Eksodi 1999 në Kukës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Eksodi i vitit 1999 në Kukës ishte shpërngulja me dhunë nga shtëpitë e tyre e mbi 800,000 kosovarëve gjatë periudhës 27.03.1999 deri në 13.06.1999. Kjo erdhi si pasojë e konfliktit të Republikës Federale të Jugosllavisë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, NATO-n dhe ushtrinë tokësore të Shqipërisë.[1]

"Sheshi Skënderbej",gjatë eksodit të Kosovarëve

Bisedimet e Natos në lidhje me Kosovën[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në orën 23:17, më 23 mars 1999, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, lajmëroi se kishte urdhëruar Komandantin Suprem Aleat të Europës (SACEUR), Gjeneralin e Ushtrisë Amerikane Wesley Clark, që të "nisë operacionet ajrore në Republikën Federale të Jugosllavisë." Në 24 mars në orën 20:00 NATO nisi fushatën bombarduese kundër Jugosllavisë.

Fushata bombarduese e NATO-s zgjati nga 24 marsi deri më 11 qershor 1999, duke përfshirë mbi 1,000 avionë që vepronin kryesisht nga bazat në Itali dhe në aeroplan-mbajtëset të stacionuara në Adriatik. Raketat kruiz "Tomahawk" u përdorën gjerësisht, të lëshuara nga avionët, anijet dhe nëndetëset. Të gjithë anëtarët e NATOs, me përjashtim të Greqisë, u përfshinë në këtë fushatë. Në mbi dhjetë javët e konfliktit, avionët e NATO-s fluturuan mbi 38,000 misione luftimi. Ishte hera e dytë për Forcat Ajrore Gjermane (Luftwaffe) që kishte marrë pjesë në një konflikt që prej Luftës së Dytë Botërore pas Luftës së Bosnjes.

Qëllimi i paracaktuar i NATO-s u përmblodh nga zëdhëndësit e saj si "serbët jashtë, paqeruajtësit brenda, refugjatët të kthehen". Trupat jugosllave duhej të largoheshin nga Kosova, të cilët do të zëvendësoheshin nga paqeruajtësit ndërkombëtarë në mëyrë që të siguronin që refugjatët shqiptarë të ktheheshin në shtëpi. Fushata u caktua në fillim, për shkatërrimin e mbrojtjes ajërore jugosllave dhe shënjestra ushtarake me vlerë të lartë. Nuk shkoi dhe aq mirë në fillim, pasi moti i keq, i disfavorizonte misionet e ndërmarra nga NATO. Nato-ja e nënvlerësoi faktin se Slobodan Milosevic do të rezistonte.

Dita e parë e eksodit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me datë 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganorë të Morinës hynë 187 refugjatët e parë nga Kosova [2] ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefektures së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”. Kryetari i bashkisë së qytetit Kukës, Safet Sula, u bëri thirrje qytetarëve të Kukësit që të ofronin mbështetje ndaj refugjatëve.[3] Pas kësaj thirrje qytetarët kuksianë filluan menjëherë të strehonin refugjatët nga Kosova. Deri në orën 19:30 kanë hyrë rreth tre mijë kosovarë brenda territorit te Kukësit.

Presidenti i asaj kohe, Rexhep Meidani, kryeministri Pandeli majko, së bashku me disa ministra të kabinetit mbërritën në Kukës. Qëllimi i ardhjes ishte vlerësimi i gjendjes në Prefekturën e Kukësit, pas sulmit luftarak të NATO-s si dhe masat që duheshin marrë nga qeveria Shqiptare dhe pushteti vendor në rast të ndonjë fluksi të shqiptarëve si dhe përgatitjet e mundshme, për tu përballur me ndonjë sulm, që mund të ndodhë si pasojë e hakmarrjes së ushtrisë jugosllave ndaj sulmit të NATO-s. Ndërsa deri në orën 24.00 të 27.03.1999 ne Kukës mbërritën 12.721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë ku me datë 27 mars në Kukës, u dërguan kontigjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapuna etj) për 2500 persona në muaj.[4]

