Shko te përmbajtja

Beteja e Salaminës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Skema e betejës së Salaminës, sipas një rindërtimi të mundshëm

Beteja e Salaminës (greqishte e lashtë: Ναυμαχία τῆς Σαλαμῖνος / Naumakhía tês Salamînos) ishte një betejë detare e zhvilluar në vitin 480 p.e.s. midis një aleance të poliseve (qytet-shteteve) greke, nën udhëheqjen e Themistokliut, dhe Perandorisë Akamenide, nën udhëheqjen e Kserksit I. Ajo përfundoi me një fitore të grekëve, ndonëse këta ishin në numër më të vogël.

Beteja u zhvillua në ngushticën midis ishullit të Salaminës dhe bregdetit të Atikës, në Gjirin Saronik pranë Athinës, dhe shënoi pikën kulmore të pushtimit të dytë pers të Greqisë. Konsiderohet ndoshta si beteja detare më e madhe e botës së lashtë dhe shënoi një pikë kthese në rrjedhën e atij pushtimi.[1]

Për të ndalur përparimin e persëve, një forcë e vogël greke bllokoi kalimin e Termopileve, ndërsa një flotë aleate e dominuar nga athinasit u përball me flotën perse në ngushticat pranë Kepit të Artemisionit. Në Betejën e Termopileve praparoja e forcës greke u shkatërrua, ndërsa në Betejën e Artemisionit grekët pësuan humbje të rënda dhe, pas disfatës në Termopile, u tërhoqën. Kjo u dha persëve mundësinë të pushtonin Fokidën, Beotinë, Atikën dhe Eubenë. Aleatët u përgatitën të mbronin Istmin e Korintit, ndërsa flota u tërhoq në ishullin e afërt të Salaminës.

Ndonëse ishin në numër dukshëm më të vogël, gjenerali athinas Themistokliu i bindi grekët që të përballeshin sërish me flotën perse, me shpresën se një fitore do të pengonte veprimet detare kundër Peloponezit. Edhe Kserksi I dëshironte një betejë vendimtare. Si pasojë e një dredhie të Themistokliut, që përfshinte edhe një mesazh të dërguar drejtpërdrejt te Kserksi, ku njoftohej se pjesa më e madhe e flotës greke ndodhej në Salaminë, flota perse depërtoi me rrema në ngushticën e Salaminës dhe u përpoq të bllokonte të dy hyrjet. Në ujërat e ngushta, epërsia në numër e persëve u bë më tepër pengesë sesa përparësi, pasi anijet e tyre e kishin të vështirë të manovronin dhe u çorganizuan. Grekët e shfrytëzuan këtë moment, u rreshtuan për betejë dhe korrën fitore.

Pas betejës, Kserksi u tërhoq në Azi me pjesën më të madhe të ushtrisë së tij, duke lënë Mardonin të përfundonte pushtimin e Greqisë. Një vit më pas, pjesa e mbetur e ushtrisë perse u mposht në Betejën e Platesë, ndërsa flota perse u mund në Betejën e Mikales. Pas kësaj, persët nuk bënë më përpjekje të tjera për të pushtuar Greqinë kontinentale. Prandaj, betejat e Salaminës dhe të Plateas konsiderohen pika kthese në rrjedhën e Luftërave greko-persiane; prej asaj kohe poliset greke kaluan në ofensivë.

Prapavija e betejës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Ushtar jonian (në persishten e vjetër me shkrim kuneiform 𐎹𐎢𐎴, Yaunā)[2] i ushtrisë akamenide, rreth vitit 480 p.e.s. Reliev nga varri i Kserksit I.

Poliset greke të Athinës dhe Eretrias kishin mbështetur Kryengritjen e pasuksesshme Jonike kundër Perandorisë perse të Darit I në vitet 499–494 p.e.s., e cila udhëhiqej nga Aristagora, satrapi i Miletit. Perandoria perse ishte ende relativisht e re dhe e prirur ndaj kryengritjeve nga popujve e nënshtruar prej saj.[3][4] Për më tepër, Dari ishte uzurpator dhe kishte kaluar shumë kohë duke shtypur kryengritjet kundër sundimit të tij.[3] Kryengritja Jonike kërcënonte integritetin e perandorisë së tij dhe, për këtë arsye, Dari u zotua t’i ndëshkonte ata që ishin përfshirë në të, sidomos ata që nuk bënin tashmë pjesë në perandori.[5][6] Dari pa gjithashtu një mundësi për ta zgjeruar perandorinë e tij në botën e përçarë të Greqisë së lashtë.[6]

