Shko te përmbajtja

Elpidofori i Amerikës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Elpidofori
Kryepeshkop i Kryedioqezës Ortodokse Greke të Amerikës
Kryepeshkopi Elpidofor në vitin 2020
Elected11 maj 2019
Installed22 qershor 2019
PredecessorDhimitri i Amerikës
Orders
OrdinationMars 2005
ConsecrationMars 2011
Personal details
BornIoannis Lambriniadis
28.11.1967
DenominationOrtodoks
OccupationPedagog në universitet, klerik
EducationUniversiteti Aristotelian i Selanikut (BA, PhD)
Universiteti i Bonit (MA)

Elpidofori i Amerikës (Greqisht: Ελπιδοφόρος), shqiptimi greqisht: Elpidhofóros; emri laik Ioannis Lambriniadis (Ιωάννης Λαμπρυνιάδης), i lindur më 28 nëntor 1967[1] është peshkop i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës dhe pedagog në Fakultetin e Theologjisë në Universitetin e Aristotelit në Selanik. Që nga 22 qershori 2019, është kryepeshkopi dhe primati i Kryedioqezës Ortodokse Greke të Amerikës.

Si Kryepeshkop i Amerikës, titulli i tij zyrtar është Hirësia e Tij Kryepeshkopi Elpidofor (Lambriniadis) i Amerikës, Eksark i Shumënderuar i Kryedioqezës Ortodokse Greke të Amerikës. Ai është Kryepeshkopi i tetë i Amerikës i zgjedhur që nga themelimi i Kryedioqezës Ortodokse Greke në vitin 1922.[2]

Elpidofori me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Mike Pompeo në shtator 2020

Jeta e hershme, arsimimi dhe karriera akademike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kryepeshkopi Elpidofor lindi si Ioannis Lambriniadis në lagjen Bakırköy (Makrohori) të Stambollit, Turqi, nga Vassilis dhe Nadia Lambriniadis më 28 nëntor 1967. Ndoqi Shkollën Urbane të Makrohorit në Stamboll dhe më vonë përfundoi shkollën e mesme në Athinë, Greqi. Pasi u diplomua me nderimet më të larta nga Universiteti Aristotelian i Selanikut në vitin 1991 me një diplomë Bachelor në Theologji, vazhdoi studimet në Universitetin e Bonit në Gjermani, ku mori një diplomë Masteri të Arteve në Filozofi në vitin 1993. Më pas studioi arabisht në Universitetin e Balamandit në Liban dhe mori doktoraturën në Teologji nga Universiteti Aristotelian i Selanikut në vitin 2001, duke u diplomuar rishtas me nderimet më të larta.

Kryepeshkopi Elpidofor aktualisht, përveç detyrës së primatit të Kryedioqezës Ortodokse, ushtron detyrën e profesorit të Teologjisë në këtë universitet .[3] Ai mori pozicionin e profesorit të asociuar në Departamentin e Teologjisë Pastorale dhe Sociale të Universitetit Aristoteli në vitin 2011 dhe ka dhënë kurse në fushat e Teologjisë Krahasuese, Marrëdhënieve Panortodokse & Pankristiane, si dhe Lëvizjes Ekumeniste. U ngrit në gradën e Profesorit të përhershëm në vitin 2018. Kryepeshkopi dha mësim edhe në Shkollën Ortodokse Greke të Teologjisë “Kryqi i Shenjtë” në Brookline, Massachusetts për një semestër në vitin 2004.

Në vitin 1994, u hirotonis dhjakon në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit në Fanar të Stambollit dhe u emërua Kodekografi i Sinodit të Shenjtë. Në vitin 1995, u shpall Zëvendëssekretar i Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike.[4]

Në mars të vitit 2005, me propozim të Patriarkut Vartholome, ai u emërua në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe u dorëzua prift. 6 vjet më vonë, më 20 mars 2011, u zgjodh Mitropolit i Bursës.[5][6] Në gusht të po atij viti, u emërua Abat i Manastirit të Trinisë së Shenjtë në Heybeliada .