28 mars 1999 deri në ndërhyrjen e NATO-s[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Data
Datat Numri i të dëbuarve
30.03.1999 5294
31.03.1999 21000
03.04.1999 17000
05.04.1999 35000
07.04.1999 20
(12-14).04.1999 4946

Me datë 28 mars vazhdoi fluksi i të ardhurve Kosovarë, të dëbuar me forcë prej trojeve të tyre ,nga pushtuesit Serbë. Numri i tyre ishte 13.000 banorë. Refugjatët Kosovarë kishin hyrë nga pikëkalimi i Morinit ku edhe ishin dhunuar,torturuar,masakruar dhe zhveshur nga policët serbë ,duke u marrë paratë,bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që ato kishin

Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati I kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to. Mesatarisht çdo familje në qytetin e kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë. Në krye të javës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve ,me rreth 70.000 kosovarë. Nga këto 40.000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakouar një pjesë të kosovarëve në qytete te tjera por ata refuzuan sepse kishin gjetur mikpritjen dhe bujarine e vendasve. Dita ditës numri i të dëbuarve rritej.

Roli i Prefekturës së Kukësit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prefektura e Kukësit së bashku me Bashkinë e qytetit me kryetar Safet Sulën, shpërndanin 120-130 ton ushqime. Kamionët sillnin mijëra ton miell , bukë dhe ushqime. Çdo ditë shpërndaheshin miliona pako me oriz, dyfishi i tyre me sheqer, mijëra ton biskota, mish i konservuar, miliona pako makarona, gota plastike dhe shishe me ujë të pijshëm. Disa Ndihma ushqimore erdhën nga biznesmeni kuksian Basri Ruka I cili ndau ndihma të konsiderueshme ushqimore për familjet që kishin strehuar refugjatë kosovarë. Edhe furrat e bukës filluan të punonin 24 orë pa pushim. Kryqi i kuq Shqiptar, dega Kukës filloi shpërndarjen e ndihmave. Gjatë kësaj periudhe u vu në punë Fabrika e blojes e qytetit të Kukësit për të bluar 200 tonë grurë. Shoqata humanitare Kosovare “Ulpiana” shpërndau për kosovarët e dëbuar 591 pako biskota, 100 pako rroba dhe veshmbathje, 12.000 konserva, 2.000 palë këpucë e çizme, 26 pako me ushqime dhe batanije. Fondacioni islam “ El Haramein” I Arabisë Saudite ndau 1 kamion me bukë, 1 me ushqime dhe 400 batanije për kosovarët e dëbuar me dhunë nga trojet e tyre. Shoqata e bamirësisë “Betania” për fëmijët jetim, kosovarë , nga mosha 0-14 vjeç ofroi strehim, ushqim, shkollim dhe rritje në kushte optimal pranë qendrës së saj.[5]

Higjena fillimisht nuk ishte problem por me kalimin e kohës u bë e tillë. Nuk kishte dushe, shpesh herë mungonin edhe sapunët dhe detergjentët. Por me kalimin e kohës u shpërndanë miliona pampers, detergjentë dhe sapunë. Kampet e ngritura nga Italia dhe Arabia Saudite ishin të paisura më shumë me to. Kishte rrezik për epidemi të ndryshme. Prandaj ishte e nevojshme paisja me sa më shumë banjo dhe ujë . Duhej të shtoheshin mjetet sanitare dhe të largoheshin mbeturinat jetësore dhe të dezinfektoheshin. U realizua kontrolli i ushqimeve para se të shpërndaheshin qe të parandaloheshin sëmundjet dhe epidemitë e ndryshme.[5]

