Dita e ashures

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Fjala “ashura” vjen nga arabishtja dhe rrjedh nga rrënja “ashr” që në gjuhën arabe do të thotë dhjetë. Dita e Ashures është dita e dhjetë e muajit Muharem. Sipas një transmetimi të Abdullah ibn Abasit kur profeti Muhamed (a.s) erdhi në Medine, vuri re që hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashures dhe pyeti shkakun.

Ata iu përgjigjën : “Kjo është një ditë e madhe. Atë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faranit. Si falënderim për këtë, profeti Musa agjëroi atë ditë. Edhe ne për respekt agjërojmë”. I dërguari Allahut (a.s) u shpreh : “Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa (a.s)”. Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashures (Muslim, Sijam, 128).

Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, Hz. Muhamedi (s.a.s) solli një liri për këtë temë duke thënë: “Pa dyshim që dita e ashures është një ditë nga ditët e Allahut. Kush të dojë agjëron dhe kush te dojë, jo.” (Buhari, Sami, 57 ; Muslim, Sijam 117).

Agjërimi në ditën e ashures është sunnet. Veçse profeti ynë i nderuar, për të mos u ngjarë hebrenjve, na këshillon që së bashku me ditën e dhjetë të Muharremit, të agjërohet edhe dita e nëntë apo e njëmbëdhjetë, ose të agjërohen tri ditë të njëpasnjëshme. I dërguari i Allahut (a.s) në një thënie të tij thotë : “Dallohuni nga tradita e hebrenjve, duke agjëruar një ditë përpara dhe ditën pasuese nga dita e ashures.” (Buhari, Saum69) Ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij ka thënë : “Nëse jetoj edhe vitin që vjen, do të agjëroj ditën e nëntë dhe të dhjetë të ashures.” (Muslimi ; Ebu Davudi). Ndërsa Kutade transmeton se sahabët e kanë pyetur profetin (a.s.) për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai u ka thënë : “Agjërimi ditës së Ashures i shlyen gjynahet e vitit të kaluar.” (Muslim, Sijam, 196).

Xhabiri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush është bujar me veten dhe me familjen e tij në ditën e Ashures, Allahu do të jetë bujar me të për gjithë vitin.” (Bejhekiu)

Dijetarët e kanë përmendur agjërimin e ashures në tre mënyra : 1. Agjërimi i tre ditëve 9, 10 dhe 11 në muajin Muharrem ; 2. Agjërimi në ditën e 9 dhe të 10 të këtij muaji ; 3. Agjërimi vetëm në ditën e 10 të këtij muaji.

Dika e Ashures është një ditë e shënuar, duke qensh se përkon me një sërë ngjarjesh të rëndësishme në historinë Islame. Në këtë ditë është pranuar pendesa e Hz. Ademit, është ndaluar në malin Xhud anija e Hz. Nuhut, ka lindur dhe ka dalë nga flakët e zjarrit pa u djegur Hz. Ibrahimi, është shëruar nga sëmundja e gjatë Hz. Ejubi, ka shpëtuar nga barku i peshkut Hz. Junusi, është ngjitur në qiell Hz. Isai. Po në këtë ditë ka rënë dëshmor në vendin e Qerbelasë nipi i dashur i profetit, Hysejni, Allahu e mëshiroftë.

Megjithëse kjo ditë është konceptuar si një qerasje ëmbëlsire, dita e ashures është e rëndësishme për nga vlera shpirtërore që simbolizon dhe atmosfera vëllazërore që sjell.

Duke marr si shkak ditën e Ashures, le të kujtojmë edhe një herë fqinjin, le të bëhemi pengesë për unin tonë duke agjëruar, të pajtohemi me atë që nuk flasim dhe të kujtojmë devizën islame : “Të gjithë myslimanët janë vëllezër.”

Burim informacioni[redakto | redakto tekstin burimor]

  • [1]
  • ”Ditët dhe netët e mira në Islam”, KMSH, Tiranë, 2008., 134-136.