Firdeusiu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Firdeusiu
Firdeusi dhe tre vjershëtarët e oborrit ghaznavid
Firdeusi dhe tre vjershëtarët e oborrit ghaznavid
U lind mëc. 940
Tus, Perandoria Samanide
Vdiq më1020
Tus, Perandoria Ghaznavide
OccupationVjershëtar
GjuhaEarly Modern Persian
PeriudhaSamanidët and Ghaznavidët
Gjinitë letrarePoezi perse, poemë epike

Ebu ʾl-Kasim Ferdousi Tusi (c. 940-1020), ose Firdeusiu ishte vjershëtar pers, krijues i Shahnamesë ("Libri i mbretërve"), e cila është poema epike më e gjatë në botë e krijuar nga një autor i vetëm. Kjo poemë është eposi kombëtar i Iranit të Madh. Firdeusi çmohet si figura më me ndikim në letërsinë perse si dhe një prej figurave më të mëdha në historinë e letërsisë. Ai quhej "Zot i Fjalës" dhe "Shpëtimtar i persishtes".

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Familja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Firdeusi leu në vitin 940 në një familje pronarësh tokash (dehkanë) në fshatin Paj, pranë qytetit Tus, në rajonin Horasan të Perandorisë Samanide, që në ditët e sotme ndodhet në Provincën Razavi Khorasan në verilindje të Iranit. Mbi jetën e hershme të Firdeusit dihet shumë pak. Ai kishte një grua, që me gjasë dinte shkrim e këndim dhe vinte poashtu nga klasa e dehkanëve. Kishte një djalë, i cili vdiq në moshën 37 vjeçare, dhe u vajtua nga Firdeusi me një këngë zie që e futi në Shahname.

Sfondi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Firdeusi i përkiste shtresës së dehkanëve. Këta ishin aristokratë dhe pronarë tokash iranianë, të cilët kishin lulëzuar nën dinastinë sasanide të Persisë (dinastia e fundit që sundoi Persinë para pushtimit islamik). Fuqia e dehkanëve, ndonëse e dobësuar, kishte mbijetuar edhe në epokën islamike e cila pasoi pushtimet islamike të shekullit VII. Dehkanët ishin të lidhur me trashëgiminë letrare para-islamike, meqë me të ishte i lidhur statusi i tyre shoqëror (madje deri në atë masë sa në Shahname nganjëherë "dehkan" përdoret si sinonim për "iranian"). Kështu, ata e panë si detyrë të tyre ruajtjen e traditave kulturore para-Islamike, duke përfshirë edhe rrëfimet për mbretërit legjendarë.

Pushtimet islamike të shekullit VII sollën ndryshime të graduale gjuhësore dhe kulturore në rrafshnaltën e Iranit. Nga fundi i shekullit IX, meqenëse fuqia e kalifatit ishte dobësuar, në Iranin e Madh u shfaqën dinasti të shumta vendase. Firdeusi u rrit në Tus, një qytet nën sundimin e Samanidëve, njërës prej këtyre dinastive, të cilët pohonin prejardhje nga gjenerali sasanid Behram Çubin (i përfshirë në Shahname) Burokracia samanide përdorte persishten e re, e cila ishte përdorur për të sjellë Islamin në rajonet lindore të botës iraniane dhe zëvendësoi gjuhët vendase. Ata autorizuan përkthimet nga gjuha pahlavi në persishten e re. Guvernatori i Tusit, dehkani Ebu Mensur Muhamet, kishte urdhëruar ministrin e tij Ebu Mensur Mamari të ftonte disa dijetarë vendasë për të hartuar një libër të mbretërve (shehnahme) në prozë. Ky u përfundua më 1010. Edhe pse nuk ka mbijetuar deri në ditët e sotme, Firdeusi e përdori atë si burim për epin e tij. Sundimtarët samanidë i mbështesnin poetët e rëndësishëm persë si Rudaki dhe Dakiki, dhe Firdeusi ndoqi gjurmët e këtyre shkrimtarëve.[nevojitet citimi]

Të dhënat rreth arsimimit të Firdeusit mungojnë. Duke gjykuar nga Shahnameja, nuk ka ndonjë dëshmi që ai dinte qoftë gjuhën arabe apo gjuhën pahlavi.

