Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Misioni i Fakultetit Filozofik është krijimi i një kuadri intelektual dhe shkencor të aftë për të bartur përgjegjësitë për proceset e gjithmbarshme shoqërore në Kosovë.

Vizioni i Fakultetit Filozofik është që, përmes përforcimit të kuadrit akademik, pasurimit ndërkombëtar dhe evropian të traditës akademike, përmes zgjerimit të bashkëpunimit, shtimit të profesionalizmit, intensifikimit të kërkimeve shkencore, si dhe digjitalizimit të administratës dhe tërë shërbimeve për studentët, të arrijë të bëhet institucion akademik i nivelit të universiteteve prestigjioze ndërkombëtare, me theks atyre të Bashkimit Evropian, si dhe të jetë konkurrent serioz në tregun akademik, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Fakulteti Filozofik ka për qëllim:

  • arsimimin dhe edukimin e studentëve në fushën e filozofisë, sociologjisë, psikologjisë, historisë, shkencave politike, pedagogjisë, etnologjisë dhe punës sociale;
  • aftësimin teoriko-praktik të studentëve në fushat e lartshënuara për kryerjen e detyrave dhe obligimeve për çka përgatiten;
  • afirmimin dhe zbatimin e të arriturave më të larta nga fushat e lartpërmendura në kulturën dhe shkencën evropiane dhe botërore në shoqërinë kosovare, kulturën, shkencën dhe ekonominë;
  • hulumtimin shkencor të fenomeneve dhe proceseve sociale në shoqërinë kosovare dhe më gjerë;
  • kultivimin e mendimit kritik dhe kreativ në fushën e teorisë shkencore dhe praktikës shoqërore;
  • përgatitjen e burimeve njerëzore, për aplikimin e dijes teorike dhe humaniste, në jetën praktike dhe aftësimin e tyre për konkurrencë në fushat përkatëse;
  • promovimin e vlerave dhe të demokracisë qytetare tek gjenerata e re;
  • bashkëpunimin në mësimdhënie, hulumtime dhe publikime me institucionet simotra në nivelin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar;
  • krijimin e kuadrove profesionalisht të afta dhe moralisht të përgjegjshme për ushtrimin e roleve dhe funksioneve të rëndësishme shoqërore, politike dhe edukativo-shkencore në shoqëri;
  • integrimin në zonën evropiane të arsimit të lartë dhe arritjen e mobilitetit të studentëve dhe mësimdhënësve;
  • ndërlidhjen dhe interdisiplinaritetin e fushave të studimit, brenda Fakultetit Filozofik dhe në bashkëpunim me fakultetet e tjera të Universitetit të Prishtinës. Realizimi i këtij qëllimi do të arrihet përmes formave të ndryshme të organizimit: ngritjes së studimeve interdisiplinare Master; hulumtimeve dhe projekteve, si dhe publikimeve të përbashkëta interdisiplinare me fakultetet tjera, në kuadër të UP-së; organizimit të tryezave, seminareve, simpoziumeve dhe kongreseve të përbashkëta profesionale e shkencore; hulumtimin dhe identifikimin e nevojave të tregut të punës dhe përshtatjen e përbashkët të planeve të studimeve atij tregu;
  • ngritjen e kuadrove kompetente të aftë për zgjidhjen e problemeve teorike dhe praktike, që kanë të bëjnë me shoqërinë kosovare, zgjidhje këto që do t’i kontribuonin prosperitetit ekonomik, social, demokratik, kulturor dhe arsimor të Republikës së Kosovës.

Fakulteti Filozofik monitoron në mënyrë permanente zhvillimet, si në arsimin e lartë, ashtu edhe në tregun e arsimit në Kosovë. Ky monitorim bëhet nëpërmjet një game të gjerë mënyrash specifike:

  • takime formale dhe joformale me aktorë relevantë të institucioneve vendimmarrëse dhe politikëbërëse të arsimit të lartë;
  • pjesëmarrje në konferenca, seminare dhe tryeza mbi arsimin e lartë në Kosovë, në rajon dhe më gjerë;
  • diskutime të brendshme akademike formale dhe joformale të stafit të Fakultetit Filozofik;
  • ftesë për ligjërata publike në Fakultet nga ekspertë eminentë për arsimin dhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me të;
  • monitorim i revistave prestigjioze shkencore për gjetje relevante për arsimin e lartë dhe monitorim i shtypit të përditshëm për artikuj dhe analiza dedikuar arsimit të lartë;
  • monitorim i vazhdueshëm i zhvillimeve të niveleve të tjera të arsimit, me qëllim përshtatjen dhe avancimin e kurrikulave, materialeve akademike, si dhe metodologjive të mësimdhënies dhe vlerësimit.
Logo e Universitetit të Prishtinës

Të rejat, zhvillimet dhe dinamikat në arsimin e lartë, të konstatuara nëpërmjet mënyrave të lartpërmendura, janë objekt diskutimesh dhe ndërthuren si në punën e përditshme, ashtu edhe në planin strategjik të Fakultetit Filozofik dhe departamenteve të tij.

