Ernest Çoba

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Imzot Ernest Çoba (Vau i Dejës, 16 shkurt 1913 - Burgu i Tiranës, 8 janar 1980) ka qenë klerik i lartë katolik. Më 2020 iu botua përkthimi i një antologjie të poezisë italiane me titullin Keze të hueja.[1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi më 16 shkurt 1913, në Laç të Vaut të Dejës, ku familja e tij, një prej më të vjetrave të Shkodrës, ishte vendosur në kohën e rrethimit të qytetit nga malazezët. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Kolegjin Saverian e në Seminarin Papnor në Shkodër. Kreu studimet e larta për teologji e filozofi. Më 9 shkurt të vitit 1936 u shugurua meshtar nga delegati apostolik dhe administratori i Arqidioqezës së Shkodrës, Imzot Giovanni della Pietra S.J., dhe pas dy ditësh çoi meshën e parë.

Shërbeu në detyra të ndryshme pranë Seminarit Papnor e si mësues i besimit ndër shkolla të qytetit nga viti 1938 deri më 1946. Më 19 mars 1936 u zgjodh ndihmës famullitar i Shkodrës.

Në vitet ’46-’52 është provikar i Arkidioqezës së Shkodrës dhe famullitar i qytetit. Pas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, arrestimit të Dom Mikel Koliqit dhe vdekjes së Dom Tomë Lacës, i ngarkohen të gjitha detyrat e shërbimit në Kishën Katedrale të Shkodrës. Më 21 janar 1952 u emërua Ipeshkëv titullar i Midaeum-it: u shugurua më 20 prill të po atij viti nga Ipeshkvi i Pultit dhe «Kryetari i Kishës Katolike të Shqipërisë», Imzot Bernardin Shllaku O.F.M.. Që prej kësaj kohe e deri më 9 nëntor 1956, kur vdiq Imzot Shllaku, kreu detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të «Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë», kurse nga 9 nëntori 1956 deri më 21 mars 1957 atë të «Kryetarit» të saj. Gjatë kësaj kohe, me ndihmën e të motrës, mbajti marrëdhënie të fshehta me Selinë e Shenjtë nëpërmjet Legatës italiane në Tiranë. Sa herë që e motra shkonte në Legatë për të marrë pensionin e të shoqit italian, dorëzonte edhe materialet e Imzotit të shkruara në letra cigaresh. Për këtë arsye u arrestua më 29 prill të vitit 1976. Plot një vit më vonë, më 29 prill 1977, Gjykata e Rrethit të Shkodrës, me akuzën «tradhëti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor», e dënoi «me 25 vjet të heqjes së lirisë, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet.» Dënimin e vuajti në burgun e Tiranës, ku vdiq në mënyrë të mistershme, pas një injeksioni që iu bë në spitalin e burgut më 8 janar të vitit 1980. Me rënien e Komunizmit, eshtrat e tij u rivarrosën në Katedralen e Shkodrës, me ç’rast u celebrua dhe një meshë nga Nunci Apostolik, Imzot Ivan Diazi dhe Imzot Zef Simoni.[2]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Botohet "Keze të hueja": poezi të përkthyera nga Imzot Ernest Çoba". Vatican News. 6 korrik 2020.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Hoxha, Çelo, red. (2012). Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist I (A-Ç). Vëll. I. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. fq. 253–254. ISBN 978-9928-168-01-6.