Jeta si vjershëtar[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Është e mundur që Firdeusi ka shkruar disa vjersha të hershme të cilat nuk kanë mbijetuar. Ai filloi punën në Shahname rreth vitit 977, duke e menduar si vazhdim të veprës së vjershëtarit Dakiki, i cili ishte vrarë nga një skllav. Ashtu si Dakiki, Firdeusi përdori si burim Shahnamenë në prozë nga ʿAbd el-Razzāk. Nën patronazhin bujar të princit Mensur, ai e përfundoi motërzimin e parë të Shahnamesë në vitin 994. Kur ghaznavidët turq përmbysën Samanidët në fund viteve të 990-ta, Firdeusi vijoi punën në poemë, duke rishkruar disa pjesë për t'i thurur lavde sulltanit ghaznavid, Mahmudit. Qëndrimi i Mahmudit ndaj Firdeusit dhe çështja se sa e shpërbleu vjershëtarin, kanë qenë prej kohësh pikë mosmpajtimesh dhe kanë bërë të lindin legjenda rreth vjershëtarit dhe patronit të tij (shih më poshtë). Mahmudi turk mund të ketë qenë më pak i interesuar në rrëfime nga historia e Iranit sesa Samanidët. Pjesët e mëvonshme të Shahnamesë kanë pasazhe që zbulojnë luhatje disponimi të Firdeusit: në disa ai ankohet për pleqërinë, varfërinë, sëmundjen dhe vdekjen e birit të tij, kurse në pasazhe tjera, ai duket më i lumtur. Më në fund, Firdeusi e përfundoi epin e tij më 8 mars 1010. Pothuajse asgjë nuk dihet me siguri mbi vitet e fundit të jetës së tij.

Varri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Varri i Firdeusit

Firdeusi u varros në kopshtin e vet, meqenëse  kleriku vendas ia kishte ndaluar varrimin në varrezat e Tusit. Një guvernator ghaznavid i Horasanit ia ndërtoi një mauzole mbi varr ndaj vendi u bë i përnderuar. Varri u rindërtua mes viteve 1928 dhe 1934 nga Shoqëria Kombëtare e Trashëgimisë të Iranit me urdhër të Rezā Shāh, dhe tani është bërë ekuivalent me një vend të shenjtë kombëtar.

Legjenda[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas legjendës, Sulltan Mahmud Ghazni i ofroi Firdeusit nga një monedhë ari për çdo kuplet të Shahnamesë që ai shkruante. Vjershëtari pranoi t'i merrte paratë njëherësh pasi ta kishte përfunduar poemën. Ai e bëri nijet t'i përdorte ato për të rindërtuar digat në vendlindje. Pas një pune tridhjetë vjeçare, Firdeusi përfundoi kryeveprën e tij. Sulltani u bë gati për t'i dhënë atij 60,000 monedha ari, nga një për çdo kuplet, siç ishin marrë vesh. Megjithatë, oborrtari të cilit Mahmudi ia kishte lënë në dorë paratë, e përbuzte Firdeusin dhe e shihte si heretik, prandaj i zëvendësoi monedhat e arta me monedha argjendi. Firdeusi po lahej në hamam kur ia çuan shpërblimin. Me të kuptuar se monedhat ishin nga argjendi dhe jo nga ari, ai ua fali ato pronarit të hamamit, shitësit të pijeve freskuese dhe skllavit që i kishte bartur. Kur oborrtari i tregoi sulltanit për sjelljen e Firdeusit, ai u tërbua dhe kërcënoi ta ekzekutonte atë. Firdeusi iku prej Horasani, pasi kishte shkruar më parë një satirë mbi Mahmudin, dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës së mbetur në mërgim. Në fund Mahmudi mori vesh të vërtetën rreth dredhisë së oborrtarit dhe e dëboi ose e ekzekutoi atë. Në këtë kohë, Firdeusi plak ishte kthyer në Tus. Sulltani i dërgoi atij një dhuratë të re prej 60,000 copash ari, por mu kur karvani me para hyri në portat e Tusit, një kortezh mortor doli nga to: poeti kishte ndërruar jetë.

