Shko te përmbajtja

Fjala artistike (Të folurit skenik)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fjala artistike - (Të folurit skenik) është arti i të folurit në skenën e teatrit, në televizion, në kinematografi. Me nocionin fjalë artistike kuptohet pastërtia e shprehjes, norma fonetike, fjala ekspresive, larmia e stilit, nuancat e holla kuptimore, pasuria e intonacionit, përdorimi i mirë i zërit, fuqia komunikuese, ruajtja e raportit midis konotacionit dhe detonacionit, të gjitha në dobi të një përcjelljeje sa më të plotë dhe emocionale të fjalës te publiku.[1]

Fjala artistike në Shqipëri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fjala artistike mbështetet mbi gjuhën letrare shqipe, mbi normën e standardizuar të shqiptimit të fjalëve të kësaj gjuhe sa më bukur dhe në mënyrë krijuese. Ajo ka qenë lëndë mësimore qysh në themelimin e shkollës së lartë për aktorë "Aleksandër Moisiu” dhe vijoi të jetë e tillë më pas në Institutin e Lartë të Arteve - Akademinë e Arteve dhe që së fundmi njihet me emrin zyrtar institucional Universiteti i Arteve.

Të folurit skenik në dialekt

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fillimet e veta të teatrit profesionist në Shqipëri vihej re një prani e gjithkundshme dialektore e nëndialektore, deri edhe e zhargonit, e të folurit në skenë, gjegjësisht teatrit ku punohej, në Shkodër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë etj.  Falë një pune këmbëngulëse ndër vite është arritur që në teatër, televizion dhe kinematografi të shmangen dalëngadalë të folmet në dialekt dhe nëndialekt, ca më keq në zhargon, megjithëse me shumë vështirësi.

Dialekti për përdorim stilistik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përveç qëllimit për përdorimin e gjuhës letrare në skenë dhe ekran, ngaherë është bërë kujdes që për individualizimin e personazheve, synimeve dhe konotacioneve stilistike që vijnë nga autori dhe teksti, të përdoren rëndom edhe të folmet krahinore-dialektore. Kjo ka ndikuar për mbarë, sidomos në zhanrin e komedisë dhe humorit, në krijimin e koloritit, vetjakësisë dhe veçanësisë së figurave aktoriale, rrjedhimisht për vetë trajtën skenike apo filmike të personazheve të interpretuar. Më e pranishme ka qenë e folura krahinore në teatrot e estradave dhe në interpretimin e roleve në komedi, ku shpotitja e veseve të bartësve të dukurive komike ka kërkuar si mjet plotësues pikërisht edhe përdorimin e të folurës nëndialektore dhe zhargonet. Kanë pasur sukses në aplikimin e tyre aktorë të tillë si: Tano Banushi, Skënder Sallaku, Mihal Popi, Robert Ndrenika, Viktor Gjoka, Nikolla Panajoti, Gjon Karma, Ndrek Shkjezi, Pandi Raidhi, Albert Verria, Bep Shiroka, Roland Trebicka, Leka Kruta etj.

Standardizimi i të folurit skenik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Evoluimi i natyrshëm i shqipes drejt standardizimit solli për rrjedhojë nevojën e zbatimit të normës së gjuhës letrare edhe në teatër, i cili ka qenë dhe mbetet një nga institucionet pararojë të kultivimit dhe përhapjes së saj në masat e gjera të spektatorëve. Përpos anës së shqiptimit korrekt dhe tingëllimit, fjala artistike nënkupton, gjithashtu, kujdesin, njohjen dhe kulturën për të nxjerrë në pah më drejt e më saktë idetë, mendimin, domethëniet e tekstit letrar gjerësisht dhe të çdo dialogu, monologu dhe fjalie veçanërisht: fjalën-mendim dhe fjalën-veprim.

Në vitet '70, pas vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit dhe unifikimit të gjuhës shqipe, u shtuan përpjekjet për të folur brenda normës letrare, çka bëri që aktualisht të zotërojë një e folur korrekte, gjegjësisht kërkesave njësuese e të detyrueshme të drejtshqiptimit të gjuhës, sikurse edhe një nivel më i lartë i teknikës së të folurit. Qysh në vitet e para të themelimit të Teatrit të Shtetit dhe më vonë edhe të teatrove të tjerë, në Radio Tirana e në Televizionin Shqiptar organizoheshin emisione të posaçme të fjalës artistike, kryesisht recitime të poezive, interpretime të fabulave dhe prozës së shkurtër, si psh., në Radio Tirana, disa nga emisionet ishin: Teatri në mikrofon, Heroizmi i popullit tonë në shekuj, Fjala artistike në mikrofon, emisionet humoristike apo radiodramatizimet për fëmijë: Teatri i fëmijëve në mikrofon, Radiopërralla, Teatri i kukullave në mikrofon etj.[2]

Për hijeshinë dhe pasurinë e fjalës shqipe në skenë dhe ekran kanë dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme aktorët më të mirë shqiptarë të teatrit, kinematografisë dhe televizionit. Veç këtij aspekti gjithëpërfshirës, fjala artistike shpesh herë kuptohet edhe si recitim, më së shumti, i poezisë (shqipe apo të huaj); si interpretim i prozës së shkurtër, i monologëve të nxjerrë nga dramat radiofonike etj.

Nga mjeshtërit e saj kanë qenë aktorët Prokop Mima, Kadri Roshi, Naim Frashëri, kurse më pas, në vitet '60-'80, Vera Zheji, Margarita Xhepa, Drita Pelinku, Reshat Arbana, Anastas Kristofori, Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Mirush Kabashi, Pirro Malaveci, Zerudin Dokle etj., deri me brezin e mëvonshëm në vitet '90-'2000 me Sokol Angjelin, Vasian Lamen, Valbona Imamin etj. E folura e bukur e këtyre aktorëve, shto edhe interpretimet më të suksesshme në skenat e teatrove, janë shndërruar në model, duke ndikuar në përmirësimin e të folurës dhe standardizimin e normës drejtshqiptimore në shtresat e gjera të popullsisë.

Metodika për estetikën e të folurit

  1. Papagjoni, Josif (2009). Enciklopedi e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare. Tiranë: Toena. fq. 149. ISBN 978-99943-1-456-0.
  2. Luarasi, Mihal (2006). Kujtesa që nuk fle-shkrime për teatrin dhe arte të tjera. Tiranë: Vatra. fq. 49.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]