Gjokë Doçi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Gjokë Doçi (Fushë Lurë, 30 dhjetor 1920 - 1944) ka qenë partizan shqiptar, ra dëshmor gjatë Operacionit të Dimrit, u shpall pas çlirimit Hero i popullit.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind më 30 dhjetor 1920, në një familje të te varfër, ku në krizën e madhe të viteve ’30, një motër e tij do të martohej shumë larg ne një vend të varfër. Lindi në Fushë Lurë të Dibrës në një familje që ndonëse e varfër, kishte lënë në kohë gjurmë qëndrese e atdhetarie. I ati e la jetim në moshën më të njomë e më të pafajshme, kur ende s’kuptonte asgjë nga bota, se ishte vetëm tre vjeç, por e ëma Dila, një burrneshë e vërtetë, u kujdes që i biri të bëhej i pushkës e i penës, i fjalës së mbajtur dhe vlerave të tjera njerëzore, që ishin cilësi e malësorëve të kohës. U rrit në odën e burrave, duke u mëkuar me bëmat historike të malësorëve patriot të Lurës, si Dom Nikollë Kaçorri, Kolë Bibë Doçi, Xhemile Gega, Hasan Kaci e Sul Buci edhe plot të tjerë. Prifti i Lurës, që do të shikonte tek djaloshi një të ri të zgjuar dhe plot virtyte, do të kujdesej që i riu të shkonte në fillim në kishën e Delbanishit të Laçit, për të punuar si shërbëtor, dhe pas disa vitesh, në Jetimoren e Shkodrës, institucion ky i mbikëqyrur nga Urdhri Jezuit. Falë kësaj përkujdesje klerikale, Gjoka do të regjistrohej në shtator të vitit 1937 në Shkollën Industriale Teknike në Tiranë, ku do të njihej me figura të tilla si Bardhok Biba, Tom Kola dhe të rinj të tjerë, që qenë përfshirë aktivisht në lëvizjen komuniste. Përfshirja në lëvizjen komuniste ishte në modë për kohën, pasi shumica e këtyre të rinjve, jo vetëm që kishin një origjinë klasore e shoqërore me përkatësi ndër shtresat e varfra të kësaj shoqërie, por dhe tendenca e idealistëve dhe progresistëve të kohës anonte nga kjo lëvizje. Në kohën kur shtypja dhe shfrytëzimi klasore kishin arritur në zenith dhe kishin prekur deri në palcë shtresat më të varfra e më të nëpërkëmbura të shoqërisë, të përkrahje idetë komuniste ishte një devizë dhe tregonte se përkrahje të drejtën dhe të vërtetën. Studimi i literaturës së ndaluar për kohën dhe propagandimi i idesë për liri e barazi shoqërore ishte shtrati ku u kalit ndërgjegjja shoqërore aktive e djaloshit lurian, që kishte një karakter të qëndrueshëm e besnik dhe qe mjaft trim e guximtar. Hordhitë e këmishëzinjve erdhën në Shqipëri me zjarr e hekur në njërën dorë, dhe me premtime e joshje në dorën tjetër; emisarët e Musolinit i propozuan Gjokës të vishte rrobat e fashistit, por ai refuzoi me neveri dhe iu kundërvu me guxim e kurajë planeve diabolike fashiste për të helmuar rinë shqiptare. Pa mbaruar ende shkollën, vihet në shënjestër të autoritete për “qëndrim të papajtueshëm me rendin e ri” dhe përjashtohet nga shkolla. Tani Gjoka do të përfshihej aktivisht në gjirin e punëtorëve, ku nga njëra anë provonte në kurriz peshën e shfrytëzimit, nga ana tjetër ndiente të piqej në shpirtin e tij fara e urrejtjes kundër okupatorit dhe veglave të tij. Por veprimtaria e tij antifashiste po binte gjithnjë e më shumë në sy, ndaj për t’iu shpëtuar përndjekjeve të milicisë fashiste, shkon në Elbasan, ku lidhet me komunistët Kozma Naska, Tomor Sinani, Naum Panxhi, Nasi Mitrushi e të tjerë dhe mori pjesë aktive në lëvizjen ilegale të qytetit. Pasi provoi shumë punë në sektorë të ndryshëm, ku punoi si mekanik, elektricist, shofer, shitës ambulant, punëtor në Fabrikën e Tullave, në shpirtin e tij nisi të trazoheshin idetë e qëndresës kundër shtypjes e shfrytëzimit, në njërën anë, dhe llava e urrejtjes kundër pushtuesit, në anën tjetër. Kontaktet me komunistët dhe ilegalët që vepronin në luftë kundër fashizmit, po e ndërgjegjësonin gjithnjë e më shumë për