnë një gamë ndikimesh evropiane si frontonet trekëndore gjermane, çatitë holandeze, punimin zvicerian të drurit, harqet Romanikë dhe kanatat e dritareve Tudor shpesh të shkrira me veçori tradicionale Indiane.[3] Godina e Bashkisë së Bombejit u ndërtua gjatë periudhës midis viteve 1820 dhe 1835, nga koloneli Thomas Cowper. Biblioteka e Universitetit të Bombejit dhe Kulla Rajabai, Kolegji i Saint Xavierit, Sekretariati, Zyra Telegrafike dhe Terminali Chhatrapati Shivaji janë gjithashtu shembuj të rafinuar të arkitekturës gotike në qytet.

Një foto e Universitetit të Bombejit nga vitet 1870. Kulla e Orës Rajabai këtu shihet e mbështjellë nga skelat dhe që u përfundua në vitin 1878

Kulla Rajabai në Bombejin Jugor është e vendosur në kufijtë e kampusit të Universitetit të Bombejit. Ajo u projektua nga arkitekti anglez Sir George Gilbert Scott dhe u modelua sipas Kullës së Big Benit, kulla e orës së godinës së parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar në Londër.[4] Guri i themeleve u vendos më 1 mars 1869 dhe ndërtimi përfundoi në nëntorin e vitit 1878. Kulla qëndron në një lartësi prej 85 m dhe në atë kohë ishte ndërtesa më e lartë në Indi. Kulla shkrin stilet Veneciane dhe Gotike.[4] U ndërtua prej guri i vërdhem kurla i disponueshëm në vend dhe me xham të pikturuar.[4] Kati përdhes ka dy dhoma anësore, secila me përmasa 17 × 8.5 m. Kulla formon një verandë 2.4 m2 dhe një vestibul me shkallë spirale prej 2.6 m2. Kulla, mbi verandë, ka një formë katrore deri te galeria në majë të nivelit të parë që është një një lartësi prej 20.7 m nga toka.[5] Forma ndryshon nga katrore në tetëkëndore dhe lartësia nga galeria deri në majë të kullës është 36 m dhe niveli i tretë në krye të majëzës është 28.7 m, duke e bërë kështu lartësinë tërësore 85 metra.

Arkitektura Indo-Saraçene

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Arkitektura Indo-Saraçene u zhvillua në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, duke kombinuar Arkitekturën Indo-Islamike dhe Arkitekturën Hindu me kubetë, harqet, xhamat e pikturuar, majëzat dhe minaret e saj karakteristike. Porta e Indisë dhe Chhatrapati Shivaji Maharaj Vastu Sangrahalaya janë shembuj të mirë të këtij stili arkitekturor në qytet.

Porta e Indisë është një nga monumentet kryesore në qytet, e vendosur në zonën Apollo Bunder në Bombejin e jugut. Ajo është një hark i veçantë 26 m i lartë i ndërtuar nga bazalti i verdhë dhe e përforcuar me beton.[6] Shumë elemente të harkut janë marrë nga stilet arkitekturore myslimane të Guxharatit të shekullit të XVI, kolonat janë marrë nga dizajni i tempujve hindu dhe dizajni i dritareve të Portës janë marrë nga Arkitektura Indo-Islamike. Porta e Indisë u ndërtua për të përkujtuar vizitën e mbretit George V dhe mbretëreshës Maria në Bombej, para Delhi Durbarit, në dhjetor të vitit 1911.[6] Guri i themeleve u vendos më 31 mars 1911, nga guvernatori i Bombejit Sir George Sydenham Clarke dhe projekti përfundimtar i George Wittet u përcaktua në gushtin e vitit 1914. Themelet u përfunduan në vitin 1920 ndërsa i gjithë ndërtimi përfundoi në vitin 1924.[6] Ndërtesa mori emrin Porta e Indisë pasi në periudhën koloniale evropianët hynin në Indi nëpërmjet këtij vendi, për shkak se normalisht ishte gjëja e parë që ata do të shihnin kur të hynin në vend.

Eros Cinema

Periudha Art Deco fillon në vitin 1910 kur Art Nouveau doli nga moda. Simetria lineare e Art decos ishte një largim i shquar nga ndjekja e lakoreve organike asimetrike të paraardhësit të tij, stilit Art Nouveau. Art Deco është një stil eklektik dhe dizajnuesit mernin frymëzim nga shumë burime. Artifaktet nga Egjipti dhe Greqia e lashtë, Meso-Amerika, Afrika, Japonia dhe Kina që qenë të gjitha ndikuese. Kubizmi, Orfizmi, Futurizmi dhe Konstruktivizmi mundësuan një gjuhë abstrakte dhe gjeometrike që u përvetësua shpejtë në stilin Art Deco dhe stilet e larta të traditës evropiane vazhduan të ofrojnë frymëzim. Art Deco kishte një ndikim të pashoq në Amerikë, veçanërisht në Manhattan. Qiellgërvishtësit, si Chrysler Building në New York, u bënë ikona të stilit të ri, ndërsa xhazi u bë muzika e qytetit. Popullariteti i filmave të Hollywood-it ndihmuan shumë në promovimin e Art Deco-s në një audiencë ndërkombëtare të përbotshme.