Një ekspeditë paraprake, e udhëhequr nga Mardoni në vitin 492 p.e.s., për të siguruar rrugët tokësore drejt Greqisë, përfundoi me pushtimin e Thrakës dhe e detyroi Maqedoninë të bëhej një mbretëri vasale e Persisë.[7]

Në vitin 491 p.e.s., Dari dërgoi emisarë në të gjitha poliset greke, duke u kërkuar atyre dhuratën e “tokës dhe ujit” si shenjë të nënshtrimit ndaj tij.[8] Pasi kishin dëshmuar fuqinë e tij një vit më parë, shumica e poliseve pranuan. Në Athinë, megjithatë, emisarët u nxorën para gjyqit dhe pastaj u ekzekutuan; ndërsa në Spartë, ata u hodhën në një pus.[8] Kjo nënkuptonte se Sparta ishte tashmë në luftë me Persinë.[8]

Prandaj, në vitin 490 p.e.s., Dari ngriti një forcë ekspedite amfibe nën komandën e Datisit dhe Artafernit, e cila sulmoi fillimisht Naksosin dhe më pas siguroi nënshtrimin e ishujve të tjerë të Cikladeve. Më pas, kjo forcë u drejtua kundër Eretrias, të cilën e rrethoi dhe e shkatërroi.[9] Në fund, ajo marshoi kundër Athinës dhe zbarkoi në gjirin e Maratonës, ku u përball me një ushtri athinase shumë të vogël në numër. Në Betejën e Maratonës që pasoi, athinasit arritën një fitore të jashtëzakonshme, e cila e detyroi ushtrinë perse të tërhiqej drejt Azisë.[10]

Hartë që parqet botën grekë në kohën e betejës

Për këtë arsye, Dari nisi të ngrinte një ushtri shumë të madhe, me të cilën synonte ta nënshtronte plotësisht Greqinë. Megjithatë, në vitin 486 p.e.s., në Egjipt shpërtheu një kryengritje e nënshtetasve të tij, gjë që e shtyu për një kohë të pacaktuar çdo ekspeditë kundër Greqisë.[4] Dari vdiq ndërsa po përgatitej të marshonte kundër Egjiptit dhe kurora e Persisë i kaloi të birit, Kserksit I.[11] Kserksi e shtypi kryengritjen egjiptiane dhe shumë shpejt rifilloi përgatitjet për pushtimin e Greqisë.[12] Meqenëse bëhej fjalë për një pushtim në shkallë të gjerë, kjo kërkonte planifikim afatgjatë, grumbullim furnizimesh dhe rekrutim të ushtarëve. Kserksi vendosi që mbi Helespont (Dardanele) të ndërtoheshin ura, në mënyrë që ushtria e tij të kalonte në Evropë, si edhe të hapej një kanal përmes istmit të malit Athos, rreth të cilit një flotë perse ishte shkatërruar në vitin 492 p.e.s.[13] Që të dyja këto ishin ndërmarrje tejet ambicioze, të cilat do të kishin qenë përtej mundësive të çdo shteti tjetër bashkëkohor.[13] Nga fillimi i vitit 480 p.e.s., përgatitjet kishin përfunduar dhe ushtria që Kserksi kishte grumbulluar në Sardë marshoi drejt Evropës, duke kaluar Helespontin mbi dy ura lundruese.[14]

