Shko te përmbajtja

Distancimi shoqëror

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Njerëzit që mbajnë distancim shoqëror ndërsa presin në radhë për të hyrë në një supermarket në Londër gjatë pandemisë COVID-19.

Në shëndetin publik, distancimi shoqëror, i quajtur gjithashtu distancim fizik, është një grup masash jo-farmaceutike që synojnë të parandalojnë përhapjen e një sëmundjeje ngjitëse duke mbajtur një distancë fizike ndërmjet njerëzve dhe duke reduktuar numrin e rasteve kur njerëzit vijnë në kontakt të afërt me njëri-tjetrin. Zakonisht kjo përfshin mbajtjen e një distance të caktuar nga të tjerët (distanca specifike ndryshon nga vendi në vend dhe mund të ndryshojë me kohën) dhe shmangien e grumbullimeve të mëdha.[1]

Duke minimizuar mundësinë që një person i painfektuar të vijë në kontakt fizik me një person të infektuar, transmetimi i sëmundjes mund të frenohen, duke rezultuar në më pak vdekje. Masat mund të përdoren në kombinim me rekomandime të tjera të shëndetit publik, si higjiena e mirë respiratore, përdorimi i maskave kur është e nevojshme dhe larja e duarve. Për të ngadalësuar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe për të shmangur mbingarkimin e sistemeve shëndetësore, veçanërisht gjatë një pandemie, janë përdorur disa masa të distancimit shoqëror, duke përfshirë mbylljen e shkollave dhe vendeve të punës, izolimin, karantinimin, kufizimin e lëvizjes së njerëzve dhe anulimin e grumbullimeve masive. Ndër efektet anësore të distancimit shoqëror mund të përfshihen vetmia, ulja e produktivitetit dhe humbja e përfitimeve të tjera që lidhen me ndërveprimin njerëzor.[2]

Masat e distancimit shoqëror janë më efektive kur sëmundja ngjitëse përhapet përmes një ose më shumë metodave të mëposhtme: kontakti me pika (si kollitja ose teshtitja), kontakti fizik direkt (përfshirë kontaktin seksual), kontakti fizik indirekt (si prekja e një sipërfaqeje të kontaminuar) dhe transmetimi ajror (nëse mikroorganizmi mund të mbijetojë gjatë në ajër). Masat janë më pak efektive kur një infeksion transmetohet kryesisht përmes ujit ose ushqimit të kontaminuar ose nga vektorë si mushkonjat ose insektet e tjera. Autoritetet kanë inkurajuar ose detyruar distancimin shoqëror gjatë pandemisë COVID-19, pasi është një metodë e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së virusit. COVID-19 ka më shumë gjasa të përhapet në distanca të shkurtra sesa të gjata. Virusi mund të përhapet në distanca më të gjata se 2 metra në hapësira të mbyllura, me ventilim të dobët dhe me ekspozim të gjatë.

Termi “distancim shoqëror” nuk u prezantua deri në vitin 2003. Masat e distancimit shoqëror janë zbatuar me sukses në disa epidemira. Në St. Louis, pak pas zbulimit të rasteve të para të gripit gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918, autoritetet zbatuan mbylljen e shkollave, ndalimin e grumbullimeve publike dhe masa të tjera të distancimit shoqëror. Shkalla e vdekshmërisë nga gripi në St. Louis ishte shumë më e ulët se në Filadelfia, e cila kishte më pak raste gripi, por lejoj një paradë masive dhe nuk ndërmori masa distancimi deri pas më shumë se dy javësh nga rastet e para.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka sugjeruar përdorimin e termit “distancim fizik” në vend të “distancimit shoqëror”, sepse është ndarja fizike ajo që parandalon transmetimin; njerëzit mund të mbeten të lidhur shoqërisht duke u takuar jashtë në një distancë të sigurt (kur nuk ka urdhër për qëndrim në shtëpi) dhe duke përdorur teknologjinë për t’u takuar virtualisht.[3]

  1. Published, Katie Pearce / (2020-03-13). "What is social distancing and how can it slow the spread of COVID-19?". The Hub (në anglisht). Marrë më 2026-05-14.
  2. https://www.thelancet.com/action/showPdf?pii=S0140-6736%2820%2930460-8. {{cite web}}: Mungon ose është bosh |title= (Ndihmë!)
  3. Futurism (2020-03-24). "It's Officially Time to Stop Using The Phrase 'Social Distancing'". ScienceAlert (në anglishte amerikane). Marrë më 2026-05-14.