Arsimi në Gjakovë
Arsimi në Gjakovë karakterizohet me një trashëgimi të pasur arsimore që nis që nga fillimet e jetës qytetare. Në fund të shekullit XVI (1594–1595), Hadum Sylejman Efendia, i njohur si Hadum Aga, ndërtoi në çarshi xhaminë, hamamin, hanin dhe një bibliotekë të pasur, e cila u bë aq e famshme sa që thuhej se “Kush do me e pa Qaben, le ta vizitojë bibliotekën e Hadum Agës.” Kjo përfshinte sallë leximi në katin përdhes dhe raftet me libra në katin e sipërm.[1]
Në shekullin e XVIII, u themelua Medreseja e Madhe (Great Madrasa) në vitin 1748 (ose sipas burimeve vendase 1707), që funksionoi gjithashtu si strehë për nxënësit dhe imamët. Ajo kishte bibliotekë të pasur dhe shërbeu si qendër fetare dhe kombëtare për Fushën e Dukagjinit, me nxënës që vijonin studimet në Stamboll, Aleksandri, etj. Me kalimin e kohës u ndërtua edhe Medreseja e Vogël (rreth 1770), themeluar nga Tahir Efendi Gjakova, për të plotësuar kërkesën e madhe për arsim fetar.[2]
Pas reformave të Tanzimatit në shekullin e XIX, mbi vitin 1867 u hap Ruzhdija (pro-gjimnazi), bashkë me shumë iptidaije (shkolla primare). Sipas sallnameve osmane, në vitin 1893 në Gjakovë kishte 15 shkolla primare me 1,101 nxënës dhe një ruzhdije me 120 nxënës. Megjithatë, mësimi ishte në osmanisht, gjuhë e panjohur për shumicën e shqiptarëve. Mësuesit lokalë përkthenin fshehurazi tekstet në shqip, pasi autoriteti osman ishte i dobët në Gjakovë
Në vitet 1905–1906 nisi veprimtaria e fshehtë e mësimit në gjuhën shqipe, me figura si Osman Nikoliqi, Riza Thaqi e Haxhi Tahiri që përhapën shqipen në qytet nën ndjekje osmane. Më 1915–1918, gjatë pushtimit austro-hungarez, u organizuan shkolla të ligjshme shqipe, me përkrahje lokale dhe ndërkombëtare, ndërsa pas 1918 u ndalua mësimi në shqip nga autoritetet serbe .
Në vitin 1942 u themelua në Gjakovë “Normalja e Gjakovës – Gjon Nikollë Kazazi”, shkollë e mesme dyvjeçare për mësues, ndërkombëtarisht e njohur. Në vitin 1946 u hap zyrtarisht Normalja e parë në Kosovë me mësim në gjuhën shqipe e cila shërbeu si bazë për përgatitjen e mësuesve në të gjitha trevat shqiptare. Më 1967, ky institucion u shndërrua në Shkollë të Lartë Pedagogjike në gjuhën shqipe, e vetmja në ish‑Jugosllavi.
Para viteve 1990, komuna e Gjakovës kishte 7 biblioteka publike me gjithsej 105,443 libra: 42,193 në bibliotekën e qytetit dhe 63,250 në degët në Skivjan, Rogovë, Bistazhin, Ponoshec, Brekoc, Cërmjan. Pas dhunës serbe 1990–1999, dy degë u shkatërruan (Cërmjan, Brekoc), 22,382 libra u dëmtuan dhe tani në tetor 1999 mbesin 5 biblioteka me 83,061 libra
Në mars 1999, biblioteka e Hadum Agës u dogj, duke humbur rreth 200 dorëshkrime dhe 1,300 libra të rrallë në turqisht, arabisht e aljamiado, bashkë me arkivat e Komunitetit Islam
Me 1 tetor 2013 ka filluar punën Universiteti i Gjakovës me Fakultetin e Edukimit, Mjekësisë dhe Filologjisë. Fakulteti i Edukimit, i njohur më parë si Sholla Normale e Gjakovës, ka luajtur rol të rëndësishëm në përgatitjen e arsimtarëve kosovar gjatë fillimeve të zhvillimit të arsimit shqip në Kosovë.[3] Në vitin 2014 u hap edhe Shkolla Verore për Sipërmarrësi.
Arsimi i mesëm zhvillohet në katër shkolla të mesme (tri shkolla të mesme të larta dhe një gjimnaz) si dhe Shkollën e Muzikës "Prenk Jakova.
Kultura është gjithashtu aktive: trupa teatrore shërben si Teatër Kombëtar i Kosovës; kori i burrave udhëhiqet nga Rauf Dhomi dhe kori i grave nga Arta Topalli; grupi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” organizon Mitingun e Poezisë që nga viti 1964, duke përfshirë mbi gjashtëdhjetë vite traditë letrare
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ "Education of Gjakova". Gjakovaportal.com (në anglisht). Marrë më 2017-08-28.
- ↑ Gjakovapress (2014-03-06). "Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918". Gjakovapress (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-06-08.
- ↑ Avdullahu, Betina (2018-01-31). "U shënua 50 vjetori i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjakovë dhe 5 vjetori i themelimit të Universitetit "Fehmi Agani"". MASHT. Marrë më 2025-06-08.