Balinca (Malishevë)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Balinca
Balaj
Fshat
ShtetiKosova Kosova
KomunaMalishevë
RajoniRajoni i Prizrenit
Sipërfaqja
 • Gjithsej6,5 km2 (25 sq mi)
Lartësia mbidetare
613 m (2,011 ft)
Popullsia
 • Gjithsej1.262 banorë
Targat04

Balinca është një vendbanim në komunën e Malishevës, Kosovë. Pas vitit 1999, fshati është i njohur edhe me emrin Balaj. Në trevën e Llapushës, shtrihet 19 kilometra në veri të qendrës së Malishevës, afër rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë. Është vend kodrinor me disa elemente fushore dhe është i përshtatshëm për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe pemëtarisë.[1]

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në dokumentet e shkruara, në defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 është i regjistruar si vendbanim me emrin Balinc, i varur nga Peja. Edhe në vitin 1582 në defterin e Sanxhakut të Shkodrës është i regjistruar si Balinca. Gjithashtu përmendet në një hartë austriake të vitit 1689, me emrin Banice.

Gjatë dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877/78, në këtë fshat janë vendosur 2 vëllazëri: Pasjaqët (të fisit Gash) dhe Zhinipotokët (të fisit Thaç) dhe kanë krijuar lagjen e muhaxhirëve.

Me emrin Balinc është e regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900.

Lagjet dhe mikrotoponimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lagjet që e përbëjnë fshatin Balincë janë: Kelmendi, Karaçica, Muhaxhiri (Pasjaqa dhe Zhinipotoku), Isufaj, Bislimi, Zeneli dhe Sallahu.

Mikrotoponimet më karakteristike janë: Rreze, Lugu Kishës, Bregu Kishës, Bunari Balës, Samardani, Bunari i Lugut të Kishës, Kroni i Samardanit, Ara e Sokolit, Shkoza, Përroni Kishës, Darllota, Lugu Bunarit, Vorri i Partizanit, Llobure, Kulla e Begut. Disa nga këto toponime janë me karakter arkeologjik. Në pjesën jugore del kompleksi i arave, i quajtur Kodra Kishës, të cilat janë quajtur në bazë të objektit, rreth të cilit ndodheshin dikur, ndonëse sot nuk ka kishë aty. Në anën veriore dalin mikrotoponimet Kisha, Bregu i Kishës, i cili e ruan po ashtu kujtimin e ekzistimit të një kishe. Aty ka varre që nuk kanë mbishkrime, por popullata aty i konsideron varre katolike. Në lagjen e Sallahëve, në vendin Kungullar supozohet se ka pasur varreza të vjetra ose ndonjë lokalitet i moçëm.

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Popullsia sipas viteve
Viti i regjistrimit Numri i popullsisë Numri i shtëpive
1913 253 -
1918 190 24
1921 335 25
1948 389 40
1953 424 46
1961 495 51
1971 672 59
1981 927 87
1999 1262 127

Koha e Luftës së Kosovës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë Luftës së fundit në Kosovë, forcat paramilitare dhe ushtarake serbe, në vitin 1998-99, në këtë fshat kanë djegur dhe kanë shkatërruar 70 shtëpi dhe i kanë demoluar të gjitha të tjerat. Si monument historik është djegur e ashtuquajtura Kulla e Zotnisë, e cila, siç flitet në popull ishte ndërtuar me gurë të kishës, si dhe janë djegur edhe disa biblioteka personale të intelektualëve të fshatit.

Në fshat janë vrarë 16 persona dhe janë zhdukur 9 persona. gjatë luftës, banorët e kanë lëshuar shpesh fshatin, ndërsa përfundimisht janë larguar më 27 korrik 1998, ku janë strehuar nëpër fshatrat e tjera, si në Negroc, Abri, Golluboc dhe pastaj janë dëbuar për në Shqipëri e në Maqedoni.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Osmani, Jusuf (2006). Vendbanimet e Kosovës - Malisheva. Vëll. 19. Prishtinë: Shkrola. fq. 79. ISBN 9951-8658-3-6.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]