Jump to content

Frashërllinjtë

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Familja Frashëri)
Dera e madhe Frashëri
Dera e madhe Frashëri
Bujari, Pari e Shqipërisë.
KombësiaShqiptar

Frashërllinjtë përbëjnë disa nga trungjet fisnike më patriote shqiptare të ndarë në disa degë dhe disa konfesione (të krishterë ortodoksë, myslimanë synitë e bektashinj). Kontributi që secila nga këto degë ka dhënë në historinë e Shqipërisë sidomos që prej gjysmës së dytë të shekullit XIX ka qenë vendimtar për emancipimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit shtetëror dhe krijimin e një gjuhe të shkruar e një letërsie me nivel të lartë. Dyert e bejlerëve të Frashërit, përveç Vilakëve që i dhanë Perandorisë Osmane vezirë, bejlerbej e mirimiranë, nuk bëjnë pjesë nominalisht në kategorinë e «oxhaqeve» të mëdhenj për arsye se ata nuk ishin pronarë të mëdhenj latifondistë, por më tepër funksionarë të lartë të perandorisë dhe tregtarë të mëdhenj dhe në më të shumtën e rasteve me rezidencë në Stamboll. Titujt që shumë Frashërllinj kanë mbajtur kanë qenë në bej me rytbe (që prej 1700) me ferman të sulltanitTurqisë, por edhe bej me letër patente nga zv/mbreti dhe mbreti i Egjiptit (rasti i familjes Adhamidhi-Frashëri për shembull). Pashallarë qenë dega e Vilakëve dhe e Sulejmanbellinjve të Frashërit. Dy familje Frashëri kanë stema personale: Adhamidhi dhe Totoni.

Kalorës stradiot në shek. XVI

Rrënja e trungut të hershëm të Frashërit përmendet në krye të herës me Petro Frassiarin, tregtar në Selanik në vitin 1425[1]. Më pas Frassarët, apo Frassinet, apo Frossinët i gjejmë kalorës stradiotë nga Këlcyra (Clissura)[2], rajon kufitar me zonën e Frashërit rreth Dangëllisë e Përmetit deri në Nauplion si shumica e stradiotëve[3] ku, nën urdhrat e Venedikut, ata shquhen në komandimin e reparteve të Republikës së Shën Markut kundër turqve, nga 1415 deri më 1563, përkrah pinjollëve Bua, Muzaka, Maneshi, Bohali, Barbati, Klada, Këmbëthekra, etj[4]. Frashërit janë një nga 70 rrënjët e mëdha stradiote shqiptare[5]. Në një kohë kur Venediku nuk fisnikëronte stradiotë, Teodor Frashëri shfaqet si kalorës i Shën Markut më 1540, nderim i veçantë që akordonte fisnikërinë personale[6][7]. Një nga djemtë e tij, Gjin Frashëri (Zigni Frassinae) është komandant stradiotësh në Sibinik në Dalmaci[6]. Më 1564 pasardhësja e tyre Diana Frashëri-Valami (Diana Frassinae)[6] e mbetur vejushë martohet me një kushëri të saj të largët nga Frashëri, filark (vojvodë, kryetar vëllazërie) i Danglëve. Është shumë e mundur që vëllazëria e Frashërve të bëjë pjesë e fisit të Danglëve ose Dangëlliasit, një nga pesë farat e Sulit[8], fisit të famshëm nga rridhte për shembull Marko Boçari. Apostol Stoja i Frashërit (+ 1655), nga të fundit sundimtarë dhe spahinj timarlinj të krishterë toskë, është iniciatori i familjeve më të shquara të Frashërit, sepse prej djemve të tij Ilia, Panajoti, Stefani, rrjedhin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte familjet e Totonëve, Cokëve-Aliçkaj dhe Panollarëve (K. Frashëri). Familja e vëllezërve te shquar Abdyl, Naim, Sami Frashëri rrjedh prej femrave nga Apostoli. Familjet e bejlerëve Sujlemanbellinj e Vilakë kanë lidhje martesore me trungun e Apostolit nëpërmjet degës së islamizuar të Ilias (Aliçkaj). Këto lidhje të hershme i bëjnë të gjithë Frashërllinjtë anëtarë të një vëllazërie te madhe solidariteti i së cilës është i sprovuar ndër vite. Një autor bashkëkohor shkon deri aty sa të flasë për «klanin Frashëri» në Stamboll gjatë viteve të Rilindjes, i cili kishte sipas këtij autori, «klientelën » e vet.[9]

