Diskutim:Kostaq Cipo

Page contents not supported in other languages.
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kjo faqe këtu është vetëm për diskutim mbi artikullin Kostaq Cipo. Wikipedia nxit diskutimin mes vullnetarëve të saj dhe nuk do të censurojë komente bazuar në pikëpamjet ideologjike ose politike. Wikipedia nuk do t’i ndryshojë komentet. Ato ose do të publikohen, ose do të fshihen nëse nuk u binden rregullave kryesore.
Fillo një temë të re diskutimi.
Ju lutemi nënshkruani me: – ~~~~

Të gjitha komentet u nënshtrohen këtyre rregullave:

  • Përmbajuni temës!
  • Nuk lejohen: sharje, fyerje, fjalor i papërshtatshëm, gjuhë që përmban urrejtje, sulme personale, thirrje për dhunë apo çdo qëndrim tjetër jo i rregullt.

Prof. Kostaq Cipo-Ja, Përfaqësues i Nderuar i Gjuhësisë Dhe i Kulturës Shqipëtare - Prof. Shaban Demiraj 1992

Kostaq Cipoja, të cilin simvjet e përkujtojmë me nderim me rastin e 100-vjetorin e lindjes dhe 40-vjetorin të vdekjes të parakohëshme, është një ndër përfaqësuesit më të nderuar të gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare. Ai bën pjesë në një grup shkencëtarësh, që përjetuan ngjarjet e mëdha historike të këtij shekulli dhe që punuan me zgjuarsi dhe vendosmëri për përpunimin dhe zhvillimin e popullit tonë. I lindur në vitin 1892 në qytetin e Kristoforidhit, në gjirin e një familje arsimdashëse dhe i pajisur me një zgjuarsi të rrallë e me një vullnet të vendosur për të marrë rrugën e përparimit, Kostaq Cipoja iu fut me zell rrugës së arsimit e të diturisë. Sa mbaroi shkollën fillore dhe plotore greqishte në qytetin e lindjes (1898-1907), i vazhdoi mësimet edhe në shkollen plotore (idadije) turke të Elbasanit (1907-1909) dhe të Manastirit (1909-1912). Pastaj me sa duket, me interesimin e dajës së vet Aleksandër Xhuvanit, ish-profesor në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Korones (Calabri), Kostaq Cipoja pati fatin që gjatë viteve 1914-1818 të vazhdonte studimet në këtë kolegj të njohur për tradita kulturore dhe atdhetare. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Romës (1918-1921). Si mbaroi këto studime, shërbeu si arsimtar nëpër shkolla të mesme, më parë në Elbasan (deri në vitin 1924), pastaj në Shkodër (1924-1925) dhe më pas në Liceun e Korçës (1925-1939). Siç shihet, Kostaq Cipoja është ndër të paktët të rinj të kohës së tij, që mundën të merrnin një arsim të plotë dhe të nivelit bashkëkohor. Ai qe gjithashtu ndër të pakët që me kembengulje e me synime largvajtëse e thelluan vazhdimisht kulturën e tyre të përgjithanshme të nivelit evropian. Ai u dallua sidomos në përgatitjen e tij në udhën e gjuhësisë e të letërsisë. Njohës i mirë i greqishtes të vjetër dhe të re, i latinishtes dhe i sanskritishtes, Kostaq Cipoja zotëronte edhe një varg gjuhësh të tjera, si italishten, frëngjishten, gjermanishten, turqishten, arabishten, persishten, etj. Gjithashtu, krahas njohjes së mirë të letërsisë klasike greke, latine, italiane dhe indiane, si dhe letërsisë moderne italiane, franceze, gjermane, etj., Kostaq Cipoja gjatë tërë jetës së tij ndoqi me interesim zhvillimin e letërsisë shqiptare dhe arbëreshe, si dhe krijimtarinë tonë popullore. Falë këtij formimi të përgjithshëm gjuhësor dhe letrar, K. Cipoja ka gëzuar kurdoherë simpati dhe nderim ndër qarqet intelektuale të vendit tonë. Prandaj nuk është rastësi që në vitin 1937, kur u shpall konkursi për një himn të ri kombëtar, bëri pjesë bashkë me poetin e mirënjohur At Gjergj Fishta në jurinë që përcaktoi vjershën fituese të atij konkursi. Duke e gjykuar edhe vetëm nga shkrimet e tij të zgjedhura, mund të pohohet me plot gojën se Kostaq Cipoja kishte një formin gjuhësor dhe letrar si rrallëkush për kohën e tij dhe jo vetëm për atë kohë. Dhe është për të ardhur keq që vetë rrethanat e kohës kur jetoi