Më 11 maj 2019, u shpall nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës si Kryepeshkopi i ardhshëm i Amerikës për të pasuar Kryepeshkopin Dhimitër[7][8] dhe u fronëzua në Nju Jork më 22 qershor 2019.[9][10]

Shërben që prej marrjes së detyrës si Kryetar i Bordit të Administratorëve në Kolegjin "Kryqi i Shenjtë".[11]

Më 8 tetor 2020, Elpidofori shfronësoi Mitropolitin Evangelos të Nju Xhersit, me sa duket për të shkrirë Dioqezën e Nju Xhersit e për ta bërë pjesë të Dioqezës Kryepeshkopale, të kontrolluar drejtpërdrejt nga ai. Megjithatë kjo nuk u arrit asnjëherë pasi pezullimi u hoq në vitin 2022 nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu dhe dioqeza u rivendos. Evangelos u zhvendos në pozicionin e Mitropolisë së Sardës, një pozicion titullar dhe shumë më i vogël.[12][13]

Më 9 korrik 2022, Elpidofori pagëzoi fëmijët e një çifti homoseksualësh, duke shkaktuar polemika të konsiderueshme dhe duke bërë që Sinodi i Shenjtë Grek t'i dërgonte një letër proteste Patriarkut Bartolomeu kundër veprimeve të tij. Elpidofori më vonë mori një vërejtje nga Sinodi i Patriarkanës Ekumenike, por i mbrojti veprimet e tij, duke thënë se "Kushdo që më kërkon të pagëzoj fëmijën e tij, unë do ta bëj, pavarësisht se kush është. Unë pagëzoj fëmijë dhe nuk më intereson jeta personale e prindërve të tyre. Nuk gjykoj jetën e njerëzve".[14][15]

Aktivizmi politik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Kryepeshkopi Elpidofor me Presidentin Donald Trump në vitin 2019

Kryepeshkopi Elpidofor ka marrë pjesë në disa aktivitete politike që kur mori rolin e Kryepeshkopit të Amerikës. Më 16 korrik 2019, Kryepeshkopi takoi Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Zëvendëspresidentin Mike Pence dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë.

Marshimi në Bruklin

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Elpidofori duke folur me Andrew Gounardes (djathtas) dhe Michael Tannousis (djathtas) në Kapitolin e Shtetit të Nju Jorkut.

Më 3 qershor 2020, me ftesë të Presidentit të Njësisë Administrative Brooklyn, Eric Adams, dhe Senatorit të Shtetit Andrew Gounardes, Kryepeshkopi Elpidofor mori pjesë në një protestë paqësore në Crown Heights për vrasjen e oficeres së ambulancës së Louisville-it, Breonna Taylor. Pas marshimit dha këtë mesazh:

"Erdha sot këtu në Brooklyn për të qëndruar në solidaritet me motrat dhe vëllezërit e mi, të drejtat e të cilëve janë shkelur rëndë. Kjo ishte një protestë paqësore, pa dhunë të asnjë lloji, dhe i falënderoj të gjithë, sepse dhuna sjell vetëm më shumë dhunë. Ne duhet të ngremë zërin kundër padrejtësive në vendin tonë. Është detyra dhe detyrimi ynë moral të mbështesim shenjtërinë e çdo qenieje njerëzore. Ne jemi përballur me një pandemi sëmundjesh të rënda fizike, por sëmundja shpirtërore në vendin tonë është edhe më e thellë dhe duhet të shërohet me veprime, si dhe me fjalë. Dhe kështu, unë do të vazhdoj të qëndroj me të gjithë ata që janë të përkushtuar për të ruajtur paqen, drejtësinë dhe barazinë për çdo qytetar me vullnet të mirë, pavarësisht racës, fesë, gjinisë apo origjinës së tyre etnike."[16]

