Shko te përmbajtja

Bllokimi GNSS

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga GNSS jamming)

Bllokimi i sinjaleve GNSS, përfshirë bllokimin e GPS, është një akt i mbingarkesës së marrësve të sistemeve satelitore globale të navigimit, të quajtura shkurtimisht si GNSS, me sinjale të fuqishme radioje që mbysin sinjalet e dërguara nga konstelacione satelitore si GPS, GLONASS, BeiDou ose Galileo.

Kjo mbingarjesë e qëllimshme, ose jo, ndikon në aftësitë e marrësit për të llogaritur me saktësi pozicionin ose kohën e saktë. [1] Një bllokim i tillë mund të prishë funksionimin e pajisjeve të ndryshme që varen nga GPS, si për shembull sistemet e navigimit të automjeteve apo ajror e deri te bujqësia precize apo rrjetet e telefonisë celulare. [1] Në aviacionin civil, bllokimi i GPS mund të ndërpresë transmetimin ADS-B.

Bllokimi i GPS-it është një lloj i veçantë i ndërhyrjes GNSS .

Sipas rregullave Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), vendet janë të detyruara të eliminojnë ndërhyrjet e dëmshme përmes bllokimit të GPS-it dhe falsifikimit të GPS-it, por ITU-së i mungojnë masa efektive zbatuese. [2] Korniza ligjore e ICAO-s nga ana tjetër kërkon që vendet të zbatojnë parandalimin dhe zbutjen e duhur të bllokimit dhe falsifikimit të GPS-it. [2] Sipas Konventës së Montrealit të ICAO-s, vendet duhet ta bëjnë të dënueshme bllokimin dhe falsifikimin e GPS-it. [2] Në Shtetet e Bashkuara, operimi, tregtimi ose shitja e çdo pajisjeje bllokuese GPS është e ndaluar nga ligji federal. [3]

Ndërprerja e sinjaleve të GPS-it mund të ndodhë për arsye natyrore ose teknike. Fenomene si stuhitë diellore apo dështimet e pajisjeve mund të shkaktojnë humbje të përkohshme të sinjalit, të cilat zakonisht janë të parashikuara dhe nuk paraqesin rrezik serioz për aviacionin civil komercial. Megjithatë, përveç këtyre rasteve të rralla, sinjalet mund të bllokohen edhe nga burime të jashtme që transmetojnë valë radio në të njëjtat frekuenca me satelitët GPS, duke i mbingarkuar dhe shuar sinjalet e tyre të ligjshme.[4]

Ndërprerja e qëllimshme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndërprerja e qëllimshme ndodh kur përdoren pajisje të posaçme për të transmetuar sinjale më të forta se ato të satelitëve, duke i pamundësuar pranuesit marrjen e koordinatave të sakta. Përveç bllokimit, ekziston edhe manipulimi i sinjaleve, i njohur si spoofing, që funksionon duke krijuar sinjale të rreme për të treguar vendndodhje të pasakta. Pajisje të tilla mund të jenë të lira dhe të thjeshta për t’u përdorur, por zakonisht kanë efekt vetëm në distanca të shkurtra, ndërsa sistemet ushtarake kanë fuqi më të madhe. Pavarësisht kësaj, ndërprerja e qëllimshme është e paligjshme në shumicën e vendeve dhe relativisht e lehtë për t’u zbuluar, çka e bën përdorimin e saj një rrezik për autorët.[4]

Bllokimi i GPS mund të përdoret nga vende të ndryshme në rastet kur kryhen stërvitje ushtarake, por sipas rekomandimeve të IATA-s, ata duhet të njohin ndikimin e dëmshëm të një bllokimi të tillë në aviacionin civil dhe të kenë kujdes maksimal. Në aviacionin civil, Eurocontrol u jep rëndësi dy pikave kryesore gjeografike të bllokimit të GPS: së pari, nga hapësira ajrore e Turqisë Lindore në Irak, Iran, Armeni (që shtrihet deri në kufirin Armeni-Azerbajxhan); së dyti, nga hapësira ajrore e Qipros Jugore drejt Egjiptit, Libanit dhe Izraelit.[5]

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Rusia përdori bllokimin e GPS për të mbështetur aktivitetin e saj ushtarak dhe në një përpjekje për të ngacmuar apo frikësuar vendet e NATO-s përmes bllokimit të GPS dhe sinjaleve të navigimit. Në dhjetor 2022 dhe janar 2023, bllokimi i GPS u vu re në Poloninë veriore, Suedinë jugore, Finlandën juglindore, Estoni dhe Letoni. [6] Në prill 2023, Rusia, për të kundërshtuar sulmet e dronëve ukrainas, vendosi bllokim e GPS në 15 nga rajonet e saj, duke përfshirë dhe rajonet që rrethojnë Moskën.

  1. 1 2 "Solutions to the Military GPS Jamming and Spoofing Problem" (në anglisht). PNI Sensor. 20 gusht 2024. Marrë më 28 dhjetor 2024.
  2. 1 2 3 Ingo Baumann, Erik Pellander. "GNSS Jamming and Spoofing under National and International Law" (PDF) (në anglisht). Eleven international publishing. Marrë më 28 dhjetor 2024.
  3. "Information About GPS Jamming" (në anglisht). GPS.gov. Arkivuar nga origjinali më 27 dhjetor 2024. Marrë më 28 dhjetor 2024.
  4. 1 2 Express, Gazeta (2025-09-04). "Rusia po synon shkaktimin e hutimit dhe frikës - Si funksionon bllokimi i sinjaleve të GPS-it?". Gazeta Express. Marrë më 2025-09-12.
  5. https://www.eurocontrol.int/sites/default/files/2021-03/eurocontrol-sf-gnss-iata.pdf
  6. Goward, Dana (2024-01-31). "As Baltics see spike in GPS jamming, NATO must respond". Breaking Defense (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-09-12.