Et'hem Toto

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Et'hem Toto
Ministër i Punëve të Brendshme
21 tetor 1935 – 7 nëntor 1936
Paraardhësi: Musa Juka
Pasardhësi: Musa Juka
Të dhënat personale
Lindi më: 1897/1898
Lindi në: Progonat, Perandoria Osmane
Vdiq më: 1937
Vdiq në: Mbretëria Shqiptare 1928–1939
Kombësia: shqiptar
Profesioni: xhandar, nëpunës

Et'hem Toto (Progonat, 1897/1898 - Zagjeç i Golemit, maj 1937) qe xhandar, ushtarak, nëpunës, ministër dhe organizator i Kryengritjes së Delvinës.

Biografia[redakto | përpunoni burim]

U lind më 1897 ose 1898 në Progonat të Kurveleshit,[1] i biri i Rizait dhe Hilvijes,[2] anëtari një familjeje tradicionalisht pasues të Asllan Pashallinjve.[3] Pas djegies së krahinës nga andartet greke më 1914, u vendos me familjen në Vlorë e më pas në Delvinë. Mbaroi mejtepin aty, nisi shkollën e mesme, por nuk e përfundoi. Më 1916 emigroi në Shtetet e Bashkuara.

Më 1918-1919 kreu një kurs të shkurtër xhandarmërie duke fituar gradën e aspirantit. U caktua adjutant i grupit të Përmetit dhe u mor me organizimin e forcave të kufirit në zonën e Gjirokastrës. Më 1920 qe nëntoger,[1] nuk iu bashkua Lëvizjes së qershorit.[4] Dhjetorin e 1924 u dërgua në kufi për të pritur me armë Myfid bej Libohovën, por i bashkohet dhe merr pjesë në Triumfin e Legalitetit.[3] Më 9 janar 1925 u gradua toger dhe më 20 korrik 1928 kapiten i dytë. Më 22 shkurt 1930 - 18 mars 1931 ndoqi dhe përfundoi shkollën e perfeksionimit të nënoficerëve në Firence.

Më 1929-1930, 1933-1934 dhe 1934-1935 shërbeu si qarkkomandant e zëvendësisht prefekt i Shkodrës. Më 1931-1934 qarkkomandant dhe zëvendësisht prefekt i Kosovës. Më 1934 qarkkomandant e zëvendësisht prefekt në Dibër.

Më 1935-1936 u caktua ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e të rinjveMehdi Frashërit. Në maj të 1937 ishte ndër organizatorët e kryengritjes së Delvinës, me dështimin e së cilës, për të mos rënë në duart e autoriteteve qeveritare, vrau veten.[1] Në kryengritje morën pjesë vëllezërit Toto: Tasini, që u vra i pari në përpjekjet e zhvilluara në Qafën e Plloçës, Et'hemi, nismëtari dhe organizatori i kryengritjes dhe Ismeti.[5]

Referencat[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. f. 240.  9789994356225. 
  2. ^ "Aktakuza: Rrëzimi me forcë i pushtetit popullor". rd.al. Rilindja Demokratike. 10 tetor 2017. 
  3. ^ a b Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925 [Lebenserinnerungen]. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. f. 527–528.  99927-780-6-7. 
  4. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. f. 359.  978-9928-140-54-8. 
  5. ^ Këlcyra, Ali (2012). Frashëri, Tanush, red. Shkrime për historinë e Shqipërisë. Tiranë: Onufri. f. 493.  978-99956-87-81-6.