Veprat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shahnameja e Firdeusit është epi kombëtar më i shquar dhe më me ndikim në Iran dhe në vendet tjera ku flitet persishtja. Ajo është vepra e vetme e mbijetuar e Firdeusit, autorësia e së cilës quhet e padiskutueshme. Ai mund të ketë shkruar edhe poema dhe vjersha tjera por ato nuk kanë arritur deri në ditët e sotme. Një poemë narrative, Yūsof o Zolaykā (Jusufi dhe Zuleika), një kohë mendohej se ishte e tij, por kjo ide tani është hedhur poshtë me konsensus akademik. Ka pasur gjithashtu spekulime rreth satirës që Firdeusi thuhet se ka shkruar mbi sulltanin Mahmud Ghazni, pasi ai nuk e shpërbleu mjaftueshëm.

Skena nga Shehnameja, gdhendur në reliev në mauzoleun e Firdeusit në Tus, Iran.

Galeria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndikimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mauzoleu i Firdeusit në Tus, Iran
Një nga vargjet e Firdeusit: "Think for your lord's gratification be intellectual and truthful", shkruar në murin e një shkolle në Iran

Firdeusi është një nga gjigantët e padiskutueshëm të  letërsisë perse. Pas Shahnamesë së tij, përgjatë shekujve u shfaqën një numër veprash të ngjashme në sferën persisht-folëse. Pa përjashtim, të gjitha veprat e tilla u bazuan në stilin dhe metodën e Shahnamesë së Firdeusit, por asnjëra prej tyre nuk mundi ta arrijë të njëjtin nam dhe popullaritet  si ajo.[nevojitet citimi]

Firdeusi zë një vend të veçantë në historinë perse për shkak të hapave që bëri në rigjallërimin dhe rigjenerimin e gjuhës dhe traditave kulturore perse. Veprat e tij janë cituar si një komponent thelbësor në vazhdimësinë e gjuhës perse, meqë mundësuan që një pjesë e madhe e gjuhes të mbetej e kodifikuar dhe e paprekur. Në këtë drejtim, Firdeusi tejkalon Nizamin, Khajamin, Asadi Tusin dhe figura tjera letrare perse. Shumë iranianë modernë e shohin atë si babain e Persishtes moderne.[nevojitet citimi]

Ndikimi i Firdeusit në kulturën persiane shpjegohet nga Encyclopedia Britannica:

Persët e shohin Firdeusin si më të madhin vjershëtar të tyre. Për gati një mijë vjet, ata kanë vazhduar të lexojnë dhe të dëgjojnë recitime të kryeveprës së tij Shahnamesë, në të cilën eposi kombëtar pers gjeti formën e tij përfundimtare dhe të qëndrueshme. Edhe pse e shkruar 1,000 vjet më parë, kjo vepër është po aq e kuptueshme për një iranian të rëndomtë të sotëm, sa ç'është për një folës të sotëm të anglishtes Bibla në përkthimin King Xhejms. Gjuha, e bazuar ashtu si poezia në darin origjinal, është persishte e pastër e përzier me fare pak arabisht.

Shënime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Frye, Richard N. (1975). The Golden Age of Persia. Weidenfield. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Waghmar, Burzine and Sharma, Sunil (2016). Firdawsi: a Scholium. In Sunil Sharma and Burzine Waghmar, eds. Firdawsii Millennium Indicum: Proceedings of the Shahnama Millenary Seminar, K R Cama Oriental Institute, Mumbai, 8-9 January, 2011, pp 7-18. Mumbai: K. R. Cama Oriental Institute, ISBN 978-93-81324-10-3978-93-81324-10-3.

Frye, Richard N. (1975). The Golden Age of Persia. Weidenfield. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)