Roli i spitalit të Kukësit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Spitali i Kukësit kryente 2.000 vizita mjekësore në ditë. Çdo 5-10 minuta vinin njerëz të plagosur, të rrahur, të masakruar dhe përdhunuar nga forcat serbe . Në qytetin e Kukësit funksiononte spitali fushor për të dëbuarit I cili kishte sallë të urgjncës, të lindjes, farmaci dhe qendrën ku ndihma mjekësore jepej falas. U krijua menjëherë shtabi I emergjencës që të përballonte situatën. Gjithashtu shoqata për ndihmë mjekësore dha ndihmë falas në një na mjediset e Poliklinikës së qytetit Kukës. Disa të burgosur kuksian në Lushnjë shprehën gadishmërinë të falnin gjak për spitalin e Kukësit për nevojat e kosovarëve të plagosur. U hap një qendër shëndetësore për mjekim falas me dy mjekë shqiptarë dhe një Italian. UNICEF-I dha një ndihmë shumë të madhe duke dërguar në Kukës 60.000 dozë vaksinash DTP(difteri, tetanozi) për vaksinimin e fëmijëve kosovarë të dëbuar me dhunë prej trojeve të tyre. Gjithashtu ngriti 3 qendra për trajtimin e fëmijëve të traumatizuar nga dhuna serbe. U ngritën 5 pika për vaksinimin e fëmijëve nën 12 vjeç që ishin: Klinika e kryqit të kuq finlandez, Poliklinika e qytetit të Kukësit, qendrat shëndetësore Bardhoc, Gostil dhe Kampi I arabëve. Ishin angazhuar 5 mjekë, 18 infermierë, u vaksinuan 10.097 fëmijë. Vaksinat ishin kundër poliomelitit dhe fruthit. Në fund të fushatës , në qendrat shëndetësore të qytetit të Kukësit ishin vaksinuar plot 24.270 fëmijë kundër fruthit dhe 11.082 kundër poliomelitit. Në kishën Kristiane gjermane të Kukësit vepronte shoqata “Humedika” . Në ekipin e saj shërbenin 2 mjekë dhe 2 infermierë të cilët gjatë ditës ofronin vizita falas, shpërndarje qumështi, larje e ndërrim rrobash për fëmijët e porsalindur kosovarë, kujdesin ndaj nënave shtatzëna, këshillime për mirëmbajtjen dhe rritjen e fëmijëve etj.Me datë 10 qershor ora 01:00 NATO pas bisedimeve të shumta vendosi pezullimin e bombardimeve ndaj trupave serbe në Kosovë. Ata kishin një kusht , tërheqja e serbëve nga Trojet Kosovare. Më pas menjëherë 18 furgonë me 140 kosovarët e parë u nisën drejt Kosovës. Në datën 13 qershor ,qytetarët e Kukësit përshëndetën trupat Gjermane që u nisën drejt Kosovës dhe kaluan në pikën kufitare të Morinit rreth orës 11:00.

Kampi i Kosovarëve gjatë Eksodit 99

[6]

Kampet e të dëbuarve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pavarsisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë , një numër i madh kosovarësh strehoheshin në kampe.Më 17.04.1999, në periferinë e qytetit te Kukësit janë improvizuar disa kampingje, me kushte të veshtira [7] Pas 08.06.1999 numri i banorëve të strehuar në kampe rezulton të jetë rritur deri ne 33 mijë banorë.Kjo rritje shpjegohet me faktin se kanë filluar të kthehen banorët nga rrethet e tjera për të qënë me afër pikëkalimit në Morinë të gatshëm për të hyrë në Kosovë. Gjithashtu është ngritur një kamp në mënyrë spontane , në vendin e quajtur Zabel , Kukes , në të cilin janë strehuar më shumë se 2 mijë banorë. Sipas përgjegjësit të kampit ,Bedri Kolloni situata ishtë normalizuar si gjendja e ushqimit dhe e shpërndarjes së ndihmave për banorët e strehuar .[8] Problem, i hasur në kampe ka qënë banjot kolektive.Ku për periudhën (05-09)qershor 199 janë shpenzuar rreth 80 mijë marka gjermane për ndërtimin e banjove dhe vendosjen e dusheve, me qëllim të krijimit të kushteve sa më normale, për të dëbuarit. Gjatë periudhës së krizës funksiononin 8 kampe, ku 6 prej tyre ishin ngritur në prill. Në këto kampe u strehuan 30.000 shqiptarë të dëbuar.