Athinasit gjithashtu kishin filluar të përgatiteshin për luftë kundër persëve që nga mesi i viteve 480 p.e.s. dhe, në vitin 482 p.e.s., nën udhëheqjen e burrështetasit athinas Themistokliu, u mor vendimi për ndërtimin e një flote të madhe triremash, e cila do të ishte e domosdoshme që grekët të mund të përballeshin me persët.[15] Megjithatë, athinasit nuk kishin fuqi njerëzore të mjaftueshme për të luftuar njëherazi në tokë dhe në det; për rrjedhojë, përballja me persët kërkonte një aleancë të poliseve greke. Në vitin 481 p.e.s., Kserksi dërgoi emisarë nëpër Greqi për të kërkuar “tokë dhe ujë”, por la jashtë qëllimisht Athinën dhe Spartën.[16] Kështu, mbështetja nisi të përqendrohej rreth këtyre dy qyteteve kryesore. Në fund të vjeshtës së vitit 481 p.e.s.,[17]Korinth u mblodh një kuvend i polisve dhe u krijua një aleancë e përbashkët e poliseve greke. Ajo kishte kompetencën të dërgonte emisarë për të kërkuar ndihmë dhe, pas konsultimit të përbashkët, të dislokonte trupa nga shtetet anëtare në pikat mbrojtëse. Kjo ishte diçka e jashtëzakonshme për botën e përçarë greke, sidomos po të kihet parasysh se shumë nga poliset pjesëmarrëse ishin ende, formalisht, në luftë me njëra-tjetrën.[18]

Fillimisht, aleanca ra dakord të mbronte luginën e ngushtë të Tempes, në kufirin e Thesalisë, dhe kështu të bllokonte përparimin e Kserksit.[19] Megjithatë, sapo mbërritën atje, Aleksandri I i Maqedonisë i paralajmëroi se lugina mund të anashkalohej përmes qafës pranë fshatit të sotëm Sarantaporo dhe se ushtria e Kserksit ishte dërrmuese në numër; për këtë arsye, grekët u tërhoqën.[20] Pak më pas, ata morën lajmin se Kserksi kishte kaluar Helespontin. Si rrjedhojë, aleatët përvetësuan një strategji të dytë. Rruga drejt Greqisë jugore (Beotisë, Atikës dhe Peloponezit) e detyronte ushtrinë e Kserksit të kalonte përmes kalimit shumë të ngushtë të Termopileve. Ky kalim mund të bllokohej lehtësisht nga hoplitët grekë, pavarësisht epërsisë dërrmuese numerike të persëve. Për më tepër, për të penguar persët që ta anashkalonin Termopilet nga deti, flota athinase dhe ajo aleate mund të bllokonin ngushticat e Artemisionit. Kjo strategji e dyfishtë u miratua nga kuvendi.[21] Megjithatë, qytetet e Peloponezit përgatitën plane rezervë për mbrojtjen e Istmit të Korintit, në rast se kjo do të bëhej e nevojshme, ndërsa gratë dhe fëmijët e Athinës u evakuuan masivisht në qytetin peloponezas të Trojzenës.[22]

Ushtria greke, ndonëse shumë më e vogël në numër, e mbajti kalimin e Termopileve kundër persëve për tri ditë, derisa u rrethua nga prapa përmes një shtegu malor. Pjesa më e madhe e ushtrisë greke u tërhoq, ndërsa spartanët dhe thespiotët, që vazhduan të mbronin kalimin, u rrethuan dhe u vranë.[23] Beteja e Artemisionit, e zhvilluar njëkohësisht, deri në atë çast kishte mbetur e papërcaktuar; megjithatë, kur aleatët morën lajmin për Termopilet, edhe flota e tyre u tërhoq, pasi mbajtja e ngushticave të Artemisionit nuk kishte më dobi.[24]

Zhvillimet paraprake

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Beteja e Salaminës, gravurë e vitit 1785
Pamje e sotme e ngushticës së Salaminës, ku u zhvillua beteja, e parë nga jugu.
Rendi i betejës. Flota akamenide (me të kuqe) hyri nga lindja (në të djathtë) dhe u ndesh me flotën greke (me të kaltërt) brenda hapësirës së kufizuar të ngushticës.

Flota aleate lundroi tani nga Artemisioni drejt Salaminës për të ndihmuar në fazën përfundimtare të evakuimit të Athinës. Gjatë rrugës, Themistokliu la mbishkrime, drejtuar ekuipazheve joniane të flotës perse, pranë të gjitha burimeve të ujit ku ato mund të ndaleshin, duke u bërë thirrje të kalonin në anën e aleatëve.[25]

