Kërceni tek përmbajtja

Dita Ndërkombëtare e Gruas

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dita Ndërkombëtare e Gruas që shënohet më 8 Mars, synon të kujtojë luftën e grave për barazi, çlirim dhe të drejtat e tyre. Në këtë datë, njerëzit anembanë botës protestojnë dhe marshojnë për çështje të barazisë gjinore: të drejtat riprodhuese, kundër dhunës sistematike ndaj grave, femicidit, varfërisë, dhe diskriminimit. Në disa vende ajo organizohet si ditë proteste dhe ndërgjegjësimi, ndërsa në vende të tjera, si ditë festive.[1]

Origjina e Ditës Ndërkombëtare të Gruas daton që nga fillimi i shekullit XX, fillimisht me emërtim “Dita e Gruas” dhe të organizuar nga Partia Socialiste e Amerikës në vitin 1909.[2] E frymëzuar nga këto përpjekje, Clara Zetkin propozoi një ditë të dedikuar për gratë punëtore që do të kujtohet një ditë në vit, në Konferencën Ndërkombëtare Socialiste të Grave, në vitin 1910.[3]  Në vitin 1922, Vladimir Lenini shpalli 8 Marsin Ditë Ndërkombëtare të Gruas, për të përkujtuar kontributin e grave në Revolucionin Rus, të vitit 1917.[4]

Kjo ditë fitoi njohje globale pas mbështetjes nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 1977 dhe sot organizohet zyrtarisht në shumë vende. OKB e shënon çdo vit këtë ditë me fokus në tema të veçanta që lidhen me të drejtat e grave.[5]

Fillet e para të Ditës Ndërkombëtare të Gruas

Në fillim të viteve 1900 lëvizja globale e grave po fitonte vrull. Në vitin 1908, mijëra gra marshuan nëpër qytetin e Nju Jorkut për të kërkuar kushte më të mira pune, të drejta votimi dhe fundin e diskriminimit gjinor. Një vit më pas, më 28 shkurt 1909, Partia Socialiste e Amerikës (PSA) organizoi Ditën e Parë Kombëtare të Gruas, në tërë shtetet e ShBA-së, e cila ishte hera e parë në histori, që i kushtohej grave, për të nderuar lëvizjen punëtore të grave dhe për të mbrojtur të drejtën e votës për gratë. Kjo nismë u udhëhoq nga Komiteti Kombëtar i Grave të PSA-së, me aktivisten Theresa Malkiel, që luante një rol kryesor si aktiviste, në ngritjen e ç’ështjeve me të cilat përballeshin gratë.[6]

Marshimi i grave që pasoi, u ndikua nga protestat e punëtoreve të industrisë së tekstilit, të cilët kundërshtonin kushtet e këqija të punës dhe eksploatimin e tyre. Organizimet që u bënë, në Ditën e Parë Kombëtare të Gruas, përfshinë takime dhe demonstrata masive në qytete të ndryshme, veçanërisht në qytetin e Nju Jorkut, ku gratë kërkuan paga më të mira, orë më të shkurtëra pune, kushte të përmirësuara të punës dhe të drejta votimi. Marshimi zhvilloi praktikën që të organizohet çdo të diel të fundit, të muajit shkurt, e cila si e tillë vazhdoi deri në vitin 1913.[7]

konferenca e Grave Socialiste dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas

Në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare të Grave Socialiste, të mbajtur në Kopenhagë, të Danimarkës, më 26–27 gusht 1910, mbi 100 gra delegate, nga 17 vende të botës, u mblodhën për të diskutuar strategjitë për promovimin e të drejtave të grave dhe të drejtës së votës.[8] Delegatet gjermane Clara Zetkin (Klara Cetkin), Käte Duncker (Kejt Dunker) dhe Luise Zietz (Luize Ceic), propozuan përcaktimin e një dite që do t’i dedikohej grave punëtore. Ky propozim u pranua njëzëri nga të gjitha delegatet.[9]

Clara Zetkin, që ishte një teoriciente e njohur marksiste dhe mbrojtëse e të drejtave të grave, luajti rolin kyç në propozimin e idesë për një ditë ndërkombëtare, për gratë punëtore. Ajo ishte thellësisht e ndikuar nga greva e punëtoreve të tekstilit në Nju Jork, si dhe nga Ditën Kombëtare e Gruas që u organizua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1909, nga Partia Socialiste. Zetkin e kuptoi se një lëvizje e tillë kërkonte solidaritet ndërkombëtar dhe besonte se, një ditë e dedikuar për gra, mund të bashkonte gratë e klasës punëtore, përtej kufijve.[10]