Shtëpia e Totoni-Frashërve në Stamboll

Degët e Frashërllinjve (autokton)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndarja e degëve dhe e fateve të Frashërllinjve përkon me ndarjen fetare ne fillim të shek. XVIII. Tri djemtë e Apostolit, Ilia, Panajoti dhe Stefani janë në grindje për trashëgiminë atnore. Apostoli, arhond (arkont) i Frashërit, ishte intendent i Beut te Ohrit dhe kishte prona te medha jashtë Frashërit. Ilia, në ujdi me sanxhakbeun e Vlorës konvertohet në fenë islame dhe merr kështu të gjitha te drejtat e pronësisë mbi Frashërin dhe pronat jashtë tij. Prej Ilias, emri i të cilit u bë Ali, rrjedh dega e bejlerëve të mëdhenj Aliçko-Coku-Frashëri. Sulltani e bëri bej me rytbe Aliun. Stefani, djali i vogël i familjes, u detyrua të merrte rangun dytësor prej andej dhe pasardhësit e tij direkt, Totonët (nga emri i djalit të Stefanit, Anton – Toton) të mbetur ortodoksë morën rrugën e kurbetit. Panollarët, të dalë nga Panajoti, mbetën krerët e familjeve ortodokse të Frashërit dhe ruajtën parësinë e tyre arkontale mbi këto familje deri më 1914.

Familja Aliçko (Cokllarët)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Të dalë nga Beu i madh Ali, Aliçkot iu kundërvunë megjithatë që në fillim sulltani Ahmetit II i cili më 1700 dërgoi taborët e tij për të shtypur revoltën e tyre dhe të kushërinjve të tyre të krishterë.[10] Një nga stërnipërit e Aliut, Tahir beu, dervan aga i Dangëllisë, Dishnicës, Tomoricës dhe Skraparit u martua me Havanë, vajzën e Ajaz beut, nismëtarit të degës së bejlerëve të dytë të Frashërit dhe të Vilës. Morën pjesë në kryengritjen e Tomoricës dhe refuzuan titullin e pashës nga sulltani, por nuk u bashkuan me lëvizjen e Ali pashë Tepelenës. Nje degë e Aliçkove u vendos ne fillim të shek. XIXButkëKolonjës. Prej kësaj dege rrjedhin aktivistët e shquar kombëtarë,patriotet Sali Butka, Safet Butka, Gani Butka, arkitekti Qemal Butka, politikani dhe shkrimtari Uran Butka, shkrimtari dhe diplomati Ylljet Alicka, diplomati dhe profesori Albert Alicka, profesori Jetmir Alicka, producenti dhe regjizori Ilir Butka, inxhinieri Edgar Alicka eshte gjithashtu Aliçko-Frashëri.[11] Cokllarët, prej nga rrjedh dhe Ballkëz Frashëri (nga vajza e Tahir beut), gruaja e Abdyl Frashërit dhe më pas e Sami Frashërit dhe nëna e Mithat Frashërit, si dhe vjehrra e Kahreman bej Vrionit, morën pjesë në të gjitha lëvizjet kombëtare te shek. XIX dhe XX dhe përkrahën Shoqërinë e të shtypurit shkronjave shqip të themeluar më 1879Stamboll nga një plejadë e tërë Frashërllinjsh. Pasardhës të Cokllarëve mund të përmenden sot Hektor Frashëri, ish-ministër i Drejtësisë (1991), dhe Agron Frashëri.

