Jump to content

Besnik Konçi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Besnik Konçi ka lindur në Tiranë, më 15 dhjetor 1960. Ka kryer studimet pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë në vitet 1981 – 1986, ku u diplomua për Fizikë, dhe ka kryer studimet Master. Gjatë muajve janar 1990 – maj 1990 ndoqi trajnimin pasuniversitar në Fizikën e Lazerave, në Gőttingen, Gjermani.

Në karrierën e tij profesionale në periudhën shtator 1986 – gusht 1992 punoi si kërkues shkencor në Institutin e Fizikës Bërthamore, në Akademinë e Shkencave, në Tiranë. Mandej, nga gushti 1992 – janar 1998 punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ndërsa nga marsi 1995 – dhjetor 1997 ishte Shef i Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Beograd.

Përgjatë një viti, nga janari 1998 – qershor 1999 kontribuoi si analist mbi Kosovën dhe zhvillimet rajonale në Radio Tirana. Po kështu nga marsi 1998 – mars 1999 punoi si Këshilltar në projektin e UNDP, “Mbi arsimin e fëmijëve shqiptarë nga Kosova”, e për disa muaj punoi edhe si Koordinator në Forcat Ajrore Amerikane, NATO, në Bazën e Rinasit, në Tiranë.

Nga shkurti 1998 – mars 2001 ka qenë Anëtar i Bordit të Drejtorëve, në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.

Ai ishte themelues i Akademisë Diplomatike Shqiptare dhe Anëtar i Bordit Ekzekutiv, lektor mbi çështjet e sigurisë dhe Evropës Juglindore, gjatë periudhës shkurt 2001 – qershor 2005.

Nga qershori 2002 – nëntor 2004 ka qenë Sekretar Ekzekutiv, i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut; Administrator pranë Institutit Shqiptar të Arsimit dhe Teknologjisë së Informacionit (ISSETI) në nëntor 2004 – korrik 2006. Në periudhën korrik 2006 – prill 2011 shërbeu si Ambasador i Shqipërisë në Kanada, ndërsa nga tetori 2009 – prill 2011 Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

Ishte Këshilltar i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë nga maji 2011 – shkurt 2012 dhe për disa muaj punoi edhe si Drejtor i Drejtorisë së Politikave dhe Programeve Ndërkombëtare, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ai është autor i shumë artikujve dhe analizave mbi çështjet e Kosovës. sigurisë dhe rajonit, pjesëmarrës në debatet radio-televizive, folës në dhjetra konferenca ndërkombëtare dhe lokale, simpoziume dhe “workshop-e” , brenda dhe jashtë vendit.

Besnik Konçi është Këshilltar Diplomatik i Presidentit të Republikës Bujar Nishani.