Në Konferencën e dytë të Grave Socialiste u diskutua rëndësia e inkuadrimit të idesë për të drejtat e grave, në lëvizjet socialiste, ku lufta për barazi gjinore dhe lufta klasore kundër klasës borgjeze  paraqiste të njejtën kauzë, për barazi shoqërore.[11] Delegatët ranë dakord, që kremtimi i Ditës së Gruas të koordinohej me organizatat politike dhe sindikatat e proletariatit në secilin vend, duke siguruar një qasje të unifikuar dhe të vetëdijshme për klasën punëtore, në mbrojtje të të drejtave të grave. Edhe pse nuk u vendos një datë e saktë gjatë konferencës, delegatet u pajtuan që kremtimi vjetor të mbahej në një ditë që do të mundësonte pjesëmarrje sa më masive të grave punëtore, zakonisht në fund të shkurtit ose në fillim të marsit. Ky fleksibilitet i lejonte çdo vendi të zgjidhte një datë, që i përshtatej më së miri kontekstit lokal.[12]

Ndikimi i Revolucionit Rus dhe vendeve socialiste në njohjen e Ditës Ndërkombëtare të Gruas

Revolucioni Rus i vitit 1917, pati një ndikim të madh në themelimin dhe njohjen e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, brenda vendeve socialiste. Më 8 mars të vitit 1917 (23 shkurt sipas kalendarit Julian), gratë në Petrograd (sot Shën Petersburg) organizuan demonstrata masive duke kërkuar "bukë dhe paqe", duke protestuar kundër mungesës së ushqimit, përkeqësimit të kushteve të jetesës dhe përfshirjes së Rusisë, në Luftën e Parë Botërore. Këto protesta nxitën greva të përgjithshme dhe trazira civile, që çuan në rënien e Carit Nikolla II dhe shënuan fillimin e Revolucionit Rus.[13]

Duke njohur rolin vendimtar të grave në këto ngjarje, Vladimir Lenin shpalli 8 Marsin si festë zyrtare në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1922, për të nderuar kontributin e grave në Revolucionin e Tetorit dhe në luftërat e bolshevikëve. Bashkimi Sovjetik e promovoi Ditën Ndërkombëtare të Gruas si në nivelin kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, duke e përdorur atë si simbol të përkushtimit të regjimit socialist, ndaj barazisë gjinore. Duke ndjekur shembullin sovjetik, edhe vende të tjera socialiste e përfshinë Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në kalendarët e tyre zyrtarë.[14]

Dita Ndërkombëtare e Gruas gjatë viteve 1930–1975

Ndërmjet viteve 1930-ta dhe 1970-ta, Dita Ndërkombëtare e Gruas u festua në mënyrë sporadike në vendet jo-socialiste të Amerikës Veriore dhe Evropës Perëndimore, ndonëse iu mungonte njohja e gjerë dhe mbështetja institucionale, siç ishte në shtetet socialiste. Në shumë prej këtyre vendeve pererëndimore, veçanërisht gjatë dekadave të para të Luftës së Ftohtë, Dita Ndërkombëtare të Gruas shpesh shikohej me dyshim, për shkak të lidhjeve të forta me lëvizjet socialiste dhe komuniste.[15] Megjithatë, aktivistet për të drejtat e grave dhe organizatoret e punës, vazhduan t’a shënonin këtë ditë në forma të ndryshme, shpesh duke e rrethuar me kërkesa për drejtësi ekonomike, të drejta të barabarta dhe të drejtën e votës.[16]

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa grupe socialiste dhe të punës, ndërmjet viteve 1930 dhe 1940, vazhduan të organizonin Ditën Ndërkombëtare të Gruas, veçanërisht brenda komuniteteve imigrante dhe punëtore. Megjithatë, për shkak të rritjes së ndjenjës antikomuniste, në vitet e 50-ta, organizimet publike të Ditës Ndërkombëtare të Gruas ranë ndjeshëm, pasi që lidhja me politikën e majtë, mbarte rreziqe të përndjekjes politike. Përkundër kësaj, në fund të viteve të 1960-ta, aktivistet feministe dhe kolektivet radikale të grave, filluan të ringjallnin këtë ditë, veçanërisht të ndikuara nga “Vala e dytë” e lëvizjes feministe.[17] I tillë ishte organizimi i marshit në Berkeley, të Kalifornisë, në vitin 1969, nga aktivistja Laura X, me qëllim të përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.[18]