Anastas Frashëri gjatë një gjuetie në Frashër (1938)

Familja e Panollarëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

E dalë nga djali i dytë i arhondit të Frashërit, Panajotit (Pano), kjo familje gëzonte parësinë midis familjeve ortodokse të Frashërit[12] dhe i dha emrin njërës prej dy lagjeve të krishtera të fshatit. Gjithmonë të shkolluar, sidomos në Zosimea gjatë shek. XIX, Panot u morën herët me tregti sidomos në Voskopojë. Prej tyre, në fund të shek. XVIII u shkëput një degë, Panot epirotë që do të jenë ne fillim të shek. XIX, familje e madhe bujare dhe kamejkamë të Principatës së Moldavisë.[13] Panollaret kontribuuan pa reshtur në Stamboll për çështjen shqiptare. Nip të Panollarëve ishin Anastase Frashëri, si dhe Gjergj Adhamidhi bej Frashëri (Gaqo Adhamidhi). Përpara se Frashëri të digjej nga grekët më 6 maj 1914, Panollarët kishin aty shtëpinë e tyre arkontale me hyrje të mermerosur e mbishkrime në greqisht.

Familja e Totonëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

E dalë nga Anton Frashëri, djali i vogël i Apostolit, kjo familje është shquar në mënyrë të veçantë në çështjen kombëtare dhe në atë të ndërtimit të Shtetit sovran shqiptar e të ngritjes së një kulture të vërtetë kombëtare[14]. Anastas I Konstantin Totoni-Frashëri është nga 28 anëtarët më me influencë të kolonisë shqiptare të Stambollit, bashkëthemelues me Sami Frashërin të Shoqërisë së të shtypurit shkronjave shqip1879 dhe të Shoqërisë së Stambollit. Emri i tij figuron në Kanonizmën e krijimit të kësaj Shoqërie. Anastas Frashëri II (1890-1958), stërnipi i tij, qe për vite me radhë kryeredaktor dhe gazetar i organeve më prestigjioze shqipfolëse te Stambollit dhe Rumanisë[15]. Redaktor në moshën 18 vjeçare të gazetës së Mehmet bej Frashërit, “Besa”, te “Kalendarit kombiar” [16] të Mithat bej Frashërit, kryeredaktor i “Paqes”[17] dhe “Shqipëri e Re” [18], krijues i grupit të parë artistik shqiptar të Stambollit, aktivist i autoqefalisë së Kishës ortodokse shqiptare, prefekt i Çamërisë nën qeverinë e Fan Nolit më 1924, kryeredaktor i përmbledhjes “Bisedime të Parlamentit shqiptar” nga 1928-1946, legjist i parë i Parlamentit shqiptar (1930-1944). Ishte babai i historianit dhe akademikut Kristo Frashëri, i komandantit të parë të Shkollës ushtarake Skënderbej dhe shkrimtarit Thoma Frashëri dhe i dëshmorit të atdheut Gjergj Frashëri, ekzekutuar nga gjermanët më 28 shkurt 1944.

Lapidari kushtuar Gjergj A. Frashërit në Tiranë

Shumë i respektuar, Anastas Frashëri ka lënë një kujtim shumë të mirë te bashkëkohësit e tij[19]. Totonët janë kushërinj të afërt me familjet e krishtera të Panollarëve, Dhamellarëve, Pollove dhe të familjeve të mëdha korçare Turtulli dhe Ballauri. Pasardhës të kësaj familjeje janë Menella Totoni, specialist i gramatikës shqipe, profesor në Universitetin e Tiranës, Gjergj K, Frashëri, historian dhe arkeolog, Alket Frashëri, piktor, Thomas Frashëri, jurist, laureat i Akademisë së Shkencave morale dhe politike të Francës.[20]

Et'hem bej Vlora, gjenerali De Weer, koloneli Thompson dhe adjutanti i tij Meleq Frashëri më 1914

Degët e tjera të Frashërllinjve (Familjet e Ajaz bej Tomoricës)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pasardhës i Hamza bej Tomoricës (1570), sipas Kamus-ul Alamit te Sami Frashërit,[21] i internuar në Stanimakë, Ajaz beu u vendos në Frashër në shek. XVIII si pasojë e një kryengritje anti-turke të dështuar që e deklasoi. Me tu vendosur në Frashër, ai lidhi krushqi me Aliçkajt vendas. Prej tij rrjedhin në linjë mashkullore familjet e Sulejmanbellinjve dhe Vilakëve, me gjasë edhe të Velibellinjve, Laçenjve dhe Dakollarëve ose Dulellarëve, megjithëse për këto tre të fundit ekzistojne versione kontradiktore.