Art Deco në Bombej

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Metro Cinema sot Metro Adlabs Cinema

Art Deco është një nga stilet arkitekturorë të Bombejit më pak të vënë re, megjithëse Bombeji dhe rrethinat e tij kanë numrin më të lartë të ndërtesave të stilit Art Deco në botë pas Miamit. Art Deco në Indi (dhe veçanërisht në Bombej) evoluan në një stil unik që u quajt stili Deco-Saraçen. Thelbësisht, ai ishte një kombinim i stileve arkitekturore islamike dhe Hindu. Veçoritë kryesore të stilit Indo-Saraçen ishin ndërtimi i kubeve, harqeve, majëzat, xhamat e pikturuar dhe minaret. Interioret kishin ndikime Viktoriane ndërsa eksteriori ishte Indian. Detajet Art Deco prekën çdo aspekt arkitekturor – llampat, dyshemetë, panelet e drurit, ashensorët, parmakët dhe kangjellat, muntinët, chajjiat ose strehët e motit, blindat dhe moduldimet, kornizat, verandat dhe ballkonet, elementet prej bronxi dhe çeliku të paoksidueshëm, kllapat, skulpturat zbukuruese që u shtrinë deri te emrat e skalitur me gërma gjigande etj. Art Deco i Bombejit qëndron jo vetëm pasi ai përdor përzierjen e lehtë Deco-Saraçene por gjithashtu pasi arkitektët përdornin një varietet materialesh për të shprehur lirisht dizajnin. Për shembull, shumë ndërtesa u ndërtuan tërësisht prej betoni të përforcuar por ka një faqe prej guri Malad. Pllakat Bharat, prodhuesit më të vjetër të pllakave në Indi, luajtën gjithashtu një pjesë të pandashme në dhënien formë të interioreve të Art Deco-s. Disa nga ndërtesat më të vizituara në Bombej janë: • Tempulli Mahalakshmi • The Jahangir Art Gallery • Gjykata e Lartë • Zyra e Përgjithshme Postare • The Flora Fountain • Regal Cinema Arkitektura Art Deco në Bombej u zhvillua gjatë viteve 1930 dhe prodhoi në mënyrë të dalluar ndërtesa këndore me façata. Bombeji ka numrin e dytë më të madh të ndërtesave Art Deco në botë. Stili Art Deco është gjithashtu skajshmërisht popullor mes sallave të ndryshme të kinemasë që u shfaqën në fillim të mesit të shekullit të XX, duke përfshirë Metro Cinema-në, Eros Cinema-në, Liberty Cinema-në dhe madje edhe Regal Cinema-në. Eros Cinema është një ndërtesë tipike e stilit Art Deco, e projektuar nga arkitekti Sohrabji Bhedwar. Themelimi i Eros Cinema-së u bë në vitin 1935.[7] Kinemaja u hap në vitin 1938 dhe ndërtimi i kësaj godine në, zonën e sapo shfaqur të Backbay-t që bujtëte dyqane dhe biznese të tjera, përveç kinemasë, mori rreth dy vjet e gjysëm për tu përfunduar. Pjesërisht e veshur me gurë të kuq ranor nga Agra, kjo ndërtesë është lyer në ngjyrë kremi. Dy krahët e kësaj ndërtese Art Deco takohen në një bllok qendror. Holli është në mermer të bardhë dhe të zi me disa nuanca ari. Shkallët e mermerit me doreza anësore të kromuara të çojnë në katin e mësipërm.[7] Muralet janë në ngjyra të zbehta që paraqesin arkitektura indiane. Metro Adlabs Cinema, e vendosur në Rrugën Mahatma Gandhi, në kryqëzimin Dhobitalao është gjithashtu një shembull i mirë i stilit Art Deco të arkitekturës që u shfaq në vitet 1930 në qytet. Metro Cinema u hap më 8 qershor 1938 dhe u projektua nga arkitekti i shquar amerikan i teatrove Thomas W. Lamb.[8] U ndërtua për Metro Goldwyn Mayer dhe ndenjëset u mundësuan për 1,491 njerëz në orkestër dhe nivele ballkonesh. Auditori u rihap në vitin 2006 dhe u nda në gjashtë pjesë të mëdha luksoze. Kinemaja paraqet kryesisht filma të Bollywoodit dhe Hollywoodit.