Konvertimi i Shën Sofisë në xhami

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ditët e para të korrikut të vitit 2020, Këshilli Turk i Shtetit anuloi vendimin e kabinetit të vitit 1934 për ta shndërruar Shën Sofinë në muze dhe ia hoqi statusin monumentit. Një dekret i mëvonshëm i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, urdhëroi riklasifikimin e Shën Sofisë si xhami.[17] Kryepeshkopi Elpidofor mbajti qëndrim kundër këtij vendimi. Më 19 korrik, anëtarët e Sinodit të Shenjtë Eparkial të Kryedioqezës Ortodokse Greke të Amerikës, nën kryesinë e Kryepeshkopit Elpidofor, e caktuan 24 korrikun si ditë zie.[18] Në një intervistë për BBC-në, kryepeshkopi tha: "Kjo ditë për ne është një ditë zie. Është dita kur ne vajtojmë për këtë vendim të qeverisë turke për rikonvertimin e një monument, i cili është kaq i rëndësishëm për të gjithë botën. Kjo është një situatë kaq e dhimbshme për ne saqë e shpallëm këtë ditë ditë zie. Është si e Premtja e Madhe për të gjithë të krishterët." Ai vazhdoi duke thënë: "Sigurisht që mund t'ju them se nuk do të ndalemi kurrë. Është një fillim për ne. Do të nisim një fushatë. Unë tashmë, dje, pata mundësinë t'i shpreh shqetësimet e të gjithë të krishterëve ortodoksë në Shtetet e Bashkuara Presidentit Trump, i cili më priti në Shtëpinë e Bardhë, dhe Zëvendëspresidentit, Z. Pence ."[19]

Më 23 korrik 2020, Kryepeshkopi Elpidofor u takua me Presidentin Donald Trump dhe Zëvendëspresidentin Mike Pence mbi shqetësimet e Patriarkanës Ekumenike dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Greke mbi sekuestrimin dhe rikthimin e Shën Sofisë në xhami. Pas takimit, Kryepeshkopi u shpreh: "Jam mirënjohës që u takova me Presidentin Trump dhe Zëvendëspresidentin Pence në Shtëpinë e Bardhë dhe që shpreha pakënaqësinë tonë të thellë për rikthimin e Shën Sofisë në xhami, si dhe në lidhje me shqetësimet e vazhdueshme për sigurinë e Patriarkanës Ekumenike dhe çështjet e lirisë fetare. Duke pasur parasysh ditën e nesërme të zisë, ne vazhdojmë të lutemi, por gjithashtu e çojmë luftën tonë në nivelet më të larta të qeverisë për veprim dhe shqyrtim."[20] Ndërsa gjatë takimit të tij me presidentin, Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së miratoi, me pëlqim unanim, një amendament të propozuar nga Kongresmenia Dina Titus (D-NV) që kundërshtonte konfiskimin e Kishës së Madhe të Urtësisë së Shenjtë.

Amendamenti i Titusit HR 7608 - i cili u bashkësponsorizua nga Kongresmenët Gus Bilirakis (R-FL), John Sarbanes (D-MD), Chris Pappas (D-NH), David Cicilline (D-RI), Ted Deutch (D-FL), Brad Sherman (D-CA) dhe Brad Schneider (D-IL) - i bën thirrje Departamentit të Shtetit të "denoncojë Turqinë për ndërmarrjen e veprimeve zyrtare për të ndryshuar statusin e Shën Sofisë nga një muze në xhami, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s me rëndësi shpirtërore për njerëz të shumë besimeve dhe prejardhjeve, dhe të angazhohet me Turqinë me qëllim kthimin e statusit të saj në muze në mënyrë që të mirëpresë njerëz të të gjitha besimeve dhe ata që janë mahnitur nga shkëlqimi i saj arkitektonik dhe artistik."[21]