Ishin dega që u ngritën në rang pashallarësh në fund të shek. XVIII me Mustafa Ali pashë Frashërin, spahi i Shipskes, i Nikolicës dhe i Voskpojës. “Princër” të Frashërit, rrjedhin pjesërisht nga Ajaz beu dhe nga Aliçkot dhe i dhanë historisë së Shqipërisë një kontribut diskret po te çmuar. Të lidhur me krushqi me familjet kryesore bejlere të Shqipërise, si familjet Vlora dhe Libohova. Prej tyre lindi Xhaferr bej Vila (1889-1938), ministër i Jashtëm i Shqipërisë (1933-1935) dhe nje nga “baballarët” e diplomacisë shqiptare, bashkë me diplomatin e shquar Rauf Fico. Ish-diplomat në Paris, Londër, Ankara, Beograd, e ambasador në Romë. Nuri bej Vila, funksionar i lartë otoman, ishte shef kabineti i kryeministrit Turhan pashë Përmeti më 1914. Djali i tij dhe i shkrimtares Eléonore de Villa-Frashëri, Skënder Vila, ishte nëpunës në Legatën mbretërore shqiptare në Egjipt dhe bashkëshort i princeshës Tossoun të Egjiptit.

Samiu, Mehmeti dhe Tahsin Frashëri në Stamboll

.

Sulejmanbellinjtë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U shquan me emra pinjollësh si Refat bej Frashëri (1882-1934), bakteriolog i dëgjuar dhe ish-ministër i Shëndetësise nën monarkinë shqiptare, apo Ferit Frashëri, ushtarak i shquar i vrarë në Shkodër më 1924. Aktori, artist i popullit, Naim Frashëri (1923-1973) ishte gjithashtu i kësaj familjeje.[22].

Mehdi Frashëri dhe Mihal Zallari-Frashëri kryesojnë Regjencën (1943)

Velibellinjtë kanë dhënë kontribut sidomos nëpërmjet Mehdi bej Frashërit, funksionar i lartë i Perandorisë osmane, shumë herë ministër në kabinete të ndryshme qeveritare që prej 1920 dhe kryeministër nga 1935-1937. Mbreti Zog I e ngriti në rang kordoni të madh me yll të Urdhrit të Skënderbeut[23]. Mehdi bej Frashëri iu kundërvu ashpër pushtimit italian dhe u bë Regjent nën pushtimin gjerman, nën të cilin u mundua të shpëtonte sa të mundte nga sovraniteti i Shqipërisë. Refuzoi të jepte listat me emrat e hebrenjve të Shqipërisë autoriteteve gjermane. Pasardhës të kësaj familjeje sot janë Alfred Frashëri, profesor gjeofizikant, Neki Frashëri akademik dhe Ermal Frashëri, doktor i Universitetit te Harvardit.

