Besëlidhja myslimano-e krishterë e çamëve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Besëlidhja myslimano-e krishterë e çamëve ishte një seri besëlidhjesh shqiptare mes çamëve myslimanë dhe atyre të krishterë për t'u shpëtuar raprezaljeve të shtetit grek gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Besëlidhja e parë midis myslimanëve e të krishterëve çamë ishte ajo që u krijua në ish-kazanë e Margëlliçit, në vitin 1940. Sipas kësaj besëlidhjeje, fshatrat myslimane të Margëlliçit dhe fshatrat e krishtera të Frarit, Shenicës, Livadhiasë, Llurit, etj., do të zinin pozicione të përbashkëta, për të sprapsur çdo kërcënim që do t’u vinte fshatrave të tyre.[1]

Besëlidhja u shtri edhe në mes të fshatrave të ish-Kazasë së Paramithisë, si dhe në mes të fshatit Kurtes dhe fshatit të krishterë Draganj. Një besëlidhje e fuqishme ishte edhe ajo e krijuar në ish-kazanë e Filatit, madje që në kohën e sundimit osman. Në lindje të qytetit të Filatit kishte katër fshatra të krishtere: Fanaromeni, Finiqi, Jeromeri dhe Sidheri, që njiheshin me emrin Kallohor (fshatra të mira). Banorët e krishterë të këtyre katër fshatrave dalloheshin si njerëz punëtorë e të ndershëm, bujarë e mikpritës dhe shumë korrektë me myslimanët. Në vitin 1940, kur qeveria bëri internimin e parë të parisë së myslimanëve të Çamërisë, disa të krishterë të fshatrave të thella të Filatit menduan se u erdhi çasti i volitshëm për të plaçkitur pasurinë e familjeve çame të pambrojtura. Ishin fshatarët e krishterë ata që i morën në mbrojtje fshatrat myslimane të Filatit dhe me ndërhyrjen e tyre, u arrit që të mbroheshin shumë familje myslimane.[1]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Isufi, Hajredin (5 tetor 2008). "Çamët e krishterë shpëtojnë nga pushkatimi 500 gra e fëmijë myslimanë". Zemrashqiptare. Marrë më 14 maj 2018. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)