Benedikt Dema

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Benedikt Dema (Shkodër, 28 prill 1904 - 22 mars 1971) ka qenë frat françeskan, arsimtar dhe leksikograf shqiptar.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind më 28 prill 1904 në Shkodër, i pagëzuar me emrin Mark, i biri i Pjetrit dhe Drande Boriçit.[1] Mësimet fillore i mori në kolegjin françeskan pesëvjeçar në Shkodër. Pasi përfundoi ciklin e ulët të shkollimit, pas dëshirës u regjistrua kandidat për rregulltar i Urdhrit Françeskan. Pas përfundimit të kandidaturës, veshi zhgunin më 12 shtator 1920,[2] kur dhe mori emrin Benedikt.[3]

Rishtarinë e kreu në RubikMirditës, pas një provë njëvjeçare kaloi “kushtet e përkohshme” në Shkodër para Provincialit P. Pal Dodaj, më 13 shtator të vitit 1921, kur mori dhe titullin frat. Më 1924 kreu këndimet për teologji[4] në Universitetin Antonian në Romë.[3] Më 28 prill 1925 dha "kushtet e përjetshme"[3] dhe ë 1928 u shugurua meshtar,[5] më 7 prill në Romë, duke marrë kështu titullin Pater. Më 24 korrik 1937 u diplomua në po të njëjtin universitet.[3]

Prej vitit 1937 deri më 1946 kreu detyrat e udhëheqësit të gazetës “Zâni i Shna Ndout”, nënfletë e "Hyllit të Dritës". Më pas, drejtues dhe profesor i liceut “Illyricum”, si dhe drejtues i shtypshkronjës “Át Gjergj Fishta”. Në detyrën e profesorit të gjimnazit ai hartoi tekstet mësimore për lëndën e matematikës. Në klasat e lalta jepte gjeografinë dhe mësimin e fesë.[3]

Në vitin 1946, pas mbylljes së shkollave françeskane nga regjimi komunist, P. Benedikt Dema jetën në vazhdim e kaloi brenda dyerve të “Kuvendit Françeskan”, mes shërbimeve të meshtarisë dhe studimeve. Vite më vonë, u caktua famullitar në Brigje të Hotit, ku shërbeu prej vitit 1952 gjer më 1962. Periudha e fundme e shërbimit të tij si meshtar i takon famullisë së Bajzës, dhe kjo kohë nga viti 1962 gjer në mbylljen e kishave prej Revolucionit Kulturor më 1967. Ndërroi jetë nga një infeksion në spitalin e Shkodrës më 22 mars 1971.[3][2]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ka qenë autor i shumë artikujve përmbajtësorë për historinë e Kishës Katolike në Shqipëri që u botuan te Hylli i Dritës me nënshkrimet Ben-dea dhe P.B.D.[3] U njoh si organizator i Simpoziumit Shkencor në 1 vjetorin e vdekjes së P. Gjergj Fishtës dhe përgatitës e botues i librit me kumtesa e studime.

Si leksikograf dhe enciklopedist, la në dorëshkrim një vëllim prej 1156 faqesh, pjesa e parë e Fjalorit të shtjelluem të gjuhës shqipe.[6] Punimi i plotë u përgatit në daktiloshkrim prej tij në shtatë vëllime dhe u ruajt në Arkivin Qendror Shtetëror, e para në llojin e vet. Vetë kjo vepër është origjinale në llojin e vet.[3] Pas 1976, vëllimi Mjekí (Mjekësi) i këtij fjalori, hartuar bazuar edhe mbi shënimet e sivëllaut Luigj Bushati, u shfrytëzua nga hetues të regjimit komunist.[7]

Më 2005 fjalori enciklopedik i Demës u botua me titullin "Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe".[8]

Punime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Nji dorëshkrim i vjetit 1671 mbi Shqypnín, Shkodër, 1930-1932;
  • Shqypnija katolike në vjetin 1671, Shkodër, 1933;
  • Kontributi i rregulltarve per zhvillimin e kulturës së pergjithët, Shkodër, 1934;
  • Shtypi Françeskan në Shqypni, Shkodër, 1941 dhe 1943;
  • Paraqitja e gjendjes etnologjike në Balkan, Shkodër, 1943;
  • Veprimi letrar i At Gjergj Fishtës, Shkodër, 1943;
  • Mesimi i besimit katolik, përkthim nga A. Koenig, Shkodër 1942 dhe 1944;
  • Jeta e krishtenë, p. nga P. Pescha, Shkodër, 1941;[9]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Kurti, Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare (në latinisht). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 117. ISBN 99927-789-1-1. Benedictus (P) Marcus Dema, f. Petri et Rosae Boriçi, n. Shkodrae, d. Shkodrensis 28 Apr. 1904 [...].
  2. ^ a b Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). London-NY: I.B. Tauris & Co. Ltd. fq. 100. ISBN 978-1-78076-431-3.
  3. ^ a b c d e f g h Peçi, Admirina (26 nëntor 2006). "Prifti që donte të botonte një fjalor në vitin e shkatërrimit të kishave: At Benedikt Dema". Gazeta shqiptare. 3707: 26–27.
  4. ^ Kurti 2003, p. 61.
  5. ^ Kurti 2003, p. 65.
  6. ^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: ISKK. fq. 17. ISBN 978-9928-168-12-2.
  7. ^ Ndoja 2013, pp. 126-127.
  8. ^ Duke qëmtuar në sitin e Bibliotekës Kombëtare (bksh.al) mbi me emrin kyç të këtij artikulli.
  9. ^ Malaj V., Apostolic and educational work of the Francisacan Order among the Albanian people, Buletini Katolik Shqiptar, red. Gjon Sinishta, San Francisco 1990. fq. 40-41.