Etilda Gjonaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Etilda

Etilda Gjonaj (Saliu) lindi më 6 maj 1981, në qytetin e Pukës.

Gjonaj është emëruar Zëvendësministër i Drejtësisë më 22 maj 2017. Ajo ka ushtruar funksionin e Komisionerit në Institucionin e Avokatit të Popullit për një mandat 3-vjeçar, ku ka drejtuar Seksionin e Çështjeve të Administratës Publike qendrore dhe vendore (2014-2017). Për rreth dy vite e gjysmë ka qenë eksperte e Sekretariatit Teknik, të ngritur pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi (2015-2017). Gjatë kësaj periudhe ka qenë pjesë e grupeve të punës për hartimin e një sërë projektligjesh të paketës së Reformës në Drejtësi.

Gjonaj ka ndjekur studimet e shkollës së mesme në Gjimnazin “Qemal Stafa”, Tiranë. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (1999-2003). Ka kryer studimet dy vjeçare pasuniversitare në shkenca penale në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (2009 – 2011) me diplomën Master Shkencor në Shkenca Penale. Aktualisht ndjek studimet doktorale në shkenca penale, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë vendit për çështjet e të drejtave të njeriut, sistemin e drejtësisë, sistemin penitenciar dhe shërbimit të provës, sistemin elektoral, ndihmën juridike për grupet në nevojë, në organizata ndërkombëtare, institucione të Bashkimit Evropian, etj.

Gjonaj, ka qenë aktiviste e shoqërisë civile, duke ofruar një kontribut për më shumë se 11 vjet për të drejtat e njeriut. Përgjatë periudhës 2003–2014 ka kontribuar si drejtuese programesh për programet e drejtësisë, reformave ligjore dhe institucionale, të zgjedhjeve dhe litigimit strategjik të çështjeve të të drejtave të njeriut, në Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Për disa vite është angazhuar si pedagoge e jashtme në Departamentin Penal të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti Tiranës. Gjonaj ka shërbyer si eksperte dhe konsulente në një sërë organizatash vendase dhe të huaja, me fokus të drejtat e njeriut dhe çështjet e drejtësisë, për monitorimin e ecurisë së Shqipërisë në procesin e Integrimit Evropian dhe zbatimit të rekomandimeve të KE-së (2007–2012 Fondacioni Soros), monitorimin e ecurisë së planeve të qeverisë për luftën ndaj korrupsionit të plan veprimeve për çështjet e drejtësisë (2011–2013), për drejtësinë penale për të miturit, masat e sigurisë dhe dënimet alternative, për çështjet penale, litigimit strategjik dhe ndihmës juridike.

Gjonaj është autore në një sërë publikimesh, studimesh kërkimore dhe shkrimesh shkencore në revista juridike vendase dhe ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, si dhe lektore në një sërë trajnimesh, konferencash dhe seminaresh në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.