Fakulteti Filozofik synon të jetë tejet refleksiv në përshtatjen ndaj zhvillimeve në arsimin e lartë. Kjo edhe si përgjigje e ndryshimeve sociale dhe institucionale, në të cilat ka hyrë si Universiteti i Prishtinës, ashtu edhe shoqëria në tërësi.

Fakulteti Filozofik

Historiku[redakto | përpunoni burim]

Fakulteti Filozofik është institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës. Ai është themeluar më 30 tetor 1960 dhe fillimisht i kishte këto departamente: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Gjuhë dhe Letërsi Serbokroate, Matematikë, Fizikë, Biologji, Kimi, Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Ruse dhe Frënge. Më 1962 u hapën edhe studimet e Historisë, të Gjeografisë dhe të Pedagogjisë. Më 1971 Fakulteti Filozofik u nda në dy fakultete, në Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore. Me rastin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1970, Fakulteti Filozofik ishte një ndër njësitë më të rëndësishme dhe më të mëdha të këtij Universiteti. Në vitin shkollor 1972/73, në Fakultetin Filozofik u hap edhe Dega e Filozofisë-Sociologjisë.

Në vitin 1989 ky fakultet u nda përsëri në dy fakultete: Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin e Filologjisë, me ç’rast Fakulteti Filozofik kaloi në lamelën e re, me hyrje të veçantë ku gjendet edhe tash.

Në vitet 1990/91, kur autoritetet serbe suprimuan autonominë e Kosovës, e me këtë edhe mësimin në gjuhën shqipe, në Universitetin e Prishtinës, me ç’rast mësimdhënësit dhe studentët shqiptarë u dëbuan nga objektet universitare, Fakulteti Filozofik e përjetoi të njëjtin fat. Nga viti 1991 deri me çlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999, Fakulteti Filozofik, me gjithë represionin e egër të okupatorit serb, e vazhdoi veprimtarinë e vet në kushte jashtëzakonisht të vështira materiale, hapësinore, kadrovike, si edhe të mungesës së bibliotekave.

Në rrethanat e reja të krijuara pas çlirimit, në vitin akademik 2001/2002, në Fakultetin Filozofik u hapën edhe departamente të reja, si ai i Psikologjisë, i Shkencave Politike dhe Administratës Publike, i Etnologjisë. Dega e deriatëhershme Filozofi-Sociologji u nda në dy departamente të veçanta: Departamenti i Filozofisë dhe Departamenti i Sociologjisë.

Në vitin akademik 2006/07, në kuadër të Departamentit të Pedagogjisë u hap edhe programi studimor Pedagogji Sociale. Prej viteve 2001/02 deri në vitin akademik 2007/08 ka funksionuar edhe drejtimi: Edukimi i Fëmijëve me Nevoja të Veçanta. Ndërsa, në tetor të vitit 2011, u akreditua edhe Programi studimor Puna Sociale, i cili do të funksionojë në kuadër të Departamentit për Punë Sociale. Nga tetori i vitit 2013, departamenti i Pedagogjisë ëahtë transferuar në Fakultetin e Edukimit. Kështu, tani në Fakultetin Filozofik ekzistojnë këto departamente:

  1. Departamenti i Filozofisë,
  2. Departamenti i Historisë,
  3. Departamenti i Sociologjisë,
  4. Departamenti i Shkencave Politike,
  5. Departamenti i Psikologjisë,
  6. Departamenti i Antopologjisë,
  7. Departamenti i Punës Sociale,

Në vitin 2001 Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi planet mësimore të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës për nivelin Bachelor dhe kështu Fakulteti Filozofik filloi zbatimin e skemës së studimit, sipas Deklaratës së Bolonjës. Në vitin akademik 2004/05 u bë plotësimi dhe përshtatja e re e planeve mësimore sipas Deklaratës së Bolonjës. Në vitin 2007 këto plane mësimore sërish u rishikuan dhe aty-këtu u ndryshuan, me ç’rast u reduktua numri i lëndëve mësimore, sipas semestrave dhe provimeve.

Studimet[redakto | përpunoni burim]

Fakulteti Filozofik ka një traditë të konsoliduar për ofrimin e programeve akademike në tre nivelet e studimeve: BSc, MSc dhe PhD, të cilat kanë zgjuar interesin e studentëve dhe të shoqërisë.

Aktualisht në Fakultetin Filozofik janë funksionale shtatë (7) programe Bachelor (BA):

  1. Histori
  2. Filozofi
  3. Shkenca Politike
  4. Psikologj
  5. Punë Sociale
  6. Sociologji
  7. Antropologji

Pesë (5) programe Master (MA):

  1. Histori Koha e Re
  2. Filozofi
  3. Psikologji Shkollore dhe Këshillim
  4. Sociologji
  5. Integrime Evropiane dhe Administratë Publike

Një (1) program Doktorature (PhD):

  1. Histori.

Shih edhe[redakto | përpunoni burim]

Lidhje të jashtme[redakto | përpunoni burim]

Referime[redakto | përpunoni burim]