Dakollarët ose Dulellarët

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Është familja prej nga dalin figurat më të shquara të Frashërit, vëllezërit Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, e Sami Frashëri, djem te Halit beut.[24] Dihet kontributi i tyre në luftën për pavarësi dhe emancipim të Shqipërisë. Abdyl Frashëri qe themelues me Mehmet Ali Pashë Vrionin dhe Ymer Prizrenin dhe kryetar i Lidhjes shqiptare të Prizrenit (1878-1881).[25] Punëtor i palodhur i Rilindjes, u burgos dhe u persekutua nga qeveria osmane. Në 1880 pati mendime të shpallej Princ i Shqipërisë. Djali i tij, Mit'hat bej Frashëri (1880-1949), patriot dhe shkrimtar i shquar i gjysmës së parë te shek. XX, ishte themeluesi i partisë Balli Kombëtar gjatë luftës së dytë botërore, rivali kryesor i partisë komuniste. Naim Frashëri, ështe nga poetet dhe lëvruesit më të mëdhenj te shqipes. Sami Frashëri), filozof, ideolog i identit shqiptar dhe erudit. Autor i esesë së shquar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Vëllai i tyre më i vogël, Mehmet bej Frashëri ishte gjithashtu një aktivist i lëvizjes kombëtare mbar shqiptare. Prej këtij të fundit dalin trashëgimtarët e drejtpërdrejtë te trungut te Halit beut, Hajri Frashëri, Hysref Frashëri, Redi Frashëri dhe Jurgen Frashëri. Dakollarë, kushërinj të parë te vëllezërve Frashëri janë edhe Eshref bej Frashëri, inxhinier, ish-diplomat dhe ish-kryetar i Senatit më 1925 dhe i Parlamentit shqiptar në vitet 1930, dhe Xhemil Frashëri, historian, profesor.

Politikani Genc Pollo

Familja e Pollove

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Familje suljote e ardhur në Frashër më 1803, pas shkatërrimit të Sulit nga Ali pashë Tepelena. Ne shek. XX ajo ka nxjerrë një historian e akademik të njohur, Stefanaq Pollon si dhe një politikan të njohur, Genc Pollo, deputet dhe aktualisht, zv/kryeministër në qeverinë e z. Sali Berisha. Themistokli Pollo, gjyshi i Genc Pollos, ishte martuar me Areti Totonin, hallën e akademikut Kristo Frashëri dhe motrën e Anastas Frashërit.

Gjergj (Gaqo) Adhamidhi bej Frashëri

Familja e Dhamellarëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Familje tregtare e pasur në zë e Frashërit, nga e cila u shqua Gaqo Adhamidhi, ose Gjergj Adhamidhi bej Frashëri (1854-1939), doktor në mjekësi i Universitetit të Lausanne, mjek personal i Khedivit (zv/mbretit) te Egjiptit, i cili i lidhi atij dhe familjes së tij titullin fisnikëror princëror të beut të Egjiptit. Kontribuoi shumë për pavarësinë e Shqipërisë, me vepra dhe fonde. Bëri të njohur identitetin pellazgjik të shqiptarëve nëpërmjet nje punimi te famshëm.[26] Pati konflikte me rilindës të ndryshëm sidomos me Andon Zako Çajupin i cili u përpoq ta diskretitonte nëpërmjet nofkës së “Doktor Adhamudhit” në shkrimin e tij “Klubi i Selanikut”. Princ Vidi e bëri ministër të financave më 1914, dhe më pas përfaqësues të tij personal ne Romë.[27] Me ikjen e princ Widit, u vendos në Zvicër nga ku u mor me hapjen e shkollave shqipe për diasporën. Djali i tij, beu Paul Adamidi Frashëri (1904-1989) , pati një nga koleksionet më të mëdha të artit modern në Zvicër dhe shkëlqeu për nga eleganca dhe erudicioni. Në vitet 1970 ishte çambelan i Familjes mbretërore shqiptare në mërgim në Spanjë. I lidhi kësaj të fundit një koleksion me objekte të rralla shqiptare nën patronazhin e një Fondacioni mbretëror shqiptar të themeluar në Francë më 1984.[28] Ishte kushuri i parë i Anastas Frashërit dhe nip i Panollarëve. Nip i Gjergj Adhamidhi bej Frasherit, djali i vellait te tij, Thoma Frasherit ishte inxhinieri Stavro Th. Frashëri (1900-1965), i diplomuar ne Robert College te Stambollit (1927), studiues, folklorist, perkthyes e shkrimtar në Shqipëri. Një nga nipërit e tjerë të Gjergj Adhamidhit, djalë i Spiro Frashërit, ishte edhe Andon S. Frashëri, ish-student ne Robert College të Stambollit, ish-sekretar personal i Faik Konicës, nje nga krijuesit e Shoqërisë "Vatra" të Bostonit dhe shef kabineti i Fan Nolit kur ky ishte kryeministër i Shqipërisë (1924). Ka lënë shumë përkthime me vlerë në gjuhën shqipe.

