Barjam Ligu
Barjam Ligu (Prongji, 1880 – 1943) ka qenë pjesëtar i kryengritjeve të mëdha shqiptare të fillim shekullit të XX-të dhe i çetës atdhetare të Çerçiz Topullit.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Barjam Ligu u lind në Prongji në vitin 1880 në një familje me traditë dhe atdhedashuri të spikatur.[2][3] Ai që në moshë të re do të bëhet anëtar i çetës së Çerçiz Topullit edhe pse kapedani fillimisht nuk e po e pranonte Barjamin mes rradhëve të çetës së tij ai ishte i ri dhe shëndetlig(i sëmurë me astmë). Por atë e mori nën mbrojtje Mihal Gramenoja, i cili këmbënguli që Barjami të bëhej pjesë e çetës atdhetare, akt ky që do të shënonte në vazhdim një miqësi dhe vëllazëri mes tyre.
Mihal Gramenoja në kujtimet e tij shkruan: Dy herë shkuan në Gjirokastër Hajredini dhe Asllani, për të vrarë Bimbashin, po mjerisht nuk patën fatin, meqenëse nuk e gjetën. Kur deshnin të vinin të tretën herë, na ndodhi një episod... Lebërit, domethënë shokët tanë, kishin biseduar veçanërisht e kishin vendosur që Bimbashin ta vrasin vetë, sepse e kishin turp tu këndohej kënga toskëve! Domosdo e pranuam këtë vendim edhe këtë barrë e morrën përsipër Hito Habili nga Lekdushi me Barjam Ligun nga Prongjia.[4]
Ishte e hënë, 25 shkurt 1908, ditë tregu, kur u nisën Hitoja me Barjamin për në Gjirokastër...
Më orën 11:15, kohë e drekës, dëgjojmë të zbrazura pushke edhe, pas pak sekonda, shohim Hiton me Barjamin që të dalin nga qyteti, duke rendur me gjashtorët në dorë. Studiuesi Xhevat Majko Lluri në librin e tij me titull Prongjia dhe njerëzi e saj shkruan: "Bimbash turk Gisinja u vra më 23 shkurt të vitit 1908 rreth orës 11 të drekës në rrugën e Hazmurat ku kalonte për ditë. Të dy trimat kishin zënë pusi dhe kryen vrasjen e tij. Hitua neutralizoi rojen e tij duke e qëlluar në dorë, ndërsa Barjami qëllon me tre plumba Bimbashin, i cili ra përdhe i mbytur në gjak."
Barjam Ligu ka qenë anëtar edhe i Lidhjes Patriotike Shqiptare duke luftuar në çdo zonë të Shqipërisë së Jugut. Në vitet 1913-1914, ai luftoi kundra ushtarëve grekë të ashtuquajtur andartë aso kohe, të cilët kërkonin aneksimin e teritoreve të jugut të Shqipërisë në kuadër të veprimeve ekspansioniste greke të kohës të frymëzuara nga agjenda politike e "Megali Ideas" dhe të ashtuquajturës çështjes së fabrikuar të "Epirit të Veriut" . Kështu, më 1914 në Prongji vijnë 200 ushtarë grekë për kryerjen e pushtimit të fshatit, plaçkitjes dhe kryerjen e mizorive në popullsinë civile me qëllim friksimin dhe spastrimin e vendit nga shqiptarët. Gjëja e parë që bënë forcat ushtarake greke me hyrjen ne Prongji ishte kapja, ndalimi, marrja dhe mbajtja në izolim e Barjamit. Gjat torturave të kryera në burg, grekët i thyen disa brinjë dhe i prenë njërin vesh Barjam Ligut në shenjë turpi pasi e akuzonin për vrasjen e Dhespotit të Korçës Fotit. Vrasja e Dhespot Fotit ishte vendosur nga Komiteti i Shpëtimit Kombëtar sepse ai kishte dhënë urdhër për vrasjen e Papa Kristo Negovanit dhe vëllai i tij Theodhosit. Kjo akuzë bëhej sepse pse dihej përfshirja e çetës së Çerçiz Topullit në këtë ngjarje dhe Barjam Ligu njihej për trimëri dhe ishte njëri nga atentatorët e Bimbashit Osman Halil Musa Beu në Gjirokastër më 1908. Pas thyerjeve të brinjëve dhe prerjes së veshit, banorët e fshatit Prongji mblodhën një sasi me monedha floriri dhe ia dërguan komandës greke me anë të një përfaqësuesi nga komuniteti vendas (Majko Lluri) për lirimin e tij. Pas marrjes së shumës në flori komandanti grek dha urdhër që Barjami i sakatuar të lirohet. Edhe pse grekët e sakatuan dhe i lanë shenjë për jetë Barjam Ligut si një damkosjeje për ta turpëruar para njerëzimit, ai kurrë nuk e mbuloni dhe fshehu veshin e prerë, madje e kishte krenari dhe një shfaqje të rezistencës së pashembullt të një fiziku të lodhur nga betejat e jetës por me një shpirt vigan, të paepur, të lirë dhe qëndrestar.
Si anëtarë i çetës së Çerçizit Topullit, Barjam Ligu luftoi kudo përkrah tij. Ata luftuan sëbashku në korrik të 1908 në Dibër, Manastir, Tetovë, Shkup e deri në Selanik në lëvizjen që njihet në histori Revolucioni i Xhonturk.
Në Luftën e Vlorës më 1920 Barjam Ligun e gjejmë në krye të çetës së Prongjotasve të cilët ju bashkangjitën çetës së Selam Musait duke luftuar kundër pushtuesve italianë. Duhet thënë se Barjam Ligu njihej me Selamin më herët sepse edhe ai kishte qenë anëtarë i çetës së Çerçiz Topullit ku kishin luftuar përkrah njëri-tjetrit për disa vite në luftën për liri kombëtare.
Barjam Ligu ka luftuar edhe më 1939 kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste. Gjatë kësaj lufte ai u plagos rëndë dhe plaga nuk ju pastrua mirë e kësisoj nuk u shërua plotësisht, duke ju kthyer në kancer, sëmundje nga e cila vuajti për disa vite me rradhë duke i mbyllur përfundimisht sytë më 1943 në zonën e Delvinës larg familjes së tij. Barjami la pas 5 fëmijë : Museretin, Nebiun, Dashon dhe vajzat Zilikën dhe Neimen. [5]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ tg (2012-08-27). "Barjam Prongjia (Ligu), atentatori i bimbashit turk, një emër i harruar". Gazeta Telegraf. Marrë më 2025-01-16.
- ↑ Lluri, Xhevat (2006). PRONGJIA dhe banorët e saj. Tiranë: MIRGEERALB. ISBN 9994338099.
- ↑ "Prongjia me histori të madhe". Pamfleti. 2018-07-29. Marrë më 2025-01-16.[lidhje e vdekur]
- ↑ tg (2013-10-29). "Xhevat Lluri/ Nder e lavdi të përjetshme Barjam Prongjia, atentatori i Bimbashit turk". Gazeta Telegraf. Marrë më 2025-01-16.
- ↑ Mihal Grameno "Novela dhe kujtime", në fq.188, Shkup, 2004