Shko te përmbajtja

Dioqeza Ortodokse Shqiptare e Amerikës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Albanian Orthodox Diocese of America
Dioqeza Ortodokse Shqiptare e Amerikës
Peshkop Ilia (Katre) në vitin 2008
TerritoriSHBA, Kanada
SeliaLas Vegas, Nevada
Kishat12 (2026)
Anëtarë45.250
PërkatësiaOrtodoksia Lindore
Kisha sui iurisPatrikana Ekumenike
RitiBizantin
Themeluar1949
Boston, SHBA
nga Athenagoras (Spiru) dhe Fan Noli
GjuhaShqipe, Anglisht
MuzikaHimnet Bizantine
Uebfaqja
Albanian Orthodox Diocese in America, në faqen e KOG

Dioqeza Ortodokse Shqiptare në Amerikë (Albanian Orthodox Diocese of America) është një juridiksion i Patrikanës Ekumenike në Shtetet e Bashkuara.

Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, komunitetet ortodokse shqiptare në Amerikë ishin lirshëm të lidhura me njëri-tjetrin, ku gjashtë nga pesëmbëdhjetë komunitete pretendonin status "të pavarur" dhe të tjerët nuk u organizuan si dioqeza deri pas Luftës së Dytë Botërore. Dioqezat më të hershme të organizuara shqiptare u ngritën nën kujdesin e Kishës Katolike Greke Ortodokse Ruse (tani Kisha Ortodokse në Amerikë), sepse Kisha e Konstantinopojës nuk lejonte ngritjen e asnjë Kishe Ortodokse Shqiptare dhe zyrtarisht kundërshtonte përdorimin e gjuhës shqipe në kisha deri në vitin 1937, kur Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë u njoh nga Konstantinopoja.[1][2][3] Kjo mbështetje administrative pasqyrohet edhe në propozim-buxhetin e Kryepeshkopit rus Evdokim drejtuar Sinodit të Shenjtë më 26 janar 1916, ku përfshihej një ndarje specifike fondesh për administratorët e misionit shqiptar, së bashku me ato serbe, rumune dhe greke.[4]. Më tej, Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës së Veriut u mblodh zyrtarisht më 16 mars 1919 në sallën "Franklin Union Hall" në Boston, Massachusetts, nën kryesinë e Kryepeshkopit rus të Nju Jorkut, Aleksandër (Nemolovsky). Ky këshill, ku morën pjesë mbi 1.000 laikë shqiptarë si dhe delegatë laikë kuco-vllahë (arunmunë) nga Maqedonia dhe Shqipëria, u mblodh me qëllim zgjedhjen e Arkimandritit Teofan S. Noli si peshkop i Bostonit dhe kryetar i Misionit Ortodoks Shqiptar.[5]

Këto dioqeza të hershme shqiptare në Amerikë udhëhiqeshin nga Fan S. Noli, dhe në vitin 1908 u bë përkthimi i parë i liturgjisë në gjuhën shqipe. Pas trazirave politike që pasuan Revolucionin e Tetorit të vitit 1917 në Rusi, të gjitha lidhjet me Kishën Ortodokse Ruse u shkëputën dhe kishat shqiptare nën udhëheqjen e Nolit u bënë të pavarura.[6] Në vitet 1920 Noli u mërgua në Gjermani, duke u kthyer në vitin 1932. Kthimi i tij rihapi diskutimin për nevojën e një dioqeze kanonike shqiptare në Amerikën e Veriut; Noli ishte shuguruar në vitin 1922 si Peshkop i Durrësit nga Kisha e Shqipërisë, e cila nuk pretendonte asnjë juridiksion në Amerikën e Veriut, ndaj ai nuk mund të merrte njohjen si kreu i një dioqeze në Amerikë.

Në dhjetor të vitit 1944, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kisha luajti gjithashtu një rol aktiv politik duke u dërguar një peticion "Tri Fuqive të Mëdha" (Presidentit të SHBA Roosevelt, Kryeministrit britanik Churchill dhe udhëheqësit sovjetik Stalin) për të kërkuar njohjen zyrtare të qeverisë së re shqiptare, një nismë kjo që u mbështet edhe nga dega e Waterbury-t e Federatës "Vatra".[7]

Gjatë kësaj periudhe të hershme, imigrimi i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara nuk kishte përmasa të mëdha; shumica e tyre erdhën gjatë trazirave që pasuan Luftën e Parë Botërore, ndonëse shumë u kthyen në atdhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Nga rreth 25.000 shqiptarë që jetonin në vend, rreth 12.500 prej tyre ishin anëtarë të Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila shtrihej në 13 famulli. Kisha ishte mjaft aktive në organizimin e shoqërive kombëtare, arsimore dhe muzikore, midis të cilave Federata "Vatra" luajti një rol me mjaft ndikim në luftën për lirinë e Shqipërisë. Këto trembëdhjetë kisha lokale raportoheshin nën juridiksionin e Peshkopit Fan Noli të Bostonit, i cili mbante kontakte të ngushta por nuk udhëhiqej drejtpërdrejt nga Sinodi i Shenjtë i Shqipërisë, ndonëse ekzistonte një dëshirë e fortë midis besimtarëve për t'i vendosur kishat nën juridiksionin shpirtëror të atij sinodi përmes një administratori të caktuar prej tij.[8]

Me polemikat rreth statusit të peshkopit Fan Noli, përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe shtypjen e manipulimin në rritje të Kishës Ortodokse Shqiptare nga qeveria e re komuniste, një pjesë e rëndësishme e shqiptaro-amerikanëve ortodoksë i kërkuan patriarkut të Konstantinopojës, Athinagorës, të dërgonte një peshkop kanonik. Mark Lipa organizoi dioqezën në vitin 1950 dhe pranoi në të komunitetin e madh në Çikago dhe një famulli më të vjetër, e cila ishte e para nga tri famullitë ortodokse shqiptare që u vendosën në Bostonin Jugor (South Boston).