Leonidha Frashëri dhe Jani Zallari në Stamboll më 1908

Familja e Zallarëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tjetër familje e krishterë me emër nga Frashëri, ajo e Zallarëve, ne krushqi me Totonët, u shqua sidomos në përpjekjet për formimin e gjuhës kombëtare, në luftën për autoqefalinë e Kishës ortodokse shqiptare. Dy emra mund të veçohen, ata të vëllezërve Leonidha dhe Mihal Zallari. Leonidha Frashëri ishte bashkëpunëtor i Mit'hat Frashërit dhe Anastas Frashërit në Stamboll në shtypin shqiptar të kohës. Bashkëthemelues me Anastas Frashërin dhe Thoma Panon të grupit të parë artistik shqipfolës të Stambollit. Prefekt i Delvinës, përkrahës i partisë “Krahu kombëtar” dhe i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, Leonidha Frashëri, deputet në Këshillin kombëtar të dalë nga zgjedhjet e 5 prillit 1921 [29], zhvilloi një aktivitet të madh patriotik e politik për të cilin flitet në librin e Sejfi Vllamasit.[30]

Mihal Zallari, kryetar i Këshillit kombëtar, anëtar i Regjencës (1943)

Vëllai i tij, Mihal Zallari, ishte një nga intelektualët dhe publicistët më në zë të viteve 1930 në Shqipëri. Kundërshtar i pushtimit italian, u bë ministër i arsimit në qeverinë e Rexhep Mitrovicës dhe në regjencën e Mehdi bej Frashërit, pas kapitullimit të kësaj të fundit më 1943. Të dy vëllezërit u rigjendën së bashku në gjirin e Kuvendit kombëtar të krijuar në nëntor të 1943, Leonidha si deputet i thjeshtë, Mihali si president i Kuvendit.[31] Dokumente dhe tregime personale dëshmojnë se si më 1944 Mihal Zallari shpëtoi nga pushkatimi ekipin e Radio-Tiranës të konsideruar si komunistë nga komanda gjermane. Gjithashtu, në marrëveshje me Mehdi bej Frashërin, Mihal Zallari iu kundërvu dhënies së emrave të komunitetit hebre në Shqipëri, SS-ve të gjeneralit Neubacher. Megjithë këto akte kurajoje, ai u dënua me 30 vjet burg nga regjimi komunist më 1945.[32]