Burra të Jonisë, ajo që po bëni nuk është e drejtë: po ngriheni kundër etërve tuaj dhe po kërkoni ta nënshtroni Greqinë. Më e mira do të ishte të kalonit në anën tonë. Por, nëse kjo nuk është e mundur, të paktën gjatë betejës qëndroni mënjanë dhe bindini edhe karianët të bëjnë të njëjtën gjë. Nëse nuk mund të bëni as njërën, as tjetrën, nëse jeni të detyruar nga një forcë më e madhe dhe nuk mund të dezertoni gjatë betejës, atëherë, kur të ndeshemi, tregohuni qëllimisht të plogësht në luftë, duke kujtuar se jemi të një gjaku dhe se shkaku i parë i armiqësisë me barbarët erdhi prej jush.[26]

Pas Termopileve, ushtria perse vijoi marshimin, duke djegur dhe plaçkitur qytetet beotiane të Platesë dhe Thespies, që nuk ishin dorëzuar, përpara se të drejtohej drejt Athinës, e cila tashmë ishte evakuuar.[27] Aleatët, kryesisht peloponezasit, u përgatitën të mbronin Istmin e Korintit, duke shkatërruar të vetmen rrugë që kalonte nëpër të dhe duke ndërtuar një mur përtej tij.[28]

Megjithatë, kjo strategji kishte një të metë themelore: ajo mund të funksiononte vetëm nëse flota aleate arrinte ta pengonte flotën perse të transportonte trupa përmes Gjirit Saronik. Në një këshill lufte, të mbajtur pasi kishte përfunduar evakuimi i Athinës, komandanti korintas i flotës, Adeimanti, argumentoi se flota duhej të përqendrohej pranë brigjeve të istmit, në mënyrë që të vendosej një bllokadë e tillë.[29] Por Themistokliu u shpreh në favor të një strategjie sulmuese, që synonte shkatërrimin vendimtar të epërsisë detare perse. Ai iu referua mësimeve të Artemisionit, duke vënë në dukje se një betejë në kushte të ngushta ishte në dobi të grekëve.[30] Më në fund, mendimi i tij mbizotëroi dhe flota aleate mbeti pranë brigjeve të Salaminës.[31]

Kronologjia e ngjarjeve që çuan në Salaminë është e vështirë të përcaktohet me siguri.[32] Herodoti e paraqet betejën sikur ajo të ketë ndodhur menjëherë pas marrjes së Athinës, por askund nuk e thotë këtë shprehimisht. Nëse Termopilet dhe Artemisioni ndodhën në shtator, atëherë kjo mund të ketë qenë vërtet kështu, por ka më shumë gjasë që persët të kenë kaluar dy ose tri javë duke marrë Athinën, duke riparuar flotën dhe duke siguruar furnizime.[32] Megjithatë, është e qartë se, në një moment pas pushtimit të Athinës, Kserksi mblodhi një këshill lufte me komandantët e flotës perse; sipas Herodotit, kjo ndodhi në Faler.[33] Artemisia, mbretëresha e Halikarnasit dhe komandantja e flotiles detare të qytetit të saj në flotën e Kserksit, u përpoq ta bindte që të priste dorëzimin e aleatëve, pasi mendonte se një betejë në ngushticën e Salaminës përbënte një rrezik të panevojshëm.[33] Megjithatë, Kserksi dhe këshilltari i tij kryesor, Mardoni, këmbëngulën për të sulmuar.[34]

Është e vështirë të përcaktohet saktësisht se çfarë e solli betejën, nëse pranohet se asnjëra palë nuk sulmoi pa plan paraprak.[32] Megjithatë, pak para betejës, Kserksit i mbërritën njoftime për përçarje brenda komandës aleate; peloponezasit dëshironin të largoheshin nga Salamina për sa kohë që kishin mundësi.[35] Kjo përçarje e pretenduar mund të ketë qenë thjesht një mashtrim për t’i joshur persët në betejë.[36] Nga ana tjetër, ndryshimi i qëndrimit të aleatëve mund të ketë qenë reagim ndaj lëvizjeve sulmuese perse.[32] Është gjithashtu e mundur që një forcë perse të ishte dërguar kundër Istmit, për të vënë në provë vendosmërinë e flotës aleate.[32][36]