nevojën e marrjes pjesë direkt në aksione antifashiste, që do të rrisnin guximin dhe pjekurinë e tij në zjarrin e luftës. Në njësitin gueril të qytetit të Elbasanit I radhitur në njësitin gueril të qytetit të Elbasanit, ai do të merrte pjesë në një sërë aksionesh luftarake si: në stamposjen e yllit në fabrikën e tullave, në aksionin e 2 korrikut 1942 për prerjen e linjave telefonike, në djegien e kuesturës fashiste dhe në demonstratën e bukës të gushtit 1942. Njëkohësisht ai merrte pjesë në veprimtari e gara sportive, sidomos shfaqte një pasion të madh për futbollin, si dhe ishte pjesëtar i bandës muzikore “Afërdita” të Elbasanit, por kur pa se në gjirin e saj kishte elementë që pranonin të ekzekutonin himne fashiste, iku me neveri e urrejtje prej saj. Gjokë Doçi ishte i pari nga Lura që iu bashkëngjit formacioneve të Luftës së Madhe, për tu pasuar nga Dulejman Loka, Mehmet Loka, Rexhep Koçeku, Bibë Vladi, Baftjar Buci, Gjon Deda, Islam Koçeku, Rahman Deda, Hysen Moriseni, Ahmet Përleka, Ramadan Mena, Sulë Hoti, Tahir Nezha, Rexhep Murati e të tjerë. Lura e ka treguar veten në histori, që nga koha e Skënderbeut dhe në të gjitha luftërat duke u bërë pjesë e skalionit të rezistencës atdhetare për liri e dinjitet shoqëror. Në dhjetor të vitit 1942, shkon në Elbasan dhe për të propaganduar përmbajtjen dhe qëllimet e Konferencës së Pezës vetë lideri komunist dhe udhëheqësi i Luftës Enver Hoxha dhe Gjoka do të ngarkohet nga Qarkori i Elbasanit për ruajtjen personale të “Tarasit”. Vetëm pak ditë më pas, ai inkuadrohet në çetën partizane të Dumresë, ku si luftëtar trim e besnik ndaj kauzës së lirisë, do të dallohej luftëtar i paepur e kurajoz në aksionin e Kuçovës, në atë të Bishqemit, në goditjen kundër shoqërisë “Mediteran”, në aksion për hapjen e depove të drithit në Gjyralë, në Dëshiran, në Shalës e në Grekan. Për këto merita, kur formohet Brigada I Sulmuese, Shtabi i Përgjithshëm e emëron Gjok Doçin zv/komandant të batalionit IV në përbërje të saj. Prirjet e tij ushtarake, zotësia në luftë ku printe me shembullin e tij, bëjnë që të shkëlqejë në pritën e Barmashit, në Qafën e Qarrit, më 5 shtator 1943, në aksionin e Dervenit, më 20 tetor dhe më 9 nëntor në Kalanë e Mërgëlliçit. Kudo shfaqej guximi dhe trimëria e tij e pashoqe, thjeshtësia dhe çiltërsia, gatishmëria për të ndihmuar gjithkënd që kishte nevojë për ndihmën e tij. Siç kujtojnë bashkëluftëtarët, në çantën e tij të shpinës, krahas plumbave e bombave, do të gjeje dhe lapsa e fletore, pasi ai iu mësonte me pasion e pa u lodhur shkrim e këndim partizanëve. Komandant i batalionit IV, të Brigadës së Parë Sulmuese Më 17 nëntor 1943, emërohet komandant i batalionit IV të Brigadës së Parë Sulmuese. Rishtas shfaqet, akoma më me kurajë e shpirt qëndrese, karakteri i tij luftarak, forca, dinamizmi, vrulli i aksioneve, shpirti i paepur i djaloshit lurian, që e vështronte vdekjen në sy, pa i ulur sytë nga frika. Kur valët e Operacionit armik të Dimrit po përfshinin me shpejtësi trevat e jugut, ai dhe batalioni i tij ndodheshin në Mallakastër, kur forcat e armikut kishin ndërmarrë një mësymje të përgjithshme kundër forcave partizane në këtë zonë. Ai do të dilte vullnetar për të çliruar Brigadën nga një situatë e vështirë luftarake, në një operacion ushtarak që kërkonte trimëri të pashoqe dhe kuraje heroike. Në këtë aksion, trimi nga Lura, djaloshi plot ëndrra për jetën dhe dashurinë njerëzore, që ishte rritur jetim dhe me shumë mund e sakrifica, i riu që kishte besim se e ardhmja njerëzore në Lurën e tij, në tokën e tij, në vendin e tij, do të ishte më e mirë, mbeti përgjithmonë në një copë tokë mallakastriote, në një lëndinë, ku ende sot ka dhe lapidarin në përkujtim të tij.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]