Kampet e ngritura
Nr Emërtimi Vendi Numri
1 Kampi I EBA-së Gostil 9.776
2 Kampi UNHCR-së Gostil 3.410
3 Kampi Italian 1 Rexhepaj 6.230
4 Kampi Italian 2 Kukës 5.800
5 Kampi I bashkisë Kukës 2.510
6 K. Kapanamur Kukës 1.300
7 Këndi I lojrave Kukës 1.600
8 Parku I ri Kukës 3.600
9 Kampet total Rrethi Kukës 34.216

[9]

Arsimi gjatë asaj periudhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Edhe pse ne gjendje të rëndë , në Kukës nuk mungojnë veprimtaritë kulturore dhe sportive. Me 13.05.1999 shkolla e mesme "Havzi Nela" e qytetit te Kukësit, organizoi krosin masiv me moto:"Për Kosovën Martire, per Paqen".[10] Gjithashtu gjatë kësaj periudhe janë marrë masa nga strukturat e Drejtorisë Rajonale Kukes (DAR Kukës) për fillimin e shkollës verore për fëmijet kosovarë, që janë të vendosur në Prefekturën e Kukësit. Më 25.05.1999 Drejtori i Drejtorisë Rajonale Kukes Islam Gjana shprehet se : "Janë marrë gjitha masat për fillimin e vitit shkollor dhe se do te ketë një bashkëpunim të shkëlqyer midis mësuesve kuksiane dhe atyre kosovarë në realizimin me sukses te programit mesimor".[11] Më 7 qershor 1999 , filloi shkolla verore për fëmijët kosovarë. Në këtë datë u regjistruan 12700 nxënës.Për zhvillimin e mësimit janë vënë në dispozicion 19 shkolla, veç mjediseve portative në kampe.[12] Deri më 11.06.1999 sipas Drejtorise Arsimore të Rrethit të Kukësit janë vënë në dispozicion 26 shkolla verore ,18 objekte shtëpi dhe 8 shkolla te improvizuara në kampe e japin mësim 436 mësues,kryesisht të ardhur nga Kosova.Problemi kryesor ,pajisja me bazën materiale e shkollave nëpër kampe.Për të ndjekur ecurinë e vitit te ri shkollor të fëmijeve kosovarë në Kukës me 11.06.1999 ishte Ministri i arsimit, Ethem Ruka dhe ambasadori i UNICEF -it Roberto Laurent.[13]

Gjendja ekonomike[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas përfundimit të krizës , ishte përmirësuar pjesërisht gjendja ekonomike , për të zhdukur të gjithë pasojat e luftës në Prefekturën e Kukësit. Sipas Shtabit të mbikëqyrjes së situatës vlera e dëmtimit të ekonomisë ishte afro 15 milionë dollarë amerikanë . Sipas specialistëve , që kanë verifikuar në detaje dëmtimet në të gjithë sektorët në rrethin e Kukësit , u nevojitën për tu financiuar nga shteti dhe donatorët rreth 97.922.732 leke ose 699.455 dollarë amerikanë , për rrethin e Hasit 392.958.396 lekë ose 2.806.700 dollarë , ndërsa për rrethin e Tropojës 287.600.659 lekë ose 2.054.287 dollarë amerikanë . U bë përmirësim në gjendjen e ekonomisë , duke përfshirë përmirësimim e disa objekteve shkollore dhe shëndetësore , të rrjetit të ujësjellësit të qytetit .

