Shko te përmbajtja

Derveni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Derveni është krahinë historike dhe gjeografike shqiptare në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut. Shtrihet në luginën dhe grykën e Dervenit duke përfshirë fshatra të ndryshme me popullsi kryesisht shqiptare.

Emri i krahinës, Derveni, ka rrënjë etimologjike nga fjala turke derbend, që do të thotë „grykë mali“. Toponimi duket se është i formuar gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, kurse nuk ka të dhëna të sakta se si është quajtur kjo krahinë gjatë mesjetës apo në periudha më të hershme.[1]

Krahina e Dervenit, që përfshin Dervenin e Poshtëm dhe atë të Epërm, shtrihet në pjesën veriperëndimore të fushëgropës së Shkupit dhe paraqet një njësi të veçantë gjeografike. Territori i saj arrin një sipërfaqe prej rreth 217 km², e cila përkufizohet nga vargmalet që rrethojnë luginën e Vardarit dhe të Treskës dhe nga kufijtë natyrorë të përshkruar më tej.

Pamja e kufirit juglindor të Dervenit: Rrjedha e Treskës poshtë; majtas shihen arat e Matkës edhe Gllumova (2010)
Kufijtë veriperëndimorë

Kufiri veriperëndimor nis në Grykën e Zhedenit, te Vardari, pranë vendit të quajtur Përroi i Megjes, dhe ngjitet drejt majës më të lartë të masivit Zhedeni i Madh (1260 m). Më tej ai ndjek vijën e majave të Zhedenit, si Lakatishta, Zhedeni i Vogël (1225 m) dhe Kodra e Shajncit (1150 m), e deri te shpatet jugperëndimore të malit pranë fshatit Cerovë. Ky segment kufitar ka një shtrirje rreth 18 km.

Kufijtë jugperëndimorë

Në pikën ku përfundon kufiri veriperëndimor (707 m) nis kufiri jugperëndimor, i cili kalon përmes vendit të quajtur Suvodolicë (523 m), lokalitet në fshatin Grupçin që shtrihet ndërmjet Pollogut dhe Dervenit. Prej këtu ai ndjek kreshtën e Golobërdës deri në majën Bush (960 m), dhe vazhdon drejt Kodrës së Mesme (1017 m). Në vijim kufiri ndjek lakun e Svetës (rreth 900 m) dhe kalon në kodrat e Malit të Thatë, duke përfshirë majat më të larta të segmentit jugperëndimor, si Manivar (1661 m). Gjatësia e këtij kufiri arrin rreth 15 km.

Kufijtë juglindorë

Kufiri juglindor lidhet me masivin e malit Osoj. Ai përfshin majat Tabahan (1748 m), Kërstec (1401 m), Ilin Grob (1372 m) dhe disa pika të tjera (me lartësi ndërmjet 1260 dhe 1610 metrash). Pas këtyre lartësive kufiri zbret drejt shpatit verilindor të Osojit, deri në kuotën 627 m në pjesën veriore të Grykës së Treskës. Prej kësaj pike, segmenti juglindor ndjek rrjedhën e lumit Treska deri në bashkimin e tij me lumin Vardar. Gjatësia e përgjithshme e këtij kufiri afron 30 km.

Kufijtë verilindorë

Kufiri verilindor formohet nga rrjedha e Vardarit. Ai nis midis fshatrave Radushë dhe Rashçe dhe vijon drejt juglindjes përgjatë luginës së lumit, duke përfshirë edhe Grykën e Zhedenit deri te burimet e Rashçes. Më tej kufiri ndjek Vardarin deri në derdhjen e Treskës. Ky segment ka një shtrirje rreth 15 km.

  • Grupçini
  • Cerova
  • Bojana
  • Kopanica
  • Rashçeja
  • Lubini
  • Saraji
  • Gllumova
  • Matka
  • Arnaqia
  • Semenishti
  • Çajlana
  • Bukoviqi
  • Raoviqi
  • Paniçari
  • Llaskarca
  • Rogleja
  • Novo Sella
  • Merova
  • Jabllanica
  • Kopaçin Dolli
  • Çifliku
  • Llërca
  • Dëbërca
  • Baki Bakiu: Emigrimi i familjeve shqiptare në Turqi nga Derveni i Poshtëm i Shkupit dhe rrethina (1953-1961). Abiz & Fondacioni Dauti, Shkup, 2021.
  • Ismail Ibishi: Rezistenca e lëvizjes kombëtare shqiptare ne Derven të Shkupit. Shkup, 2012.
  • Xhemaludin Idrizi: Mikrotoponimia e Dervenit të Shkupit. Shtypshkronja Alfa 94, Shkup, 2019.
  • Besnik Rameti: Trashëgimia kulturore dhe natyrore në Derven të Shkupit . Shkup, 2020.
  1. Xhemaludin Idrizi: Mikrotoponimia e Dervenit të Shkupit. Shtypshkronja Alfa 94, Shkup, 2019. F. 15