Dhjetë famulli të tjera ortodokse shqiptare u përfshinë nën kryedioqezën e peshkopit Fan Noli, ndërsa dy famulli mbetën me status "të pavarur".

Në vitin 1965, pas vdekjes së peshkopit Fan Noli, pa një emërim kryedioqezan dhe nën hijen e ndikimit komunist, Kisha Ortodokse Shqiptare shuguroi pasardhësin e tij, peshkopin Stefan Lasko, i cili nuk u pranua në të gjithë kryedioqezën dhe po ashtu nuk mundi të fitonte njohje kanonike nga juridiksionet e tjera ortodokse në Amerikën e Veriut. Situata u ndërlikua më tej nga shtypja e plotë publike e të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri, ku vetëm besimtarët ortodoksë më të vendosur mbanin një jetë liturgjike të fshehtë.

Peshkopi Mark Lipa dhe Dioqeza Ortodokse Shqiptare e Amerikës ritheksuan statusin e tyre si i vetmi juridiksion kanonik ortodoks shqiptar në Amerikë. Deri në tetor të vitit 1971, me pranimin e peshkopit Stefan Lasko dhe Kryedioqezës Ortodokse Shqiptare në Amerikë si një dioqezë përbërëse e Kishës Ortodokse në Amerikë (OCA), polemika kanonike mori fund. Sipas të dhënave statistikore të asaj periudhe, komunitetu ortodoks shqiptar në Amerikë numëronte gjithsej 45.250 anëtarë të ndarë në dy grupe: Kryepeshkopata Ortodokse Shqiptare (grupi më i madh me 40.000 anëtarë) dhe Dioqeza Ortodokse Shqiptare e Amerikës (me rreth 5.250 anëtarë).[9]

Dioqeza Ortodokse Shqiptare në Amerikë luajti një rol vendimtar në ringjalljen e Kishës Ortodokse Shqiptare. Në vitin 1990, kleri dhe laikët e dioqezës i kërkuan patriarkut ekumenik, Dhimitrit I, gjatë vizitës së tij në Amerikën e Veriut, të përgatiste një plan për rindërtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare. Në vitin 1991, protopresbiteri i atëhershëm Ilia Katre, i cili kishte shërbyer për shumë vite si dekan i studentëve në Shkollën Greke Ortodokse të Teologjisë "Kryqi i Shenjtë" (Holy Cross) në Brookline, Massachusetts, u vendos në Shqipëri. Me bekimin e ekzarkut patriarkal të sapoardhur, Anastasit, ai organizoi dhe hapi Seminarin Teologjik "Ringjallja e Krishtit". Ilia Katre gjithashtu drejtoi fronëzimin e Anastasit si Kryepeshkop i Gjithë Shqipërisë në gusht të vitit 1992. Individë dhe delegacione nga dioqeza dhanë kontribute të mëdha financiare për Kishën Ortodokse Shqiptare, si dhe ushtruan presion mbi qeverinë për kthimin e pronave të konfiskuara nga Kisha. Në vitin 2002, Peshkop Ilia u kthye për të udhëhequr seminarin për tre vjet, kohë gjatë së cilës ai zgjeroi, forcoi dhe zgjati ciklin e studimeve në një program të plotë katërvjeçar.

Dioqeza ka shtrirë veprimtarinë e saj edhe në komunitete të reja në Toronto, Montreal, Uashington dhe Baltimor.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. "La Civiltà cattolica, Issues 3727-3732", La Civiltà Cattolica: Pubblicazione Periodica per Tutta l'Italia (në anglisht), IV (3730): 343, 19 nëntor 2005, ISSN 0009-8167
  2. Tarasar, Constance J. (1975). Orthodox America, 1794-1976: development of the Orthodox Church in America (në anglisht). Bavarian State Library. fq. 309. Marrë më 2010-06-14.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  3. "The 90th Anniversary Historical Trilogy by Denise Lymperis" (në anglisht). Saint George Cathedral. Arkivuar nga origjinali më 2011-07-15. Marrë më 2014-01-24.
  4. Tarasar, Constance J. (1975). Orthodox America, 1794-1976: development of the Orthodox Church in America (në anglisht). Bavarian State Library. fq. 130.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  5. The Albanian Orthodox Church of America (16 mars 1919), Report of the General Council of the Albanian Orthodox Church (në anglisht), Boston, Mass.: The Very Rev. Archimandrite Fan S. Noli, Administrator
  6. Frank S. Mead (1975). Handbook of Denominations in the United States (në anglisht) (bot. 6). Abingdon Press. fq. 120–121. ISBN 0-687-16569-5.
  7. "Petition Three Great Powers to Recognize New Albanian Govt". Waterbury Democrat (në anglisht). 11 dhjetor 1944. fq. 1.
  8. Frank S. Mead (1956). Handbook of Denominations in the United States (në anglisht) (bot. 2). Abingdon Press. fq. 120–121.
  9. Frank S. Mead (1995). Samuel S. Hill (red.). Handbook of Denominations in the United States (në anglisht) (bot. 10). Abingdon Press. ISBN 0-687-01478-6.