Estrada e Shkodrës
Estrada e Shkodrës [1] është një nga format më të njohura të artit skenik në Shqipëri, ku ndërthuren skeçe humoristike e satirike, muzikë dhe pantomimë. Ajo u themelua më 6 qershor 1958 në Teatrin e Shkodrës [2] dhe u bë shpejt një institucion i rëndësishëm kulturor.
Fillimet [3] e saj datojnë që në vitin 1954 me numrin “Estrada në penxhere” të regjisorit Skanjeti dhe më pas me pjesën “U çua njeri e tha”. Në zhvillimin e estradës kontribuan autorë si Tonin Miloti, Jonuz Dini, Ton Shoshi, Frano Gjelaj dhe Ludovik Pepa, ndërsa në skenë interpretuan fillimisht aktorë diletantë si Hasan Smaja, Tano Banushi dhe Paulin Preka, të cilëve më vonë iu bashkuan aktorë të njohur si Adem Kastrati dhe Tinka Kurti.
Premiera e parë e trupës profesioniste u dha më 14 nëntor 1958 me shfaqjen “Në pavionin e operacionit të zemrës”. Gjatë viteve, estrda realizoi mbi 230 premiera për të rritur dhe fëmijë, me pjesë të njohura si “Familja Bush”, “Beqoja në spital”, “Testamenti” dhe “Tri karriket”.
Në vitin 1969 fitoi vendin e parë në Festivalin e Parë të Estradave në Shqipëri. Pas viteve ’90 vazhdoi aktivitetin me komedi të suksesshme si “Kunati i shokut Xhemal”. Në këtë skenë kanë kontribuar shumë figura të njohura të humorit shqiptar [4], ndër to Tano Banushi, Zylha Miloti, Zef Deda dhe Gëzim Kruja.
Përmes dekadave, Estrada e Shkodrës [5] ka mbetur një nga shtyllat e humorit shqiptar [6], duke pasqyruar jetën dhe karakterin e qytetit përmes satirës dhe interpretimit skenik.
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ https://shkodrazone.com/2026/03/05/estrada-e-shkodres-tradita-qe-formesoi-humorin-shqiptar/
- ↑ https://teatrimigjenicom.wordpress.com/2019/03/04/estrada-e-shkodres/
- ↑ https://www.gazetatema.net/kulture/nostalgji-nje-legjend-humori-estrada-e-shkodres-e-shkaterruan-ate-qe-na--i458158/
- ↑ https://www.55news.al/categories/itemlist/tag/Estrada+e+Shkodres/[lidhje e vdekur]
- ↑ https://top-channel.tv/2018/11/02/estrada-e-shkodres-60-vite-festa-me-humor-me-shkolle-te-mesme/
- ↑ https://www.shkoder.info/2018/11/07/shkoder-dokumentar-per-60-vjetorin-e-estrades/