Evropën Perëndimore, situata ishte e ngjashme. Në vende si Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia, Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohej kryesisht nga grupe të majta, sindikata dhe organizata të grave dhe jo përmes aktiviteteve të sponsorizuara nga shteti. Partitë Komuniste dhe Socialiste shpesh luajtën rolin qendror, në përjetësimin e kësaj tradite.[19] Megjithatë, njohja zyrtare mungoi në shumicën e këtyre vendeve, deri pas shpalljes zyrtare të kësaj dite, si ditë që i dedikohet gruas, nga ana e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1975.[20]

Në përgjithësi, në vendet jo-socialiste ndërmjet viteve të 30-ta dhe 70-ta, Dita Ndërkombëtare e Gruas mbeti një ngjarje e nivelit bazik, e nxitur kryesisht nga organizatat e grave, me prirje socialiste, sindikatat e punës dhe më vonë, nga aktivistet feministe. Vetëm me ngritjen e “Valës së dytë” të lëvizjes feministe dhe njohjen nga OKB-ja, në vitin 1975, kjo ditë filloi të çlirohej nga lidhjet ideologjike me komunizmin dhe të shfaqej si një ditë më gjerësisht e pranuar, për të avokuar barazinë gjinore.

Njohja e Ditës Ndërkombëtare të Gruas nga Organizata e Kombeve të Bashkuara

Njohja zyrtare e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, nga Kombet e Bashkuara, shënoi një hap të madh, drejt institucionalizimit global të përpjekjeve për barazinë gjinore. Viti 1975 u emërtua Viti Ndërkombëtar i Gruas, nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.[21] Që nga ky vit, 8 Marsi njihet dhe festohet si Dita Ndërkombëtare e Gruas, një veprim simbolik, që njehë rëndësinë historike të kësaj dite dhe përshtatet me objektivat më të gjera të Dekadës së Gruas, të OKB-së, që përfshiu vitet 1976–1985. Kjo periudhë e Dekadës së Gruas, synonte promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave, në mbarë botën. Në të vërtetë, kjo njohje ishte rezultat i mobilizimit gjithnjë e më të madh të lëvizjes feministe ndërkombëtare, gjatë “valës së dytë” të feminizmit, e cila arriti të ngrisë çështjen e të drejtave të grave, në një shqetësim, në nivel global.[22] Duke u mbështetur në këtë vrull, në vitin 1977, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 32/142, duke shpallur zyrtarisht 8 Marsin si Ditën e OKB-së, për të Drejtat e Grave dhe Paqen Ndërkombëtare. Ata ftuan shtetet anëtare, që të festojnë këtë ditë në përputhje me traditat e tyre historike dhe kombëtare.[23] Ky miratim e shndërroi Ditën Ndërkombëtare të Gruas, nga një datë që festohej kryesisht në vendet socialiste dhe komuniste, në një datë të njohur globalisht, që festohet në kontekste të ndryshme politike dhe kulturore. Që atëherë, OKB-ja vazhdon ta përdorë këtë ditë si një platformë, për të promovuar tema vjetore, që trajtojnë çështje urgjente të barazisë gjinore, duke përfshirë dhunën ndaj grave, qasjen në arsim dhe udhëheqje, të drejtat riprodhuese dhe përfshirjen digjitale.[24]

Dita Ndërkombëtare e Gruas në Shtete të Ndryshme të Botës

Dita Ndërkombëtare e Gruas është shndërruar në një ngjarje globale, që thekson arritjet e grave dhe avokon barazinë gjinore. Në Evropë, në shtete si Italia, këtë ditë e shënojnë duke dhuruar lule mimoza, për gratë, një traditë kjo që daton nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore. Në Francë, Dita Ndërkombëtsre e Gruas festohet me protesta dhe ngjarje kulturore që përqëndrohen në të drejtat e grave.[25] Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar e shënojnë këtë ditë përmes fushatave publike, diskutimeve dhe marshimeve, që trajtojnë çështje të bazuara në gjini.[26]ShBA dhe Kanada kjo ditë shënohet përmes programeve edukative dhe aktiviteteve komunitare, që mbështesin barazinë gjinore. Dita Ndërkombëtare e Gruas përpos organizimeve festive dhe marshimeve, në vendet si Angola, Armenia, Azerbejxhani, Bjellorusia, Burkina Faso, Kamboxhia, Kina (vetëm për gratë), Kuba, Gjeorgjia, Guinea-Bissau, Eritrea, Kazakistani, Kirgistani, Laosi, Madagaskar (vetëm për gratë), Moldavia, Mongoli, Mali i Zi, Nepal (vetëm për gratë), Rusia, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uganda, kjo ditë është ditë zyrtare e pushimit nga puna.[27]Gjermani, në Berlin, në vitin 2019, Parlamenti i qytetit të Berlinit, miratoi një projekt-ligj, për të bërë Ditën Ndërkombëtare të Gruas një festë publike,  ku kjo ditë poashtu njihet si ditë pushimi nga puna. Këto festa pasqyrojnë si traditat kulturore, ashtu edhe përpjekjet e vazhdueshme për të adresuar pabarazitë gjinore, në mbarë botën.[28]

