Bobla

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Bobla është instrument natyral muzikor aerofon

Vegël paramuzikore popullore.

Përbërja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Boblat janë instrumente aerofone të cilat populli ynë i ka ndërtuar nga briri i bagëtive të trasha si briri i lopës, i buallit etj. ose nga guaska e kërmillit të detit (lat. helix).

Prejardhja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ky instrument është i trashëguar nga kohët e lashta. Disa muzikologë kanë shprehur mendimin së është trashëguar nga epokat e gurit. [1] Bobla është përdorur që në epokat parahistorike ku njerëzit filluan të shfrytëzojnë për zëdhënie tytat e ndryshme, siç ishin brirët e kafshëve. Pra ky instrument nuk përdorej zakonisht për të kënaqur dëgjuesit por vetëm si zëdhënie. Nga zbulimet arkeologjike dëshmohet se briri i bagëtive dhe guaskat e xhavidheve të mëdha kanë shërbyer si mjete zëdhënëse për disa popuj të lashtësisë si asirët, egjiptianët, hebrenjtë, [2] fenikasit, grekët, romakët, etruskët, etj..

Vendodhja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bobla prej guaskës së kërmillit përdoret kryesisht nga banorët e viseve bregdetare të Shqipërisë Jugperëndimore, ndërsa bobla e bririt përdoret nga trevat e brendshme. Barinjtë labë e përdornin boblën në stane, si zëdhënëse, gjithashtu përdorej nga bujqit çamë, rojtarët e vreshtave dhe misërishteve, mullinjënsit e Mallakastrës dhe shtrihej deri tek peshaktarët e Vlorës, Durrësit dhe Lezhës. Ky instrument është njohur edhe në traditën e arbëreshëve të Italisë [3] e dëshmuar nga vargu i B. Bilotës “Zëni e çuturnoni brirat” (d. m. th. filloni t’u bini brirëve).[4]

Struktura dhe Tingëllimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Struktura e këtij instrumenti është e thjeshtë ku në cepin e saj hapet një vrimë. Tingujt e tij përftohen nga dridhja e buzëve të tendosura në atë vrimë dhe diapazoni i tyre varet nga përmasat dhe cilësia e tytës. Tingulli që prodhon ky instrument është buçitës, timbër shungullues dhe nga ana muzikore tingujt e tij janë thjesht disa tinguj themelorë, natyrorë. Pra nuk është instrument shumë i zhvilluar dhe nuk mund të shtjellojë jone të mirëfillta. Madje bobla e detit, për shkak të përdredhjes së guaskës nga brenda nuk mund as të prodhojë tinguj harmonikë (obertone), sepse rryma e frymës nuk ndahet në pjesët alikuote në guaskë. Aristoteli dëshmon në veprën e tij se për t’i shtuar kumbimin e piqnin bririn në zjarr. Me kalimin e kohës në vendin tonë është venitur përdorimi i këtij instrumenti dhe sot ky instrument nuk gjen më përdorim.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Werner Danckert, “Melodiestile der finisch-ungrichen Hhirtenvolker” në “Studia Memoriae Belae Bartok Sacra”, Budapest 1956, fq. 175
  2. ^ Bibla, Eksodi, 16 – 17
  3. ^ A. Scura, “Gli albnesi d’Italia e i loro canti tradizionali”
  4. ^ B. Bilota, “Opere inedited, cit. E. Giordano në “Fjalor i Arbëreshëve të Italisë”, Bari 1963

Sokoli R., “Veglat Muzikore Popullore Shqiptare”, VASSI

Sokoli R. dhe Miso P., “Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar”

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]