Pasojat e Eksodit 1999 ne Kukës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendosja e minave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ushtria jugosllave dhe forcat paramilitante e policore serbe kanë goditur vazhdimisht territorin e prefekturës së Ksukëit, sidomos fshatrat përgjtë kufirit. Gjatë periudhës mbi tetëdhjetë ditore (8o) janë goditur të gjitha fshatrat e vijë së kufirit me gjatësi mbi 120 km, janë bombarduar edhe territoret e prefekturës deri mbi 10 km në thellësi të vendit. Ka pasur raste kur predhat e artilerisë së ushtrisë jugosllave, janë hedhur deri në qytetin e Kukësit, që është mbi 20 km larg vijë së kufirit. Në drejtim të territorit tonë vetëm gjatë periudhës mars-maj 1999 llogaritet të jenë hedhur mbi 3350 predha artilerie të kalibreve të ndryshme. Gjithashtu gjatë periudhës së luftës, janë vendosur përgjatë kufirit një numër i madh minash dhe janë infektuar më së shumë se 1400 hektarë tokë me mina antipersonal, që për shumë vite në të ardhmen do të mbeten rrezik real për njerëzit që banojnë në këtë zonë. Gjatë sulmeve ajrore edhe NATO-ja hodhi një numër municionesh në zonën kufitare, duke synuar goditjen e trupave dhe mjetet ushtarake të Serbisë. Sipas vëzhgimeve nga ekipet speciale për minat dhe municionet e paplasura, të bëra me 1999 u identifikua se territori i kontaminuar përbëhej prej 85 zonave të rrezikshme, përgjatë më shumë se 120 km të kufirit. Gjithsesi, ky infektim kap një sipërfaqe mbi 1400 hektarë tokë. Më vonë sipas AMAP,është rivlerësuar situata dhe se problem minave UXO në Prefekturën e Kukësit mund të përfshijë 57 zona të minuara.

Deri në fund të vitit 2002 janë pastruar rreth 700 hektarë tokë, pra afro 50% e gjithë sipërfaqes së infektuar. Këto zona, sipas specialistëve mund të pastrohen .Brenda një kohe relativisht të shkurtër. Sipas po këtyre specilistëve vëzhgimet e impaktit llogaritet që me një buxhet modest 5-7 milionë dollar, mund të pastrohen të gjitha zonat, me përparësi të lartë dhe të mesme. Brenda afro 3 vjetësh, duke e bërë kështu Shqipërinë vendin e dytë postkonfliktual pa efekt minash dhe UXO. Fill pas përfundimit të luftës në Kosovë, ushtarakë te NATO-s u shprehën se minat do të hiqen vetëm nga ata që i kanë vendosur. Ky veprim i njësive special të ushtrisë së mundur nuk u krye as deri më sot. Prandaj, kjo gjendje është gjithnjë rrezik real për njerëzit që banojnë në këtë rajon. Programet për veprim ndaj minave në Shqipëri:AMAP dhe AMAE të cilat ishin përgjegjëse për përgatitjen e një plani kombëtar për veprim ndaj minave, bazuar në identifikimin e zonave të rrezikshme dhe për përgatitjen, caktimin dhe përparësitë, planifikimin dhe koordinimin e operacioneve për të mbështetur këtë plan. Para disa kohësh AME ka marrë një mbështetje të kufizuar financiare nga: PNUD, Kanada, Zvicër, Turqia, ITF-ja dhe DFID-ja. Që prej vitit 2000 katër ekipet e çminimit, RONCO, HELP, SFM dhe DCA-ACT. Duke u bazuar kryesisht në teknikat manual kanë hequr 3867 mina dhe kanë asgjësuar 3600 UXO. Katër vjet pas luftës në Kosovë Prefektura e Kukësit kishte gjithsej 215 incidente që kanë sjellë 227 të aksidentuar dhe 27 të vdekur, për shkak të minave. Këto incidente I përkasin periudhës 25/03/1999 -21/02/2003 •