Dita Ndërkombëtare e Gruas në Kosovë dhe Shqipëri

Shqipëri dhe Kosovë, Dita Ndërkombëtare e Gruas, shënohet me aktivitete që promovojnë barazinë gjinore dhe nderojnë arritjet e grave. Në Shqipëri, kjo ditë i dedikohet nderimit të kontributit të grave dhe promovimit të barazisë gjinore. Kohët e fundit, kjo ditë është shënuar me disa aktivitete dhe nisma të rëndësishme. Një prej tyre është FemFest, një festival feminist vjetor që përfshin shfaqje, debate dhe diskutime, që theksojnë çështjet dhe arritjet e grave. Në vitin 2024, FemFest përfshiu 10 shfaqje dhe panele ditore, të moderuara nga figura femërore të njohura, ku të ardhurat u përdorën për të financuar bursa për studentët, në Universitetin e Arteve. Gjithashtu, instalacione artistike si "Këpucët e Kuqe" në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë, janë përdorur për të nderuar viktimat e dhunës, me bazë gjinore dhe për të rritur ndërgjegjësimin, mbi të drejtat e grave.[29] Aktivistët kanë organizuar gjithashtu, protesta që trajtojnë çështje si femicidi, pabarazia ekonomike dhe siguria në hapësirat publike. Në vitin 2025, nën sloganin "Mos ma prek lirinë", gratë marshuan për të theksuar varfërinë, si një pengesë të rëndësishme për lirinë e grave. Këto aktivitete nënvizojnë angazhimin e Shqipërisë, për adresimin e pabarazive gjinore dhe promovimin e të drejtave të grave.[30]

Në Kosovë, Dita e Ndërkombëtare e Gruas shënohet me aktivitete që fokusohen në të drejtat ekonomike dhe sociale, të grave. Këto përfshijnë marshime për të drejtat e punës dhe barazi, diskutime mbi ngacmimin seksual dhe trajnime për integrimin gjinor në institucione. Një ngjarje e veçantë është protesta që organizohet nga kolektivi "Marshojmë, s'festojmë", i cili për çdo 8 Mars organizon marshime, për të adresuar çështje të barazisë gjinore dhe dhunës ndaj grave. Kolektivi thekson rëndësinë e protestës në raport me festimin, duke përdorur moton "Marshojmë, S'festojmë". Ky marshim organizohet që nga viti 2016, me rrugëtim nga sheshi "Zahir Pajaziti" deri te ndërtesa e Qeverisë, në Prishtinë, me kërkesa të shprehura me brohoritje dhe pankarta për drejtësi shoqërore dhe barazi gjinore. Marshime të ngjashme zhvillohen edhe në Mitrovicë dhe Ferizaj, duke reflektuar angazhimin për të drejtat e grave dhe sfidimin e pabarazive.[31]