Kontributi patriotik i Frashërllinjve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ K. Frashëri, Frashëri - Shkëlqimi dhe rrënimi i tij, Geer, Tirana, 2010, fq. 14.
  2. ^ C. N. Sathas, Documents inédits relatifs à l’histoire de la Grèce, vëll. VII dhe vëll. IX, parath., Maisonneuve, Paris, 1888-1890, f. XLIX dhe f. XXVI
  3. ^ cf. Z. Lito-Frashëri, The Albanians in Greece, Botimpex, Tirana, 1999.
  4. ^ C. Sathas, vep.cit., vëll. VII, 14,16; 26,32; 27,1-9; 49,13; 56,27; 102,3; 105,33; 132,18; 144,13; 145,27; 147,1; 157,1; 159,36; 160,7; vëll. IX, 4,19; 36,5; 103,19.
  5. ^ G. Valentini s.j., E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare, Plejad, Tiranë, 2007, shën. 18, f. 236 ; n° 75, f. 291
  6. ^ a b c C. N. Sathas, vep.cit.
  7. ^ Shih edhe P. Petta, Stradiotët – Ushtarë shqiptarë në Itali (shek. XV-XIX), IDK, Tiranë, 2006, f. 78
  8. ^ G. Valentini s.j., vep.cit., n° 53, f. 283
  9. ^ N. Clayer, Aux origines du nationalisme albanais, Karthala, Paris, 2008, f. 316-320
  10. ^ K. Frashëri, Frashëri - Shkëlqimi dhe rrënimi i tij, op.cit., ff. 29-37
  11. ^ A. Frashëri, N. Frashëri, Frashëri në historinë e Shqipërisë, Dudaj, Tiranë, 2007, f. 43.
  12. ^ T. Frashëri, E vërteta e Dr. Gjergj Adamidi bej Frashërit, Rilindasi, II-5, 5 shkurt 2012, f. 13.
  13. ^ M. D. Sturdza, Liste de 150 familles originaires d'Epire et de Macédoine, anoblies par des monarques étrangers ou ayant donné des bienfaiteurs de la nation grecque, in Grandes familles de Grèce, d'Albanie et de Constantinople, dictionnaire historique et généalogique, Paris, 1983, f. 186
  14. ^ Z. Haskaj, Mendimi politik e shoqëror i Rilindjes kombëtare shqiptare, vëll. II (1908-1910), Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë, 1976, f. 48 dhe f. 308
  15. ^ G. Petrotta, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Almera, Tiranë, 2008, f. 399
  16. ^ G. Petrotta, vep.cit., f. 410
  17. ^ G. Petrotta, vep.cit., f. 443
  18. ^ H. Borçi (drejt.) et alii, Gazetarë dhe publicistë shqiptarë, fjalor enciklopedik, Bot. UCPV, Tirana, 2005, V° « Frashëri », p. 130
  19. ^ L. Bardhoshi, Pleqtë poi ikin…, Toena, Tiranë, 2006, f. 165-169
  20. ^ Cf. Grand Palmarès des Grands prix, prix et médailles de l’Institut de France, Paris, 2002; M. Alla, Tomi Frashëri, Shqiptari me çmim në Paris, Gaz. Dita, 3 shkurt 2003 ; Remise de prix façon Harvard à Assas, Le Figaro, 30 novembre 2007; Ri. De., Studenti shqiptar merr medalje në Francë, Gaz. Shqip, 28 janar 2008
  21. ^ A. Frashëri, N. Frashëri, vep.cit., f. 133 passim
  22. ^ A. Frashëri, N. Frashëri, vep.cit., f. 143 passim
  23. ^ A. J. Frashëri, Urdhrat e Shqipnisë, in Dekorasjonet dhe origjina e tyre, «Diana», Tirana, 1938
  24. ^ K. Frashëri, Abdul Frashëri, 8 nëntori, Tirana, 1990, ff. 31-54
  25. ^ K. Frashëri, Abdyl Frashëri, Tiranë, 1984
  26. ^ Dr. G. Adamidi bey, Les Pélasges et leurs descendants les Albanais, Bulletin de l’Institut égyptien, n° 1, 1902
  27. ^ D. Heaton-Armstrong, The Six Month Kingdom Albania - 1914, I. B. Tauris, London, 2005, f. 26; O. Pearson, Albania and King Zog - Indipendence, Republic and Monarchy, 1908-1939, vëll. I, I. B. Tauris, London, 2004, f. 60; L. Thalloczy, Illyrisch-Albanische Forschungen, vëll. II, Von Duncker & Hümblot, Munich - Leipzig, 1916, f. 101.
  28. ^ T. Frashëri, op.cit., ff. 16
  29. ^ Kuvendi i Shqipërisë (përg. D. Estrefi), Ligjvënësit shqiptarë (1920-2005), Tiranë, 2005, f. 12
  30. ^ S. Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942): kujtime dhe vlerësime historike, Marin Barleti, Tiranë, 2000
  31. ^ Kuvendi i Shqipërisë, vep. cit., f. 40
  32. ^ E. Poga, Babai im Mihal Zallari, Alb-Ass, Tiranë, 2001
  33. ^ Stavri Thoma Frasheri (1902-1965) Biografi e shkurter