Bushatllinjtë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Bajraku i Karamahmud Pashës

Bushatllinjtë, në Shkodër beglerët Bushatlij, kanë qenë një familje ajanësh e njohur në historinë e Perandorisë Osmane, kur spikatën në gjysmën e dytë të shekullit 18, si dhe për kontributin e tyre në para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë.

Llagëpi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pavarësisht konvencionit për ta emërtuar këtë oxhak Bushatllinj, dokumentacioni tregon se ky emërtim është relativisht më i rishtë sesa mendohet për mënyrën se si janë pasqyruar ndër anale, gojëdhëna, dokumentime e letërkëmbime anëtarët e këtij oxhaku. Vetë fshati me të cilin llagëpi ka lidhje të drejtëpërdrejtë, dokumentohet herët, por në bashkërendim me këtë familje për herë të parë e pasqyron kronisti turk Çelebi me togfjalëshin Bushatllar kasabasi (sq. qyteza e Bushatllijve). Pas tij i vetmi që e përdor shkoqur llagëpin është Ahmet Xhevdet Pasha më 1895. Çelebiu kur takoi çifligarin e Bushatit, e identifikon "pasardhës i Jusuf Beut, trashëgimtar i pallatit nga Jusuf bej Plaku, që prej kohës së sulltan Mehmet Fatihu II".

Pinjolli i familjes dhe studjuesi Hamdi Bushati konstaton se asnjëri prej pashallarëve të këtij oxhaku nuk e ka përdorur llagëpin "Bushatlli" dhe nuk figuron në literaturën osmane pas-Çelebiut. Vetë pashallarët përdornin epitetin Ishkodrali, pra Shkodrani.[1]

Prejardhja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga radhitja e varianteve, origjinat e lakuara nga historishkruesit janë:

  • Prej Gojanit të Mirditës.
  • Prej familjes princërore Dukagjini
  • Prejardhje nga një familje e fisme vendase të kohës së Venedikut, e konvertuar në Islam.

Mirdita[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ky variant i mbështetur tek një gojëdhënë popullore, e cila thotë se të parët e tyre ranë nga fshati Gojan i Mirditës dhe u vendosën në fshatin Bushat të Shkodrës rreth vitit 1630. Përafërsisht vitit 1650 i pari i tyre i njohur, Ymer beu, u bë spahi i fshatit dhe i zonës përreth.[2]

Ky variant bëhet i pavlefshëm sipas argumentimit të H. Bushatit, i cili shpjegon se bëhet fjalë për një situatë kur Reshiti i Mehmed begut (jo Plaku) u strehua në Gojan pas vrasjes së të atit, për 6 vjet tek familja e Gjin Lekës. Prej kësaj i mbeti nofka Beu i Gojanit, duke dhënë shkas për bashkëshoqërimin e një origjine me Gojanin[1] e divulguar si tezë edhe prej Dom Ndoc Nikës.

Dukagjinët[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Qazim Bushati, pushkatuar nga komunistët

Lidhja me Mirditën bëhet më e hershme duke e çuar mbrapa në kohë mundësinë e prejardhjes nga familja e Dukagjinëve mesjetarë, meqë edhe Mirdita ishte ndër zotërimet e tyre. Ndër përkrahësit e këtij varianti ishin Sami Frashëri,[3] Tefë Curani, Dora d'Istria dhe Hekardi pohojnë se "... ky bark rrjedh prej parisë së Dukagjinit që janë përmendë qysh në kohë të Skënderbeut." Për H. Bushatin e tyrja është vetëm këmbëngulje.

Sumej-Beganji[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shaqir begu, kryesoi një çetë në të ashtuquajturën Lufta e Miletit, dalëzotjen e Hotit dhe Grudës nga dega e Shkodrës e Lidhjes së Prizrenit;[4] i ati i Xhemal bej Bushatit.

Shënimet e priftit shqiptar Gjergj Bardhi mbi udhëtimet e veta në viset veriore në maj 1638 shkruajnë:

Megjithëse Shqipëria e Veriut është në Turqinë, në fakt atë e sundonin, sikurse në shek. XV, disa zotër feudalë të fuqishëm. E përmendur ishte asokohe shtëpia e Sumejve ose e Beganëve. Sulltan Murati IV në vitet 1623-1640 ia besoi sanxhakun e Shkodrës Mehmet beut, pjesëtar i oxhakut Sumej-Beganji.