Sidoqoftë, sapo Kserksi mori këtë lajm, urdhëroi flotën e tij të dilte në patrullim pranë brigjeve të Salaminës, duke bllokuar daljen jugore.[36] Më pas, në muzg, ai urdhëroi tërheqjen e saj, ndoshta për t’i shtyrë aleatët të ndërmerrnin një largim të nxituar.[36] Po atë mbrëmje, Themistokliu ndërmori atë që duket se ka qenë një përdorim jashtëzakonisht i suksesshëm i dezinformimit. Ai dërgoi te Kserksi një shërbëtor, Sikinin, me një mesazh ku thuhej se Themistokliu ishte “në anën e mbretit dhe dëshiron që të triumfojnë punët e tua, jo ato të helenëve”.[37] Themistokliu pretendonte se komanda aleate ishte e përçarë, se peloponezasit po planifikonin të largoheshin pikërisht atë natë dhe se, për të siguruar fitoren, persëve u mjaftonte vetëm të bllokonin ngushticat. Me këtë dredhi, Themistokliu duket se synonte të arrinte pikërisht të kundërtën, domethënë ta tërhiqte flotën perse në ngushticat.[36] Ky ishte pikërisht lajmi që Kserksi dëshironte të dëgjonte: se athinasit mund të ishin të gatshëm t’i nënshtroheshin dhe se ai do të ishte në gjendje të asgjësonte pjesën tjetër të flotës aleate.[36] Me sa duket, Kserksi e kapi karremin dhe atë mbrëmje flota perse u dërgua për ta kryer këtë bllokadë.[38] Kserksi urdhëroi gjithashtu të vendosej një fron në shpatet e malit Egaleo, prej nga ngushticat shiheshin qartë, që ta ndiqte betejën nga një vend i përshtatshëm dhe të shënoheshin emrat e komandantëve që do të dalloheshin më shumë.[39]

Sipas Herodotit, aleatët e kaluan mbrëmjen duke debatuar ashpër për hapat që duhej të ndërmerrnin.[40] Peloponezasit donin të largoheshin[41] dhe pikërisht atëherë Themistokliu vuri në zbatim dredhinë e tij ndaj Kserksit.[37] Vetëm kur atë natë mbërriti Aristidi, gjenerali athinas i mërguar, së bashku me disa dezertorë nga ana perse, duke sjellë lajmin se flota perse ishte vendosur tashmë,[42][43] peloponezasit e kuptuan se nuk mund të largoheshin më dhe se duhej të luftonin në Salaminë.[44]

Megjithatë, qetësia me të cilën peloponezasit e pranuan se tashmë duhej të luftonin në Salaminë lë të kuptohet se ata mund të kenë qenë në dijeni të planit të Themistokliut.[45] Kjo i dha flotës aleate mundësinë të përgatitej siç duhej për betejën e ditës së nesërme, ndërsa persët e kaluan natën kot në det, duke kërkuar largimin e supozuar të grekëve. Të nesërmen në mëngjes, persët hynë në ngushticë për të sulmuar flotën greke. Nuk është e qartë se kur, pse dhe si u mor ky vendim, por është e qartë se ishin persët ata që e nisën betejën kundër aleatëve.[39]

Forcat kundërshtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Një triremë greke

Herodoti njofton se flota greke numëronte 378 trireme dhe më pas i ndan këto sipas poliseve, siç paraqitet në tabelën poshtë.[46] Megjithatë, numrat që ai jep për kontingjentet e veçanta arrijnë vetëm në 371. Ai nuk thotë shprehimisht se të 378-të anijet luftuan në Salaminë,[47] ndërsa për egjinetët shton se ata kishin edhe anije të tjera të gatshme, por se me to ruanin tokën e tyre dhe në Salaminë luftuan me tridhjetë anijet më të afta për lundrim.[48] Prandaj është hamendësuar se ndryshimi në numër shpjegohet me një garnizon prej 12 anijesh të lëna në Egjinë.[49] Sipas Herodotit, edhe dy anije të tjera dezertuan nga persët te grekët, njëra para Artemisionit dhe tjetra para Salaminës, kështu që numri i përgjithshëm i anijeve në Salaminë do të kishte qenë 373, ose 380.[50]

Sipas dramaturgut athinas Eskili, i cili vetë mori pjesë në Betejën e Salaminës, flota greke numëronte 310 trireme, ku dallimi lidhet me numrin e anijeve athinase.[51] Ktezia pohon se flota athinase numëronte vetëm 110 trireme, gjë që përputhet me shifrat e Eskilit.[52] Sipas Hiperidit, flota greke numëronte vetëm 220 anije.[53] Flota ishte në të vërtetë nën komandën e Themistokliut, por formalisht drejtohej nga fisniku spartan Euribiadi, siç ishte rënë dakord në kongresin e vitit 481 p.e.s.[54] Edhe pse Themistokliu ishte përpjekur të merrte drejtimin e flotës, poliset e tjera që kishin forca detare e kundërshtuan këtë. Si kompromis, komanda e flotës iu besua Spartës, e cila nuk kishte traditë detare.[54]