Demtimet në Bujqësi e Blegtori[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lufta në Kosovë përfshiu drejtpërdrejt Prefekturën e Kukësit dhe shkaktoi dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori. Përveçse u mbuluan më shumë se 1400 hektarë tokë me mina gjatë krizës mbeti edhe shumica dërrmuese e tokës djerrë. Lufta ndodhi në pranverë, pikërisht në fushatën e mbjelljeve dhe kryerjeve së punëve të tjera në bujqësi. Në Prefekturën e Kukësit, që është rajon relativisht I varfër shumica e banorëve I mbajnë shpresat tek prodhimi bujqësor dhe blegtoral. Shpërngulja masive e banorëve kosovare në zonat rurale të Prefekturës së Kukësit, minimi i sipërfaqeve të tëra dhe zhvillimi I luftës në brezin kufitar, bënë që kjo popullsi të mos mbillte tokat bujqësore e të mos bënte punë të tjera për shkak të rreziqeve të mëdha të luftës. Natyra e dëmeve është e ndryshme, që nga mbetja e sipërfaqeve të pambjella, sipërfaqevt e tokave të mbjella dhe të dëmtuara direkt deri tek ato të papunuara, për shkak të evakuimit të popullsisë në zona më të sigurta. Sipas urdhrit nga Shtabi I Mbikëqyrjes së situatës së jashtëzakonshme janë evidentuar dhe mjaft dëme në pemëtari, fasule, livadhe dhe kullota. Sipas të dhënave mbi 1200 hektarë tokë nuk janë mbjellë me kultura bujqësore dhe nuk u janë kryer shërbimet e nevojshme.

Dëmet në blegtori kanë qene të konsiderueshme. Në rethin e Kukësit janë dëmtuar një numër i konsiderueshëm i bagëtive të trasha, të imëta, njëthundrakë dhe bletë. Dëmi më I madh ishte në Has dhe në Tropojë. Kështu në të gjithë Prefekturën u dëmtuan më shumë se 800 gjedhë dhe njëthundrakë, mbi 3000 bagëti të imëta, më shumë se 1200 zgjoje bletësh. Në bazë të verifikimit të ekspertëve dëmi në bujqësi dhe blegtori, në shkallë prefekture llogaritet në shumën 347,118,000 lekë ose 2 milionë e 673 mijë dollar amerikanë. Dëmtime të mëdha ka pasur dhe sektori i bujqësisë sidomos objektet vaditëse..Dëmtimet të mëdha ka pësuar e sektori i bujësisë , sidomos objektet vaditëse . Dëmet ne këto objekte kalojnë shumën 26,946,000 leke. Dëmtimet tejet të mëdha kanë pasur rrjeti i ndërlidhjes, ai elektrik, infrastruktura rrugore, institucionet shtetërore, shkolla. Këto dëme llogariten me mbi 15 milionë dollarë amerikanë.

Eksternalitet pozitive[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kofi[lidhje e vdekur] Anann në Kukës, gjatë krizës së Kosovës 1999

Deri me 12 qershor 1999 Kukësin e kanë vizituar edhe personalitete të tjera me shumë ndikim në jetën politike europiane si: Kostantinu, përfaqesues i Këshillit të Europës në Tiranë, Presidenti i Republikës Rexhep Meidani dhe kryeministri Pandeli majko, Ish Presidenti, Sali Berisha ,Zv.Kryeministri, Ilir Meta, Komisionere e Naltë për refugjatët, Ema Bonino dhe Kryetari i parlamentit të Shqipërisë, Skënder Gjinushi , Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Dan Everts, Ambasadori i UNICEF-it në Tiranë, Roberto Laurenti, Kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, Kongresmeni amerikan i Virgjinias, Frenk Uollf, Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Folebek, Zv/Sekretari i Përgjithshem i NATO-s, Ballazano, Komisionere e Lartë e OKB-së për Refugjatët, Sadako Ogata, Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Xoaxopullos, Drejtoreshë Ekzekutive e UNICEF, Karoll Bellany, Specialisti i OKB-së për Refugjatët, Mc.Namarra, Presidenti i Italisë Oscar Liugi Scalfaro, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan, Hashim Thaçi, Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ,Ser Rasell Xhonson.[14]