Konventa Kombëtare Republikane dhe Demokratike e 2024

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 15 korrik 2024, hapi ditën e parë tëKonventës Kombëtare Republikane me këtë lutje:

"Le t'i lutemi Perëndisë së të gjithëve. O Zot i Plotfuqishëm dhe i Përjetshëm, në paqe vijmë para Teje dhe lutemi për mirësinë Tënde të pafundme. Mbikëqyre këtë mbledhje të udhëheqësve politikë të kombit tonë dhe jepu atyre zemra dhe mendje të ndriçuara për t'u shërbyer bashkëqytetarëve të tyre përmes kësaj Konvente Kombëtare Republikane. Jepu presidentit të nominuar Donald J. Trump dhe këshilltarëve të tij mençuri, mirësi dhe frymën e bukurisë - që ata të munden të përqafojnë të gjitha nevojat e amerikanëve, duke ndriçuar dritën e qeverisjes së mirë mbi institucionet e nderuara të shpresës më të mirë të botës për jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumturisë së të gjithëve. Jepu delegatëve njohjen e fuqishme të qëllimit, për të dëshmuar për providencën hyjnore që e ka mbrojtur këtë tokë të madhe gjatë shekujve dhe na shtyn drejt një bashkimi më të përsosur me njëri-tjetrin, duke ndërtuar gjithmonë mbi punën e atyre pionierëve të patriotizmit që shkuan para nesh. Mbroji ushtarakët dhe gratë që çdo ditë mbrojnë liritë tona në mënyrë që në begati dhe qetësi të mund të të adhurojmë Ty - krijuesin, shpëtimtarin dhe shenjtëruesin e universit dhe të jemi populli i bekuar, Zoti i të cilit është Perëndia. Amin."

Ndërsa më 20 gusht 2024, kreu lutjen hapëse në ditën e dytë të Konventës Kombëtare Demokratike

"Tani është koha t'i lutemi Zotit. Le t'i lutemi Zotit, Perëndisë së Përjetshëm, burimit të mirësisë. Ne vijmë para Teje duke kërkuar bekimin Tënd qiellor mbi këtë Konventë Kombëtare Demokratike. Jepi mundësinë kandidates për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, dhe kandidatit të saj për Zëvendëspresident, Guvernatorit Tim Walz, të ndjekin postet më të larta në vend me dashuri, shpresë dhe me besim në kombin tonë. Jepu mundësinë delegatëve të angazhohen me bashkëqytetarët e tyre në një frymë gëzimi dhe uniteti, duke kërkuar gjithmonë më të mirën për vendin tonë. Gjithashtu kërkojmë bekime të veçanta mbi Presidentin Joseph Biden, Zonjën e Parë Jill Biden dhe familjen e tyre. Sepse ai i ka dhënë një jetë shërbimi dhe sakrifice popullit amerikan dhe ka qëndruar me fisnikëri dhe integritet në skenën ndërkombëtare për të udhëhequr traditat më të mira të Shteteve të Bashkuara. Së fundmi, ne kërkojmë që Ju të mbroni Forcat e Armatosura, në mënyrë që në paqe dhe siguri të mundemi të të ofrojmë Ty, Perëndisë së Vetëm, lavdinë që të takon. Amin."