si dhe vdekja e parakoheshme në kulmin e veprimtarisë nuk i dhanë mundësi të na linte një trashëgimni shkencore dhe kulturore edhe më të pasur. Megjithatë trashëgimnia e tij në këto fusha është e qënësishme. Emëri i Kostaq Cipos është i nderuar edhe për frymën e tij liridashëse e demokratike. Më 1909 ai ishte në krye të nxënësve shqiptare që braktisen shkollen plotore turke (idadije) të Elbasanit në shenjë proteste kundër orvatjeve të turqëve të rinj për të diktuar alfabetin turko-arab për shkrimin e gjuhës shqipe. Gjatë studimeve universitare në Romë e gjejmë midis organizatorëve kryesore të veprimtarisë atdhetare të studentave shqiptare të Romës. Gjatë kësaj kohe ai ka bashkëpunuar me atdhetarë të tjerë si Avni Rustemi etj., në gazetën “Kuvendi” të Romës, ku shkruante me pseudonimin “Scampensis”. Më pas ka bashkëpunuar me gazetën “Ura e Shumbinit” të Elbasanit me pseudonimin “Nisus”. Njeri me karakter të pastër dhe me ideale atdhetare e demokratike, për qëndrimet e tij parimore ka provuar edhe përndjekje-burgim dhe internim, në vitet 1928, 1936, e gjatë viteve 1939-1941. Për një farë kohe pas vitit 1941, ka qënë i detyruar të merrej edhe me punë jashtë profesionit të tij, për të siguruar bukën e gojës për vehte dhe për familjen. Më 1945, në kushtet e ndërtimit të vendit pas Luftës së Dytë Botërore, ai pranoi të drejtonte dikasterin e arsimit, por aty qëndroi vetëm një vit. Ai ishte i prirur më fort të ndihmonte në gjallërimin dhe zhvillimin e mëtejshem të punës shkencore dhe të arsimit të lartë në vendin tonë. Prandaj qysh nga viti 1946 e deri sa vdiq punoi pa u kursyer në Seksionin e Gjuhës dhe të Letërsisë pranë ish-Institutit të Shkencave. Dhe në Dhjetorin e vitit 1946, kur u hap në Tiranë e para shkollë e lartë e vendit tonë, ish-Instituti Pedagogjik (dy-vjeçar) mori përsipër të jepte lëndë të tilla të rëndësishme si Fonetikën dhe Morfollogjinë Historike të Gjuhës Shqipe, duke u bërë kështu themelvënësi i këtyre disiplinave të vështira albanologjike në arsimin tonë të lartë. Për një farë kohe të shkurtër dha edhe lëndë të tilla si fonetikën, morfollogjinë dhe sintaksën e gjuhës së sotme shqipe. Kostaq Cipoja ka lënë një vag punimesh me vlerë, madje një pjesë e mirë e tyre mund të cilësohen me plot gojën si punime prej pioneri në fushat përkatëse. Pjesa më e madhe e këtyre punimeve janë shkruar dhe botuar gjatë viteve të fundit të jetës së Prof. Cipos, çka tregon se në thelb, këto janë frut i punës së madhe studimore dhe përvojës së gjatë pedagogjike e kërkimore të autorit. Me fjalë të tjera, këtu kemi të bëjmë me kurorëzimin e një veprimtarie të gjatë e të frutëshme të një personaliteti të shquar të kulturës dhe të shkencës shqiptare gjatë gjysmës së parë të Shek. XX. Dhe duke gjykuar nga puna e madhe mbrenda një periudhe të shkurtër prej rreth pesë vjetësh, mund të pohohet pa mëdyshje se nga puna e Prof. Kostaq Cipos do të kishin dalë edhe një varg ndihmesësash të tjera me vlerë, sikur vdekja e parakohëshme të mos ja kishte këputur në mes veprimtarine shkencore në kulmin e pjekurisë së tij si shkencëtar dhe si pedagog. Po ta vështrosh veprimtarinë e Kostaq Cipos në fazat e ndryshme të jetës së tij, bie në sy se në fillim ai është përpjekur të plotësonte, në radhë të parë, kërkesat e punës pedagogjike në shkollat e mesme të vendit tonë, ku ai punoi qysh pas mbarimit të studimeve universitare e deri më 1939. Për këtë i është dashur t’i kushtonte më shumë vëmendje letërsisë shqiptare dhe të huaj. Dhe duke e gjykuar nga ato pak vepra të bibliotekes së pasur vetjake që i shpëtuan pa u djegur gjatë Luftës së Dytë Botërore, mund të pohohet se interesat shkencore dhe të studiuesit të talentuar edhe në fushën e letërsisë dhe të folklorit ngriheshin shumë mbi nivelin mezatar të arsimtarëve të tjerë të shkollave të mesme