Arkitektura dhe zhvillimi bashkëkohor

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Një pjesë e qytetit duke shfaqur mjaft ndërtesa moderne
Ndërtesa e Bombay Stock Exchange — një shembull i Arkitekturës bashkëkohore

Si qyteti më i pasur në Indi,[9] Bombeji tërheq një sasi të pamasë investimesh ndërkombëtare dhe ka parë një numër të madh ndërtesa zyrash shumë-katëshe dhe apartamentesh të ndërtohen dekadat e fundit. Në shumë pjesë të qytetit, veçanërisht në lagjet e reja, ndërtesat moderne janë mbizotëruese të peizazhit larg nga pjesa e vjetër e qytetit. Bombeji ka numrin më të madh të qiellgërvishtësve në Indi, me mbi një mijë nddërtesa ekzistuese dhe shumë më tepër në ndërtim e sipër ose të planifikuara për tu ndërtuar.[10] Autoriteti I Zhvillimit të Rajonit Metropolitan të Bombejit u vendos në vitin 1974 nga qeveria e Maharashtras për të menaxhuar planifikimin dhe koordinimin e veprimtarive zhvillimore në qytet dhe për të mbikqyrur zhvillimin arkitekturor të tij.[11] Në vitin 1995 në Bombej u vendos Komiteti i Trashëgimisë dhe duke bashkuar arkitektët, historianët dhe qytetarët për të ruajtur trashëgiminë arkitekturore tradicionale të qytetit. Një sistem gradimi që atëherë u përdor nën rregullat e trashëgimisë për të kategorizuar si Trashëgimi e Gradës I, ndërtesat e rëndësisë rajonale si Trashëgimi e Gradës II dhe ndërtesat e rëndësisë urbane si Trashëgimi e Gradës III.[1]

Ndërtesa të shquara

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në Bombej ekzistojnë shumë ndërtesa të shquara, disa prej të cilave tërheqin edhe mjaft turistë. Këto përfshijnë Portën e Indisë, , Tempullin Mahalakshmi, Jehangir Art Gallery, Gjykatën e Lartë të Bombejit, Crawford Market, Taj Mahal Hotel, Flora Fountain, Kishën Afgane, Kolegjine e Shën Xavierit, Bombay Stock Exchange dhe Zyrën e Përgjithshme Postare në Bombej.

Rezorti hotelier i Pallatit Taj Mahal u porosit nga Tata dhe i hapi për herë të parë dyert për të ftuarit më 16 dhjetor 1903. Arkitektët fillestarë indianë ishin Sitaram Khanderao Vaidya dhe D. N. Mirza dhe projekti u përfundua nga inxhinieri anglez W. A. Chambers. Kostoja e ndërtimit ishte £250,000 stërlina (£127 milionë stërlina të sotme).[12] Gjatë Luftës së Parë Botërore, hoteli u shndërrua në një spital me 600 shtretër. Kubeja e hotelit është bërë nga i njëjti çelik i përdorur për Kullën Eiffel, që u importua nga Jamsedji Tata gjatë asaj kohe. Hoteli ishte i pari në Indi që vendosi të përdori një ashensor me avull.

Kolegji Wilson që gjendet në jug të Bombejit është një kolegj i themeluar nga reverendi John Wilson që ishte themeluesi i Universitetit të Bombejit. Kolegji Wilson ka disa elemente të Arkitekturës Gotike dhe u ndërtua në shekullin e XVIII. Ky kolegj tani zhvillon lëndë si shkenca, artet dhe kurse profesionale. Ai ka marrë gradën A+ nga Universiteti i Bombejit.

Crawford Market, në jug të Bombejit është emërtuar sipas Arthur Crawford, komisioneri i parë bashkiak i qytetit. Ndërtesa, e përfunduar në vitin 1869, iu dhurua qytetit nga Cowasji Jehangiri. Në vitin 1882, ndërtesa ishte tregu i parë në Indi që ndriçohej nga elektriciteti.[13] Godina është një përzierje e stileve arkitekturore Normane, Flamande dhe Gotike.[14] Frizat në pjesën e jashtme të hyrjes paraqesin fermerë indianë dhe burime guri brenda, u projektuan nga Lockwood Kipling, babai i shkrimtarit të famshëm Rudyard Kipling.[14] Tregu mbulon një sipërfaqe prej 22,471 m2 ku 5,515 m2 është e zënë nga vetë ndërtesa. Struktura u ndërtua duke përdorur gurë në ngjyrë të vërdheme Kurla, me gurë të kuq nga Bassein.