Flota greke
Polis Numri i anijeve Ref. Polis Numri i anijeve Ref. Polis Numri i anijeve Ref.
Athina 180 [55] Korinti 40 [56] Egjina 30 [48]
Kalkida 20 [48][56] Megara 20 [56] Sparta 16 [57]
Sikioni 15 [57] Epidauri 10 [57] Eretria 7 [48]
Ambrakia 7 [58] Trojzena 5 [57] Naksosi 4 [48]
Leukada 3 [58] Hermiona 3 [57] Stira 2 [48]
Kitnosi 1 (1) [48] Keosi 2 [48] Melosi (2) [48]
Sifnosi (1) [48] Serifosi (1) [48] Krotoni 1 [59]
Gjithsej 371 ose 378[47] (5)

Shënim: Numrat pa kllapa tregojnë anije të tipit triremë, ndërsa numrat në kllapa tregojnë anije të tipit pentekontorë, pra galera me pesëdhjetë rrema.

Dinasti likian Kubernis (520–480 p.e.s.) udhëhoqi 50 anije likiane në flotën akamenide.

Sipas Herodotit, flota perse në fillim numëronte 1207 trireme.[60] Megjithatë, sipas llogaritjes së tij, ajo humbi afërsisht një të tretën e këtyre anijeve në një stuhi pranë brigjeve të Magnezisë,[61] edhe 200 të tjera në një stuhi pranë brigjeve të Eubesë,[62] si dhe të paktën 50 anije nga veprimet e grekëve në Betejën e Artemisionit.[62][63] Herodoti pohon se këto humbje u zëvendësuan plotësisht,[64] por përmend vetëm 120 anije si përforcime, të ardhura nga grekët e Trakës dhe të ishujve përreth.[65] Eskili, i cili luftoi në Salaminë, pohon gjithashtu se atje u përball me 1207 anije luftarake, prej të cilave 207 ishin “anije të shpejta”.[66] Diodori[67] dhe Lisia[68] pohojnë në mënyrë të pavarur se në pranverën e vitit 480 p.e.s. flota perse e mbledhur në Dorisk numëronte 1200 anije. Numri 1207, vetëm për gjendjen fillestare, jepet edhe nga Efori,[69] ndërsa mësuesi i tij Isokrati pohon se në Dorisk kishte 1300 anije dhe në Salaminë 1200.[70][71] Ktezia jep një shifër tjetër, 1000 anije,[52] ndërsa Platoni, duke folur në terma të përgjithshëm, përmend 1000 ose më shumë anije.[72]

Herodoti jep një listë të saktë të anijeve të kombeve të ndryshme që përbënin flotën akamenide:[73]

Flota akamenide sipas Herodotit
Kombësia Numri i anijeve Kombësia Numri i anijeve Kombësia Numri i anijeve
Fenikia 300 Egjipti 200 Qiproja 150
Kilikia 100 Jonia 100 Frigjia e Helespontit 100
Karia 70 Eolia 60 Likia 50
Pamfilia 30 Doria 30 Cikladet 17
Gjithsej 1207

Numri1207 del shumë herët në traditën historike, qysh në vitin 472 p.e.s., dhe duket se grekët besonin vërtet se ishin përballur me kaq anije. Për shkak të përputhshmërisë së burimeve të lashta, disa historianë modernë priren ta pranojnë numrin 1207 si madhësinë fillestare të flotës perse;[74][75][76] të tjerë, përkundrazi, e hedhin poshtë këtë numër, duke e parë si një numër me prejardhje letrare, i marrë nga flota e bashkuar greke e përmendur në Iliadë, dhe në përgjithësi pohojnë se persët nuk mund të kenë pasur në Egje më shumë se rreth 600 anije luftarake.[76][77][78] Megjithatë, shumë pak studiues duket se pranojnë se në Salaminë kishte kaq shumë anije; shumica mbështesin një shifër midis 600 dhe 800.[79][80][81] Ky është edhe intervali që del po të mblidhet numri i përafërt i anijeve perse pas Artemisionit, rreth 550, me përforcimet prej 120 anijesh që përmend Herodoti.[65]

