Bedri Spahiu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Bedri Spahiu (Gjirokastër, 13 korrik 1908 - 11 janar 1998) ka qenë ushtarak, partizan, prokuror në Gjyqin Special dhe në atë të Koçi Xoxes, sekretar i agjipropit, min. i Arsimit dhe i Kulturës dhe më pas i përndjekur prej luftës brenda llojit. Një prej funksionarëve të lartë të regjimit komunist i cili kërkoi falje për krimet e kryera.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Leu në lagjen “Palorto” të qytetit të Gjirokastrës në një familje bujqish, e ëma i vdes herët. Gjatë fëminisë gjendja ekonomike e familjes së tij ishte shumë e rëndë. Babai i tij, Sinani, shkoi në kurbet me shpresë për t’u mëkëmbur. Gjatë kësaj kohe Bedri Spahiu ishte në shkollën fillore dhe deri më 1923 mbaroi filloren me nota të shkëlqyera. Në pamundësi ekonomike për të vazhduar ato klasa që i mbeteshin si dhe gjimnazin, më 16 maj 1923 u nis për Izmir, ku ndodhej edhe babai, me shpresë për të vazhduar shkollën.

Mbaroi shkollën fillore italiane në Stamboll dhe mori dëftesën e lirimit. Në Turqi qëndroi për katër vjet e gjysmë, prej 16 Maj 1923 deri 15 Shtator 1927[1].

Kthehet në Shqipëri dhe i mundësohet të ndjekë gjimnazin e Shkodrës. Vazhdon Shkollën e Oficerëve në Tiranë, pasi e kreu emërohet toger i dytë. Me pushtimin italian vishet oficer këmishëzi dhe pastaj punësohet në Agjencinë e Transportit Automobilistik në Gjirokastër[2].

Kur u formua Shtabi i Përgjithshëm, ai zgjidhet anëtar i këtij Shtabi. Në Berat u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe me këtë funksion ishte deri në 17 qershor 1955. Arrestohet sapo kaloi derën e sallës ku bëhej plenumi i KQ të PPSH-së më 17 qershor 1955 dhe izolohet për pesë ditë në një shtëpi. Kjo erdhi si pasojë e luftës së tij të gjatë kundër politikës së Enver Hoxhës. Mbas 15 ditësh, më 23 qershor 1955 internohet familjarisht në Elbasan. Më 1 qershor 1957, arrestohet dhe izolohet në Kalanë e KaninësVlorë, prej ku transferohet në 4 janar 1958 për Tiranë. U dënua me 25 vjet. Në 6 tetor 1974 lirohet nga burgu dhe internohet drejt e në Selenicë. Lirohet nga internimi më 10 maj 1990, ditën kur u shpërnda Komisioni i Internim – Dëbimeve.

Vdiq më 11 janar 1998[1].

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Kaloçi D., Bedri Spahiu: Letër Mehmet Shehut : [Letra botohet e shoqëruar me një biografi të autorit], Gazeta Shqiptare. - p. 2272, 5 shtator, 2002, p. 12 - 13
  2. ^ Arkivat sekrete britanike, 1945: Cilët janë udhëheqësit kriminelë të Shqipërisë, 29 qershor, 2015.