Në referencën popullore në Shkodrën e qëmotit, qytet e krahinë, përdorej shpesh shprehja "si Begajt e Bushatit e Aliajt e Kastratit", me anë të së cilës diktohej hershmëria e fisnikëria e një familjeje. Shprehje kjo me fjalën Begaj që për H. Bushatin ndihmon në vërtetimin e pohimit të priftit Bardhi.

Autorët e tekstit "Historia e Shqipërisë" më 1967 kanë arritur gjithashtu të njëjtin konkluzion kundrejt prejardhjes nga kjo familje.[1]

Në Regjistrin e Kadastrës i quajturi Aleks Begani përmendet ka prona në përkatësitë e Shkodrës, mban prona me konçension, kreu i fshatit Balldre.[5] Për t'u siguruar rreth mërgimtarëve shkodranë të ikur në Venedik që do t'u lidhej pension, më 1483 ipeshkvi i Shkodrës Françesk de Santi dëshmon se kishte njohur Katerina Began, gruan e Tane Progon Began nga Shkodra. Më 1484 iu dha në ndihmë paja Sana Beganit, vajza e fisnikut shkodran Marin Began, duke marrë 20 dukate pajë. Ndër dokumentet e Senatit të Venedikut përmendet edhe Lukë Begani, ndaj të cilit thuhet se duhet treguar respekt i veçantë; i përkiste një familjeje nga më të shquarat.[6]

Bushatlinjtë e Bosnies[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një degëzim i familjes u zhvendos drejt viseve boshnjake, duke u vendosur në Livanji ku blenë prona dhe u bënë bejlerët e vendit. Njëri prej tyre Mahmut beg Bushatlija kundërshtoi austriakët kur e aneksuan Bosnien më 1878. Për shkak të kësaj qendrese, 80 anëtarë të familjes së tij u shpërngulën dhe plaçkitën. Disa prej tyre u vendosën në Bugojna dhe Donjeg Vakufi dhe Ibrahim bej Bushatliu u vendos në Vitinë, ku bleu toka për nevojat e familjes së tij.[7]

Prej të birit të Ibrahim beut, Mehmet beut martuar me Miralem hanmin, patën jetë Kana, Asimi (mjek primar, epidemiolog), Zlata Bušatlija-Haračić (filologe e gjuhëve romance, arsimtare e frëngjishtes, italishtes dhe latinishtes), Emina (Minka) Bušatlija-Stojanović e ëma e drejtorit të Teatrit Jugosllav të Dramës dhe regjizorit Gorčin Stojanović, dhe gjeografi, gjeomorfologu e akademiku jugosllav Ibrahim Bušatlija (Vitinë, 1930 - Sarajevë, 28 janar 1989).[7]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c Bushati, Hamdi (2003). Bushatllinjtë. Shkodër: Idromeno. fq. 28–36. ISBN 99927-841-2-1.
  2. ^ Vlora, Eqrem bej; Von Godin, Marie Amelie von Godin (2010) [1956]. Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: eine historische Skizze [Kontribute në historinë e sundimit turk në Shqipëri: një Skicë Historike]. Vëll. 1. Tiranë: Shtëpia Botuese "55". fq. 291–292. ISBN 978-99943-56-83-6.
  3. ^ Frashëri, Sami (2002). Shqipëria dhe shqiptarët: Materiali nxjerrë nga "Diksionieri historik e gjeografik". Përkthyer nga Hasan Bakiu, Zyber. Tiranë: Dajti 2000. fq. 244. ISBN 9789992772027. Origjina e kësaj familjeje shkodrane, sipas një thënieje, është nga familja princore e Dukagjinit...
  4. ^ Dushi, Anila (14 janar 2012) [9 korrik 2007]. "Bushatlinjtë, historia e një fisi që nuk iu bind asnjë regjimi". orientalizmi.wordpress.com. Shekulli.
  5. ^ Zamputti, Injac (1977). Regjistri i Kadastrës dhe i Koncensioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417. Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Instituti i Historisë. fq. 23.
  6. ^ Nadin, Lucia (2008). Shqiptarët në Venedik: Mërgim e integrim 1479-1552. Përkthyer nga Pëllumb Xhufi. Tiranë: 55. fq. 32–33, 56. ISBN 978-99943-56-41-6.
  7. ^ a b Mahić, Kemal (29 janar 2019). "Prof. dr. Ibrahim Bušatlija, (1930)". ljubusaci.com (në boshnjakisht).