  1. "Elpidophoros of Bursa - Hierarchy of the Throne - The Ecumenical Patriarchate". www.patriarchate.org (në anglishte amerikane). Marrë më 2019-05-28.
  2. "Biography of His Eminence Archbishop Elpidophoros of America". www.goarch.org (në anglishte amerikane). Marrë më 2020-05-15.
  3. "Ελπιδοφόρος (Ιωάννης) Λαμπρυνιάδης Αρχιεπίσκοπος Αμερικής – Τμήμα Κοινωνικής Θεολογίας & Χριστιανικού Πολιτισμού". past.auth.gr (në greqisht). Marrë më 2024-02-12.
  4. "Metropolitan Elpidophoros of Bursa and Exarch of Bithynia as the new Archbishop of America - A Biographical Note of His Eminence Archbishop Elpidophoros follows". Hellenic News of America (në anglisht). 11 maj 2019. Marrë më 21 dhjetor 2019.
  5. "Elpidophoros of Bursa - Hierarchy of the Throne - The Ecumenical Patriarchate". www.patriarchate.org (në anglisht).
  6. Jacobse, Fr Johannes (22 mars 2011). "EP Fast Track? Homily of Met. Elpidophoros of Proussa at His Ordination". www.aoiusa.org (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 14 shkurt 2026. Marrë më 15 shkurt 2026.
  7. "The First Interview of Archbishop Elpidophoros of America with TNH". The National Herald (në anglisht). 21 maj 2018. Arkivuar nga origjinali më 16 shtator 2019. Marrë më 15 shkurt 2026.
  8. "Elpidophoros selected new archbishop of America". Kathimerini (në anglisht). 11 maj 2019.
  9. "Enthronement Address of His Eminence Archbishop Elpidophoros - 2019 - Greek Orthodox Archdiocese of America". www.goarch.org (në anglisht).
  10. "Arrival and Enthronement of Archbishop Elpidophoros - Greek Orthodox Archdiocese of America". www.goarch.org (në anglishte amerikane). Marrë më 2026-02-15.
  11. "Hellenic College Holy Cross | Our President". www.hchc.edu (në anglisht). Marrë më 2025-10-17. Katos u zgjodh nga Administratorët e HCHC-së dhe u miratua nga Kryetari, Hirësia e Tij, Kryepeshkopi Elpidofor i Amerikës
  12. Zachariadi, Eirini (22 shtator 2023). "Former and Current Metropolitan Evangelos and Apostlos of New Jersey at the Synod of the Phanar". The National Herald (në anglisht). Marrë më 20 shkurt 2025.
  13. Kalmoukos, Theodore (19 janar 2023). "Metropolitan Evangelos of Sardis Appointed to Holy Synod of the Phanar - Orthodox Christian Laity". ocl.org. Marrë më 20 shkurt 2025. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  14. Kokkinidis, Tasos (5 janar 2024). "Archbishop Elpidophoros of America Defies Opposition in Visit to Holy Mount Athos". Greek Reporter (në anglisht). Marrë më 4 prill 2024.
  15. Kalmoukos, Theodore (28 korrik 2022). "Archbishop Elpidophoros Attacks the Church of Greece". thenationalherald.com (në anglisht). Marrë më 4 prill 2024.
  16. "Archbishop Elpidophoros Marches in Brooklyn - Messages - Greek Orthodox Archdiocese of America". www.goarch.org (në anglishte amerikane). Marrë më 2020-07-30.
  17. Gall, Carlotta (2020-07-10). "Erdogan Signs Decree Allowing Hagia Sophia to Be Used as a Mosque Again". The New York Times (në anglishte amerikane). ISSN 0362-4331. Marrë më 2020-07-30.
  18. "Holy Eparchial Synod Designates July 24 as a Day of Mourning - From the Archdiocese - Greek Orthodox Archdiocese of America". www.goarch.org (në anglishte amerikane). Marrë më 2020-07-30.
  19. "His Eminence Archbishop Elpidophoros BBC Interview Transcription - From the Archdiocese - Greek Orthodox Archdiocese of America". www.goarch.org (në anglishte amerikane). Marrë më 2020-07-30.
  20. "Archbishop Elpidophoros Meets with President Trump and Vice President Pence on Hagia Sophia - From the Archdiocese - Greek Orthodox Archdiocese of America". www.goarch.org (në anglishte amerikane). Marrë më 2020-07-30.
  21. "US House Passes Hagia Sophia Amendment - Affiliates - Greek Orthodox Archdiocese of America". www.goarch.org (në anglishte amerikane). Marrë më 2020-07-30.