Vëmendja mediatike[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë dëbimit të kosovarëve nga trojet e tyre etnike kishte mbi 2.000 gazetarë të huaj që informonin të gjithë botën për ngjarjen qe po ndodhte në Kukës(CNN,BBC , Euro-News, Fox News etj).[nevojitet citimi]

Aeroporti i Kukësit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U ndërtua aeroporti Zaid Bin Sulltan si një mirënjohje për atë që bëri Kukësi në ndihmë të refugjatëve të luftës. Aeroporti i Kukësit u projektua gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999 dhe u bë një investim prej 30 milionë dollarësh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e tij. Ndërtimi i këtij aeroporti nisi në muajin maj të vitit 2002 dhe përfundoi në vitin 2006. Ky aeroport mban emrin e ish mbretit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 65 hektarë, 3 kilometra larg qytetit të Kukësit dhe është i kategorisë ndërkombëtare C. Sipas projektit të ndërtimit, në këtë aeroport është parashikuar që të zbresin njëherësh deri në 5 aeroplane. Aeroporti i Kukësit nuk është vënë asnjëherë në punë, për shkak të kontratës mes qeverisë dhe grupit që ka marrë me koncesion Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Vënia në punë e këtij aeroporti është kërkuar disa herë edhe nga qeveria kosovare sepse zhvillimi i tij do t’i jepte ndihmë ekonomisësë së dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës.[15]

Rritja e jetës kulturore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë qëndrimit të të dëbuarve kosovarë, në Kukës janë dhënë disa koncerte të ndryshme. Koncerti i parë u realizua në pallatin e kulturës dhe quhej “Shpresa”. Në këtë koncert u kënduan këngë për heronj të shekullit XIX-të dhe gjysmës së parë të shekullit XX-të. Në shesh ishin 20 deri në 30 mijë persona ku pjesa më e madhe ishin të rinj. Gjithashtu fëmijët, të rinjtë kosovarë gratë por edhe të moshuarit kanë shkruar poezi dhe vepra të ndryshme që tregonin realitetin e asaj kohe. Disa nga poezitë e shkruara janë botuar edhe në veprat e shkrimtarëve kuksianë.[16]

Kukësi kandidat për çmimin Nobel[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Duke qenë se Kukësi priti afro 450 mijë shqiptarë të dëbuar nga trojet e tyre, në vitin 2000 u kandidua për çmimin Nobel për paqe. Në këtë mënyrë Kukësi u bë qyteti i parë në botë i kandiduar për një çmim të tillë, për mikpritjen dhe bujarinë ndaj popullit kosovar.

Festimet në përkujtim të eksodit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Historiku i festës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tashmë është bërë traditë që çdo vit më 16 prill në qytetin e Kukësit të përkujtohet eksodi i vitit 1999. Ky përkujtim për herë të parë filloi ne vitin 2000, vetëm një vit pas eksodit dhe arsyeja e vendosjes së kësaj date ishte sepse forcat serbe u larguan nga Kosova. Kjo datë do ishte gjithmonë ditë feste sepse shqiptarët e Kosovës kishin mundësi përsëri të ktheheshin në trojet e tyre.[17]

Koncerti gjatë krizës së Kosovës në sheshin e Bashkisë Kukës

Mënyra e festimeve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në këtë ditë shqiptarë të Kosovës Marshojnë nga pikëkalimi i Morinës dhe i afrohen qytetit të Kukësit. Në qytet çdo vit organizohen veprimtari të ndryshme festive. Artistë nga e gjithë Shqipëria mblidhen në Kukës duke dhënë shfaqjet e performancat e tyre.