Watson's Hotel

Watson's Hotel, aktualisht i njour si Esplanade Mansion, është i vendosur në zonën Kala Ghoda të Bombejit dhe është ndërtesa më e vjetër e mbijetuar në Indi prej hekuri.[15] U emërtua sipas zotëruesit të tij fillestar, John Watson dhe i projektuar nga inxhinieri Rowland Mason Ordish, që ishte gjithashtu i lidhur me St. Pancras Station në Londër. Ndërtesa u fabrikua në Angli midis viteve 1867 dhe 1869 me komponente hekuri dhe u asamblua dhe ndërtua në vendin e ndërtimit. Skeleti i jashtëm prej hekuri ngjason shumë me ndërtesat e tjera me profil të lartë të shekullit të XIX si Crystal Palace në Londër. Façata kryesore e hotelit është e veçantë për ballkonet e gjerë e të hapur në çdo kat që lidhet me dhomat e mysafirëve, që u ndërtuan përreth atriumit në një shtrirje oborri.[16] Neglizhimi i ndërtesës ka sjellë degradimin dhe megjithë listimin e saj si një strukturë e trashëgimisë së Gradës së II, ndërtesa tani është në një gjendje të rrënuar. Gjendja e ndërtesës u bë publike nga arkitekti italian Renzo Piano dhe veprimtarët e trashëgimisë dhe si rezultat i përpjekjeve të tyre, ndërtesa, në qershor të vitit 2005 u bë pjesë e listës së "100 monumenteve botërore në rrezik" nga Fondi i Monumenteve Botërore, një OJQ me bazë në New York.[17]

  1. ^ a b "Mumbai, Past and Present". The Hindu. 22 qershor – 5 korrik 2002. Marrë më 15 gusht 2009. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Mumbai's latest endangered species: its art deco heritage". Urban architecture.in. 4 janar 2009. Arkivuar nga origjinali më 29 qershor 2012. Marrë më 15 gusht 2009. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b "Bombay's British Architecute - The Gothic and the Ethnic" (në anglisht). India profile. Marrë më 15 gusht 2009.
  4. ^ a b c "Rajabai Tower" (në anglisht). Mumbai.org.uk. Marrë më 15 gusht 2009.
  5. ^ "About" (në anglisht). University of Mumbai. Arkivuar nga origjinali më 9 gusht 2009. Marrë më 15 gusht 2009.
  6. ^ a b c Dwivedi, Sharada; Rahul Mehotra (1995). Bombay – The Cities Within. Bombej: India Book House. ISBN 978-81-85028-80-4. Marrë më 15 nëntor 2008. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ a b "Eros Cinema" (në anglisht). India9.com. Marrë më 15 gusht 2009.
  8. ^ "Metro Big Cinema" (në anglisht). Cinema Treasures. Marrë më 15 gusht 2009.
  9. ^ "Demand Curve - India needs cities network for easy rural urban shift". Indicus Analytics. Arkivuar nga origjinali më 19 korrik 2011. Marrë më 15 gusht 2009. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ "Tall Buildings of Mumbai". Emporis. Marrë më 15 gusht 2009. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ "Welcome to Mumbai Metropolitan Region Development Authority". Mumbai Metropolitan Region Development Authority. Arkivuar nga origjinali më 31 gusht 2009. Marrë më 15 gusht 2009. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  12. ^ Gray, Sadie (27 nëntor 2008). "Mumbai Terror Attacks". Londër: The Guardian. Arkivuar nga origjinali më 26 gusht 2009. Marrë më 15 gusht 2009. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  13. ^ "Crawford Market" (në anglisht). Mumbai Bombay Hotels. Arkivuar nga origjinali më 15 gusht 2009. Marrë më 15 gusht 2009.
  14. ^ a b "Mahatma Jyotirao Phule Market (Crawford Market)". American Airlines. Arkivuar nga origjinali më 20 nëntor 2007. Marrë më 14 tetor 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  15. ^ Choudhury, Chitrangada (24 qershor 2005). "Now listed as 'endangered', Watson's Hotel was once toast of Bombay". Indian Express. Express Group. Arkivuar nga origjinali më 12 qershor 2013. Marrë më 15 gusht 2009. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  16. ^ "India's 'cast iron' bldg crumble". Mumbai Mirror. Times Group. 2 korrik 2005. {{cite news}}: |access-date= ka nevojë për |url= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  17. ^ Joshi, Monika (21 qershor 2005). "Bombej's Watson's Hotel in endangered structures list". Rediff.com (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 2 dhjetor 2008. Marrë më 15 gusht 2009.