Gjergj Pekmezi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Pekmezi

Gjergj Pekmezi (gjermanisht: Georg Pekmezi; Tushemisht, 23 prill 1872 - Vienë, 24 shkurt 1938) ishte profesor i shqipes, bibliograf dhe albanolog shqiptar. Në nder të tij katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin "Prof. Dr. Gjerg Pekmezi".

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Studimet e para i kreu në Ohër e Manastirit (Perandoria Osmane). Më 1887 shërbeu si mësues në Llëngër të krahinës së Mokrës. Më 1890 u zhvendos në Beograd ku qëndroi deri më 1894. Studimet e universitare i bëri në Beograd e në Vjenë, ku u diplomua më 1898 për filozofi dhe filologji. Më 1903 u emërua shef i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës. Pas një viti themeloi Shoqërinë Kulturore Patriotike "DIJA". Më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës që Vaso Pasha e Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit. Kontribuoi pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve duke vërtetuar shqiptarësinë e banorëve në viset jugore kundrejt orekseve synimeve greke. Punoi si përkthyes pranë këtij komisioni nga vjeshta e 1913 dhe më 1914 u emërua përkthyes i misionit austro-hungarez në Durrës.

1916 me pushtim-administrimin austro-hungarez, u emërua kryetar i "Komisisë Letrare të Shkodrës", ku me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën e patriotë të tjerë bënë punë të mëdha për gjuhën, tekstet dhe shkollën shqipe.[1] Pasi shkoi për çështje private në Vienë, kur u kthye në Shkodër gjeti të miratuar Parimet e rregullat mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme, gjë për të cilën dha dorëheqjen duke parë miratimin në mungesë të tij një veprim jokorrekt.[2][3]

Në vitet 1920-24 emërohet Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë pranë Republikës së Austrisë. Riemërohet në këtë detyrë më 1926-28, vit në të cilën emërohet profesor në Universitetin e Vjenës, Katedra e Gjuhës Shqipe. Këtë detyrë e kreu deri më 24 shkurt 1938, kur ndërroi jetë.[1][4]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pekmezi është autor i:[1]

  • Vorläufiger Bericht über das Studium des albanesischen Dialekts von Elbasan, Raport provizor për studimin e të folmes së Elbasanit, 1901.
  • Grammatik der albanesischen Sprache, Gramatikë e gjuhës shqipe, në bashkëpunim me Nachtigall,[5] 1908.
  • Bibliographija shqype/Albanesische Bibliographie. Vienë, 1909.
  • Sprachführer zur schnellen Erlernung der albanischen Sprache, Doracak për të nxënë shpejt gjuhën shqipe, Vienë, 1913.
  • Lehr und Lesebuch des Albanischen, Doracak dhe këndonjës i shqipes. Me bashkëautor Maksimilian Lambercin. Vienë, 1913.
  • Bleta shqypëtare e Thimi Mitkos. Transkriptim me alfabetin shqip. Vienë, 1924.[6]

Përveç veprave të lartpërmendura, ka lënë dorëshkrim një punim mbi dialektologjinë shqiptare "Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes". Gjithashtu ka mbledhur e dorëzuar 8177 faqe të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve austro-hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë të jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze[4].

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania. Historical Dictionaries of Europe. Vëll. 75 (bot. 2). Scarecrow Press. fq. 331. ISBN 978-0810861886.
  2. ^ Posta e Shqypniës (13 tetor 1917., nr. 89, fq. 3, Shkodër.
  3. ^ Posta e Shqypniës (17 tetor 1917), nr. 90, fq. 3, Shkodër.
  4. ^ a b Haxhillari, Istref (11 shtator 2012). "Gjergj Pekmezi, ndër intelektualët më të kulturuar të kohës". Telegraf. Marrë më 5 mars 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Rrota, Justin (2006). Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 586. ISBN 99943-696-9-5.
  6. ^ Cornis-Pope, Marcel; Neubauer, John (2004). History of the literary cultures of East-Central Europe: junctures and disjunctures in the 19th and 20th centuries (në anglisht). John Benjamin's Publishing Company. fq. 337. ISBN 978-90-272-3455-1. Marrë më 18 maj 2011.