Esad pashë Toptani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Esat Pashë Toptani)
Shko te: navigacion, kërko
Esat Toptani

Esat pashë Toptani ose Esat Pasha lindi në vitin 1863 dhe u vra nga Avni Rrustemi13 qershor të vitit 1920Paris, Francë, ishte një politikan dhe kryeministër shqiptar. Esat Toptani detyrën e kryeministrit të Shqipërisë e ushtroi nga 12 tetori i vitit 1913 e gjer më 12 shkurt të vitit 1914 si dhe nga 5 tetori i vitit 1914 e gjer më 24 shkurt të vitit 1916. Gjatë viteve 1918 - 1920 Esat Pasha përpiqej që përmes aktivitetit të tij në mërgim në Paris, Francë të përfaqësojë Shqipërinë në Konferencën e Paqes përkundër asaj se delegacioni shqiptar nuk e përkrahte.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Esati, i biri i Ali bej Toptanit, lindi në Tiranë rreth vitit 1863. Vëllai i tij, Gani beu, ishte katër vjet më i madh, e i vëllai i Sadije Toptanit. Që në fëmijëri, ai dallohej për karakterin e tij të keq dhe gjaknxehtë; vëllai i tij i madh ishte jo më pak i tillë dhe babai i tyre ishte viktima e parë e karakterit të tyre të keq. Një ditë ata e mbuluan me një rrogoz të lagur me naftë dhe e kërcënuan se do ta digjnin. Në fakt Ali beu nuk ishte në rregull mendërisht. Esati ishte rritur në Tiranë dhe e kish zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, gjë që i jepte mundësi të çlirohej nga rivalët (familja Jella) dhe ta shtonte pasurinë me mjete kurdoherë të paligjshme. Pasi gjeti mjetin për t'u vënë me dëshirë në shërbim të Hafiz Pashës, guvernator i Durrësit, ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte ta tepronte në veprime pa u dënuar. Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani komandant i xhandarmërisë së Janinës; ky post i kushtoi atij 1500 lira turke të cilat iu paguan mareshalit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e kishte bërë në mnënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në mënyrë zyrtare në Janinë. Dervish Pasha ishte në atë kohë i plotfuqishëm në Stamboll. Ganiu ishte favoriti i Sulltanit dhe Esati mund t'i lejonte vetes, pa u ndëshkuar, gjithçka, megjithëse ky post ishte sa fitimprurës aq edhe i rrezikshëm. Ai përuroi në Janinë epokën e përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i futi përsëri në punë, pasi mori prej secilit 25 lira turke. Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori rushfete madje edhe prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të drejtësisë dhe duke nxjerrë përfitim nga gjithçka. Eshtë e pamundur të bëhet një listë për të këqijat, vjedhjet dhe grabitjet e tij.

Për këtë, ndër të tjera. mund të përmendim: ai arriti të grabiste manastirin (Teqe) e Peshtanit (rrethi i Përmetit); i grabiti 900 lira turke Baba Ahmetit, kryedervishi i Teqesë së Kostanit; 640 lira baba Abedinit, dervishit të Teqesë së Frashërit; 1200 lira vëllezërve Xhelal dhe Mehmet bej Këlcyra, 200 lira Abaz bej Vasiarit. Pas vrasjes së vëllait të tij Ganiut, Esati, duke menduar se rrezikohej, dërgoi në Konstantinopojë shërbëtorin e tij të quajtur Haxhi Mustafa, lindur në Krujë, i cili vrau Xhavit Beun, në mes të Urës së Gallatës. Vrasësi u arrestua, u gjykua dhe u burgos, por u trajtua me shumë butësi; ai, në burg, ishte një shef i vogël e pak kohë më vonë u lirua dhe u caktua rojë në Ministrinë e Drejtësisë. Nga kjo merret me mend se Hamit Beu ishte i kënaqur nga suprimimi i Xhavitit. Esatit, edhe pse i njohur nga të gjithë si autori i vërtetë i vrasjes, nuk u keqtrajtua aspak. Por, pak nga pak, marrëdhëniet e tij me qeverinë e përgjithshme të Janinës, Tatar Osman Pasha, u tendosën dhe për shkak të një skandali që ndodhi ndërmjet të dyve. Esati u transfema në Shkodër, gjithnjë me detyrën e shefit të xhandarmërisë. Ky ishte një rast për tiranin që t'u diktohej bashkëpatriotëve të tij, mbasi ai banonte në Tiranë, në vend që të banonte në qytetin e Shkodrës, në kryeqendër. Gjithashtu forca që kishte, i dhanë atij mundësi të bënte kërdinë kundër atyre që nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që me anë të pasurisë të tyre mund ta shqetësonin. Pikërisht në këtë periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës,sepse, duke persekutuar njerëzit e ndershëm, në të njëjtën kohë ai mbronte njerëzit e liq dhe u kërkonte ndarjen e përfitimeve të paligjshme që mund të arrinin këta të fundit; kjo ishte mënyra e tij për të garantuar sigurimin publik, ashtu sikurse kishte bërë në Janinë.

