Brraka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Brraka është një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Tiranës. Lagjia e Brrakës shtrihet në pjesën veriperëndimore të qendërs së qytetit të Tiranës, duke u kufizuar në Veri nga Unaza e Mesme midis Stacionit të Trenit dhe Zogut të Zi; Rrugës së Durrësit dhe Fortuzit në Jug dhe Bulevardit Zog I në Lindje.

Përmendja e parë e kësaj lagjeje të vjetër na vjen në fillim të viteve 1700 si nocion zonal i qytetit. Emri Brrakë vjen nga Bërrakë që do të thotë vend ku buron ujë dhe rri amull, moçalishte; vend i ulët që e zë uji shpejt. Është e vërtetuar se në këtë zonë të Tiranës, mund të dalë ujë fosil edhe në thellësinë 5 metra.

Në vitet 1880 Brraka ishte një lagje e mirëfilltë e Tiranës, pronë e familjeve të pasura tiranase dhe kishte disa shtëpi të tipit kullë dy katëshe me tulla balte dhe tra druri. Në këtë kohë, përreth këtyre shtëpive u ngulën me lejen e pronarëve të tokave edhe pjestarë të komunitetit rom, të cilët u shërbenin këtyre familjeve në punët bujqësore dhe tregtare.

Sot Brraka përshkohet mespërmes nga një rrugë e sistemuar, me një kalim, me trotuare nga të dy anët, ndriçim, godina banimi, institucione të ndryshme, dhe biznese. Rruga mban emrin e Haxhi Hysni Dalliut, hoxhë, studiues, veprimtar i çështjes kombëtare, i persekutuar nga regjimi osman për veprimatëritë e tij atdhetare dhe predikimin e një islami tolerant.

Brraka sot përfaqëson një potencial të madh ekonomik për zhvillimin dhe zgjerimin e qytetit dhe reflekton bashkëjetesën në harmoni të banorëve autoktonë dhe të ardhurve rishtazi nga i gjithë vendi.