Boshtet e mbivendosura të politikës së jashtme

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Boshtet e mbivendosura të politikës së jashtme Autori: Agim Nesho. Botuesi: UET PRESS. Faqet e librit 136.

Autori merr, në një analizë të hollësishme kritike, aktorët më me peshë në shtrirje globale, si dhe të marrëdhënieve që Shqipëria lypset të ndërtojë me çdonjërin prej tyre, duke parashtruar, në të njëjtën kohë, rrugët e kahet që duhen ndjekur për t’u orientuar me sens realist në zhvillimet e vrullshme të botës së sotme. Për të, një rëndësi të veçantë kanë faktorët historikë e bashkëkohorë, parimorë e pragmatikë, strategjikë e gjeopolitikë.

Ajo çka të bie në sy në gjykimet dhe vlerësimet e Neshos është njohja, deri në hollësi të imta, e dinamikave diplomatike në politikën e jashtme të çdo vendi, si dhe perceptimi realist i konceptit të marrëdhënieve me “të mëdhenjtë”. Në punimin e vet autori u kushton një vëmendje të veçantë marrëdhënieve që lypset të ndërtojë shteti dhe politika shqiptare me vendet fqinje në veçanti dhe ato të rajonit në përgjithësi në kornizën e konteksteve të krijuara pas viteve ‘90, shembjes së mureve të diktaturave njëpartiake dhe përfundimit të konflikteve të përgjakshme në hapësirën e ish-Jugosllavisë, duke i hedhur sytë nga perspektiva që ofron shekulli XXI dhe zhvillimet e pritshme në të.

Teza e Neshos lidhur me boshtet e mbivendosura të politikës së jashtme, tezë që përbën edhe strumbullarin e këtij libri, sjell një risi në politikën tonë të jashtme, si dhe i shërben instrumentit të aplikimit të saj, diplomacisë. Autori përpunon dhe hedh idenë e tri boshteve ku mund e duhet të mbështetet politika jonë e jashtme. Libri është i pajisur me një bibliografi të pasur artikujsh dhe botimesh nga autorë shqiptarë e të huaj.