të kohës së tij. Prof. Kostaq Cipoja, i ka kushtuar vëmendje të posaçme gjithashtu dhe folklorit shqipar dhe arbëresh. Por me sa duket ai ka pasur kërkesa të mëdha shkencore ndaj vetes. Nga faza e parë e veprimtarisë së tij nuk kemi shumë gjëra të botuara. Nga kjo periudhe kemi vetëm librin “Fillime Të Stilistikës e Të Letërsisë Së Përgjithëshme”, botuar më 1930 në bashkëpunim me Prof. Aleksandër Xhuvanin. Dhe disa artikuj të botuar nëpër organe të shtypit të kohës. Nga këta duhet veçuar artikulli me mendime për “Lulet e Verës” të Naimit, botuar në të përkohëshmen “Iliria” më 1936. Këtë artikull përmes të cilit vlen të vihen në dukje ndër të tjera, vlerat letrare dhe atdhetare të këtij vëllimi të bukur poetik të Naimit, K. Cipoja e mbyll me disa mendime të shprehura me stilin e tij konçiz, që dëshmojnë edhe për botëkuptimin dhe idealet e tij. “Naimi është atdhetar. Nuk e shof të nevojshme t’i shtoj kësaj fjale ndonjë epitet, sepse kur është shumë e madhe cilësia e një burri, mbiemri është kallp. Miqtë e tij janë të gjithë ata që punojnë me drejtësi për të mirën e Shqipërisë, të gjithë ata që kanë mbështetur shpresën në djalërinë tonë, që nuk duhet vetëm të gatiten për të nesërmen, por duhet, që sot, të cilët në kuvendin e burrave ku bisedohet e rrihen probleme, që kanë lidhje të ngushtë me fatin e atdheut e punojnë së bashku për një ideal, sepse puna është e shenjtë, sepse qui laborat, orat. Për këto shërbime që i ka sjellë gjuhës, kombësisë, vellazërisë, Naimi është at i nderuar, të cilit i puth dorën dhe në mësimet e të cilit e ndiej vehten time njeri e shqiptar.” Vështirë se mund të shprehej më bukur jo vetëm vlerësimi i Poetit tonë kombëtar, Naim Frashërit, por edhe ideali i një intelektuali shqiptar të viteve ’30. Edhe më pas, Prof. Kostaq Cipoja nuk i ndërpreu lidhjet e tij me letërsinë dhe folklorin. Ai jo vetëm që i shfrytëzoi ato me mjeshtëri në studimet e tij gjuhësore, duke i ilustruar shpesh rregullat teorike me shembuj të qëmtuar nga letërsia e vjetër dhe e re dhe nga ai shqiptar përkëtej dhe përtej brigjeve të Adriatikut, por edhe mori përsipër të përgatiste për botim një nga veprat kryesore të Naimit, “Istorinë e Skënderbeut”, si edhe veprën kryesore të Budit, “Doktrinë e Kershtenë”. Ndimesat e Prof. K. Cipos pas vitit 1945 mund të ndahen në dy grype kryesore: a) Punime që mbajnë vetëm emrin e tij. b) Vepra kolektive, në të cilat ai bashkëpunoi me gjuhëtaret më të mirë të kohës. Nga grupi i parë duhen përmendur, së pari, ato vepra që ai mori përsiper të përgatiste për të plotesuar nevojat e ngutëshme të ish-Istitutit të Lartë Pedagogjik që u hap në Tiranë në vjeshtën e vitit 1946. Të tilla janë: “Morfologjia Historike e Shqipes” (73 f.), shaptilografuar më 1947 dhe që autori mjerisht nuk arriti ta ripunonte e ta botonte si libër. “Fonetika” edhe kjo e botuar si dispensë më 1947. Ribotuar si libër më 2004. “Gramatika Shqipe”, libër prej rreth 190 faqesh, botuar nga ish-Istituti i Shkencave që përbehej nga pjesët kryesore: a) Fonetika, e cila me sa duket është një variant i përpunuar i dispencës së shaptilografuar të vitit 1947, b) Morfollogjia që zë pjesën më të madhe të librit (rreth 160 faqe). Këtu trajtohen gjerësisht pjesët e ndryshme të ligjeratës. Kjo vepër, që shërbeu për një kohë të gjatë si tekst mësimor për shkollat tona të larta, përmban një varg ndimesash të rëndësishme të autorit dhe e ruan gjithnjë vlerën e saj shkencore. “Sintaksa”, libër prej më shumë se 120 faqesh, botuar më 1952 nga ish-Istituti i Shkencave. Në këtë vepër, pas disa konsideratave të përgjithshme teorike dhe periudhën (a frazën), parashtrohen vërejtje të mprehta rreth përdorimit të pjesëve të ndryshme të ligjërates, rreth pjesëve kryesore të fjalisë së thjeshtë e të zgjeruar, si edhe llojeve të ndryshme të fjalive të varura