Ndryshimi i regjimit turk, në vitin 1908, e gjeti Esatin në postin e tij në Shkodër dhe me famën e një njeriu despotik, besnik ndaj Abdyl Hamitit dhe ndaj mënyrës së tij të administrimit, pra ai nuk mund të kishte marrëdhënie të mira me personat e regjimit të ri dhe duhej në mënyrë fatale të shinangej.

Por nuk i mungonte aspak shkathtësia: ai shkoi shpejt në Selanik, ku ndodhej selia e Komitetit Bashkimi dhe Progresi; thuhej se thonturqit e kishin dënuar me vdekje, por 500 lira turke, qendrimet e përulura dhe premtimet e rrema i dhanë atij mundësi të hynte në shërbim të shefave unionistë, të cilët e përkrahën dhe e ndihmuan të merrte mandatin e deputetit të Sanxhakut të Gjirokastrës për Parlamentin Osman. Esati, i cili dikur ia detyronte madhështinë e tij Abdul Hamitit, këtë herë duhej të mbështetej te armiqtë e Sulltanit. Pra ai e kishte vendin në Dhomën Osmane, duke mos marrë asnjëherë pjesë në të, duke mos dashur të luajë asnjë rol si deputet shqiptar dhe që shqetësohej tepër pak për mbrojtjen e interesave të kombit të tij; ai mbajti më tepër një qendrim servil me padronët e kohës, deri në atë pikë sa u caktua nga këta të fundit si anëtar i delegacionit që do t'i njoftonte Abdyl Hamitit rrënimin e pushtetit të tij. Esati njihej atëherë si një nga shefat unionistë dhe këto marrëdhënie të mira vazhduan për sa kohë që këta të fundit kishin pushtetin; dhe kur xhonturqit filluan të dobësohen, kur partia kundërshtare, e quajtur liberale, dukej se po korrte sukses, Esati e ndryshoi menjëherë kampin, duke u shprehur armik i Talatëve, i Xhavitëve dhe i Xhahidëve. Pikërisht në këtë çast nacionalistët e rinj shqiptarë hynë në lidhje me të në Stamboll: ai premtoi ndihmën e tij për lëvizjen antiturke që zhvillohej në Shqipëri (fillim i vitit 1912). Megjithatë. mbasi ia njihnin karakterin dinak dhe oportunist, nacionalistët u treguan të kujdesshëm dhe nuk u bazuan plotësisht në fjalën e tij. Kur shqiptarët, të cilët dolën fitimtarë në Shkup, arritën ta detyronin Dhomën të shpërbëhej dhe përgatitën formimin e qeverisë liberale të Myftar Pashës. Esati u emërua komandant i rezervistëve në Shkodër dhe me këtë detyrë ai mori pjesë në luftën kundër serbo-malazesve, që rrethuan qytetin e Shkodrës (1912-1913). Komandant i forcave të Shkodrës ishte koloneli Hasan Riza Pasha 1 konsideruar inteligjent e i paanshëm, dhe duke e kuptuar se shqiptarët (të mërzitur nga regjimi turk) do t'i ndihmonin malazezët, ai hartoi projektin për të ngritur flamurin shqiptar në Kështjellën e Shkodrës, me qëllim që të gruponte shqiptarët dhe t'i bënte ata të marshonin kundër agresorit sllav ose të paktën për të siguruar asnjanësinë e tyre. Në fakt, pavarësia e Shqipërisë u shpall në Vlorë (28 Nëntor 1912) dhe ishte fjala të bindeshin malësorët (malësorë të rrethinave të Shkodrës) se çështja e këtij qyteti ishte çështje e tyre. Në çastin kur Hasan Rizai do ta zbatonte këtë