Referime

  1. ^ "International Women's Day: When is it and why is it important?" (në anglishte britanike). 2023-02-28. Marrë më 2025-05-17.
  2. ^ "About – InternationalWomensDay.org" (në anglisht). Marrë më 2025-05-17.
  3. ^ "THE FIRST INTERNATIONAL CONFERENCE OF SOCIALIST WOMEN - STUTTGART, 1907". www.marxists.org. Marrë më 2025-05-17. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ "When and how did International Women's Day start?" (në anglishte britanike). 2025-03-05. Marrë më 2025-05-17.
  5. ^ Nushi, Jani (2023-10-02). "Material leksikor nga krahinat". Studime Filologjike (3): 179–192. doi:10.62006/sf.v1i3.2954. ISSN 2960-0057. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Newsstand, Revolution's (2024-03-08). "'Suffragists and Socialists Demand Votes for Women' from The New York Call. Vol. 2 No. 51. March 1, 1909". Revolution's Newsstand (në anglisht). Marrë më 2025-05-17.
  7. ^ Newsstand, Revolution's (2023-03-05). "'Our International Women's Day' by Meta L. Stern (Hebe) from The Progressive Woman. Vol. 6 No. 68. February, 1913". Revolution's Newsstand (në anglisht). Marrë më 2025-05-18.
  8. ^ "Document 21: Clara Zetkin and others, "International Women's Day," 29 August 1910 | Alexander Street Documents". documents.alexanderstreet.com. Marrë më 2025-05-18. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ Newsstand, Revolution's (2023-01-31). "Woman and Freedom by Theresa Serber Malkiel. Social Democratic Publishing Company, Milwaukee. 1911". Revolution's Newsstand (në anglisht). Marrë më 2025-05-18.
  10. ^ "The woman behind 'Women's Day': Story of socialist leader Clara Zetkin". The Indian Express (në anglisht). 2025-03-09. Marrë më 2025-05-18.
  11. ^ "The Working-Class Origins and Legacy of International Women's Day". UE (në spanjisht). Marrë më 2025-05-18.
  12. ^ Brockell, Gillian; Kindy, Dave (2022-03-08). "The forgotten woman behind International Women's Day". The Washington Post (në anglishte amerikane). ISSN 0190-8286. Marrë më 2025-05-18.
  13. ^ Haynes, Suyin (2018-03-08). "The Surprisingly Radical Origins of International Women's Day". TIME (në anglisht). Marrë më 2025-05-18.
  14. ^ "The origins of International Women's Day". Communist Party USA (në anglishte amerikane). 2025-03-07. Marrë më 2025-05-18.
  15. ^ Kozlowska, Hanna (2025-05-20). "The Surprisingly Socialist Origins of International Women's Day". Foreign Policy (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-05-18.
  16. ^ Women's movements in the global era : the power of local feminisms. Internet Archive. Boulder, CO : Westview Press. 2010. ISBN 978-0-8133-4444-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Është përdorur gabimisht parametri i të tjerëve (lidhja)
  17. ^ "Gale - Institution Finder". galeapps.gale.com. Marrë më 2025-05-18. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  18. ^ "Laura X Institute and Archives". lauraxinstitute.org. Marrë më 2025-05-18. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  19. ^ "How Women's History Month came to be celebrated internationally". www.europeana.eu (në anglishte britanike). 2024-03-08. Marrë më 2025-05-18.
  20. ^ "International Women's Day (IWD)". Red Yellow Blue (RYB) (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-05-18.
  21. ^ "WomenWatch: International Women's Day". www.un.org. Marrë më 2025-05-18. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  22. ^ "A brief history of the Commission on the Status of Women". UN Women – Headquarters (në anglisht). Marrë më 2025-05-18.
  23. ^ "Women's participation in the strengthening of international peace and security and in the struggle against colonialism, racism, racial discrimination, foreign aggression and occupation and all forms of foreign domination". Refworld (në anglisht). Marrë më 2025-05-18.
  24. ^ Nations, United. "International Women's Day". United Nations (në anglisht). Marrë më 2025-05-18.
  25. ^ FrenchPod101.com (2020-02-25). "Celebrating International Women's Day in France". FrenchPod101.com Blog (në anglisht). Marrë më 2025-05-18.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Emra shifrorë: lista e autorëve (lidhja)
  26. ^ Katunga, Faith (2025-03-05). "How International Women's Day is Celebrated Around the World". journiest (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-05-18.
  27. ^ "Page Not Found - Error 404 - qppstudio.net". www.qppstudio.net. Marrë më 2025-05-18. {{cite web}}: Burimi përdor titull të përgjithshëm (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  28. ^ "International Women's Day in Berlin in 2026". Office Holidays (në anglisht). Marrë më 2025-05-18.
  29. ^ Albania, Euronews (2024-03-02). "FemFest 2024, the festival of achievements and issues of Albanian women". Euronews Albania (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-05-18.
  30. ^ "2025 Mos ma prek lirine". Bing. Marrë më 2025-05-18.
  31. ^ ""Marshojmë, s'festojmë"- Protestë në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas". www.panorama.com.al. 2025-05-17. Marrë më 2025-05-18.