Konsiderata strategjike dhe taktike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Beteja e Salaminës, ilustrim i shekullit XIX.
  1. Beaton, Roderick (2021). The Greeks: A Global History (në anglisht) (bot. 1st). New York: Basic Books. fq. 112. ISBN 9781541618299.
  2. "Darius I, DNa inscription, Line 28" (në anglisht).
  3. 1 2 Holland, Tom (2005). Persian Fire (në anglisht). Abacus. fq. 47–55. ISBN 978-0-349-11717-1.
  4. 1 2 Holland, p.203
  5. Herodotus V, 105
  6. 1 2 Holland, pp.171–178
  7. Herodotus VI, 44
  8. 1 2 3 Holland, pp.178–179
  9. Herodotus VI, 101
  10. Herodotus VI, 113
  11. Holland, pp.206–206
  12. Holland, pp.208–211
  13. 1 2 Holland, pp.213–214
  14. Herodotus VII, 35
  15. Holland, pp.217–223
  16. Herodotus VII, 32
  17. Herodotus VII, 145
  18. Holland, p.226
  19. Holland, pp.248–249
  20. Herodotus VII, 173
  21. Holland, pp.255–257
  22. Herodotus VIII, 40
  23. Holland, pp.292–294
  24. Herodotus, VIII, 21
  25. Dandamaev, E. A. (1989). A Political History of the Achaemenid Empire (në anglisht). Leiden, The Netherlands: E. J. Brill. fq. 204. ISBN 90-04-09172-6.
  26. Herodotus VIII, 22
  27. Herodotus VIII, 50
  28. Herodotus VIII, 71
  29. Holland, pp.302–303
  30. Holland, pp.302–303
  31. Herodotus VIII, 63
  32. 1 2 3 4 5 Lazenby, pp.164–167
  33. 1 2 Herodotus VIII, 68
  34. Herodotus VIII, 69
  35. Herodotus VIII, 74
  36. 1 2 3 4 5 6 Holland, pp.310–315
  37. 1 2 Herodotus VIII, 75
  38. Herodotus VIII, 76
  39. 1 2 Holland, p.318
  40. Herodotus VIII, 78
  41. Herodotus VIII, 70
  42. Herodotus VIII, 81
  43. Herodotus VIII, 82
  44. Herodotus VIII, 84
  45. Holland, p.316
  46. Herodotus, VIII, 44–48
  47. 1 2 Herodotus VIII, 48
  48. 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 Herodotus VIII, 46
  49. e.g., Macaulay, in a note accompanying his translation of Herodotus VIII, 85
  50. Herodotus VIII, 82
  51. Aeschylus, The Persians
  52. 1 2 Ctesias, Persica Arkivuar 2020-10-09 tek Wayback Machine (from Photius's Epitome)
  53. Lee, A Layered Look Reveals Ancient Greek Texts
  54. 1 2 Holland, pp.226–227
  55. Herodotus VIII, 44
  56. 1 2 3 Herodotus VIII, 1
  57. 1 2 3 4 5 Herodotus VIII, 43
  58. 1 2 Herodotus VIII, 45
  59. Herodotus VIII, 47
  60. Herodotus VII, 89
  61. Herodotus VII, 188
  62. 1 2 Herodotus VIII, 14
  63. Herodotus VIII, 11
  64. Herodotus VIII, 60
  65. 1 2 Herodotus VII, 185
  66. Aeschylus, The Persians
  67. Diodorus Siculus XI, 3
  68. Lysias II, 27
  69. Ephorus, Universal History
  70. Isocrates, Oration VII, 49
  71. Isocrates, Oration IV, 93
  72. Plato, Laws III, 699
  73. Romm, James (2014). Histories (në anglisht). Hackett Publishing. fq. 381. ISBN 9781624661150.
  74. Köster (1934)
  75. Holland, p.394
  76. 1 2 Lazenby, pp.93–94
  77. Green, p.61
  78. Burn, p.331
  79. Ιστορία του Ελληνικού Έθνους 1971
  80. Demetrius, 1998
  81. Lazenby p.174

Burime të lashta

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Efori, Historia universale

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]