projekt dhe se ishte gati të merrej vesh me malësorët, ai u vra në mbrëmje përpara shtëpisë së Esat Toptanit, tek i cili ai sapo kishte qenë për darkë. Vrasësi ishte Osman Bali, shërbëtor dhe njeri besnik i Esatit. Për të shpjeguar këtë krim, duhet ditur se Hasan Riza ishte një kundërshtar i komitetit "Bashkim e përparim" dhe se ai donte të vinte kandidaturën e tij në Bagdad si deputet liberal. Nga ana tjetër, shefi i shtatmadhorisë së tij, nënkoloneli Kiameran ishte, së bashku me disa oficerë të tjerë, një fanatik unionist; Esati donte të shpëtonte nga Hasan Rizai, për ta zëvendësuar vetë atë dhe Kiemerani ishte i kënaqur të hiqte qafe një armik të partisë së tij; Esati dhe Kiamerani u morrën vesh deri në fund, domethënë deri në kapitullimin e qytetit, gjë që ndodhi në vitin 1913. Thuhej se Shkodrës i mungonin ushqimet por, nga ana tjetër, të rrethuarit ishin paralajmëruar se serbët që mbanin të rrethuar qytetin, në bashkëpunim me malazestë, sapo ishin larguar: pra ata ndodheshin përballë forcash të reduktuara dhe, për më tepër, mbretit Nikita i ishte dorëzuar ultimatumi i Fuqive të Mëdha për ta hequr ai vetë rrethimin. Esati, pra, kishte shumë mundësi ta zgjaste rezistencën edhe për disa ditë, por ai parapëlqeu të kapitullojë duke u mjaftuar të shpëtojë nderin e tij ushtarak. Por qysh nga ajo periudhë ka pasur zëra se gëzimi i Esatit kishte shkaqe të tjera nga ato të "Ndereve" ushtarake dhe se një shumë prej 600 000 frangash iu dha nga malazezët. Gjithashtu mbreti Nikita e princi Danillo e ndihmuan në ambicjet e tij personale; po ditën e kapitullimit të qytetit, malazestë përhapën zëra se Esati e kish shpallur veten mbret i Shqipërisë. Megjithatë Esat bej Toptani u mjaftua. në fillim, të tërhiqet në Tiranë, me ushtarë dhe topa që i solli nga Shkodra.

Ai gjatë viteve 1914 shërbeu si ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës, nën Princ Vidin.

Emri i Esat Pashë Toptanit u përmendet në një letër të Kryeministrit Francez, Aleksandër Mileran (njëkohësisht edhe president i Konferencës së Paqes në Versajë) më 30 janar 1920, drejtuar Fuqive të Mëdha. Në letrën e tij ai flet për dëmet që i ishin shkaktuar Shqipërisë dhe Esat Pashë Toptanit dhe familjes së tij gjatë bombardimeve të Durrsit[1]. Në letër shprehet qartë se sipas Aleksandrit, fakti që Shqipëria qëndroi përkrah vendeve të Antantës ishte meritë kryesore Esatit, duke i dhënë këtij të fundit edhe një meritë të madhe ushtarake dhe morale. Me sa duket nga letra, Esat Pasha ka ndihmuar sistematikisht ushtritë serbe dhe kjo tregon një besnikëri të tij ndaj Fuqive të Mëdha. Kryeministri Francez nuk limitohet me kaq, por ai e falënderon komandantin shqiptar për ndihmën e tij të çmuar në Luftën e Selanikut. Në këtë betejë Esat Pasha operoi si pjesë e divizioneve franceze dhe supozohet se ai ka mbajtur peshën më të madhe në frontin prej 30 kilometrash të Frontit të Selanikut.

