Shko te përmbajtja

Ekspozita "Kujtesa e Mesdheut"

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ekspozita "Kujtesa e Mesdheut – Nga Antikiteti në Kohët Moderne” [1] është hapur më 18 qershor 2025 në Bibliotekën Kombëtare [2] të Shqipërisë në Tiranë, duke i ofruar publikut një rrugëtim të rrallë nëpër shekuj të historisë dhe kulturës mesdhetare.[3]

Në kuadër të vitit ku Tirana mban titullin "Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025", kjo ekspozitë vjen si një nga ngjarjet më përfaqësuese kulturore. E kuruar me kujdes nga Biblioteka Kombëtare dhe partnerë ndërkombëtarë, ajo prezanton një koleksion të jashtëzakonshëm prej rreth 700 veprash origjinale që përfshijnë libra të rrallë, dorëshkrime, harta dhe gravura nga shekulli XIV deri në shekullin XIX, ekspozita ofron një pasqyrë të gjerë të historisë kulturore mesdhetare.

Gjatë ceremonisë së hapjes, Kryeministri Edi Rama theksoi [4] rëndësinë e kësaj ekspozite si një akt simbolik i përbashkimit kulturor: "Trashëgimia e Mesdheut nuk është produkt i një kulture të vetme, por një mozaik i përbërë nga shkëmbimi i ideve, migrimet, gjuhët, bashkëjetesa dhe konfliktet."

Po ashtu, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, e përshkroi ekspozitën si një dëshmi të rrallë të ndërlidhjes mes kulturave: "Rrugëtimi ynë në histori është produkt i një procesi kompleks marrje-dhënie, që ndikon në tiparet dhe identitetin tonë."

Ekspozita "Kujtesa e Mesdheut" [5] do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 18 korrik 2025, me hyrje të lirë dhe në orare të zgjatura vizitash nga ora 09:00 deri në 20:00. Vizitorët mund të bëjnë një turne të lirë ose të udhëhiqen nga guida kulturore të specializuara, për një përvojë më të thelluar.

  1. https://top-channel.tv/2025/06/19/kujtesa-e-mesdheut-ekspozita-me-700-vepra-nga-shekulli-xiv-xix-ne-biblioteken-kombetare/
  2. https://liberale.al/magazine/art-dhe-kulture/hapet-ekspozita-kujtesa-e-mesdheut-ne-biblioteken-kombe-i132636/
  3. https://www.aa.com.tr/sq/ballkani/shqip%C3%ABri-hapet-ekspozita-me-tem%C3%AB-kujtesa-e-mesdheut/3603744/
  4. https://www.gazetatema.net/kulture/ekspozita-kujtesa-e-mesdheut-rama-dritare-unike-drejt-historise-te-perba-i500252/
  5. https://shqiptarja.com/lajm/kujtesa-e-mesdheut-prezantohen-veprat-origjinale-te-bibliotekes-kombetare-gonxhja-se-shpejti-gati-godina-e-re-akses-edhe-online/