Gjithashtu organi i Bashkisë Kukës ndërmerr veprimtari të ndryshme në përkujtim të kësaj dite. Bashkia kujdeset që të mbulojë me flamuj cdo rrugë të qytetit dhe ka përsipër përgjegjësinë e akomodimit të të gjithë atyre personave që vizitojnë Kukësin.

Në vitin 2014 u zhvillua për herë të parë Sofra e Bujarisë. Sofra e bujarisë ishte nje aktivitet i ndërmarrë nga Qarku Kukës në përkujtim të ditës së parë të mbërritjes së Kosovarëve. Në këtë ditë kishte aktivitete kulturore që përfshinin valle, këngë e recitime të ndryshme, kishte ngritje të tendave që shërbenin ushqim për të ardhurit dhe banorët vendas . Të gjithë të ardhurat nga ky aktivitet shkuan për bamirësi.[18]

Simbolet e festës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një nga simbolet kryesore të festës është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falenderimi ndaj popullit shqiptare. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullaten kosovare.

Kulla eshte 23.5m e gjatë dhe është e mbushur me foto të cilat praqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë datës 16 prill kulla është pika që vizitohet me shpesh.[19]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Civilians Deaths in the NATO Air Campaign, Seksioni "The Crisis in Kosovo", Human Rights Watch, Volume 12, Number 1 (D), shkurt 2000 
  2. ^ Besim Cengu (2003), Përmasat e Mbijetesës, NGLB Kosova, faqe 28
  3. ^ Besim Cengu,Permasat e Mbijeteses,2003,NGLB Kosova pg94
  4. ^ Besim Cengu,Permasat e Mbijeteses,2003,NGLB Kosova pg93
  5. ^ a b Sulejman Dida,Debimi i shqiptarëve prej Kosovës,2014,Miregeeralb pg143
  6. ^ Jonuz Kola,Ditët kuksiane të drames kosovare
  7. ^ Besim Cengu,Permasat e Mbijeteses,2003,NGLB Kosova pg292
  8. ^ Besim Cengu,Permasat e Mbijeteses,2003,NGLB Kosova pg249
  9. ^ Besim Cengu,Permasat e Mbijeteses,2003,NGLB Kosova pg250
  10. ^ Besim Cengu,Permasat e Mbijeteses,2003,NGLB Kosova pg206
  11. ^ Besim Cengu,Permasat e Mbijeteses,2003,NGLB Kosova pg226
  12. ^ Besim Cengu,Permasat e Mbijeteses,2003,NGLB Kosova pg248
  13. ^ Besim Cengu,Permasat e Mbijeteses,2003,NGLB Kosova pg256
  14. ^ Sulejman Dida,Debimi i shqiptarëve prej Kosovës,2014,Miregeeralb pg247-295
  15. ^ Aeroporti i Kukësit i kalon aviacionit civil Gazeta Shqip, 18 korrik 2014
  16. ^ Sulejman Dida,Debimi i shqiptarëve prej Kosovës,2014,Miregeeralb pg96
  17. ^ Vizitë në Kukës, Qytetin legjendë, kandidat për Çmimin "Nobel", Gazeta Dielli (online), 9 tetor 2013
  18. ^ “Dita e Bujarisë”, Kukës përkujtohet 16-vjetori i eksodit nga Kosova Arkivuar 28 mars 2015 tek Wayback Machine, ORA News, 27 mars 2015
  19. ^ Kukësi përkujton Eksodin 99 me improvizimin e një kampi si të kohës së luftës (Foto) Arkivuar 28 tetor 2019 tek Wayback Machine, Gazeta Ekspress, 15 pill 2014