Letra është një letër lavdëruese, ku Presidenti i Konferencës së Paqes të Parisit shpreh shqetësimin e tij për humbjet e mëdha që kryetari i qeverisë shqiptare kishte pësuar. Me keqardhje dhe njëkohësisht me respekt, Aleksandër Mileran-it i vjen keq që ushtaraku shqiptar, të gjitha shpenzimet e qëndresës së luftës, iu desh t’i përballonte vetë.

Sidoqoftë nga burimet shqiptare, shikohet se Esat-i nuk gëzonte një reputacion të mirë në vendin e tij. Prof. A. Luarasi shkruan se “...pozita mbisunduese e Esat Pashës vinte ndesh me ndjenjat e shumë patriotëve shqiptarë...” duke vazhduar më tej se “...princi i huaj... do të mund të siguronte qetësinë dhe stabilitetin e brendshëm... duke mënjanuar Esat Toptanin...” Duket qartë se ai kishte shumë armiq; armiqësi e cila do t’i kushtonte shtrenjtë atij[2].

Kështu Esat Pashë Toptanit do t’i vidheshin shumë pasuri gjatë bombardimit të dyfishtë të Durrësit. Për më tepër, anijet ushtarake austriake do të godisnin pa kriter duke shkaktuar dëme të shumta edhe në godinat qeveritare. Shtëpia e tij u sulmua nga njerëz të armatosur duke dëmtuar rëndë rezidencën e personit në fjalë . Të tjera prona në emër të Esat Pashës do të grabiteshin dhe do të dëmtoheshin në mënyrë katastrofike. Në se kjo nuk do të mjaftonte gjatë periudhës katër vjeçare të luftës, Toptani nuk kishte përfituar asnjë rrogë qeveritare. Ushtria e tij ishte gjysmë e shkatërruar nga luftimet e gjata. Shumë ushtarë kishin vdekur, të tjerë ishin të gjymtuar, disa dezertuan dhe ata të mbeturit ishin moralisht të demoralizuar [ref. 9]. Vetë Esat Pashës iu kërkua që të linte Shqipërinë dhe të qëndronte në pritje të vendimeve të Konferencës së Paqes, e cila do të vendoste edhe për fatin e statusit të Shqipërisë. Në një gjendje të mjerueshme, Esat Pasha do të kërkonte një dëmshpërblim prej 10 milion frangash edhe pse nuk dihet shumë qartë në se do e merrte ndonjëherë shpërblimin e tij. Ndërkohë që Esat Pasha qëndronte i syrgjynosur jashtë vendit, Nikolla Pashiqi do ta mbështeste atë me një letër drejtuar Kryetarit të Sigurimit të Konferencës së Ambasadorëve në Paris[3].

Esat Toptani dhe Nikolla Pashiqi[redakto | redakto tekstin burimor]

Në këtë letër, Pashiqi shkruan indinjatën e tij për harresën që fuqitë e mëdha i kishin bërë këtij ushtaraku të lartë shqiptar që kishte sakrifikuar më shumë se sa mundej për Fuqitë e Mëdha . Kjo mbështetje ndaj tij nga ana e Nikollës shpjegohet qartë, pasi Esat-i i kishte dhënë një kontribut të paçmuar forcave serbe në luftime. Megjithatë Nikolla Pashiq tregohet Pesimist në lidhje me Esat Pashën. Në delegacionin sllav (11 janar, 1920), Pashiqi shpreh bindur se ai është për mbrojtjen e tij si një detyrim moral që ai ka[4].