e të nënrenditura, etj. Vëllimi mbyllet me disa shënime të karakterit stilistik. Edhe kjo vepër shërbeu për një kohë të gjatë si tekst mësimor në shkollat tona të larta. Ajo u nderua edhe më “Çmimin e Republikës”. Për të plotësuar nevojat e shkollës shtatëvjeçare, Prof. Kostaq Cipoja botoi më 1949 librin “Gramatika e Gjuhës Shqipe Për Klasat e V, VI, dhe VII Të Shkollave Shtatëvjeçare” (273 faqe). Këtu jepen shembuj teorik dhe praktik, të ilustruar me shembuj, për çështjet e fonetikës, të morfologjisë dhe të sintaksës. Edhe ky libër ka shërbyer për shumë vjet si tekst mësimor. Përveç këtyre ai ka transkriptuar dhe pajisur me shënime veprën e Budit “Doktrinë e Krështenë” (1618), punë që ka mbetur dorëshkrim pranë Istitutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqiperisë, si edhe “Istoria e Skënderbeut” e Naimit, pajisur me shënime dhe ribotuar më 1953. Siç u vu në dukje më sipër, gjatë viteve të fundit të jetës së tij, Prof. Kostaq Cipoja ka botuar edhe disa artikuj shkencorë, që jane studime të mirëfillta e ndihmesa vetiake të rëndësishme, që dëshmojnë edhe njëherë jo vetëm pë nivelin e lartë të përgatitjes së përgjithëshme në fushën e gjerë të interesave shkencore të Prof. Kostaq Cipos, por edhe mprehtësinë e gjykimit të tij. Nga këto duhen përmendur sidomos artikujt: 1) “Rreth Disa Kompozitave Dhe Kompozitata Determinative” 2) Vërejtje fonetike, morfologjike dhe sintaksore mbi “Doktrinën e Kërshtenë » të Budit dhe 3) “Një Sy Rreth Dorëshkrimit Të Simonit”, botuar pas vdekjes së autorit. Prof. Kostaq Cipoja zhvilloi një veprimtari të frytëshme edhe duke bashkëpunuar për hartimin e disa veprave të rëndësishme kolektive, siç janë: “Fjalori i Gjuhës Shqipe, (648 faqe, botuar më 1954). Ky është i pari fjalor me prirje normative shqip-shqip, i përgatitur nga Kostaq Cipo, Eqrem Cabej, Mahir Domi, Andon Krajni dhe Osman Myderrizi, nën drejtimin e Kostaq Cipos. “Ortografia e Gjuhës Shqipe”, punuar prej Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo dhe Eqrem Çabej dhe botuar nga Istituti i Shkencave më 1951. Me këtë punë kolektive nisi të realizohej një dëshirë e vjetër e Kostaq Cipos, i cili qysh në artikullin e botuar më 1936 për “Lulet e Verës” të Naim Frashërit parashtronte edhe kërkesën që të punohej për një gjuhë të vetme të tërë Shqipërisë “së paku në përdorimin letrar”. Për këtë ai shtonte: “Kjo barrë u bie filologëve të vërtetë, të cilët të zgjedhur sipas vlerës jo sipas pozës a miqësisë (apo përkatësisë partiake), do të mblidhen në gji të Ministrisë së Arsimit e do të merren me punë të gjuhës.” Rrokur në tërësinë e veprimtarisë së vet, del e qartë se sidomos gjatë viteve të fundit të jetës, Prof. Kostaq Cipoja ka dhënë ndihmesa të shumta dhe të rëndësishme në fushën e gjuhësisë, kryesisht në gramatikë. Gjatë një periudhe të shkurtër ai shfrytëzoi tërë arsenalin e pasur së përgatitjes së gjatë shkecore dhe kulturore të tij. Por edhe në këtë kohë Prof. Kostaq Cipoja nuk i këputi fijet e lidhjes së ngushtë me letërsinë e folklorin. Ai vendosi një lidhje të ngushtë midis gjuhësisë, nga njëra anë, dhe letërsisë e folklorit, nga ana tjetër. Prandaj mund të pohohet me Prof. Selman Rizën se Kostaq Cipoja ishte “gjuhëtari ynë më historian i letërsisë si dhe historiani i ynë më stilist i letërsisë.” Per kete veprimtari të frutëshme shkencore dhe për punën e tij të çmuar si pedagog dhe edukator i një brezi të tërë studiuesish të rinj, “Mësuesi i Popullit”, ish-antarit të Istitutit të Shkencave, Prof. Kostaq Cipoja, i nderuar me “Çmimin e Republikës”, do të mbetet kurdoherë i gjallë si një ndër përfaqesuesit më të shquar të shkencës dhe të kulturës shqiptare.

1) “Bulletin i Istitutit të Shkencave” 1948, Nr.1-3 2) Idem 1952, Nr.1 3) “Studime Filologjike”, 1964, Nr.1 4) “Revista Pedagogjike”, Nr. 3, 1973, f. 142