Esat Pasha gëzonte privilegjet e qeverisë Franceze prej dy vjetësh. Me gjithë se në pamje të parë ai ngjante si një kartë e djegur, Esati simbolizonte akoma një kërcënim. Ai po i prishte edhe punë Mehmet Konicës, një përfaqësues i denjë ky i interesave shqiptare. Konferenca e Versajës e kishte ndarë mendjen për ta zhdukur Shqipërinë nga harta e botës dhe me sa dukej Toptani nuk shqetësohej shumë për sa kohë ai merrte fetën e tij të tortës[5]. Fundja nuk ishte hera e parë që Esati bënte akte të turpshme në kurriz të popullit shqiptar . “Pleqësia” e tij e famshme bëri çmos që të pengonte qeverinë e re të Ismail Qemalit. Ai ka luajtur rol negativ edhe në kryengritjet e jugut për tu mbrojtur nga sulmet greke. Në memorandumin e tij të shkruajtur në frëngjisht, Esat Pasha pretendon se ai ishte dënuar me vdekje nga Perëndoria Osmane kur ky i fundit, në Luftën e Parë Botërore përkrahu aleatët perëndimorë. Kjo sipas tij ishte arsyeja për tu quajtur “Pasha.”

Vrasja e Esat Pashës[redakto | redakto tekstin burimor]

Lajmërimi në media mbi vdekjen e Esat Toptanit

Esati do të vritej më 13 qershor, 1920 nga atdhetari i shquar Avni Rustemi. Mbas një gjyqi të gjatë Avni Rustemi do të lirohej duke u shpallur i pafajshëm nga gjykatat e Shtetit Francez. Esat Pashë Toptani shikohet si një figurë tradhtare[6]. Vrasësi i tij Avni Rustemi, do të vritej nga njerëzit Ahmet Zogut, i cili kishte lidhje fisnore me Esatin[7].

Pashë Toptani nuk bëri asgjë për vendin e tij. Ai shikohet si një tradhtar i çështjes shqiptare dhe bëri vetëm në interes të vet . Madje edhe përkrahja e madhe që ai kishte në Dibër, do të vinte duke rënë. Esat Pash Toptani humbi shumë djem shqiptarë që ishin nën komandën e tij duke i syrgjynosur ata në beteja të përgjakshme pro-sllave dhe pro-greke. Prof. A. Luarasi shkruan: “Ishte e qartë që fuqitë e mëdha, që i bënë varrin qeverisë së Vlorës, mbështeteshin në elementë antikombëtarë si Esat Pasha, të gatshëm për të vënë në ankand pavarësinë e Shqipërisë. ”[8]

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ “...drejtohem Konferencës së Ambasadorëve me pasqyrën e humbjeve që personalisht ka pësuar Esat Pashë Toptani, kryetar i qeverisë shqiptare, dhe familja e tij...” Marrë nga letra e Aleksandër Mileran drejtuar Konferencës së Ambasadorëve.
  2. ^ “Historia e Shtetit Shqiptar dhe së Drejtës ne Shqipëri,” fq. ??
  3. ^ “...mbetet detyrimi për ta përkrahur atë, por, mbi të gjitha, ne duhet t’i mundësojmë daljen para Konferencës së Paqes dhe marrjen e fjalës në emër të popullit shqiptar.” Nga punimet e delegacionit Jugosllav, 11.01.1920.
  4. ^ “...e konsideroj me vend t’i lutem Konferencës së Ambasadorëve, të marrë masa administrative për mbrojtjen e menjëhershme të interesave të tij pasurore në Shqipëri.” Marrë nga letra që Pashiqi i dërgoi Konferencës së Ambasadorëve.
  5. ^ Cituar nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar, fq. 505. Artikulli i Ferit Metukut.
  6. ^ “Avni Rustemi – Dokumente dhe Materiale” – Shtëpia Botuese “8 Nëntori.” Citim: “Qysh prej 1912 e 1913… Esat Pasha ne vend që të forconte ndjenjat kombëtare Shqiptare, përpiqej të bënte të kundërtën...”
  7. ^ Rustemi ideator
  8. ^ “Historia e Shtetit Shqiptar dhe së Drejtës ne Shqipëri,” prof. Aleks Luarasi, fq 321.
  • Ref. 1: “Historia e Shtetit Shqiptar dhe së Drejtës ne Shqipëri,” prof. Aleks Luarasi, fq 322.

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]